JETËSHKRIM
Jehovai më ka stërvitur që nga rinia
MË NGELËN sytë te fleta që më zgjati vëllai. Në të shkruhej: «Dejvid Splejn, 8 prill 1953: ‘Të shpallim fundin e botës.’» «Çfarë është kjo?»—e pyeta. «Është fjalimi që do të mbash në Shkollën e Shërbimit Teokratik»,a—m’u përgjigj. I zënë në befasi, kundërshtova: «Unë s’kam rënë dakord për këtë!»
Por më lejoni t’jua tregoj gjërat me radhë. Kam lindur gjatë Luftës II Botërore, në Kalgari të Kanadasë. Në fund të viteve 40, trokiti në derën tonë Donald Freizëri, një pionier në moshë të re, dhe mamaja pranoi të studionte Biblën. Asaj i hyri në zemër e vërteta, por ngaqë kishte probleme serioze me shëndetin, nuk përfshihej dot shumë në aktivitetet e kongregacionit. Gjithsesi përparoi dhe u pagëzua në vitin 1950. Mjerisht s’kaluan as dy vjet dhe mamaja vdiq. Im atë nuk ishte në të vërtetën, megjithatë pranoi që fjalimin e funeralit ta bënte një vëlla.
Ca ditë pas funeralit, më takoi Alisa, një motër e moshuar që ishte e mirosur. Ajo më ftoi të shkoja në një mbledhje kongregacioni. Alisa më njihte, sepse shoqëroja mamin në mbledhjet e fundjavës kur ajo ishte në gjendje t’i ndiqte. I mora leje babit që të shkoja në mbledhje. Ai pranoi dhe vendosi të vinte me mua «vetëm një herë», për të falënderuar vëllanë që kishte bërë fjalimin e funeralit të mamasë. Atë mbrëmje mbahej Shkolla e Shërbimit Teokratik dhe Mbledhja e Shërbimit. Për tim atë, ajo mbledhje e parë qëlloi fiks e duhura. Ngaqë kishte bërë një kurs për oratorinë, u mahnit nga programi. Prandaj vendosi ta ndiqte çdo javë dhe avash-avash filloi të vinte në të gjitha mbledhjet.
Asokohe, mbikëqyrësi i Shkollës së Shërbimit Teokratik e niste mbledhjen duke lexuar emrat e vëllezërve të regjistruar në shkollë, dhe secili përgjigjej: «Këtu!» Një mbrëmje kërkova që herën tjetër të lexohej edhe emri im. Vëllai më lavdëroi përzemërsisht, por nuk më pyeti nëse e dija çfarë përfshinte kjo.
As ma merrte mendja se po dilja vullnetar që të mbaja fjalime në shkollë—unë thjesht doja të më lexohej emri. Javën tjetër kur më thërritën emrin, u përgjigja tërë qejf: «Këtu!» Pas mbledhjes vëllezërit dhe motrat më lavdëruan ngrohtësisht. E disa javë më vonë, mora caktimin që ju tregova në fillim të artikullit.
I isha futur detit në këmbë! Në atë kohë studentët duhej të përgatitnin fjalime që zgjatnin 6-8 minuta, dhe nuk ekzistonte si caktim leximi i Biblës. Fjalimin e përgatita me babin, i cili më vuri ta përsëritja 20 herë derisa e mbajta në mbledhje. Pas fjalimit mbikëqyrësi më dha këshilla të dobishme. Në rrjedhën e viteve Jehovai më ka stërvitur nëpërmjet babait, motrave e vëllezërve të aftë dhe organizatës së Tij.
STËRVITJA VAZHDON
Alisa, të cilën e përmenda më sipër, u mor me stërvitjen time kur fillova të dilja në shërbim. Në ato vite, nxiteshim që t’i lexonim të zotit të shtëpisë tri shkrime dhe më pas t’i ofronim një libër. Kur ishte radha ime, si fillim prezantohej Alisa, niste bisedën dhe pastaj më ftonte mua të lexoja shkrimin e parë. Më tej e vazhdoja unë prezantimin, lexoja shkrimin e dytë dhe të tretë dhe ofroja botimin. Me kohë mësova ta nisja vetë bisedën. Babai u pagëzua në fund të 1954-s, dhe që nga ai moment e mori ai stafetën për të më stërvitur në shërbim. Si prind i vetëm, bëri maksimumin që të më rrënjoste në zemër dashurinë për Jehovain. Babai ishte mjaft i disiplinuar kur vinte puna tek aktivitetet teokratike. Nuk bëhej fjalë të linim ndonjë mbledhje ose të mos dilnim në shërbim të shtunave dhe të dielave në mëngjes.
Në shkollë isha nxënës mesatar, por stërvitja që mora gjatë atyre 12 viteve më hyri në punë gjithë jetën. Për shembull, mësova të bëja mbledhje me numra shumëshifrorë. Mora edhe njohuri bazë goxha të mirë për gramatikën e gjuhës angleze. Mësimet e gjuhës dhe kursi i krijimtarisë letrare më kanë ndihmuar tej mase në caktimin e tanishëm në Departamentin e Shkrimit.
Më pyesin shpesh për pasionin që kam për muzikën. Të dy prindërit ishin të apasionuar pas muzikës. Kur isha shtatë vjeç, hyra për ca kohë në një kurs pianoje, por mësuesja mendonte se s’isha edhe aq i talentuar. Prandaj i sugjeroi tim eti që të më hiqte nga kursi. Nuk çuditem se në atë kohë nuk e kisha fare me qejf.
Ca muaj më vonë, babai gjeti një mësuese tjetër. Kësaj here, përveç pianos, studiova edhe kanto dhe u bëra i zoti te të dyja. Kur isha i vogël, kisha zë të bukur dhe fitova disa konkurse. Synimi im ishte të studioja muzikë dhe të diplomohesha si mësues, që të jepja mësime muzike dhe të mbuloja shpenzimet ndërsa shërbeja si pionier. Mirëpo kuptova se do të më duhej shumë kohë që të studioja për provimet e harmonisë, të historisë së muzikës dhe të kompozimit. Prandaj hoqa dorë nga ky synim dhe fillova shërbimin si pionier në vitin 1963.
SHËRBIMI I PIONIERIT SJELL BEKIME
Pasi shërbeva si pionier i rregullt për një vit, më caktuan pionier special në Kapuskasing, Ontario. Shoku im i shërbimit, Daniel Skineri, ishte goxha më i madh se unë në moshë. Ai më mësoi plot gjëra për mënyrën si funksionon kongregacioni. Në moshën 20-vjeçare, më caktuan të shërbeja në Komitetin e Shërbimit të Kongregacionit, ndaj kisha mjaft për të mësuar. Jam vërtet i lumtur që organizata po e vë sërish theksin te stërvitja e vëllezërve të rinj. Nëse punojnë fort, mund të jenë të dobishëm për Jehovain që në moshë fare të re.
Jeta në Kapuskasing kishte sfidat e veta. Në dimër, temperaturat binin në minus 44 gradë celsius, por ndonjëherë kishim edhe «ditë të ngrohta», kur temperatura shkonte në minus 33 gradë celsius. Unë dhe Dani bënim shumë rrugë në këmbë. Megjithatë ky caktim kishte plot bekime, e ndër to ishte të takoja motrën Linda Kol, e cila më vonë u bë Linda Splejn.
Linda ishte një lajmëtare e zellshme dhe kishte shumë rivizita të mira. Ajo ishte bujare, zemërmirë dhe miqësore. E ëma, Goldi, ishte një motër besnike. Ndërsa i ati, Aleni, si fillim e kundërshtonte të vërtetën. Por pavarësisht nga kundërshtimi i të shoqit, Goldi i merrte rregullisht Lindën dhe vëllezërit e saj, Xhonin dhe Gordonin, në Sallën e Mbretërisë dhe i stërviste në veprën e predikimit. Goldi, Linda, Xhoni dhe Gordoni kanë shërbyer të gjithë si pionierë. Vite më vonë, Aleni pranoi të vërtetën dhe punoi fort për kongregacionin.
Në vitin 1965, më ftuan në Bethelin e Kanadasë që të merrja pjesë në Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë për një muaj, me qëllim që të stërvitesha më shumë. Në shkollë, më ofruan të plotësoja kërkesën për të ndjekur shkollën e Galadit. S’e kisha menduar kurrë shërbimin si misionar, ngaqë nuk ndihesha në lartësinë e duhur. Prapëseprapë e plotësova kërkesën dhe më ftuan në klasën e 42-të. Instruktorët e Galadit na jepnin rregullisht raporte për ecurinë tonë. Në raportin e parë më nxitën që të mësoja gjithë sa mundesha për organizatën ndërsa isha në shkollë. Kjo ishte këshillë më se e përshtatshme për një 21-vjeçar.
Në Galad mësuam si të komunikonim me mediat, ku përfshiheshin stacionet radiofonike, televizionet dhe shtypi. Më pëlqente shumë si orë mësimi. Atëherë nuk e dija se këto udhëzime do të më vlenin goxha në të ardhmen, siç do t’ju tregoj më tej.
PËR NË SENEGAL
Pak ditë pas diplomimit u nisa bashkë me shokun tim të shërbimit, Majkëll Hylenin, për në caktimin tonë si misionar në Senegal, Afrikë. Në atë kohë, në vend kishte rreth 100 lajmëtarë.
Pas disa muajsh në caktim, më ftuan të punoja një ditë në javë në zyrën e degës. «Zyra e degës» ishte vetëm një dhomë në një shtëpi misionare. Ndonëse ishte vend modest, Emanuel Paterakisi, shërbëtori i degës, nuk më linte të harroja se dega përfaqësonte organizatën e Jehovait në Senegal. Në një rast, vëlla Paterakisi vendosi që t’u shkruanim një letër zemërdhënëse misionarëve. Në ato vite, nuk kishte ndonjë mënyrë të shpejtë dhe pa shumë shpenzime që të bënim kopje të letrave. Ndaj i shkruanim një nga një, duke përdorur një makinë shkrimi. Ishte goxha punë, sidomos ngaqë letrat s’duhej të kishin kurrë asnjë gabim ortografik.
Ndërsa bëhesha gati të kthehesha në shtëpinë misionare në mbrëmje vonë, vëlla Paterakisi më zgjati një zarf. Ai tha: «Dejvid, ke një letër nga Shoqata.» Kur e hapa zarfin më vonë, gjeta një nga letrat që kisha shtypur vetë. Ai rast më mësoi se duhet ta respektoj organizatën, pavarësisht nëse zyra vendëse është e madhe ose e vogël.
Me misionarë të tjerë në Senegal, 1967
Lidha miqësi me shumë lajmëtarë në kongregacion dhe mbrëmjet e të shtunave i kaloja shpesh me familjet vendëse. Ç’kohë të bukura ishin ato! E ruajmë shoqërinë sot e kësaj dite. Dhe ngaqë në Senegal mësova frëngjisht, kjo më ka ndihmuar gjatë vizitave në degë të ndryshme përreth botës.
Më 1968 u fejova me Lindën. U përpoqa disa muaj radhazi për të gjetur një punë me kohë të pjesshme, që të shërbenim si pionierë në Senegal. Mirëpo, punëdhënësit preferonin punëtorë vendës, jo të huaj. Në fund u ktheva në Kanada dhe u martova me Lindën. Pastaj u caktuam pionierë specialë në Edmundsten të Nju-Brunsuikut, një qytezë në kufi me provincën e Kuebekut.
Në ditën e dasmës, 1969
SHËRBEJMË SI PIONIERË NË NJU-BRUNSUIK DHE NË KUEBEK
Në qytezë kishte vetëm pak studime të Biblës dhe s’kishte asnjë lajmëtar. Feja katolike e kishte shtrirë ndikimin thuajse në çdo aspekt të jetës së banorëve. Gati në çdo shtëpi kishte një shenjë ku shkruhej: «Nuk duam Dëshmitarë të Jehovait!» Ndryshe nga sot, në atë kohë nuk u kushtonim shumë rëndësi këtyre shenjave, ndaj trokitnim në çdo derë. Javë për javë, një organizatë katolike nxirrte një njoftim në gazetën vendëse: «Gjueti shtrigash kundër Dëshmitarëve të Jehovait!» Në atë qytezë kishte vetëm katër «shtriga»—Viktor dhe Velda Norbergu, Linda dhe unë. S’do shumë mend se për kë e kishin.
S’do ta harroj kurrë vizitën e parë të mbikëqyrësit qarkor. Në fund të javës na tha: «Mbase e shumta që mund të bëni këtu, është të thyeni paragjykimet.» Që nga ai moment, ky u bë synimi ynë, dhe ia dolëm mbanë. Pak nga pak, njerëzit filluan të vërenin dallimin mes Dëshmitarëve të Jehovait që ishin të përulur dhe udhëheqësve krenarë të kishës katolike. Tani në atë qytezë ka një kongregacion të vogël.
Pasi ndenjëm rreth një vit në atë caktim të izoluar, na ftuan të shërbenim në një kongregacion të madh në qytetin e Kuebekut. Kaluam gjashtë muaj të mrekullueshëm me motrat dhe vëllezërit mikpritës atje, para se të na ftonin të shërbenim në veprën udhëtuese.
Për 14 vjetët që pasuan, shërbyem në veprën qarkore në provincën e Kuebekut. Ato ishin kohë të paharrueshme. Vepra në Kuebek po lulëzonte dhe nuk ishte çudi që, në të njëjtin kongregacion, të shihje disa familje që përparonin njëkohësisht drejt pagëzimit.
NUK I HARROJMË KURRË ATA QË SHËRBYEN ME GJITHË SHPIRT
Është shumë kollaj t’i duash vëllezërit dhe motrat kanadezë që flasin frëngjisht. Janë të drejtpërdrejtë, të gëzuar dhe entuziastë. Mirëpo nuk e kanë pasur gjithnjë të lehtë të pranonin të vërtetën dhe, me raste, hasnin kundërshtim të flaktë nga familja. Për shembull, disa motrave dhe vëllezërve fare të rinj, prindërit jobesimtarë u dhanë ultimatum: «Ose lëre studimin me Dëshmitarët e Jehovait, ose ik nga shtëpia!» Mirëpo shumë pak prej tyre iu dorëzuan presionit, për të mos thënë asnjë. Sa krenar duhet ta kenë bërë Jehovain!
Në këtë pikë, s’do të më falej po të lija pa përmendur grupin e jashtëzakonshëm të pionierëve specialë dhe të rregullt, që shërbyen në ato vite në Kuebek. Shumica vinin nga pjesë të tjera të Kanadasë. Përveçse duhej të mësonin frëngjishten, duhej të njihnin edhe kulturën vendëse dhe mentalitetin e njerëzve, të brumosur nga feja katolike.
Shpesh pionierët specialë caktoheshin në territore të izoluara, ku s’kishte lajmëtarë. Për shkak të paragjykimeve, e kishin mjaft të vështirë të gjenin shtëpi, lëre pastaj një punë me pak orë. Edhe çiftet e sapomartuara jetonin në të njëjtën shtëpi me katër, gjashtë ose tetë veta të tjerë, që të ndanin shpenzimet. Ishte e pamundur ta përballonin jetesën më vete. Këta pionierë të përkushtuar ishin të palodhur në shërbim. Kur nisnin një studim, bëheshin copë që ta ndihmonin të përparonte. Tani që në Kuebek ka goxha lajmëtarë, mjaft prej tyre kanë shkuar në zona ku ka më tepër nevojë.
Kur shërbenim në veprën qarkore, përpiqeshim që të shtunave në mëngjes të dilnim në shërbim me adoleshentët. Kështu mund të dëgjonim nga goja e tyre se çfarë sfidash kalonin. Disa nga ata të rinj tani shërbejnë si misionarë jashtë shtetit ose kanë caktime të tjera me përgjegjësi.
Në atë kohë, kishte kongregacione që nuk arrinin t’i mbulonin shpenzimet për udhëtimin tonë, ja pse ndonjëherë ngeleshim ngushtë në fund të muajit. Kishte raste kur na duhej të mbështeteshim plotësisht te Jehovai, se ishte i vetmi që i njihte rrethanat tona. Ai s’na la kurrë në baltë! Nuk e di si, por ia dilnim gjithmonë të udhëtonim nga njëri kongregacion te tjetri.
MËSIME NGA VËLLEZËR BESNIKË
Më herët ju tregova se në Galad nxora shumë dobi nga kursi për marrëdhëniet me publikun. Asokohe në Kuebek, kishim plot mundësi që të jepnim dëshmi në radio, në televizion dhe në shtyp. Më caktonin shpesh të punoja me vëllanë Leons Krepó, një mbikëqyrës tjetër qarkor, mjaft i zoti në marrëdhëniet me mediat. Kur takonim një drejtues të rëndësishëm në industrinë e lajmeve, në vend se të tregonte sa i aftë ishte, Leonsi i thoshte: «Zotëri, unë dhe shoku im jemi thjesht predikues të fesë dhe dimë fare pak për fushën e medias. Por na kanë caktuar t’i njoftojmë njerëzit për një kongres të madh që do të mbajnë Dëshmitarët e Jehovait. Ndaj do ta vlerësonim çdo ndihmë që mund të na jepni.» Përulësia e tij hapi shumë dyer, që në të kundërt mund të kishin mbetur të mbyllura.
Më vonë, dega më caktoi të punoja me vëllanë Glen Hau, një nga avokatët tanë, për disa çështje delikate që mund të tërhiqnin vëmendjen e medias. Më hyri shumë në punë stërvitja në Galad dhe përvoja që kisha fituar nga bashkëpunimi me Leonsin. Ishte vërtet privilegj të punoja me vëllanë Hau. Ai ishte sypatrembur kur vinte puna te mbrojtja ligjore e organizatës. Por mbi të gjitha, kishte dashuri të thellë për Perëndinë Jehova.
Më 1985 na caktuan në një qark afër tim eti, në pjesën perëndimore të Kanadasë, dhe patëm mundësinë të kujdeseshim për të. Mjerisht, babai vdiq tre muaj më vonë. Vazhduam në veprën qarkore në perëndim të Kanadasë deri në 1989-n, kur për habinë tonë, na ftuan të bëheshim pjesë e familjes Bethel të Shteteve të Bashkuara. Kështu do të linim caktimin tonë në veprën udhëtuese pas afro 19 vjetësh. Gjatë atyre viteve, qëndruam në qindra shtëpi të motrave e vëllezërve mikpritës dhe shijuam së bashku mijëra vakte. I jemi thellësisht mirënjohës kujtdo që hapi dyert e shtëpisë dhe të zemrës për ne.
TRANSFEROHEMI NË SHTETET E BASHKUARA
Kur shkuam në Bruklin, më caktuan në Departamentin e Shërbimit. Do ta çmoj gjithmonë stërvitjen që mora atje. Një nga gjërat që mësova, ishte të sigurohesha për faktet dhe të mos hamendësoja asgjë. Më pas në vitin 1998, më caktuan në Departamentin e Shkrimit, ku ende po mësoj shumë. Për disa vite kam pasur privilegjin të ndihmoj vëllanë Xhon Barr, i cili ishte koordinatori i Komitetit të Shkrimit. Do ta ruaj gjithmonë si thesar stërvitjen që më dha dhe kohën që kalova me të. Ai e pasqyronte shumë bukur personalitetin e Krishtit.
Me Xhon dhe Mildred Barrin
Është kënaqësi e veçantë të punoj krah motrave e vëllezërve të përulur që shërbejnë në Departamentin e Shkrimit. Ata kërkojnë gjithmonë drejtimin e Jehovait në lutje dhe e kuptojnë fare mirë se çdo arritje vjen falë frymës së Jehovait, jo falë aftësive të tyre.
Duke dirigjuar korin Watchtower në mbledhjen vjetore të vitit 2009
Duke shpërndarë Bibla në kongresin ndërkombëtar të vitit 2014 në Seul, Koreja e Jugut
Gjithashtu ka qenë një bekim i pamasë për mua dhe Lindën të takojmë familjen tonë të besimit në 110 vende. E kemi parë me sytë tanë dashurinë e zjarrtë që kanë për Jehovain misionarët, anëtarët e Komiteteve të Degëve dhe të tjerë që shërbejnë në kohë të plotë. Veç kësaj, na është bërë zemra mal kur kemi parë zellin dhe qëndrueshmërinë e lajmëtarëve vendës. Ata vendosin në vend të parë Mbretërinë, pavarësisht nga luftërat, vështirësitë ekonomike dhe përndjekja. Me siguri Jehovai i do fort!
Gjatë viteve, Linda më ka ndihmuar jashtë mase ndërsa përpiqem të përmbush caktimet e mia. Ajo i do vërtet njerëzit dhe është gjithnjë syçelë si e si t’i ndihmojë. Është edhe mjaft e zonja për të nisur biseda. Linda ka pasur goxha sukses në bërjen e dishepujve, madje ka ndihmuar edhe disa joaktivë të kthehen në kongregacion. Ime shoqe është një dhuratë speciale nga Jehovai! Tani që ndiejmë peshën e viteve mbi supe, u jemi thellësisht mirënjohës motrave e vëllezërve më të rinj që na ndihmojnë gjatë udhëtimeve dhe në mënyra të tjera praktike.—Mar. 10:29, 30.
Kur sjell ndër mend tetë dekadat e shkuara të jetës sime, i jam pa fund mirënjohës Jehovait. Do të thosha të njëjtat fjalë si psalmisti, që shkroi: «O Perëndi, ti më ke mësuar që nga rinia, ndaj s’pushoj së foluri edhe sot e kësaj dite për veprat e tua të mrekullueshme.» (Psal. 71:17) Jam i vendosur ta bëj këtë derisa të kem frymë!
a Sot kjo lloj stërvitjeje është pjesë e mbledhjes së mesjavës.