17-23 GUSHT 2026
KËNGA 90 T’i japim zemër njëri-tjetrit
Ruaje si thesar miqësinë me vëllezërit e motrat
«Vishuni me përzemërsi të ngrohtë e dhembshuri, zemërmirësi, përulësi, butësi dhe durim.»—KOLOS. 3:12.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Si t’i kapërcejmë sfidat që mund të vënë në rrezik miqësinë me vëllezërit e motrat.
1. Ku mund të gjejmë miq të vërtetë?
«MUND të kalojmë ndonjëherë vështirësi, ja pse na duhet ndihmë. Ndaj na mbështet ne Ati ynë me miq që na duan shumë.» A bashkohesh edhe ti me këto vargje të para të këngës «Miq të vërtetë»? Ç’bekim janë miqtë e vërtetë në popullin e Jehovait! (Psal. 119:63) Jemi pjesë e një familjeje me adhurues të Jehovait që i bashkon dashuria.
2. Çfarë miqësish duam të krijojmë me vëllezërit e motrat?
2 Nuk dëshirojmë të krijojmë miqësi sipërfaqësore ose sa për të thënë me vëllezërit e motrat. Përkundrazi, duam të lidhim miqësi domethënëse dhe të ngushta. Jemi pjesë e një familjeje me adhurues që e duan Jehovain dhe Jezuin, e pikërisht kjo dashuri na mban të lidhur. (Gjoni 13:35) Mirëpo miqësitë në kongregacion nuk lindin vetvetiu. Ato kërkojnë përpjekje. E meqë jemi të papërsosur, me raste jetëgjatësia e këtyre miqësive mund të vihet në provë.
3. Pse mund të jetë sfidë të ruajmë miqësitë?
3 Natyrisht, me disa mund të ndihemi më të afërt. Pse? Sepse mund të na pëlqejnë të njëjtat gjëra ose të na puqen karakteret. Mirëpo me motra e vëllezër të tjerë mund ta kemi të vështirë të ruajmë miqësinë. Ndonjëherë lindin mosmarrëveshje, të cilat mund ta ftohin dashurinë mes nesh. Ose për shkak të personaliteteve të ndryshme, na duket se kemi aq pak të përbashkëta, sa nuk na pëlqen as të rrimë me njëri-tjetrin. E me raste marrëdhëniet mund të tensionohen kur një bashkëbesimtar ka një sëmundje serioze ose po vuan emocionalisht. Në këtë artikull do të shohim si na ndihmon shembulli i Jezuit që t’i ruajmë si thesar miqësitë kur hasim sfida. Por, fillimisht të shqyrtojmë disa cilësi të krishtere që na ndihmojnë t’i mbrojmë miqësitë me bashkëbesimtarët.
CILËSITË E KRISHTERE NA NDIHMOJNË TË RUAJMË MIQËSITË
4. Si mund t’i forcojmë miqësitë?
4 Për të forcuar miqësitë me vëllezërit e motrat, duhet të kërkojmë të mirën tek ata. Kur kalojmë kohë me bashkëbesimtarët, mund t’i shohim më qartë cilësitë e tyre të bukura. Apostulli Pavël kishte dëshirë të rrinte me vëllezërit e motrat. Ai u shkroi selanikasve: «Bëmë çmos të shiheshim sy më sy.» (1 Sel. 2:17) Shumë veta kanë kuptuar se s’ka më mirë se bisedat ballë për ballë për të forcuar miqësitë. Kemi plot raste për ta bërë këtë ndërsa dalim në shërbim dhe ndjekim mbledhjet, asambletë e kongreset. Megjithatë, vetëm shoqërimi me njëri-tjetrin nuk ua pret rrugën problemeve që mund të rrezikojnë miqësitë.
5. Si mund ta ruajmë një miqësi që është në rrezik? Ilustrojeni. (Kolosianëve 3:12)
5 Cilësitë e krishtere mund të na ndihmojnë ta ruajmë një miqësi që është në rrezik. (Lexo Kolosianëve 3:12.) Kur zhvillojmë përulësi, durim, zemërmirësi dhe dhembshuri mund t’i kapërcejmë pengesat në rrugën e miqësisë. Për ta ilustruar, ashtu si vaji e ndihmon motorin e makinës të funksionojë siç duhet, cilësitë e krishtere zbutin çdo fërkim në marrëdhëniet me të tjerët. Le të ndalemi tani te tri sfida që mund të hasim në miqësitë me vëllezërit e motrat. E ndërkohë do të shohim si të vazhdojmë të jemi miq të vërtetë duke imituar përulësinë, durimin, zemërmirësinë dhe dhembshurinë e Jezuit.
KUR LINDIN MOSMARRËVESHJE
6. Si mund ta rrezikojnë mosmarrëveshjet një miqësi?
6 Pse është sfidë? Kur lind një mosmarrëveshje, gjithkush mund të jetë i bindur se ka të drejtë. Për shembull, dy vëllezër nga i njëjti grup shërbimi mund të kenë idenë e tyre si duhet predikuar territori. Secili është i sigurt se ideja e vet është më e mira. Ka rrezik që kjo mosmarrëveshje për diçka të vogël të përkeqësohet dhe të kërcënojë miqësinë mes tyre. Ata mund të lejojnë të nxjerrë kokë krenaria. Nëse nuk flasin e nuk i zgjidhin gjërat, mund të fillojnë të mbajnë mëri. Me kalimin e kohës, ka rrezik që hendeku të thellohet aq shumë, sa të mos jenë më miq—e gjitha kjo për një vogëlsi.
7. Si i mësoi Jezui dishepujt se përulësia ishte jetësore për të kapërcyer mosmarrëveshjet?
7 Mëso nga përulësia e Jezuit. Ai u mësoi dishepujve se përulësia ishte jetësore për të kapërcyer mosmarrëveshjet. Dishepujt kishin ca kohë që debatonin se kush ishte më i madhi mes tyre. Që t’i ndihmonte ta luftonin atë qëndrim të rrënjosur thellë, Jezui u shpjegoi se duhej t’i konsideronin të tjerët më të lartë se veten. (Mat. 20:25-28) Me fjalë të tjera, po u mësonte si të ishin të përulur. Madje, natën para se të vdiste, Jezui ‘u la modelin’ duke u larë këmbët me përulësi—punë që e bënte një shërbëtor. (Gjoni 13:3-5, 12-16) Kështu u tregoi si t’i ruanin miqësitë. Nëse i konsideronin të tjerët më të lartë se veten, do të kishte më shumë gjasa të hapnin rrugë. Do ta kishin më kollaj të mbeteshin miq të ngushtë edhe kur të kishin opinione të ndryshme.
8. Si mund të të ndihmojë përulësia t’i ruash miqësitë kur ndodhin mosmarrëveshje? (Kolosianëve 3:13) (Shih edhe figurat.)
8 Si mund t’i ruash miqësitë? Përulësia mund të të ndihmojë t’i anashkalosh mosmarrëveshjet e vogla dhe të falësh bujarisht. (Lexo Kolosianëve 3:13.) Ka më shumë gjasa të ruash marrëdhëniet e mira kur, me përulësi, zgjedh të mos reagosh me zemërim. (Psal. 4:4) Edhe nëse dikush të ka lënduar me fjalë, mos harro se të gjithë themi gjëra për të cilat bëhemi pishman. (Ekl. 7:21, 22) Pyet veten: «Çfarë ka më shumë vlerë: të tregoj se kam të drejtë apo të mbetemi miq?» Mbase mund të zgjedhësh të hapësh rrugë. Do ta kesh më të lehtë të jesh në paqe nëse nuk e mban mendjen te mosmarrëveshja dhe nuk e përmend më.
Përulësia mund të të ndihmojë t’i anashkalosh mosmarrëveshjet e vogla dhe të falësh bujarisht (Shih paragrafin 8)a
9. Si mund të të ndihmojë përulësia kur një mosmarrëveshje vazhdon nga ca kohë? (Proverbat 17:9)
9 Përulësia mund të të ndihmojë edhe kur një mosmarrëveshje vazhdon nga ca kohë. Mos debato që të provosh se ke të drejtë. (Lexo Proverbat 17:9; 1 Kor. 6:7) Vër synim që të mos e humbasësh mikun tënd. Shumë vëllezër e motra e kanë bërë këtë duke i folur me ngrohtësi personit tjetër, me dëshirën e mirë për të zgjidhur çështjen. (Psal. 34:14) Mbase mund t’i thuash: «Kemi kaq kohë që jemi miq. Pse të mos bisedojmë e ta zgjidhim këtë problem?» Ji gati të pranosh pjesën tënde të fajit, të pranosh se e ke lënduar tjetrin dhe të kërkosh falje. E nëse edhe vëllai a motra kërkon falje, pranoje faljen me përulësi. (Luka 17:3, 4) Mos harro se synimi yt nuk është të përcaktosh kush e ka mirë e kush jo, por të zgjidhësh mosmarrëveshjen dhe të vazhdosh miqësinë.—Prov. 18:24.
KUR KEMI PERSONALITETE TË NDRYSHME
10. Pse mund të jetë e vështirë të ruajmë miqësinë me disa?
10 Pse është sfidë? Mund ta kemi të vështirë të mbajmë miqësi të ngushtë me vëllezër e motra që kanë personalitete ndryshe nga yni. Disa mund të kenë tipare që na acarojnë. Të tjerë mund të sillen çuditshëm, ngaqë janë keqtrajtuar në të kaluarën ose janë rritur në një kulturë ku shumica janë ose të rezervuar, ose të muhabetit. A mbase jemi tipa të kundërt—ne mund të jemi të hedhur, ndërsa ata të ndrojtur ose e kundërta.
11. Çfarë e ndihmoi Jezuin të ruante miqësinë me ata që kishin personalitete të ndryshme nga i tiji?
11 Mëso nga durimi i Jezuit. Ai vazhdoi të ishte mik me ata që kishin personalitete të ndryshme nga i tiji. Për shembull, apostujt Jakov dhe Gjon shfaqën një frymë ambicioze kur kërkuan pozita të rëndësishme në Mbretëri. (Mar. 10:35-37) Krejt ndryshe, Jezui kishte lënë me përulësi privilegje dhe një pozitë të lartë në qiell, për të ardhur në tokë. (Filip. 2:5-8) Këto dy qëndrime ishin si nata me ditën. Gjithsesi, Jezui nuk e humbi durimin me Jakovin e Gjonin dhe me të tjerët.
12. Çfarë e ndihmoi Jezuin të tregohej i duruar me miqtë e tij?
12 Jezui ishte realist dhe nuk priste tepër nga miqtë e tij. Ai e dinte se kërkesa ambicioze e Jakovit dhe Gjonit pasqyronte frymën konkurruese të shumë dishepujve. (Mar. 9:34) Jezui mund ta kuptonte mënyrën si mendonin, sepse ishte rritur në të njëjtën kulturë ku krerët fetarë i jepnin tepër rëndësi prestigjit dhe pozitës. Prandaj, u tregua i duruar me ta, duke u lënë kohë të çrrënjosnin krenarinë dhe ambicien e ngulitur prej vitesh.—Mar. 10:42-45.
13. Si do të na ndihmojë durimi të ruajmë miqësitë? (Efesianëve 4:2)
13 Si mund t’i ruash miqësitë? Vazhdo të zhvillosh durim, duke bërë çmos të tolerosh tipare që të bezdisin te vëllezërit e motrat. (Prov. 14:29) Të gjithë kemi tipare unike, shumë prej të cilave nuk janë të meta; është thjesht mënyra si jemi gatuar. Ndaj, sigurisht e vlerësojmë kur të tjerët tregohen tolerantë. (Lexo Efesianëve 4:2.) Gjithashtu është e rëndësishme të jemi realistë dhe t’i lëmë të tjerët të jenë vetvetja. Nga njëra anë, vlerësoji përpjekjet që bën dikush që është i qetë dhe i ndrojtur për t’u shoqëruar e për të hyrë në muhabet me të tjerët. E nga ana tjetër, përpiqu të mos e humbësh durimin me ata që janë tipa të hedhur dhe që flasin shumë. Sigurisht nuk do t’i kemi të gjithë miq të ngushtë, ama duhet të mbajmë ndër mend se edhe vëllezër e motra me personalitete krejt të ndryshme mund të bashkëpunojnë më së miri.
14. Ku do të përqendrohemi nëse jemi të duruar?
14 Durimi do të na ndihmojë të përqendrohemi te cilësitë e mira të vëllezërve dhe motrave. Kështu ka më pak gjasa t’i shohim personalitetet e ndryshme si pengesë për miqësitë. Për shembull, kur kërkuan pozita që binin në sy, Jakovi dhe Gjoni u treguan egoistë, ama njëkohësisht treguan se Mbretëria ishte reale për ta. Jezui e vërejti dhe e vlerësoi besimin e tyre. Kur kërkojmë të mirën te miqtë tanë, imitojmë Jezuin dhe Atin e tij, Jehovain.
15. Kujt mund t’i kërkojmë ndihmë që të ruajmë miqësinë me ata që kanë personalitete ndryshe nga yni?
15 Më e rëndësishmja, mund t’i lutemi Jehovait që të na ndihmojë të vazhdojmë të jemi miq me ata që kanë personalitete ndryshe nga yni. Përpiqu t’u paraprish situatave të vështira dhe të lutesh që më parë për të ruajtur qetësinë. Mos harro se Jehovai, si Krijuesi ynë, e kupton që secili prej nesh është unik. Ndaj kur lutesh, ji i sigurt se Ai e di fare mirë për çfarë ke nevojë që të mos dorëzohesh. Dhe kur ndjen se po të soset durimi, lutju Jehovait për frymën e shenjtë që të kesh nën kontroll mënyrën si do të reagosh.—Luka 11:13; Gal. 5:22, 23.
KUR VËLLEZËRIT DHE MOTRAT VUAJNË
16. Cilat sfida mund të hasim kur vëllezërit dhe motrat vuajnë?
16 Pse është sfidë? Kur vëllezërit e motrat vuajnë fizikisht ose janë të rënduar emocionalisht, mund të reagojnë në një mënyrë që na acaron. Për shembull, mund të mbyllen në vetvete, të marrin flakë kollaj e madje të jenë të paparashikueshëm. Mbase thonë ose bëjnë gjëra që na rëndojnë. (Jobi 6:2, 3) E meqë mund të mos e kemi idenë ç’po kalojnë, mbase presim tepër prej tyre.
17. Çfarë mësojmë nga mënyra si e trajtoi Jezui Bartimeun e verbër?
17 Mëso nga zemërmirësia dhe dhembshuria e Jezuit. Ai ishte zemërmirë dhe i dhembshur me njerëzit që vuanin, madje edhe me ata që s’i kishte takuar ndonjëherë. Të kujtojmë, për shembull, si e trajtoi Bartimeun, një të verbër. Kur mori vesh se po kalonte Jezui, Bartimeu filloi të thërriste e të bënte rrëmujë që t’i tërhiqte vëmendjen. Disa në turmë e urdhëruan të mos fliste. Por ai donte me çdo kusht që Jezui ta shëronte, ndaj vazhdoi të thërriste edhe më fort. Me sa duket, disa u acaruan nga sjellja e Bartimeut. Ndërsa Jezui donte ta ndihmonte «i shtyrë nga keqardhja», një shprehje kjo që tregon dhembshurinë e thellë që ndjeu. (Mat. 20:34; Mar. 10:46-52) Ai i foli ngrohtësisht Bartimeut dhe e lavdëroi për besimin e tij. Pastaj i ktheu shikimin me një mrekulli.
18. Si duhet t’i trajtosh miqtë e tu që po vuajnë? (1 Selanikasve 5:14)
18 Si mund t’i ruash miqësitë? Ji zemërmirë dhe i dhembshur. Këto cilësi të bukura do të të ndihmojnë ‘t’u flasësh në mënyrë ngushëlluese’ vëllezërve dhe motrave që po vuajnë fizikisht ose emocionalisht. (Lexo 1 Selanikasve 5:14.) Mos harro se një mik i vërtetë është gati për të ndihmuar, sidomos në «ditë të vështira». (Prov. 17:17) Ai jo vetëm ndien keqardhje për mikun që po vuan, por edhe bën gjithë sa mundet që ta mbështetë emocionalisht, t’i thotë fjalë inkurajuese dhe ta ndihmojë në mënyra praktike.
19. Si mund të tregosh zemërmirësi dhe dhembshuri? (Shih edhe figurat.)
19 Cilat janë disa mënyra praktike si mund të tregosh zemërmirësi dhe dhembshuri? Patjetër, nuk mund t’ia heqësh me dorë dhimbjen një bashkëbesimtari. Megjithatë mund të përpiqesh të kuptosh çfarë po kalon dhe si ndihet. (Mat. 7:12; 1 Pjet. 3:8) Dëgjoje me vëmendje ndërsa të flet për hallet e veta. E nëse është e përshtatshme, përpiqu t’i thuash fjalë që i lehtësojnë zemrën. (Prov. 12:25) Ki kujdes të mos dalësh në përfundime të gabuara. (Prov. 18:13) Bëj çmos të tregosh durim dhe të jesh realist në atë që pret nga miku yt.—Efes. 4:32.
Miqtë e vërtetë tregohen të dhembshur dhe zemërmirë, duke e ngushëlluar njëri-tjetrin (Shih paragrafin 19)
20. Ç’lloj miku dëshiron të jesh?
20 Të gjithë i vlerësojmë miqësitë që gëzojmë me vëllezërit dhe motrat. Por të mos harrojmë se, si të papërsosur, hera-herës sillemi në një mënyrë që nuk duam. Te shumë prej nesh kanë lënë gjurmë eksperiencat e këqija në jetë. Ndaj, jemi shumë mirënjohës kur dikush e ruan miqësinë me ne, duke u treguar i përulur, i duruar, zemërmirë dhe i dhembshur. Le të bëjmë çmos që të jemi edhe ne ky lloj miku!
KËNGA 124 Përherë besnik
a PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla i moshuar dhe një vëlla i ri kanë mendime të ndryshme si duhet predikuar territori. Por më vonë bashkëpunojnë me kënaqësi në shërbim.