BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w26 janar f. 2-7
  • Vazhdo të jesh i etur për Jehovain

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Vazhdo të jesh i etur për Jehovain
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • NJË SHEMBULL PËRULËSIE, KËMBËNGULJEJE DHE BESIMI
  • IMITO PJETRIN—USHQEHU VAZHDIMISHT ME FJALËN E PERËNDISË
  • IMITO PAVLIN—VISH RROBAT E BUKURA TË PERSONALITETIT TË RI
  • IMITO DAVIDIN—QËNDRO NË STREHËN E SIGURT TË JEHOVAIT
  • VAZHDO TË JESH I ETUR PËR JEHOVAIN
  • Trego modesti kur nuk e di diçka
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Mëso të mendosh si Jehovai dhe Jezui
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Vendime që tregojnë se mbështetemi te Jehovai
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2023
  • Gjej përgjigjet e këtyre pyetjeve
    Programi i Asamblesë Qarkore 2025-2026—Me mbikëqyrësin qarkor
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
w26 janar f. 2-7

2-8 MARS 2026

KËNGA 97 Fjala jote për ne është jetë

Vazhdo të jesh i etur për Jehovain

SHKRIMI I VITIT 2026: «Lum ata që e kuptojnë se kanë nevojë për Perëndinë.»—MAT. 5:3.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Si mund të vazhdojmë të nxjerrim dobi nga ushqimi i mirë, veshja e bukur dhe streha e sigurt që na jep Jehovai në kuptim të figurshëm?

1. Me cilat nevoja bazë na ka krijuar Jehovai? (Mateu 5:3)

JEHOVAI na ka krijuar me disa nevoja bazë. Për shembull, ne kemi nevojë për ushqim, për veshje e për një vend të sigurt ku të jetojmë. Nëse na mungon ndonjëra nga këto, sikur edhe për pak kohë, jeta kthehet në një sprovë. Ama, Jehovai na krijoi jo vetëm me nevojën për këto gjëra materiale, por edhe me nevojën që të kemi një miqësi të ngushtë me të. (Lexo Mateun 5:3.) Nëse duam të jemi vërtet të lumtur, duhet të pranojmë se kemi nevojë ta kemi mik Perëndinë dhe të vazhdojmë ta forcojmë këtë miqësi.

2. Ç’do të thotë të kuptosh se ke nevojë për Perëndinë? Ilustrojeni.

2 Në gjuhën origjinale, shprehja e përkthyer «ata që e kuptojnë se kanë nevojë për Perëndinë», përcjell idenë e një lypësi që e di se ka nevojë për ndihmë. Përfytyro një lypës të veshur me zhele dhe të kequshqyer. Ai ulet nëpër cepat e rrugëve, në të nxehtin përvëlues të ditës e në të ftohtin e hidhur të natës. Njerëzit e shmangin ngaqë duket si mos më keq. Është i lodhur e i dëshpëruar. Lypësi e di se ka nevojë për ndihmë që të mbajë frymën gjallë e që të marrë forcë. Në mënyrë të ngjashme, ata që e kuptojnë se kanë nevojë për Perëndinë, janë të etur për ndihmën dhe për zërin e Jehovait që t’i drejtojë në jetë.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Në këtë artikull, si fillim do të shohim çfarë mund të mësojmë nga një grua fenikase që iu përgjërua për ndihmë Jezuit. Ky tregim nxjerr në pah tri cilësi që duhet të zhvillojnë ata që e kuptojnë se kanë nevojë për Perëndinë. Më pas, do të flasim për shembullin që lanë tre burra të cilët kishin miqësi të fortë me Jehovain: apostujt Pjetër e Pavël dhe mbreti David.

NJË SHEMBULL PËRULËSIE, KËMBËNGULJEJE DHE BESIMI

4. Çfarë i kërkoi një grua fenikase Jezuit?

4 Një ditë, një grua fenikase shkoi te Jezui. Vajza e saj ‘po vuante tmerrësisht prej demonëve’. (Mat. 15:21-28) Gruaja u ul në gjunjë e iu përgjërua Jezuit që t’ia shëronte vajzën. Ajo shfaqi cilësi mbresëlënëse! Le të shohim tri cilësi që mund të imitojmë nga gruaja fenikase.

5. Çfarë bëri Jezui për gruan fenikase, dhe pse? (Shih edhe figurën.)

5 Gruaja fenikase tregoi përulësi të vërtetë. Pse e themi këtë? Sepse ajo nuk u ofendua kur Jezui bëri një ilustrim ku e krahasoi me një qen të vogël, që jojudenjtë zakonisht e mbanin si kafshë shtëpiake. Çfarë do të bëje nëse Jezui do të t’i thoshte ty këto fjalë? A do të ofendoheshe dhe s’do t’i kërkoje më ndihmë? Gruaja fenikase nuk veproi ashtu. Ajo nuk tregoi vetëm përulësi, por edhe këmbëngulje. Kjo duket qartë nga fakti që vazhdoi t’i përgjërohej për ndihmë Jezuit. Çfarë e shtyu të këmbëngulte? Besimi te Jezui. Në fakt, besimi i saj e preku kaq thellë Jezuin, saqë bëri diçka të jashtëzakonshme. Edhe pse sapo kishte thënë se ishte dërguar të ndihmonte vetëm «delet e humbura të shtëpisë së Izraelit», Jezui e dëboi demonin nga vajza e gruas joizraelite.

Një grua fenikase është ulur në gjunjë dhe i përgjërohet Jezuit për ndihmë. Jezui dhe tre dishepuj të tij që janë shtruar në tryezë po e dëgjojnë me vëmendje.

Gruas fenikase iu desh përulësi, këmbëngulje dhe besim që të merrte ndihmë nga Jezui (Shih paragrafin 5)


6. Çfarë mësojmë nga tregimi për gruan fenikase?

6 Që të forcojmë miqësinë me Jehovain, edhe ne duhet të zhvillojmë këto cilësi. Duhet të jemi të përulur, duhet të këmbëngulim dhe duhet të kemi besim të fortë. Vetëm një njeri i përulur i përgjërohet me këmbëngulje Perëndisë për ndihmë. Duhet të kemi edhe besim të fortë te Jezu Krishti e t’u besojmë atyre që po përdor për të udhëhequr dishepujt e tij. (Mat. 24:45-47) Jehovai dhe Biri i tij kënaqen kur shfaqim cilësi të tilla dhe na ndihmojnë ta forcojmë miqësinë me ta. (Krahaso Jakovin 1:5-7.) Tani, le të shohim si na jep Jehovai ushqim të mirë, një veshje të bukur dhe një strehë të sigurt në kuptimin e figurshëm. Do të shohim çfarë duhet të bëjmë që t’i gëzojmë këto gjëra të nevojshme duke analizuar shembullin e apostujve Pjetër e Pavël dhe të mbretit David.

IMITO PJETRIN—USHQEHU VAZHDIMISHT ME FJALËN E PERËNDISË

7. Cilën detyrë mori Pjetri, por çfarë kishte nevojë të bënte edhe vetë? Shpjegoni. (Hebrenjve 5:14–6:1)

7 Mendo pak për shembullin e apostullit Pjetër. Ai ishte një nga judenjtë e parë që e kuptoi se Jezui ishte Mesia dhe se Jehovai po e përdorte për të ushqyer shërbëtorët e Tij me «fjalë që të çojnë në jetën e përhershme». (Gjoni 6:66-68) Para se të ngjitej në qiell, Jezui i ringjallur i la Pjetrit këtë detyrë: «Ushqeji delet e mia të vogla.» (Gjoni 21:17) Pjetri e kreu me besnikëri atë detyrë, e madje Jehovai e përdori për të shkruar dy letra që u bënë pjesë e Biblës. Ama Pjetri duhej të ushqehej edhe vetë me Fjalën e Perëndisë. Për shembull, ai studioi letrat e frymëzuara që kishte shkruar apostulli Pavël. Pjetri e pranoi se disa nga gjërat për të cilat shkruante Pavli ishin «të vështira për t’u kuptuar». (2 Pjet. 3:15, 16) Por s’kemi dyshim se Pjetri këmbënguli, me besim se Jehovai do ta ndihmonte që ta treste, pra ta kuptonte dhe ta zbatonte ‘ushqimin e fortë’ që shërbeu Pavli nën frymëzim në letrat e tij.—Lexo Hebrenjve 5:14–6:1.

8. Si veproi Pjetri pasi iu zbulua një dritë e re nga një përfaqësues i Perëndisë?

8 Meqë kishte besim te Jehovai, Pjetri u bindej udhëzimeve që merrte. Për shembull, kur ishte në qytetin-port të Jopës, Pjetri pa një vegim ku përfaqësuesi i Perëndisë i tha të therte e të hante kafshë që konsideroheshin të papastra në Ligjin e Moisiut. Një udhëzim i tillë patjetër që ishte tronditës për judenjtë. Në fillim, Pjetri tha: «Kurrsesi, Zotëri, se asnjëherë nuk kam ngrënë diçka të ndotur a të papastër.» Përgjigjja që mori ishte: «Mos i quaj më të ndotura gjërat që Perëndia i ka pastruar.» (Vep. 10:9-15) Pjetri e kapi pikën. Si e dimë këtë? Pak pasi pa vegimin, tre burra të dërguar nga Korneli, që ishte jojude, vajtën te Pjetri dhe i kërkuan të shkonte e të fliste me zotërinë e tyre. Në rrethana të tjera, Pjetri nuk do të kishte pranuar kurrsesi të hynte në shtëpinë e një jojudeu. Judenjtë i konsideronin të papastër jojudenjtë. (Vep. 10:28, 29) Por Pjetri e pranoi menjëherë dritën e re që i kishte zbuluar Jehovai. (Prov. 4:18) Ai i predikoi Kornelit e të gjithë atyre që ishin në shtëpinë e tij, dhe ndjeu gëzim të madh kur pa se ata e pranuan të vërtetën, morën frymën e shenjtë dhe u pagëzuan.—Vep. 10:44-48.

9. Cilat janë dy dobi që nxjerrim kur shtojmë oreksin për ushqim të fortë nga Fjala e Perëndisë?

9 Ashtu si Pjetri, edhe ne duhet të ushqehemi rregullisht me qumësht, ose me të vërtetat themelore të Fjalës së Perëndisë. Duhet të shtojmë edhe oreksin për ushqimin e fortë, pra për të vërtetat që mund të jenë më të vështira për t’u kuptuar. Duhet të gjejmë kohë e të mundohemi me gjithë zemër që ta kuptojmë më thellë Fjalën e Perëndisë, ama ia vlen çdo përpjekje. Pse? Sepse nxjerrim të paktën dy dobi: së pari, mësojmë gjëra për Jehovain që na e shtojnë dashurinë dhe respektin për të, dhe së dyti, ndihemi më të motivuar për t’u folur të tjerëve për Atin tonë të mrekullueshëm qiellor. (Rom. 11:33; Zbul. 4:11) Nga Pjetri nxjerrim edhe një mësim tjetër: kur bëhet një ndryshim në mënyrën si e kuptojmë Fjalën e Perëndisë, duhet ta ndryshojmë pa vonesë mënyrën si mendojmë e veprojmë. Vetëm atëherë do të vazhdojmë të ushqehemi mirë nga Bibla dhe do t’i shërbejmë besnikërisht Jehovait.

IMITO PAVLIN—VISH RROBAT E BUKURA TË PERSONALITETIT TË RI

10. Çfarë nënkupton të veshim rrobat e figurshme? (Kolosianëve 3:8-10)

10 Që ta kënaqim Perëndinë, duhet të përfitojmë edhe nga diçka tjetër që na jep ai: nga rrobat e bukura të figurshme. Ku e kemi fjalën? Apostulli Pavël shkroi se duhet të zhveshim «personalitetin e vjetër» dhe të veshim «personalitetin e ri». (Lexo Kolosianëve 3:8-10.) Veshja e personalitetit të ri mund të jetë një sfidë e përditshme. Mendo për jetën e vetë Pavlit. Që në moshë të re, ai u përpoq fort të kishte pëlqimin e Perëndisë. (Gal. 1:14; Filip. 3:4, 5) Por nuk kishte njohuri të saktë për qëllimin e Perëndisë, prandaj marrëdhënia e tij me Jehovain ishte në pikë të hallit. Padija e tij për mësimet e Krishtit bashkë me krenarinë e bënë njeri të vrazhdë, të veshur me cilësi negative.—1 Tim. 1:13.

11. Cilin tipar të personalitetit duhej të ndryshonte Pavli? Shpjegoni.

11 Para se të bëhej i krishterë, Pavli ishte gjaknxehtë. Te libri i Veprave thuhet se Pavli ishte aq i tërbuar me dishepujt e Jezuit, saqë ‘i kërcënonte dhe bënte çmos t’i vriste’. (Vep. 9:1) Pasi u bë i krishterë, s’ka dyshim se Pavli punoi me gjithë shpirt që ta zhvishte këtë aspekt të personalitetit të tij të vjetër. (Efes. 4:22, 31) Megjithatë, në një rast Pavli dhe Barnaba patën një mosmarrëveshje që u kthye në «një shpërthim të madh zemërimi». (Vep. 15:37-39) Edhe pse ky ishte si një hap pas, Pavli nuk u dorëzua. Ai vazhdoi ‘ta rrihte me grushte trupin e vet’, domethënë luftoi me dobësitë e tij që të vazhdonte të gëzonte miratimin e Jehovait.—1 Kor. 9:27.

12. Çfarë e ndihmoi Pavlin t’i zhvishte tiparet negative të personalitetit?

12 Pavli i zhveshi tiparet negative të personalitetit dhe veshi personalitetin e ri. Këtë e arriti ngaqë nuk u mbështet te forcat e veta. (Filip. 4:13) Ashtu si Pjetri, Pavli u mbështet «te fuqia që jep Perëndia». (1 Pjet. 4:11) E megjithatë, kishte raste kur ndihej si i dështuar. Por, kur shkurajohej, mendonte për gjithë gjërat e mira që kishte bërë Ati i tij qiellor për të, dhe kjo ia forconte vendosmërinë për ta vazhduar luftën pa u dorëzuar.—Rom. 7:21-25.

13. Si mund ta imitojmë Pavlin?

13 Mësimi që nxjerrim nga shembulli i Pavlit është ky: pavarësisht se sa kohë kemi që i shërbejmë Jehovait, duhet të vazhdojmë të përpiqemi të zhveshim personalitetin e vjetër e të veshim personalitetin e ri, pra rrobat e bukura të figurshme që na jep Perëndia. Edhe nëse gabojmë në ndonjë rast, si për shembull i hakërrehemi dikujt ose i flasim në mënyrë të pasjellshme, nuk duhet të mendojmë se jemi të dështuar. Përkundrazi, duhet të vazhdojmë të ndjekim synimin tonë, të transformojmë mënyrën si mendojmë e si veprojmë. (Rom. 12:1, 2; Efes. 4:24) Ndërsa vazhdojmë ta bëjmë këtë, të mos harrojmë një fakt të rëndësishëm: ndryshe nga rrobat e mirëfillta që i përshtaten masës sonë, jemi ne që duhet t’i përshtatemi masës së rrobave të figurshme që na jep Jehovai. Është e logjikshme që, për të jetuar në lartësinë e kërkesave të Perëndisë, duhet të ndryshojmë ne.

IMITO DAVIDIN—QËNDRO NË STREHËN E SIGURT TË JEHOVAIT

14-15. Në cilat mënyra u jep Jehovai një strehë të sigurt shërbëtorëve të tij? (Psalmi 27:5) (Shih edhe figurën.)

14 Që të jemi vërtet të lumtur, nuk kemi nevojë vetëm për ushqim dhe veshje të figurshme. Na duhet edhe strehë e sigurt e figurshme. Çfarë është kjo strehë dhe ç’mund të bëjmë që të gjejmë gjithmonë mbrojtje tek ajo?

15 Mbreti David ishte i sigurt se Jehovai do t’i bëhej strehë në kohë të vështira. (Lexo Psalmin 27:5.) Jehovai i mbron shërbëtorët e tij nga gjithkush dhe gjithçka që mund t’ua shkatërrojë besimin. Jehovai i mbron shërbëtorët e tij nga kërcënimet e jashtme. Si e bën këtë? Ai premton se asnjë armë e sajuar kundër tyre nuk do të ketë sukses. (Psal. 34:7; Isa. 54:17) Edhe pse Satanai, demonët dhe ata që na përndjekin janë të fuqishëm, nuk na bëjnë dot asnjë dëm të përhershëm. Edhe sikur të na vrasin, Jehovai do të na kthejë sërish në jetë ditën kur të kryejë ringjalljen. (1 Kor. 15:55-57; Zbul. 21:3, 4) Jehovai na ndihmon të luftojmë edhe me ankthet e brendshme që kanë potencialin të na shkaktojnë dëm të përhershëm. (Prov. 12:25; Mat. 6:27-29) Ati ynë i dashur na jep familjen e ngrohtë të besimit, vëllezër e motra që na mbështetin dhe pleq që kujdesen si barinj për ne. (Isa. 32:1, 2) Në mbledhjet tona, shpesh na tregohen mënyra konkrete si të nxjerrim dobi nga mbrojtja e Jehovait.—Hebr. 10:24, 25.

Një motër ka ngritur dorën për të komentuar në Studimin e «Kullës së Rojës». Edhe motra e vëllezër të tjerë kanë ngritur dorën.

Një motër nxjerr dobi nga ndihma e Jehovait duke marrë pjesë në mbledhje bashkë me vëllezërit e motrat (Shih paragrafët 14-15)


16. Si e mbronte Jehovai Davidin?

16 Kur i bindej Jehovait, Davidi gëzonte mbrojtjen e tij. Merrte vendime të mençura dhe ishte i lumtur. (Krahaso Proverbat 5:1, 2.) Por, kur nuk i bindej, Jehovai nuk e mbronte nga pasojat e veprimeve të tij të pamenda. (2 Sam. 12:9, 10) Po kur Davidi vuante pa pasur faj? Ai i lutej Jehovait e i shprehte çdo shqetësim të zemrës. Si e mbronte Jehovai? Ia bënte të qartë se e kishte shumë për zemër dhe se do të kujdesej për të, e kjo ia lehtësonte ankthin Davidit.—Psal. 23:1-6.

17. Si mund ta imitojmë Davidin?

17 Ne mund të mësojmë nga Davidi e të kërkojmë këshillat e Jehovait kur marrim vendime. Gjithashtu, e kuptojmë se në disa raste mund të kemi vështirësi jo sepse Jehovai nuk arriti të na mbronte, por sepse ne morëm vendime jo të mençura. (Gal. 6:7, 8) E kur vuajmë pa pasur faj, i lutemi e i shprehim Jehovait çdo gjë që na shqetëson, me bindjen e plotë se ai do të na mbrojë mendjen dhe zemrën.—Filip. 4:6, 7.

VAZHDO TË JESH I ETUR PËR JEHOVAIN

18. Çfarë sfide kemi, dhe si mund të tregojmë se jemi të etur për Perëndinë? (Shih edhe figurat.)

18 Shkrimi i vitit për 2026-n thotë: «Lum ata që e kuptojnë se kanë nevojë për Perëndinë.» Kjo që tha Jezui merr vlerë sot më shumë se kurrë. Pse? Sepse jemi të rrethuar nga njerëz të palumtur, që nuk e pranojnë se kanë etje për Perëndinë ose që e plotësojnë këtë nevojë sipas mënyrës së tyre, me anë të fesë së rreme a të filozofisë njerëzore. Nuk duhet të lejojmë të influencohemi nga qëndrimi i tyre. Si ta bëjmë këtë? Duke u ushqyer mirë me Fjalën e Jehovait, duke veshur rrobat e bukura të personalitetit të ri dhe duke gjetur mbrojtje te streha e sigurt e Jehovait.

Kolazh: motra nga figura e mëparshme vazhdon ta forcojë miqësinë me Perëndinë. 1. Po përgatit një artikull studimi të «Kullës së Rojës». 2. Po i çon diçka për të ngrënë një çifti në shtëpinë e tyre. Burri është ulur në karrige dhe kokën e ka të fashuar e në krah ka një tub intravenoz. 3. Dy vëllezër po i bëjnë një vizitë baritore.

Duhet të vazhdojmë të ushqehemi mirë me Fjalën e Perëndisë, të veshim rrobat e bukura të personalitetit të ri e të gjejmë mbrojtje te streha e sigurt e Jehovait (Shih paragrafin 18)a

SI MUND TË NXJERRIM DOBI NGA . . .

  • ushqimi i mirë i Fjalës së Perëndisë?

  • veshja e bukur e personalitetit të ri?

  • streha e sigurt që na jep Jehovai?

KËNGA 162 I etur për ty

a PËRSHKRIMI I FIGURËS: E njëjta motër nga figura e mëparshme ushqehet mirë me Fjalën e Perëndisë duke studiuar Kullën e Rojës, u tregon mirësi të tjerëve si pjesë e personaliteti të ri dhe kërkon ndihmë nga pleqtë që kujdesen me dashuri për të.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo