10-16 GUSHT 2026
KËNGA 122 Asgjë s’më lëkund!
Qëndro besnik mes sprovave të besimit
«Zotëri, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë që të çojnë në jetën e përhershme.»—GJONI 6:68.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Është e mundur t’i qëndrojmë besnikë Jehovait në çfarëdo sfide që na e vë në provë besimin.
1-2. Çfarë ndodhi ndërsa Jezui po mësonte në Kapernaum?
«KY I folur është skandaloz! Kush mund ta dëgjojë?» (Gjoni 6:60) Kështu reaguan shumë dishepuj të Jezuit kur e dëgjuan ndërsa mësonte në Kapernaum. Jezui kishte thënë: «Po të mos hani mishin e Birit të njeriut e po të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete.» Pastaj kishte shtuar: «Kushdo që ushqehet me mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përhershme, dhe unë do ta ringjall në ditën e fundit.»—Gjoni 6:53, 54.
2 Ata që u ofenduan rëndë nga fjalët e Jezuit, nuk e ndoqën më. Mos ndoshta nuk kishin fare besim tek ai? Në fakt, para se të ndodhte kjo, ishin mahnitur aq shumë nga fjalët e Jezuit, sa kishin thënë: «Ky është pa dyshim Profeti që duhej të vinte në botë.» (Gjoni 6:14) Pra është e qartë se ata dishepuj kishin njëfarë besimi te Jezui. Ama kur iu sprovua besimi, nuk i qëndruan besnikë.
3. Si reaguan apostujt ndaj fjalëve të Jezuit, dhe pse? (Shih edhe figurën.)
3 Apostujt reaguan ndryshe ndaj fjalëve të Jezuit. Kur Jezui i pyeti nëse donin ta braktisnin edhe ata, Pjetri iu përgjigj: «Zotëri, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë që të çojnë në jetën e përhershme dhe ne besojmë dhe e dimë se ti je i Shenjti i Perëndisë.» (Gjoni 6:68, 69) Është interesante që Pjetri nuk tha se ai dhe apostujt e tjerë i kuptuan plotësisht fjalët e Jezuit që të hanin mishin e tij dhe të pinin gjakun e tij. Prapëseprapë, zgjodhën t’i qëndronin besnikë. Pse? Sepse besimi i tyre kishte në themel një të vërtetë të pakundërshtueshme—Jezui ishte «Krishti i Perëndisë».—Luka 9:20, 35.
Ndonëse shumë dishepuj e braktisën Jezuin, Pjetri dhe apostujt e tjerë i qëndruan besnikë (Shih paragrafin 3)
4. Cilat situata mund të na e vënë në provë besnikërinë ndaj Jehovait?
4 Ka shumë situata që mund të na e vënë në provë besnikërinë ndaj Jehovait. Për shembull, si reagojmë kur përditësohet mënyra si e kuptojmë një varg të Biblës ose kur ndryshon mënyra si organizohet vepra e bërjes së dishepujve? Gjithashtu, si reagojmë kur e kemi të vështirë ta kuptojmë pse Jehovai ka lejuar të na ndodhë një tragjedi? Besimi mund të na sprovohet edhe kur na lëndon një vëlla a motër që e kemi mik ose kur mendojmë se na ka trajtuar padrejtësisht dikush që e respektojmë.
5. Ilustroni pse duhet ta forcojmë themelin e besimit. (Kolosianëve 1:23)
5 Që t’i qëndrojmë besnikë Jehovait në situata të vështira, duhet të kemi besim të fortë tek ai. Ta ilustrojmë: në zona ku bien shpesh tërmete, një ndërtesë ka nevojë për themel të fortë që të mos shembet. Po njësoj, që t’u rezistojmë sprovave të besimit si ato që përmendëm më sipër, besimi ynë duhet të ketë themel të fortë. Nëse e forcojmë pareshtur këtë themel, do të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait pa u lëkundur dhe me besnikëri përballë çdo sprove.—1 Kor. 15:58; lexo Kolosianëve 1:23.
6. Çfarë i ndihmoi apostujt t’i qëndronin besnikë Jezuit?
6 Çfarë i ndihmoi apostujt t’i qëndronin besnikë Jezuit kur shumë të tjerë e braktisën? Apostujt ishin të bindur se Jehovai është i denjë ta adhurojmë, sepse është Krijuesi i gjithçkaje; se Jezui është Biri i Perëndisë dhe ka «fjalë që të çojnë në jetën e përhershme»; dhe se Jezui ka gjithë përkrahjen e Jehovait. Në këtë artikull nuk do të flasim për mënyrat e shumta si mund të na sprovohet besimi, por do të përqendrohemi te tri të vërteta që mund të na ndihmojnë të qëndrojmë të patundur në çfarëdo sprove. Këto janë: (1) Jehovai është Krijuesi. (2) Bibla është e frymëzuar nga Jehovai. (3) Jehovai po e mbështet popullin e tij sot. Nëse jemi plotësisht të bindur për këto tri të vërteta, do të qëndrojmë besnikë kur të na sprovohet besimi.
JEHOVAI ËSHTË KRIJUESI
7. Çfarë na kujton Zbulesa 4:11, por ç’mund të ndodhë kur hasim sprova besimi?
7 Lexo Zbulesën 4:11. Ky varg na kujton se Jehovai ka krijuar gjithçka. Ndaj, ai është i denjë që ta adhurojmë qoftë edhe vetëm për këtë fakt. E kur mendojmë për fuqinë e tij të mahnitshme, na shtohet siguria se mund të na çlirojë nga të gjitha sprovat. Mirëpo, Satanai e ka mbushur botën me një propagandë që synon t’u ngjallë njerëzve dyshime për ekzistencën e Perëndisë. Madje disa shkencëtarë pretendojnë se jeta ka ardhur vetvetiu. Po të mos jemi qind për qind të sigurt se Jehovai është Krijuesi dhe se na do, mund të dyshojmë nëse Ai ekziston dhe do të na gjendet pranë në sprovat e besimit.—Hebr. 11:6.
8-9. Çfarë duhet të bësh nëse fillon të dyshosh se Jehovai është Krijuesi? (Shih edhe figurën.)
8 Në rast se po të lindin dyshime nëse Jehovai është Krijuesi, vepro menjëherë. Bëj kërkime në botimet tona, pasi aty ka prova të bollshme se Jehovai ka krijuar gjithçka. Për shembull, mund të gjesh plot informacione besimforcuese te broshurat A u krijua jeta? dhe Origjina e jetës—Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh. Prova të tjera paraqiten edhe në serinë «A është projektuar?» në jw.org. Xhesika, një motër e re në Shtetet e Bashkuara, thotë: «Pasi lexova broshurën Origjina e jetës, u binda plotësisht se faktet flasin për një Projektues inteligjent. Nuk është se nuk e dija këtë, por arsyetimet në atë broshurë më hoqën çdo fije dyshimi.» Shumë kanë nxjerrë dobi edhe duke shqyrtuar librin A ka një Krijues që interesohet për ju? Mbase i ke lexuar këto materiale, por pse të mos u kthehesh edhe njëherë?
9 Pse të mos bësh një projekt studimi ku të shqyrtosh fakte që dëshmojnë se Perëndia ekziston? Përveçse do të të forcojnë besimin tek ekzistenca e Jehovait, këto kërkime do të hedhin dritë mbi personalitetin e Tij. (Rom. 1:20) Veç kësaj, do të jesh në gjendje të ndihmosh edhe të tjerë që mbase dyshojnë se Perëndia ekziston. Pika kryesore është kjo: Jehovai na ka dhënë një mal me prova se është Krijuesi ynë.
Mjegullnaja: IAC/RGO/David Malin Images; peshku dhe makina: Mercedes-Benz USA; avioni: Kristen Bartlett/University of Florida
Mbase e ke lexuar tashmë broshurën A u krijua jeta?, por pse të mos e lexosh prapë? (Shih paragrafin 8)
BIBLA ËSHTË E FRYMËZUAR NGA JEHOVAI
10. Pse Bibla është tejet e rëndësishme për ne? (2 Timoteut 3:16, 17)
10 Lexo 2 Timoteut 3:16, 17. Bibla është mesazhi i Jehovait për njerëzit. Ajo u përgjigjet pyetjeve me peshë të jetës dhe na tregon cili është vullneti i Jehovait dhe çfarë dëshiron ai nga ne. Kemi besim se Autori i Biblës është Jehovai, prandaj ky është libri më i rëndësishëm në jetën tonë. Ja pse bëjmë çmos ta kuptojmë Fjalën e tij dhe të jetojmë sipas saj.
11. Çfarë të bind se Biblën e ka frymëzuar Perëndia?
11 Pse jemi të bindur se Biblën e ka frymëzuar Jehovai? Për shumë arsye. Për shembull, Fjala e Perëndisë është e saktë nga ana historike. (Luka 3:1, 2) Ajo është e saktë edhe kur flet për aspekte të krijimit. (Jobi 26:7) Gjithashtu, Bibla është libri më i shpërndarë i të gjitha kohërave, ndonëse Satanai s’i ka reshtur përpjekjet për ta asgjësuar. Biblën e shkruan rreth 40 burra për një periudhë afro 1.600-vjeçare; prapëseprapë, mesazhi i saj është i harmonishëm. Ajo përmban këshilla që s’njohin kohë dhe që kanë ndihmuar miliona veta në jetën e përditshme. (Prov. 13:20; 15:21; Mat. 7:12) Veç kësaj, shumë profeci të Biblës janë bërë realitet, e kjo dëshmon më tej se Bibla është e besueshme. (Jos. 23:14) Vërtet, s’ka pikë dyshimi se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia!
12. Ç’duhet të bëjmë po të na lindin dyshime nëse Bibla është e frymëzuar nga Perëndia?
12 Po sikur të na lindin dyshime nëse Bibla është e frymëzuar nga Perëndia? Duhet të lutemi për këtë dhe të veprojmë në harmoni me lutjet. Ja çfarë thotë Xhordani, një vëlla i ri që është rritur në të vërtetën: «Nuk e besoj automatikisht çdo gjë që më thonë. Kam nevojë të sigurohem vetë nëse është e vërtetë. Të jem i sinqertë, prapë kam dyshime hera-herës. Por në këto raste, bëj kërkime në botimet tona që të gjej përgjigje për pyetjet e mia dhe t’i largoj dyshimet.» Teksa vazhdojmë të forcojmë bindjen se Bibla është e frymëzuar nga Jehovai, forcojmë edhe themelin e besimit.—1 Kor. 3:12, 13.
JEHOVAI PO E MBËSHTET POPULLIN E TIJ
13. Ç’duhet të bëjmë nëse fillojmë të dyshojmë se kush është populli i Perëndisë sot?
13 Po sikur të fillojmë të dyshojmë nëse Dëshmitarët e Jehovait janë populli që ka mbështetjen e Perëndisë sot? Nuk duhet t’i lejojmë këto dyshime të hedhin rrënjë. Mund t’i mposhtim duke i bërë vetes pyetje, si: «Cilët po përpiqen fort të jetojnë sipas standardeve të Biblës? Cilët e shohin Biblën si autoritet në çdo aspekt të jetës? Cilët po bëjnë vullnetin e Jehovait sot?»—Mat. 7:20, 21; 2 Tim. 4:3, 4.
14. Si po i përdor Jehovai Dëshmitarët e tij për të përmbushur Mateun 24:14?
14 Vullneti i Perëndisë përfshin që njerëzit kudo qofshin, të dëgjojnë lajmin e mirë. Ndaj mund të pyesim veten: «Kush po e bën sot veprën e predikimit që paratha Jezui për ditët e fundit?» (Mat. 24:14) Përgjigjja është e qartë si kristal. Perëndia po përdor popullin e tij—Dëshmitarët e Jehovait—për të kryer veprën e predikimit. Ne jemi të vetmit që po predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë në mbi 240 vende. Dhe kemi më tepër se 100 vjet që e kryejmë këtë vepër ndërsa Mbretëria qeveris. S’kemi lejuar asgjë të na shpërqendrojë nga vepra jetësore e predikimit dhe e mësimdhënies—Mat. 28:19, 20.
15. Çfarë kanë bërë Dëshmitarët e Jehovait për të shenjtëruar emrin e Perëndisë sot? (Mateu 6:9; Isaia 43:10)
15 Lexo Mateun 6:9 dhe Isainë 43:10. Ne mbajmë emrin e Perëndisë, Jehovait, dhe jemi krenarë të quhemi Dëshmitarë të Jehovait. Ndërkohë që shumica e njerëzve nuk e njeh këtë emër, ne e kemi rivendosur aty ku i takon në Bibël. Ai gjendet mbi 7.000 herë në tekstin kryesor të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re.
16. Pse mund të themi se Dëshmitarët e Jehovait po i binden urdhërimit te Gjoni 13:34, 35? (Shih edhe figurën.)
16 Lexo Gjonin 13:34, 35. Në këtë botë armiqësore dhe të përçarë, në familjen tonë të besimit spikatin dashuria dhe uniteti. Ja pse familja jonë është një mrekulli e kohëve moderne. Vijmë nga vende të ndryshme të botës, kemi kultura dhe prejardhje të ndryshme; e megjithatë përpiqemi fort të ruajmë paqen dhe dashurinë mes nesh. A ke shkuar ndonjëherë në një kongregacion në shtet tjetër? Nëse po, patjetër që të ka rënë në sy dashuria dhe uniteti i vëllezërve e motrave. Kjo sigurisht që ta ka forcuar bindjen se Jehovai po i përdor vërtet Dëshmitarët e vet për të bërë vullnetin e tij. Kur nuk harrojmë se si popull kemi përkrahjen e Jehovait, e kemi më të lehtë t’i qëndrojmë besnikë në çdo sprovë besimi.
Vëllazëria jonë, ku spikatin dashuria dhe uniteti, është mrekulli e kohëve moderne (Shih paragrafin 16)a
MOS E BRAKTIS KURRË JEHOVAIN
17-18. Cilat situata sfiduese mund të hasim, por çfarë mund të themi plot siguri?
17 Është sfidë të jetojmë në këto ditë të fundit, sepse kohët janë kritike dhe të vështira për t’u përballuar. (2 Tim. 3:1, 13) Mund të hasim edhe situata të tjera sfiduese. Organizata e Jehovait mund të marrë vendime që nuk i kuptojmë plotësisht. Ose ndoshta një vëlla a motër na ka keqkuptuar ose na ka lënduar. Mund të mos shohim direkt një zgjidhje për problemin tonë ose mbase nuk e kuptojmë pse po na ndodh diçka.
18 Edhe pse këto situata mund të na trazojnë emocionalisht, do t’i qëndrojmë përherë besnikë Jehovait nëse jemi të bindur se ai është Krijuesi, se Bibla është Fjala e tij dhe se Dëshmitarët e Jehovait janë populli i tij. Ashtu siç i tha Pjetri Jezuit, edhe ne i themi plot siguri Jehovait: «Te kush të shkojmë? Ti ke fjalë që të çojnë në jetën e përhershme.»
KËNGA 123 Besnikë ndaj Jehovait dhe teokracisë
a FIGURA E KOPERTINËS: Një nënë me të bijën në autobus kënaqen teksa shohin Dëshmitarë të tjerë në shërbim.