MËSIMI 33
Rutha dhe Naomi
Kur në Izrael kishte rënë një zi buke, një izraelite që quhej Naomi u transferua në vendin e Moabit bashkë me burrin dhe dy djemtë. Më vonë, burri i Naomit vdiq. Djemtë e saj u martuan me Ruthën dhe Orpën që ishin moabite. Mjerisht, ca kohë më vonë, i vdiqën edhe djemtë.
Kur Naomi dëgjoi se zia e bukës në Izrael kishte mbaruar, vendosi të kthehej në vendin e saj. Rutha dhe Orpa udhëtuan me të, por rrugës, Naomi u tha: ‘Ju keni qenë gra të mira për djemtë e mi dhe nuse të mira për mua. Dua që ju të dyja të martoheni përsëri. Kthehuni në shtëpinë tuaj në Moab.’ Ato i thanë: ‘Ne të duam shumë! Nuk duam të të lëmë.’ Naomi vazhdoi të këmbëngulte që të ktheheshin. Në fund Orpa u kthye, por Rutha qëndroi. Naomi i tha: ‘Orpa po kthehet te populli dhe te perënditë e saj. Kthehu me të dhe shko te shtëpia e nënës sate.’ Por Rutha tha: ‘Nuk do të të lë. Populli yt do të jetë populli im dhe Perëndia yt, Perëndia im.’ Si mendon se u ndie Naomi kur Rutha tha kështu?
Rutha dhe Naomi mbërritën në Izrael në fillim të korrjes së elbit. Një ditë, Rutha shkoi të mblidhte drithin e mbetur në fushën e një burri që quhej Boaz, i cili ishte djali i Rahabës. Ai mori vesh se Rutha ishte moabite dhe se i kishte treguar besnikëri Naomit duke qëndruar me të. Boazi u tha punëtorëve të tij të linin pak më shumë drithë në fushë që ta mblidhte Rutha.
Atë mbrëmje Naomi e pyeti Ruthën: ‘Në fushën e kujt punove sot?’ Rutha ia ktheu: ‘Në fushën e një burri që quhet Boaz.’ Naomi i tha: ‘Boazi është një nga të afërmit e burrit tim. Vazhdo të punosh atje bashkë me gra të tjera se do të jesh e sigurt.’
Rutha punoi në fushën e Boazit deri kur mbaroi koha e korrjes. Boazi vuri re që Rutha ishte shumë punëtore dhe grua e shkëlqyer. Në atë kohë, nëse një burrë vdiste pa pasur djem, një i afërm i vet duhej të martohej me gruan e tij. Prandaj Boazi u martua me Ruthën. Ata patën një djalë dhe ia vunë emrin Obed. Më vonë, Obedi u bë gjyshi i mbretit David. Miqtë e Naomit u kënaqën sa s’thuhet dhe i thanë: ‘Në fillim, Jehovai të dha Ruthën, e cila është treguar shumë e mirë me ty dhe tani të bëri me nip. Lëvduar qoftë Jehovai!’
«Ka një mik që të bëhet vëlla e shkuar vëllait.»—Proverbat 18:24