MËSIMI 32
Një udhëheqës tjetër dhe dy gra trime
Pasi e drejtoi për shumë vjet popullin e Jehovait, Josiu vdiq në moshën 110-vjeçare. Për sa kohë ishte gjallë, izraelitët adhuruan Jehovain. Por, pasi vdiq, ata filluan të adhuronin idhuj siç bënin kananitët. Ngaqë izraelitët nuk i bindeshin Jehovait, ai lejoi që një mbret kananit me emrin Jabin t’ua nxinte jetën. Populli iu përgjërua Jehovait për ndihmë. Kështu Jehovai u dha një udhëheqës tjetër, Barakun. Ai do ta ndihmonte popullin të kthehej te Jehovai.
Debora, një profeteshë, dërgoi të thërritnin Barakun. Ajo kishte një mesazh për të nga Jehovai: ‘Merr 10.000 burra dhe shko të përballesh me ushtrinë e Jabinit në luginën e përroit të Kishonit. Atje do ta mundësh Siserën, kreun e ushtrisë së Jabinit.’ Baraku i tha Deborës: ‘Do të shkoj vetëm po të vish edhe ti me mua.’ Ajo i tha: ‘Do të vij me ty. Por ta dish se nuk do ta vrasësh ti Siserën. Jehovai ka thënë se do ta vrasë një grua.’
Debora u nis me Barakun dhe ushtrinë e tij në malin Tabor për t’u përgatitur për luftë. Me ta marrë vesh Sisera, mblodhi karrocat e luftës dhe ushtrinë e tij poshtë në luginë. Debora i tha Barakut: ‘Sot Jehovai do të të japë fitoren.’ Baraku dhe 10.000 burrat që ishin me të, zbritën malin për t’u përballur me ushtrinë e fuqishme të Siserës.
Jehovai bëri që lugina e Kishonit të përmbytej. Karrocat e luftës së Siserës ngecën në llucë. Sisera la karrocën dhe filloi të vraponte. Baraku dhe ushtarët e tij e mundën ushtrinë e Siserës, por Sisera shpëtoi. Ai iku dhe u fsheh në tendën e një gruaje që quhej Jaela. Ajo i dha të pinte një kupë të madhe me qumësht dhe e mbuloi me batanije. Luftëtarin e lodhur e zuri gjumi. Pastaj Jaela iu afrua pa zhurmë dhe i nguli në kokë një kunj tende. Sisera vdiq.
Baraku erdhi për të kërkuar Siserën. Jaela doli nga tenda e saj dhe i tha: ‘Hajde brenda që të të tregoj njeriun që po kërkon.’ Baraku hyri brenda dhe pa përtokë Siserën të vdekur. Baraku dhe Debora lëvduan me këngë Jehovain për fitoren që u kishte dhënë izraelitëve mbi armiqtë e tyre. Më pas, Izraeli pati paqe për 40 vjet.
«Një ushtri e madhe janë gratë që shpallin lajmin e mirë.»—Psalmi 68:11