Një vështrim rreth botës
Para të fituara nga shitja e gjakut
Në 1994-ën, publiku gjerman u shtang nga frika, kur mësoi se rreth 2.500 persona ishin infektuar nga virusi HIV përmes transfuzioneve të gjakut dhe nënprodukteve të tij. (Shiko Zgjohuni! 22 prill 1994, faqe 28, angl.) Süddeutsche Zeitung raporton se gjatë një debati parlamentar në janar 1995, ministri federal i shëndetësisë u kërkoi «falje [viktimave] në emër të qeverisë federale» për gabimet që e kishin vështirësuar situatën e tyre. Gjatë debatit u tha se industria farmaceutike dhe mjekët ishin përgjegjësit kryesorë dhe se Kryqi i Kuq gjerman kishte dëmtuar imazhin e vet, duke bërë përpjekje të tepërta për t’u bërë «prodhues i barnave nga gjaku». Një grua që ishte infektuar me HIV nga burri i saj i ndjerë, u ankua: «Nëse [industria farmaceutike] nuk do të kishte menduar vetëm për të bërë para, të paktën 700 hemofilikë do të ishin akoma në jetë.»
Priftërinj me pakicë
Spanja, njëherë e një kohë e njohur për eksportimin e misionarëve katolikë, tani po heq keq për të gjetur mjaft priftërinj për nevojat lokale. Gazeta e Madridit El País raporton se numri i përgjithshëm i priftërinjve në Spanjë zvogëlohet me 150 çdo vit. Autoritetet kishtare kanë frikë se 2.000 seminaristët e regjistruar aktualë nuk do të sigurojnë një numër të mjaftueshëm për të plotësuar kërkesat e ardhshme për priftërinj. Vitin e kaluar u emëruan vetëm 216 priftërinj, 73 më pak se në 1993-shin dhe 70 për qind e priftërinjve spanjollë janë mbi 50 vjeç. Nga ana tjetër, kohët e fundit Dëshmitarët e Jehovait në Spanjë kanë parë të shtohen radhët e pionierëve me 300 çdo vit. Pionierët janë predikues pa pagesë që harxhojnë të paktën 90 orë çdo muaj në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë.
Rreziqe të tjera në transfuzionet e gjakut
Sipas gazetës australiane The Canberra Times, Kryqi i Kuq i ka paralajmëruar mjekët se gjaku i infektuar mund të përcjellë një infeksion bakterik vdekjeprurës dhe se deri tani nuk ekzistojnë analiza të sigurta për të kontrolluar organizmin. Duke iu referuar një lajmi të dhënë në The Medical Journal of Australia, revista Times thotë se katër njerëz vdiqën nga marrja e këtij gjaku të infektuar me këtë bakter në Uellsin e Ri Jugor nga viti 1980 deri në 1989-ën. Ky artikull gazete shtonte më tej: «Problemi është se bakteri Yersinia enterocolitica, mund të shumëzohet shumë shpejt në qesen e tërë me gjak, madje edhe kur temperatura e tij është afër ngrirjes. Personat që kanë pasur infeksione gastrike disa javë para se të dhuronin gjak, mund të transmetojnë mikroorganizmin, i cili mund të shtohet në një numër të madh ndërsa gjaku ruhet në pritje për t’u përdorur në transfuzion. Pacientët që kanë bërë transfuzion mund të vuajnë një shok të shpejtë toksik dhe vdekjen.»
Dhjamosja tek fëmijët kanadezë
Sipas The Globe and Mail «shumë dietologë, pediatër dhe studiues» thonë se «prindërit e rraskapitur po u japin fëmijëve ushqime të paekuilibruara, të mbipërpunuara dhe me yndyrshmëri të lartë». Shpesh, kur të dy prindërit punojnë, jeta është e tendosur, duke lënë shumë pak në mos aspak kohë që familja të konsumojë së bashku gjëra me vlera të larta ushqimore. Cili është rezultati? The Globe thotë se sipas vlerësimeve të ekspertëve, «të paktën 20 për qind e fëmijëve kanadezë janë të dhjamosur, për shkak të kombinimit të dietës me yndyrshmëri të lartë dhe mungesës së ushtrimeve». Dr. Stan Kubo, profesor në institutin e ushqimit dhe të dietës në Universitetin MekGil në Montreal, thotë se duhet ekuilibër. Ai tha se prindërit duhet «të sigurohen se përfshijnë në dietën [e fëmijëve] të tyre bulmet, proteina, fruta, perime dhe prodhime fibroze». Një studiues i shqetësuar pyeti: «Nëse nuk kujdesemi për shëndetin, për çfarë do të kujdesemi tjetër?»
Vazhdojnë alarmet asbeste
Revista New Scientist raporton se mijëra punëtorë ndërtimi në Britani do të vdesin nga kanceri i shkaktuar nga asbesti, për shkak të llogaritjeve të gabuara nga autoritetet e sigurimit. Kohë më parë, në vitet ’60, kur specialistët mjekësorë thoshin se fijet e asbestit ishin të rrezikshme për shëndetin, qeveria britanike futi nëpër fabrika norma që kufizonin përqendrimin e këtyre fijeve në ajër. Megjithatë, tani studiuesit kanë kuptuar se punëtorët më në rrezik ishin marangozët, elektricistët, hidraulikët dhe ata që punonin me gaz, të cilët, të pambrojtur punonin me prodhime asbesti. Përderisa një lloj i kancerit të mushkërive zhvillohet për 30 vjet, gabimi është zbuluar vetëm kohët e fundit. Deri tani nuk dihet se cilat procedura ndërtimi apo produkte të asbestit janë më të rrezikshme. Për këtë arsye, një organizëm britanik për sigurinë në punë (Health and Safety Executive) i nxit punëtorët e ndërtimit të kenë shumë kujdes, nëse zbulojnë se një substancë përmban asbest dhe t’ua paraqesin shqetësimet e tyre punëdhënësve, të cilët duhet të shqyrtojnë materialet dhe të sigurojnë ndihmën e përshtatshme.
Kush është fituesi?
«Tregu i lojrave të fatit nuk pëson krizë»,—raporton Veja. Revista thotë se brazilianët harxhojnë çdo vit rreth 4 miliardë dollarë amerikanë nëpër llotari dhe forma të tjera bixhozi. Kjo shumë është më e madhe se fitimi vjetor i një industrie gjigante kombëtare për makina. Thuhet se tërheqja drejt bingos janë aspektet e saj sociale. «Në bingo ke mundësi të flasësh me të njohur dhe të panjohur, të hash e të pish dhe të brohorasësh ndërsa provon fatin»,—raportonte revista. Por, kush është fituesi? «Në asnjë lloj tjetër të lojrave të fatit përfitimet nuk janë kaq të larta,—pohon matematicieni Osvald de Soza.—Fituesi i raundit [në bingo] merr vetëm 45 për qind të parave të vëna në bast.»
Probleme më të mëdha nga zgjidhjet
Pavarësisht nga fakti se qeveria e Indisë financon programin më të gjerë të ushqimit në botë, në atë vend ka akoma 250 milionë njerëz që vuajnë nga një shkallë pak a shumë e rëndë e ushqimit të keq. Një raport i UNICEF-it tregon se pavarësisht nga përpjekjet e bëra, 43,8 për qind e fëmijëve në Indi vuajnë nga mungesa e kalorive dhe proteinave. Përveç kësaj, 6,6 milionë fëmijë kanë vonesa të lehta në zhvillimin mendor dhe disa prapambetje në zhvillimin e nervave lëvizorë, 2,2 milionë janë prekur nga kretinizmi dhe 60.000 verbohen çdo vit nga mungesa e vitaminave të mjaftueshme. 56 për qind e fëmijëve të moshës parashkollore kanë mungesa në hekur dhe mes 40 milionë njerëzve që kanë strumën ka edhe fëmijë.
Kur kutia e konservës është me gunga
«Blerësit e ushqimeve duke u përpjekur të kursejnë para, mund të blejnë apo të ruajnë kuti konservash, të cilat duhet të hidhen si mundësisht të rrezikshme»,—paralajmëron Winnipeg Free Press. «Shumë kuti konservash me gunga janë të pranueshme, por disa jo,—tha Peter Peris i repartit të shëndetësisë së këtij qyteti.—Zakonisht kutitë e konservave janë të sigurta në kohën e konservimit. Rreziku shfaqet më vonë.» Sipas repartit të shëndetësisë së qytetit, një listë e përmbledhur e konservave që duhen hedhur, përfshin kutitë që kanë ndryshk në vendin e ngjitjes, që kanë ndryshk në majë ose në pjesë të tjera, i cili nuk mund të hiqet lehtë, që kur tunden bëjnë një zhurmë të çuditshme si dhe ato kuti që janë të fryra ose të mbufatura, kuti që rrjedhin dhe pa etiketën e datës së skadimit. Artikulli i gazetës këshillon: «Pasi hapen, kutitë e konservave bëhen mjedise të përsosura shumimi për salmonelën dhe stafilokokun. Që të dyja bakteriet mund të shkaktojnë diarre, vjellje dhe ngërçe.»
Përqindje e ulët e lindjeve
Shumë çifte në Evropën Lindore e shtyjnë për më vonë lindjen e fëmijëve, për shkak të pasigurisë financiare dhe papunësisë. The New York Times vëren se kjo «pasiguri nuk ka çuar vetëm në një rënie të dukshme të përqindjes së lindjeve, por edhe në rënie të përqindjes së martesave dhe në një rritje më shumë se dhjetë herë të atyre që sterilizohen». Times shton se sipas demografëve «kjo rënie drastike nuk është parë kurrë më parë, përveçse në kohën e luftës, të epidemisë dhe të urisë». Për të zvogëluar një prirje të tillë, qeveritë në Belgjikë, Luksemburg, Hungari, Poloni dhe Portugali, për disa kohë u kanë afruar çmime familjeve me të sapolindur si një nxitje për të pasur fëmijë. Kohët e fundit, qeveria e shtetit gjerman të Brandenburgut filloi të ofrojë 650$ për çdo fëmijë të sapolindur.
Pasojat e qëndrueshme të luftës
Viktimat e luftës në ish-Jugosllavi përfshijnë shumë më tepër se ato që janë vrarë apo gjymtuar nga plumbat dhe bombat. Sipas The Medical Post, një studim i fundit zbulon se «qindra tonë substanca toksike që çlirohen në ambient nga flakët, shpërthimet dhe pikimi i substancave kimike, do të kenë pasoja serioze mbi shëndetin». Këto metale kimike dhe toksike po ndotin lumenjtë dhe mund të ndotin edhe shtresat e nëndheshme të ujit. Sipas Post, specialistët paralajmërojnë se do të ketë «një rritje domethënëse në numrin e fëmijëve me defekte të lindura, për shkak se prindërit e tyre pijnë ujë të ndotur me substanca toksike».