BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w26 janar f. 8-13
  • Mund t’i luftosh me sukses ndjenjat negative

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mund t’i luftosh me sukses ndjenjat negative
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PSE KISHTE NDJENJA NEGATIVE PAVLI
  • SI I LUFTOI PAVLI NDJENJAT NEGATIVE
  • SI T’I LUFTOJMË NDJENJAT NEGATIVE
  • SHIHE ME BESIM TË ARDHMEN
  • Si t’i luftosh ndjenjat negative?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
  • Si të kemi më shumë gëzim në shërbim
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Trego modesti kur nuk e di diçka
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Jehovai «i shëron zemërthyerit»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
w26 janar f. 8-13

9-15 MARS 2026

KËNGA 45 Mendimet e thella të zemrës

Mund t’i luftosh me sukses ndjenjat negative

«Ç’njeri i mjerë jam!»—ROM. 7:24.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Ç’mund të bëjmë që të mos na vënë poshtë ndjenjat dhe mendimet negative.

1-2. Si ndihej hera-herës apostulli Pavël, dhe pse mund ta gjejmë veten te fjalët e tij? (Romakëve 7:21-24)

ÇFARË të vjen ndër mend kur mendon për apostullin Pavël: një misionar i guximshëm, një mësues i zotë apo dikush që ka shkruar shumë libra të Biblës? Të gjitha janë përshkrime të goditura. Ama, Pavli ishte edhe njeri me zemër të ndjeshme. Si shumë prej nesh, ai luftonte hera-herës me ndjenjat negative.

2 Lexo Romakëve 7:21-24. Në letrën që u shkroi romakëve, Pavli shprehu ndjenja që mund t’i përjetojnë shumë nga ne. Ndonëse ishte i krishterë besnik, ai kishte një luftë të brendshme—një betejë mes dëshirës së zjarrtë për të bërë vullnetin e Perëndisë dhe prirjes për të kënaqur dëshirat mëkatare. Përveç kësaj lufte, ndonjëherë Pavlin e mundonin ndjenjat negative për të kaluarën dhe e shkurajonte një problem personal që s’po merrte fund.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull? (Shih edhe «Shpjegimi i shprehjes».)

3 Pavarësisht nga lufta e brendshme që kishte, Pavli nuk lejoi që të bëhej rob i ndjenjave negativea. Në këtë artikull do të marrin përgjigje këto pyetje: pse Pavli ndihej «i mjerë» me raste? Si i përballoi ndjenjat negative? Si mund t’i luftojmë edhe ne me sukses ndjenjat negative?

PSE KISHTE NDJENJA NEGATIVE PAVLI

4. Pse kishte ndjenja negative Pavli?

4 Veprimet e së kaluarës. Para se të bëhej i krishterë, Pavli, i njohur më parë si Sauli, bëri disa gjëra për të cilat më vonë u pendua. Për shembull, ishte i pranishëm kur vranë me gurë Stefanin besnik dhe e miratoi vrasjen e tij. (Vep. 7:58; 8:1) Gjithashtu, Sauli ishte në krye të përndjekjes së egër kundër të krishterëve.—Vep. 8:3; 26:9-11.

5. Si ndihej Pavli për shkak të veprimeve të së kaluarës?

5 Pasi u bë i krishterë, kishte raste që apostullin Pavël e trazonte e shkuara e tij. Gjërat që kishte bërë si përndjekës i flaktë i të krishterëve, mund t’i kenë rënduar më shumë në zemër me kalimin e viteve. Për shembull, kur shkroi letrën e parë drejtuar korintasve rreth vitit 55 të e.s., ai tha: «Nuk jam i denjë të quhem apostull ngaqë e përndoqa kongregacionin e Perëndisë.» (1 Kor. 15:9) Rreth pesë vjet më vonë, në letrën që u shkroi efesianëve, Pavli e përshkroi veten si ‘më i vogli nga të gjithë të shenjtët’. (Efes. 3:8) Kur i shkroi Timoteut, ai tha se kishte qenë «blasfemues, përndjekës dhe arrogant». (1 Tim. 1:13) E imagjinon dot si duhet të jetë ndier Pavli kur vizitonte një kongregacion dhe takonte ata që kishte përndjekur ose familjarët e tyre?

6. Ç’gjë tjetër i shkaktonte vuajtje Pavlit? (Shih edhe shënimin.)

6 Një gjemb në trup. Pavli e krahasoi diçka që po i shkaktonte shumë vuajtje me «një gjemb në trup». (2 Kor. 12:7) Ai nuk e tha hapur se çfarë ishte, ama i sillte dhembje, qoftë ky një problem fizik, emocional ose diçka tjetër.b

7. Si ndikonin te Pavli dobësitë e tij? (Romakëve 7:18, 19)

7 Dobësitë e tij. Pavli ishte në luftë me dobësitë e veta. (Lexo Romakëve 7:18, 19.) Megjithëse donte të bënte atë që ishte e drejtë, nuk ia dilte gjithmonë për shkak të papërsosmërisë. Ai e pranonte se kishte një betejë të vazhdueshme mes prirjeve mëkatare dhe dëshirës për të bërë atë që është e drejtë. Gjithsesi, Pavli përpiqej pareshtur të bënte ndryshimet e nevojshme. (1 Kor. 9:27) Sa i shkurajuar duhet të jetë ndier çdo herë që dobësitë e tij nxirrnin kokë!

SI I LUFTOI PAVLI NDJENJAT NEGATIVE

8. Çfarë kuptojmë nga letrat e Pavlit për luftën që bëri kundër dobësive të tij?

8 Nga letrat që shkroi, kuptojmë se Pavli mendonte thellë se si ai vetë dhe bashkëbesimtarët mund t’i luftonin dhe t’i mposhtnin prirjet mëkatare me ndihmën e frymës së Perëndisë. (Rom. 8:13; Gal. 5:16, 17) Ai foli hapur për tipare dhe dëshira të papërshtatshme që adhuruesit e vërtetë duhet t’i luftojnë. (Gal. 5:19-21, 26) Pa dyshim, Pavli mendonte për dobësitë e veta, kërkonte këshilla në Shkrime dhe ndërmerrte hapa konkretë për t’i luftuar këto dobësi. Mund të jemi të sigurt se ai i zbatonte edhe vetë këshillat që u jepte të tjerëve.

9-10. Çfarë e ndihmoi Pavlin në luftën kundër ndjenjave negative? (Efesianëve 1:7) (Shih edhe figurën.)

9 Megjithëse kishte momente shkurajimi, në shumicën e kohës Pavli mbajti një qëndrim pozitiv. Për shembull, i gëzonte zemra kur merrte lajme të mira nga shokët e udhëtimit. (2 Kor. 7:6, 7) Pavli gjente kënaqësi kur shoqërohej me bashkëbesimtarët. (2 Tim. 1:4) Gjithashtu e dinte se kishte miratimin e Jehovait. Pavli ishte i lumtur, sepse mund t’i shërbente Perëndisë «me ndërgjegje të pastër». (2 Tim. 1:3) Madje edhe kur ishte i burgosur në Romë, ai i nxiti vëllezërit e motrat ‘të gëzonin përherë në Zotërinë’. (Filip. 4:4) Vështirë se do të shprehej kështu nëse do ta kishin kapluar mendimet negative. Është e qartë se kur i vinin në mendje gjëra shkurajuese, Pavli përpiqej menjëherë t’i zëvendësonte me gjëra pozitive.

10 Pavli pati sukses në luftën kundër ndjenjave negative edhe ngaqë e shihte shpërblesën si një dhuratë të bërë enkas për të. (Gal. 2:20; lexo Efesianëve 1:7.) Prandaj ishte plotësisht i bindur se, falë flijimit të Jezuit, Jehovai e kishte falur dhe do të vazhdonte ta falte. (Rom. 7:24, 25) Pavarësisht nga gabimet e së kaluarës dhe nga dobësitë personale, Pavli ia doli që ‘t’i bënte shërbim të shenjtë’ Perëndisë me gëzim.—Hebr. 9:12-14.

Kolazh: 1. Apostulli Pavël duke medituar. 2. Ai kujton një ngjarje të disa viteve më parë, kur kishte urdhëruar një ushtar të tërhiqte zvarrë një të krishterë nga shtëpia. 3. Ai mendon thellë për vdekjen e Jezuit në një shtyllë torture.

Edhe pse me raste e trazonte e shkuara e tij, Pavli i luftoi ndjenjat negative duke menduar thellë për shpërblesën (Shih paragrafët 9-10)


11. Pse na jep zemër shembulli i Pavlit?

11 Njësoj si Pavli, edhe ne mund të ndiejmë se kemi një luftë të pareshtur brenda vetes. Mbase na duhet t’u vëmë fre disa mendimeve, fjalëve ose veprimeve që nuk i pëlqejnë Jehovait. Ndoshta edhe ne na vjen të themi: «Ç’njeri i mjerë jam!» Elizac, një motër në të 20-at, shprehet kështu për luftën e saj: «Marr shumë zemër kur mendoj për rastin e Pavlit. Ndihem e lehtësuar që nuk jam e vetmja që provoj ndjenja të tilla. Kjo më kujton se Jehovai e di çfarë sfidash kanë adhuruesit e tij.» Ç’mund të bëjmë që, ashtu si Pavli, të kemi një ndërgjegje të pastër dhe të jemi të gëzuar, pavarësisht nga ndjenjat negative?

SI T’I LUFTOJMË NDJENJAT NEGATIVE

12. Pse e kemi më të lehtë të mendojmë pozitivisht kur mbajmë një program të mirë teokratik?

12 Mbaj një program të mirë teokratik. Kur kemi një program të mirë teokratik, e kemi më të lehtë të përqendrohemi te gjërat pozitive. Mund ta krahasojmë këtë program me zakonet e mira që ndikojnë te shëndeti ynë fizik. Kur ushqehemi shëndetshëm, bëjmë rregullisht ushtrime fizike dhe flemë mjaftueshëm, zakonisht ndihemi më mirë. Po njësoj, të gjithë e kemi provuar sa mirë ndihemi kur lexojmë çdo ditë Fjalën e Perëndisë, përgatitemi e marrim pjesë në mbledhje dhe dalim në shërbim. Këto aktivitete besimforcuese na ndihmojnë t’i zëvendësojmë mendimet negative me ato pozitive.—Rom. 12:11, 12.

13-14. Si i ka ndihmuar një program i mirë teokratik disa motra e vëllezër besnikë?

13 Të shohim rastin e Xhonit, i cili u diagnostikua me një formë të rrallë kanceri në moshën 39-vjeçare. Fillimisht ishte goxha i frikësuar dhe në ankth. Nuk arrinte ta besonte si u sëmur aq rëndë në një moshë kaq të re. Në atë kohë djalin e kishte vetëm tre vjeç. Çfarë e ndihmoi Xhonin t’u bënte ballë ndjenjave të tilla? Ai thotë: «Megjithëse ndihesha i pafuqishëm, bëra çmos që bashkë me familjen të mos i linim pas dore aktivitetet teokratike. I ndiqnim të gjitha mbledhjet, merrnim pjesë çdo javë në shërbim dhe e bënim rregullisht adhurimin familjar, madje edhe kur ishte e vështirë.» Kur mendon për atë periudhë, Xhoni thotë: «Pasi e mbledh veten nga tronditja e fillimit, mendimet turbulluese veniten dhe ia lënë vendin forcës dhe dashurisë së Jehovait. Jehovai mund të të japë edhe ty forcë, siç më dha mua.»

14 Eliza, e përmendur më parë, shprehet: «Sa herë marr pjesë në mbledhje dhe bëj studimin personal, më shtohet siguria se Jehovai më dëgjon dhe më do vërtet. Kjo më bën të lumtur.» Nolani, një mbikëqyrës qarkor në Afrikë, tregon çfarë e ndihmon atë dhe të shoqen, Dianën: «Nuk heqim dorë nga programi ynë teokratik edhe kur ndihemi të shkurajuar. Jehovai na e bën gjithnjë të qartë se po na ndihmon të kemi qëndrimin e duhur. Përpiqemi të mos harrojmë asnjëherë se Jehovai do të na ndihmojë dhe do të na bekojë; nuk e dimë si, por e dimë se do ta bëjë.»

15. Çfarë mund të jetë e nevojshme të bëjmë që të luftojmë mendimet negative? Ilustrojeni.

15 Përveç një programi të mirë teokratik, mund të na duhet të bëjmë edhe gjëra të tjera që të luftojmë mendimet negative. Për ta ilustruar, imagjino sikur po vuan prej ca kohësh nga dhembja e shpinës. Që të shërohesh, mund të mos mjaftojë vetëm të ecësh përditë. Fillimisht duhet të kuptosh shkakun e dhembjes. Ndaj mund të të duhet të bësh kërkime dhe madje të konsultohesh me një mjek. Po njësoj, që të mësojmë si t’i përballojmë ndjenjat negative, mund të na duhet të bëjmë kërkime në Bibël dhe në botimet tona e madje të flasim me një bashkëbesimtar të pjekur. Le të shohim tani disa sugjerime të tjera të dobishme.

16. Çfarë mund të të ndihmojë të dallosh shkakun e mendimeve negative? (Psalmi 139:1-4, 23, 24)

16 Lutju Jehovait që të kuptosh çfarë të nevojitet. Mbreti David e dinte se Jehovai e njihte shumë mirë. Ja pse iu lut për ndihmë që të dallonte shkakun e ‘mendimeve që e turbullonin’. (Lexo Psalmin 139:1-4, 23, 24.) Edhe ti mund t’i kërkosh ndihmë Jehovait që të kuptosh pse të lindin mendime negative dhe si të fitosh mbi to. Gjithashtu mund t’i bësh vetes pyetje, si: «Cilat gjëra më shkaktojnë ankth? A ka diçka specifike që më nxit të mendoj negativisht? A më rri mendja te gjëra shkurajuese apo përpiqem të mendoj pozitivisht?»

17. Cilat tema mund të studiosh që ta mbushësh mendjen me gjëra inkurajuese? (Shih edhe figurën.)

17 Përshtate studimin personal të Biblës me nevojat e tua. Hera-herës mund të jetë e dobishme të studiosh disa aspekte të personalitetit të Jehovait. Për shembull, apostulli Pavël nxirrte shumë dobi kur mendonte thellë për shpërblesën dhe për faljen e Jehovait. Po njësoj mund të bësh edhe ti. Përdor Mjet kërkimesh në botimet e Dëshmitarëve të Jehovait, Treguesi i Botimeve Watch Tower ose mjete të tjera ndihmëse për studimin e Biblës në gjuhën tënde, që flasin për mëshirën, faljen dhe dashurinë besnike të Jehovait. Pasi të kesh gjetur disa artikuj të dobishëm, bëj një listë, mbaje në një vend ku ta gjesh kollaj dhe studioji kur ndien se ankthi po të pushton zemrën. Përpiqu ta zbatosh atë që lexon në rrethanat e tua.—Filip. 4:8.

Një vëlla i ri përdor Biblën, tabletin dhe një bllok shënimesh gjatë studimit personal. Ai shkruan një shënim te Bibla e tij.

Studio për tema që do të të ndihmojnë të luftosh mendimet negative (Shih paragrafin 17)


18. Cilat projekte studimi i kanë ndihmuar disa vëllezër e motra?

18 Eliza, e përmendur me herët, bëri një projekt studimi për Jobin. Ajo thotë: «Jeta ime ngjan shumë me jetën e Jobit. Atij i ranë shumë sprova njëra pas tjetrës. Mirëpo, edhe kur ishte përtokë emocionalisht, Jobi vazhdoi të mbështetej te Jehovai—ndonëse nuk e dinte pse po i ndodhnin gjithë ato të këqija.» (Jobi 42:1-6) Diana, e përmendur më parë, thotë: «Bashkë me burrin po bëjmë një projekt studimi duke përdorur librin T’i afrohemi Jehovait. Jemi mirënjohës që Jehovai na modelon siç bën një poçar me argjilën. Kur shkurajohemi nga gabimet që bëjmë, përpiqemi të imagjinojmë Jehovain që po na modelon e po na bën njerëz më të mirë. Kjo na afron edhe më shumë me të.»—Isa. 64:8.

SHIHE ME BESIM TË ARDHMEN

19. Si do të ndihemi me raste, por për çfarë duhet të jemi të sigurt?

19 Edhe nëse kemi një rutinë të mirë teokratike dhe një program studimi enkas për nevojat tona, s’mund të presim që ndjenjat dhe mendimet negative të fashiten plotësisht. Mund të ketë prapë ditë kur do të ndihemi zemërlëshuar. Megjithatë, me ndihmën e Jehovait mund t’u vëmë fre mendimeve shkurajuese dhe të jemi më të qetë. Të jemi të sigurt se, në pjesën më të madhe të kohës, do të gëzojmë një ndërgjegje të pastër dhe do të kemi plot arsye që ta shijojmë jetën dhe shërbimin që i bëjmë Jehovait.

20. Për çfarë je i vendosur?

20 Ji i vendosur të mos bëhesh rob i ndjenjave negative për shkak të së kaluarës, të problemeve ose të dobësive të tua. Falë ndihmës së Jehovait, mund t’i mbash nën kontroll mendimet shkurajuese. (Psal. 143:10) Mezi presim ditën kur do të na vijë natyrshëm të mendojmë pozitivisht. Në atë kohë, asgjë s’do të na shkaktojë më ankth. Çdo mëngjes do të zgjohemi të lumtur që i shërbejmë Perëndisë tonë të dashur, Jehovait!

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Pse ndihej i mjerë hera-herës apostulli Pavël?

  • Si arriti Pavli të mbante një ndërgjegje të pastër dhe një qëndrim pozitiv, pavarësisht nga ndjenjat negative?

  • Ç’mund të bëjmë për t’i luftuar ndjenjat negative?

KËNGA 34 Do të jetoj me integritet!

a SHPJEGIMI I SHPREHJES: Në këtë artikull, shprehja «ndjenja negative» nënkupton ndjenja dëshpërimi të herëpashershme dhe luhatje humori. Këtu nuk po flasim për depresionin kronik, që është një problem shëndetësor serioz.

b Nga ajo që shkroi Pavli, kuptojmë se ai kishte probleme me shikimin. Kjo mund t’ia ketë bërë të vështirë shkrimin e letrave dhe kryerjen e caktimit. (Gal. 4:15; 6:11) Ose Pavli mund të ishte duke folur për ankthin që po i shkaktonin disa mësues të rremë. (2 Kor. 10:10; 11:5, 13) Cilido të ketë qenë shkaku, Pavli ndihej i shkurajuar herë pas here.

c Disa emra janë ndryshuar.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo