BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 7/98 f. 28-29
  • Një vështrim rreth botës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një vështrim rreth botës
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Kërcënohet liria fetare në Evropë
  • Dritare automatike
  • Efekti i televizorit mbi fëmijët
  • Ecja mund të zgjatë jetën
  • Muzika ndihmon fëmijët
  • Ekologjia e plazhit
  • Pjata jonë me ushqim global
  • Ngjalat në punë
  • Rripat e sigurimit dhe vdekja në automjet
  • Vdekjet nga duhani
  • Një vështrim rreth botës
    Zgjohuni!—2005
Zgjohuni!—1998
g 7/98 f. 28-29

Një vështrim rreth botës

Kërcënohet liria fetare në Evropë

Në një konferencë shtypi të kohëve të fundit në Uashington D. C., SHBA, Masimo Introvinje, një studiues i Kishës Katolike të Romës nga Torino, Itali, tha se në disa shtete po përpilohen lista ose raporte kundër sekteve. Organizata të vëna në shënjestër si «sekte të rrezikshme» përfshijnë: Baptistët, Budistët, Karizmatikët katolikë, Hebrenjtë hasidikë, Dëshmitarët e Jehovait, Kuakerët dhe Shoqatën e Krishterë të të Rejave. Një raport gjerman citon 800 grupe; një në Belgjikë 187; dhe një në Francë 172. Introvinje shkruan se në Francë «mësues të shkollave publike janë pushuar nga puna pas vitesh shërbimi të respektueshëm, vetëm sepe ishin Dëshmitarë të Jehovait». Siç raportohet nga agjencia e lajmeve Compass Direct, Introvinje shprehu shqetësim për sponsorizimin publik të lëvizjeve antikulte. Ai tha: «Është mjaft e qartë se këto lëvizje janë përgjegjëse për përhapjen e ngatërresave dhe shpesh të informacioneve tërësisht të rreme mbi minoritetet fetare dhe të një pikëpamjeje botërore intolerante.»

Dritare automatike

Kërkuesit në Universitetin e Sidnejt në Australi kanë shpikur një dritare, e cila mbyllet automatikisht me afrimin e një aeroplani që fluturon në kuotë të ulët. Pasi të ketë kaluar zhurma shqetësuese, dritarja hapet përsëri. Një mikrofon i jashtëm, i ndihmuar nga rrjeti i kompjuterëve i ndërtuar në dritare, mund të njohë frekuencën e veçantë edhe të zhurmave të tjera, si për shembull, të borisë së kamionëve për pesha të rënda. Eksperimentet tregojnë se këto dritare mund ta zvogëlojnë zhurmën me 20 decibel, që shpresohet të jetë e mjaftueshme për të siguruar një gjumë të patrazuar. Revista New Scientist komenton: «Një nga përfitimet e mëdha të sistemit është se ndërtesat mund të jenë si kundër zhurmës, ashtu edhe të ajrosura pa nevojën për të instaluar kondicionerë të kushtueshëm.»

Efekti i televizorit mbi fëmijët

«Filmat vizatimorë dhe lojrat ndikojnë mbi sjelljen e fëmijëve nga mosha 6-12 vjeç më shumë sesa shkolla, meqë ata kalojnë deri në 38 orë në javë duke parë televizor, në krahasim me 23 orë që kalojnë në klasë»,—raporton gazeta meksikane El Universal. Kërkuesi Omar Torreblanka vërejti se televizori u mëson fëmijëve se cilat qëndrime të marrin në situata të veçanta, por pa qenë i vetëdijshëm fëmija nëse këto qëndrime janë të mira apo të këqija. Ai shpjegoi: «Nëse fëmija sheh filma vizatimorë ose një film ku një nga personazhet e lidhin me rezultate të suksesshme, fëmija ka shumë të ngjarë ta imitojë këtë praktikë.» Hetimi i Torreblankës tregoi se «fëmijët e vegjël aplikojnë në jetën e tyre të përditshme atë që mësojnë çdo ditë nga televizori, por jo atë që mësojnë në shkollë, meqë e konsiderojnë shkollën thjesht si një detyrim».

Ecja mund të zgjatë jetën

Asiaweek thotë se ecja ditë për ditë mund ta zgjatë në mënyrë domethënëse jetën. Një studim 12-vjeçar u përqendrua në 707 burra që nuk pinin duhan, mes moshës 61 dhe 81 vjeç, të cilët ishin në gjendje të ecnin. Raporti vëren se ata «që ecnin vetëm 3,2 kilometra në ditë, sikur edhe me hap të ngadalshëm, e ulnin për gjysmë rrezikun e vdekjes nga të gjitha shkaqet». Ata që nuk ecnin, ishin 2,5 herë më në rrezik për të vdekur nga të gjitha llojet e kancerit, sesa ata që ecnin të paktën 3,2 kilometra në ditë. Studimi, i botuar në The New England Journal of Medicine, zbuloi se madje ecja sikur edhe një kilometër në ditë e redukton vdekshmërinë. Më parë, disa specialistë të fizkulturës e vinin në dyshim vlerën e këtyre ushtrimeve me intensitet të ulët. Tani, një studim i ri nxjerr përfundimin: «Inkurajimi i njerëzve të moshuar për të ecur mund të jetë në dobi të shëndetit të tyre.»

Muzika ndihmon fëmijët

Gordon Shau, profesor fizike në Universitetin e Kalifornisë, Irvin, thotë se t’u mësosh fëmijëve tre ose katërvjeçarë të luajnë muzikë mund t’i ndihmojë që të arsyetojnë dhe të mendojnë. Në këtë moshë të re, lidhjet e trurit formohen me gatishmëri dhe kërkuesit kanë treguar se praktikimi i rregullt sikur edhe për dhjetë minuta në ditë ndihmon për të prodhuar «një përmirësim afat-gjatë mbi mënyrën e të menduarit dhe të të arsyetuarit të fëmijës». Sunday Times e Londrës raporton se në një eksperiment nëntë mujor, fëmijët që kishin marrë mësime pianoje u krahasuan me grupe që kishin marrë mësime kompjuteri ose nuk ishin stërvitur fare. Ata që kishin mësuar të luanin në piano i kishin përmirësuar rezultatet e testit të tyre të inteligjencës me 35 përqind, kurse dy grupet e tjera treguan pak ose aspak përmirësim.

Ekologjia e plazhit

A është e mundur të shkatërrohet një plazh ngaqë bëhet tepër i pastër? Po, thotë një studim i bërë në Gjirin Suansea, në Uells. Çelësi për një plazh të shëndetshëm është vija bregdetare, ku mbeturinat grumbullohen dy herë në ditë me baticën. Mbeturinat mund të përfshijnë pemë, drurë të grumbulluar nga rryma, alga, bar e madje edhe kafshë të ngordhura, të gjitha këto të përziera me bare deti. Kjo përzierje përbën një shtëpi për invertebrorët mikroskopikë, të cilët ndihmojnë për të copëtuar bimësinë që dekompozohet, e cila pastaj shpërndahet nga era dhe nga dallgët, për të vepruar si agjent bashkues i rërës. Vija bregdetare siguron ushqim edhe për zogjtë e për kafshë të tilla, si: nuse lale, minj, lepuj e madje edhe dhelpra. Ishte rënia në numër e zogjve lejlekorë që ushqehen në vijën bregdetare, e cila i vuri në alarm ruajtësit e ambientit për faktin se pastrimi i rregullt i plazhit prish ekuilibrin e tij të brishtë ekologjik. Shumë dashurues të plazhit dëshirojnë një plazh të pastër në mënyrë jorealiste. The Times e Londrës raporton se një vizitor priste madje që nga rëra të hiqeshin edhe guralecët.

Pjata jonë me ushqim global

A e keni pyetur ndonjëherë veten se sa ushqim ha popullsia e botës çdo ditë? Gazeta greke To Vima raportoi disa statistika marramendëse në lidhje me konsumimin e përditshëm. Në mbarë botën, dy miliardë vezë prodhohen dhe konsumohen, aq sa për të bërë një omletë me përmasat e ishullit të Qipros! Bota përpin 1,6 milionë tonelata misër. Edhe patatet janë të përhapura, konsumohen 727.000 tonelata prej tyre! Orizi është burimi themelor i ushqimit për një pjesë të madhe të popullsisë, pasi çdo ditë prodhohen 1,5 milionë tonelata. Nga këto, 365.000 tonelata konsumohen nga kinezët. Të 7.000 tonelatat me çaj mbushin rreth tri miliardë filxhanë çaji. Të privilegjuarit e botës hanë 2,7 tonelata havjar. Mesatarja e të rriturve në botën perëndimore merr 4.000 kalori në ditë, të krahasuara me 2.500 kaloritë e rekomanduara, kurse në Afrikë mesatarja është vetëm 1.800 kalori.

Ngjalat në punë

Ngjalat janë vënë në punë për të provuar cilësinë e ujit në Japoni, raporton The Daily Yomiuri. Pesë vjet më parë, profesori Kenji Namba i Universitetit të Hiroshimës zbuloi se ngjalat reagojnë ndaj ndryshimeve të lehta në cilësinë e ujit. Substancat e dëmshme si kadmiumi ose cianuri shkaktojnë uljen e rrahjes së zemrës së ngjalave, kurse trikloroetileni që shkakton kancerin e ngre shumë shpeshtësinë e rrahjes së zemrës. Tani në treg po nxirret një makineri e cila përdor këtë ndjeshmëri unike. Ngjala gjendet në një tub akriliku brenda makinerisë. Ndërsa uji rrjedh nëpër tub, elektrodat e ngjitura te tubi regjistrojnë shpejtësinë e rrahjes së zemrës së ngjalës dhe çdo ndryshim i tregohet teknikut me anë të një sinjali. Ngjalat e zgjedhura për këtë punë janë marrë nga ujëra veçanërisht të pastra dhe zëvendësohen çdo muaj për të ruajtur saktësinë.

Rripat e sigurimit dhe vdekja në automjet

Dhoma Kushtetuese e Gjykatës së Lartë të Kosta Rikës kohët e fundit hodhi poshtë një ligj për rripat e detyrueshëm të ndenjëseve, duke thënë se ajo dhunonte garancitë e lirisë personale, raporton The Tico Times në San José, Kosta Rikë. Që nga ky vendim, përqindja e shoferëve të vendit që përdorin rripa sigurimi ra nga 87 përqind në 44 përqind, ndërsa aksidentet dhe vdekjet rezultuese janë rritur. Raporti thotë se Këshilli i Sigurisë së Autostradave në Kosta Rikë ka bërë një përpjekje urgjente për të ulur shkallën e incidenteve, por kjo përpjekje bie poshtë kur pasagjerët nuk vënë rripin e sigurimit, thotë raporti. Përfaqësuesi i Këshillit, Manfred Servantes, thotë: «Ne po përpiqemi me të vërtetë që t’i bëjmë njerëzit të kuptojnë se mund të mbrojnë vetveten dhe të shpëtojnë jetën e tyre, duke qenë shoferë të përgjegjshëm.»

Vdekjet nga duhani

«Rreth 1,1 miliardë njerëz në mbarë botën pijnë duhan»,—thotë profesoresha Xhudith Mekei, e Konsultores Aziatike mbi Kontrollin e Duhanit. Siç raportohet në British Medical Journal, në konferencën e dhjetë botërore mbi duhanin dhe shëndetin, u përllogarit se në vitin 1990 kishte pasur tre milionë vdekje të lidhura me duhanin. Ai numër pritet të rritet në dhjetë milionë mes viteve 2025 dhe 2030. Journal pohon se përgjatë tri dekadave që do të vijnë, rritja në vdekjet e lidhura me duhanin do të zhvendoset nga kombet e zhvilluara në kombet në zhvillim. Sipas profesorit Riçard Peto, një profesor i statistikave mjekësore në Universitetin e Oksfordit, «Kina qysh tani ka më shumë vdekje nga duhani se çdo komb tjetër».

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo