BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w26 mars f. 8-13
  • Ki besim te Sovrani i universit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ki besim te Sovrani i universit
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • ME TA HYRI EDHE SATANAI
  • JEHOVAI VENDOS KUFIJTË
  • JEHOVAI U JEP FUND VUAJTJEVE TË JOBIT
  • JEHOVAI I DO SHËRBËTORËT E TIJ BESNIKË
  • BESO PLOTËSISHT TE JEHOVAI
  • Libri i Jobit mund të të ndihmojë në kohë vuajtjesh
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Jobi lartësoi emrin e Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
  • «Shpreso te Jehovai!»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2022 (Për studim)
  • Je i përfshirë në një çështje jetësore
    Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
w26 mars f. 8-13

11-17 MAJ 2026

KËNGA 7 Jehova, je forca jonë

Ki besim te Sovrani i universit

«Vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në mbarë tokën.»—PSAL. 83:18.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të forcojmë besimin se Jehovai është Sovrani i universit dhe se falë tij mund të kapërcejmë çdo sfidë tani e në të ardhmen.

1. Çfarë tragjedish i ndodhën Jobit?

JOBI besnik kishte humbur thuajse gjithçka: fëmijët, shëndetin e mirë dhe pasurinë. Veç kësaj, shumë njerëz ia kishin përbaltur reputacionin. Për të mos folur për të ashtuquajturit miq, që vetëm sa e shkurajuan me fjalët e tyre. Madje edhe gruaja e tij e shtrenjtë ishte aq e dëshpëruar, sa i tha: «Mallko Perëndinë dhe vdis!» (Jobi 2:9; 15:4, 5; 19:1-3) Këto tragjedi mund t’ia kishin gërryer Jobit besimin te Perëndia i vërtetë; mund ta nxitnin të dyshonte nëse Jehovai i mbron ata që e duan dhe i shërbejnë.

2-3. (a) Çfarë mund të vëmë në pikëpyetje kur hasim sprova? (b) Çfarë do të mësojmë nga libri i Jobit?

2 Hera-herës edhe ne përjetojmë situata që mund të na e sprovojnë besimin te Jehovai deri në pikën e fundit. Jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Tim. 3:1) Kur hasim sprova njëra pas tjetrës, mund të na pushtojë ankthi e të ndihemi sikur s’do të shohim më asnjë ditë të bardhë. Për shkak të sfidave të tilla, disa kanë vënë në pikëpyetje dashurinë dhe merakun e Jehovait për ta.

3 Nëse je ndier edhe ti kështu, mos e lësho veten. Jobi mësoi nga eksperienca se Jehovai i çliron besnikët e Tij. Edhe ne mund të zhvillojmë besim të pathyeshëm tek Ati ynë qiellor. Që ta arrijmë këtë synim, do të shohim dy mësime nga libri i Jobit që na sigurojnë se: së pari, vetëm Jehovai është Sovrani i universit. Së dyti, Perëndia ynë i plotfuqishëm mund t’i drejtojë ngjarjet botërore në atë mënyrë që të përmbushë qëllimin e tij. Gjithashtu e mbron popullin e vet nga gjithçka që do t’u dëmtonte përgjithmonë mirëqenien fizike dhe miqësinë me Të.

ME TA HYRI EDHE SATANAI

4. Kush shkoi në mbledhjen në qiell të përmendur te libri i Jobit?

4 Një ditë, «bijtë e Perëndisë së vërtetë» u mblodhën para Jehovait në qiell. Tregimi thotë se «me ta hyri edhe Satanai». (Jobi 1:6) Kjo është hera e parë që Bibla përdor titullin «Satana», ose «Kundërshtar», për të përshkruar kundërshtarin kryesor të Jehovait. Satanai nuk ishte më besnik ndaj Perëndisë. Ai ishte kthyer në armikun e Jehovait dhe të pjesës tokësore dhe qiellore të familjes së Tij. Jehovai tregoi se Satanai nuk bënte më pjesë në familjen e Tij në qiell kur tha fjalët e Zanafillës 3:15. Pra, Satanai nuk është pjesë e «gruas»—pjesës qiellore të familjes së Jehovait—nga e cila do të vinte ‘pasardhësi’.

5. Çfarë mësojmë nga ajo që ndodhi në mbledhjen në qiell?

5 Jehovai donte që të ruhej në Bibël ajo që ndodhi në atë mbledhje në qiell. Fjalët e Satanait tregojnë qartë se ai është një shpifës mizor. (Jobi 1:9; krahaso Zbulesën 12:10.) Ajo mbledhje na mëson një të vërtetë zemërdhënëse: Jehovai e ushtron autoritetin e tij suprem në mënyrë të përsosur e të drejtë. Gjithashtu mësojmë se, kufijtë për atë që mund të bëjë dikush i përcakton i Plotfuqishmi.

JEHOVAI VENDOS KUFIJTË

6. Si tregoi Jehovai se e kishte plotësisht nën kontroll mbledhjen në qiell? (Jobi 1:7, 8)

6 Lexo Jobin 1:7, 8. Jehovai e kishte plotësisht nën kontroll atë mbledhje. Ai e dinte se Satanai e kishte vënë në shënjestër Jobin besnik. Prandaj ishte ai që e nisi bisedën dhe e pyeti Satanain: «E ke vënë re Jobin, shërbëtorin tim?» Le të shqyrtojmë tani si e përdori Perëndia fuqinë e tij supreme për t’i ardhur në ndihmë Jobit.

7. Sipas Jobit 1:10, 11, çfarë la të kuptohej Satanai për arsyen pse njerëzit i shërbejnë Jehovait?

7 Lexo Jobin 1:10, 11. Jehovai është Sovrani i plotfuqishëm i universit dhe e përdor autoritetin dhe fuqinë për të bërë gjithçka që do. Ai e di çfarë është më e mira në çdo situatë. (Jer. 32:17; Dan. 4:35) Megjithatë, Satanai tha se Jehovai nuk e përdorte siç duhej fuqinë. Ai pretendoi se Perëndia i bekon njerëzit që «të blejë» adhurimin e tyre, e këtu përfshihej edhe Jobi. Veç kësaj, Satanai la të kuptohej se ata që i shërbejnë Jehovait, e bëjnë këtë vetëm për interes. Si veproi Jehovai?

8-9. Cilët kufij të qartë i vendosi Jehovai Satanait, dhe pse? (Jobi 1:12) (Shih edhe figurën.)

8 Lexo Jobin 1:12. Jehovai e lejoi Djallin të provonte akuzën e tij—por i përcaktoi disa kufij. Perëndia i tha qartë: «Atë vetë [Jobin] mos e prek!» Jehovai u vendosi kufij sulmeve të Satanait në sy të të gjithëve. I pafuqishëm, Satanai s’kishte zgjidhje tjetër, veçse të vepronte brenda atyre kufijve. E po njësoj bën edhe sot. Kështu, Jehovai e përdori autoritetin dhe fuqinë që të mbronte Jobin dhe reputacionin e vet.

9 Sulmi i parë i Satanait doli një dështim total. Jobi vazhdoi t’i qëndronte besnik Atit të tij qiellor. (Jobi 1:22) Gjithsesi, Kundërshtari nuk kishte mbaruar ende punë me Jobin.

Satanai i flet pa respekt Jehovait përpara engjëjve në qiell.

Jehovai e lejoi Satanain ta paraqiste çështjen e tij para të pranishmëve në mbledhje (Shih paragrafët 8-9)


10. Pse Jehovai e lejoi Satanain ta sprovonte përsëri Jobin? (Jobi 2:2-6)

10 Lexo Jobin 2:2-6. Kësaj here Satanai i intensifikoi përpjekjet për ta thyer Jobin. Ai pohoi se me siguri Jobi do ta mallkonte Perëndinë për të shpëtuar lëkurën e vet. Që të vërtetonte se Djalli e kishte gabim, Jehovai e lejoi që t’i shkaktonte Jobit një sëmundje të rëndë. Ama i vendos sërish kufij duke i thënë: «Kurseja jetën!» Pra, Satanai i kishte duart e lidhura. Ai nuk i shkelte dot limitet e vendosura nga Jehovai, e kjo na tregon përsëri se Më i Larti kishte gjithçka nën kontroll gjatë sprovës së Jobit.

JEHOVAI U JEP FUND VUAJTJEVE TË JOBIT

11. Sipas Jobit 42:10-13, si e bekoi Jehovai Jobin pasi u dha fund sprovave të tij?

11 Lexo Jobin 42:10-13. Pasi Jobi tregoi se nuk do të bënte kompromis, Jehovai nuk e lejoi më Satanain që ta sulmonte. Ai ndërhyri dhe e çliroi shërbëtorin e tij besnik nga vuajtjet. Sërish, Kundërshtari ishte i pafuqishëm para vendimit të Perëndisë. Satanai nuk e kishte më lejen ta sprovonte më shërbëtorin e çmuar të Jehovait, Jobin.

12. Jepni një shembull si i shpëton Jehovai ata që kanë besim te krahu i tij shpëtimtar.

12 Gjatë ditëve të fundit, Jehovai e ka përdorur fuqinë për të shpëtuar shumë nga adhuruesit e tij. Për shembull, në vitin 1945, 230 Dëshmitarë të Jehovait i mbijetuan marshimit famëkeq të vdekjes nga një kamp përqendrimi nazist. Në një rezolutë, ata u shprehën kështu për eksperiencën e tyre të tmerrshme: «Lamë pas një periudhë të gjatë dhe të vështirë sprove, dhe ata që mbijetuan, të cilët si të thuash iu rrëmbyen furrës së zjarrtë, as nuk mbajnë erë të djegur. . . . Përkundrazi, kanë marrë plot forcë dhe fuqi nga Jehovai.» Ata shtuan: «Dëshira jonë e vetme . . . [pas] qëndrimit në gropën e luanëve, është që t’i shërbejmë Jehovait . . . për gjithë përjetësinë. Për ne, nuk do të kishte shpërblim më të madh se ky!»—Krahaso Danielin 3:27; 6:22.

13. Për çfarë mund të jesh i sigurt kur has sprova? (Shih edhe figurat.)

13 Edhe ne mund të kalojmë momente në jetë kur ndihemi sikur na kanë hedhur në gropën e luanëve. (1 Pjet. 5:8-10) Ndonjëherë mund të na shteren fuqitë dhe të na duket se sprova s’do të mbarojë kurrë. Në raste të tilla, mund të marrim forcë duke kujtuar historinë e Jobit. Mund të jemi besimplotë se Jehovai ka fuqi t’u japë fund vuajtjeve tona—në mos tani, në botën e re. Jehovai e ka caktuar fundin e këtij sistemi dhe s’do ta lejojë për asnjë sekondë më shumë.

Kolazh: shërbëtorë të Jehovait duke kaluar sprova të ndryshme. 1. Një vëlla i ri ngushëllon një vëlla të moshuar, ndërsa të dy qëndrojnë të pikëlluar para një varri. 2. Dy prindër janë ulur të dëshpëruar pranë shtratit të vajzës së tyre që ndodhet në spital. 3. Një vëlla i burgosur gërmon me lopatë në vapën zhuritëse ndërsa e ruan një ushtar i armatosur.

Jehovai do t’u japë fund vuajtjeve të shërbëtorëve të tij besnikë (Shih paragrafin 13)


JEHOVAI I DO SHËRBËTORËT E TIJ BESNIKË

14-15. Çfarë dëshiron të bëjë Jehovai për shërbëtorët e tij besnikë, dhe pse? (Jobi 14:15) (Shih edhe figurën.)

14 Lexo Jobin 14:15. Ati ynë qiellor i ka pikë të dobët besnikët e tij. I çmon aq shumë, sa mezi pret t’i sjellë prapë në jetë ata që i ka rrëmbyer vdekja. Jehovai do t’i shndërrojë lotët e hidhërimit në lot gëzimi.—Isa. 65:17.

15 Megjithëse Jobi vazhdoi të jetonte në një botë të sunduar nga Satanai, Bibla tregon se Jehovai i ktheu shëndetin e mirë dhe e bekoi shumë më tepër se para sprovave. Ato bekime ishin vetëm një shijim i gjërave që do të bëjë Jehovai në të ardhmen për Jobin. Ati ynë ka treguar se dëshiron që besnikët e tij të jenë plotësisht të lumtur dhe ta gëzojnë jetën. Në fakt, Perëndia do t’u japë mundësinë të shijojnë jetën e përsosur në parajsën në tokë të gjithë adhuruesve besnikë. (Zbul. 21:3, 4) Si Sovrani i universit, ai e ka dëshirën që ta bëjë këtë. Sa na e ngushëllon zemrën ky mendim kur na duhet të përballojmë sprova!

Jobi, me shëndet të plotë dhe i veshur mirë, shijon shoqërinë e miqve që kanë shkuar të vizitojnë atë dhe gruan e tij.

Pas sprovave, Jobi dhe gruaja e tij shijuan plot bekime nga Jehovai (Shih paragrafët 14-15)


16. Ç’arsye tjetër kemi për të besuar se Jehovai është Sovrani i universit?

16 Megjithëse Jehovai e bekoi Jobin me jetë të gjatë, në fund ai vdiq. Por Jehovai është Sovrani i universit, i Plotfuqishmi, që ka pushtet edhe mbi vdekjen. (Ligj. 32:39) Pra, askush nuk e ndalon dot t’i ringjallë ata që ka për zemër dhe në kohën që ka vendosur.—Rom. 8:38, 39.

BESO PLOTËSISHT TE JEHOVAI

17. Çfarë tregon se Satanait i kanë dalë huq përpjekjet për të shfarosur popullin e Jehovait?

17 Historia e Jobit na jep arsye të forta që të besojmë plotësisht te Jehovai. Jemi thellësisht mirënjohës që Ai s’e ka lejuar Satanain të ketë sukses në përpjekjet për të na shfarosur si popull. Sot rreth 9 milionë shërbëtorë besnikë të Jehovait janë dëshmi e gjallë e fuqisë që ka Sovrani i vërtetë. Kemi parë sa e sa herë se çdo armë e sajuar kundër adhuruesve të Perëndisë nuk ka pasur sukses. (Isa. 54:17) Mjaft qeveri të fuqishme dhe krerë fetarë nuk kanë arritur ta thyejnë popullin e Jehovait, në dukje të pambrojtur. Asgjë s’na pengon dot që të përhapim të vërtetën për Perëndinë dhe t’i çjerrim maskën Satanait si gënjeshtar dhe vrasës. Madje as vdekja s’mund të na ndalë, sepse Jehovai do të kthejë në jetë këdo që vdes besnik.—Hoz. 13:14.

18. Pse mund ta presim të ardhmen sypatrembur?

18 Ndërsa mendojmë për jetën e Jobit, na forcohet besimi se mund ta presim të ardhmen sypatrembur. Gjatë shtrëngimit të madh, populli i Jehovait do t’u duket si një kafshatë Satanait e përkrahësve të tij dhe do t’i sulmojnë. Por njësoj si në rastin e Jobit, Jehovai do të ketë gjithçka nën kontroll dhe nuk do të lejojë që Satanai të shkaktojë ndonjë dëm të përhershëm. Po afron me të shpejtë koha kur Jehovai do t’u vërë kapak të gjitha vuajtjeve që i ka sjellë Satanai njerëzimit. Djalli dhe demonët do të izolohen në një humnerë për 1.000 vjet. (Luka 8:31; Zbul. 20:1-3) Në fund, Satanai dhe të gjithë mbështetësit e tij do të asgjësohen. (Zbul. 20:10) Siç ka deklaruar Jehovai, Satanait do t’i shtypet koka. Ai do të shkatërrohet plotësisht, një herë e përgjithmonë.—Zan. 3:15; Rom. 16:20.

19. Çfarë shpërblimesh i presin ata që kanë besim të plotë te Jehovai? (Shih edhe figurën.)

19 Si adhurues të vërtetë mezi presim botën e re ku do të jemi të përsosur dhe do të gëzojmë një jetë të lumtur. Jeta në atë kohë do të jetë shumë më e bukur nga ç’na e pret mendja. Jehovai premton: «Ja, po bëj çdo gjë të re.» (Zbul. 21:5) Çfarë do të thotë kjo? Për herë të parë pas mijëra vjetësh, njerëzimi do të çlirohet nga ndikimi korruptues, dashakeq dhe shkatërrimtar i Satanait dhe i demonëve të tij. Çfarë lehtësimi i papërshkrueshëm! Nuk do të kalojmë më net pa gjumë për shkak të problemeve të kësaj bote të vjetër. Të mbijetuarit e Armagedonit do të shohin shërime të mrekullueshme në shkallë globale. Gjithashtu do t’i përqafojmë sërish njerëzit tanë të dashur që do të ringjallen. Më në fund do të gëzojmë jetën që ka dashur gjithmonë Ati ynë qiellor për ne.

Vëllezërit dhe motrat nga figura e mëparshme, duke shijuar jetën në tokën parajsore. Vëllai i moshuar, që tani është i ri, po bën një shëtitje me njeriun e tij të shtrenjtë të ringjallur. Prindërit kënaqen duke shëtitur me vajzën e tyre, që tani gëzon shëndet të mirë. Vëllai që më parë ishte në burg, po lexon Biblën poshtë një peme, pranë një këlyshi luani.

Jehovai do t’i bekojë me bollëk besnikët e së kaluarës që përballuan me sukses sprovat (Shih paragrafin 19)


20. Çfarë je i vendosur të bësh?

20 Ndërsa përballojmë me guxim sfidat në këto ditë të fundit, të jemi të vendosur t’i besojmë plotësisht Jehovait dhe të mbështetim sovranitetin e tij. Le të tregojmë dashurinë e thellë që kemi për Atin tonë dhe të provojmë se Satanai është gënjeshtar. Mund ta presim plot besim të ardhmen nën qeverisjen e Sovranit tonë, Jehovait. Atij i digjet zemra t’i shpërblejë në mënyrë të jashtëzakonshme besnikët e tij!

SI TREGON HISTORIA E JOBIT SE . . .

  • Jehovai është Më i Larti në univers?

  • Jehovait i digjet zemra t’i shpërblejë shërbëtorët e tij besnikë?

  • mund të kesh besim të plotë te Jehovai, Sovrani i universit?

KËNGA 153 Më jep guxim

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo