BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 dhjetor f. 8-13
  • Libri i Jobit mund të të ndihmojë kur jep këshilla

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Libri i Jobit mund të të ndihmojë kur jep këshilla
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • KËSHILLAT E TRE SHOKËVE TË JOBIT
  • KËSHILLAT E ELIHUT
  • VAZHDO TË NXJERRËSH DOBI NGA LIBRI I JOBIT
  • Jehovai ia shëroi plagët
    Imitoni besimin e tyre
  • Një mësim se si të përballojmë problemet
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Shpërblimi i Jobit​—Një burim shprese
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Libri biblik numër 18​—Jobi
    «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 dhjetor f. 8-13

ARTIKULLI I STUDIMIT 49

KËNGA 44 Përgjërimi i shpirtit

Libri i Jobit mund të të ndihmojë kur jep këshilla

«Tani Job, të lutem, dëgjoji fjalët e mia.»—JOBI 33:1.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Si na ndihmon libri i Jobit të japim këshilla të efektshme.

1-2. Me çfarë sfide përballen tre shokët e Jobit dhe Elihu?

LAJMI ka marrë dhenë mes gjithë njerëzve në vendet e Lindjes. Jobi, një njeri i njohur anekënd për pasurinë e tij, ka humbur gjithçka. Kur tre shokë të tij—Elifazi, Beldadi dhe Zofari—marrin vesh çfarë i ka ndodhur, nisen për në Uz që ta ngushëllojnë. Mirëpo nuk janë fare të përgatitur për atë që i pret.

2 Imagjino skenën: Jobi ka humbur pothuajse gjithçka. Nuk ka më tufat e mëdha të dhenve, qeve, deveve dhe gomaricave. Fëmijët i kanë vdekur dhe shumicën e shërbëtorëve ia kanë vrarë. Shtëpia ku humbën jetën fëmijët e Jobit, është kthyer në gërmadhë. E sikur të mos mjaftojnë këto, Jobi po vuan nga një sëmundje. Trupi i është mbushur plot me çibanë të dhembshëm. Tre burrat e shohin që nga larg Jobin e dëshpëruar, teksa rri ulur në hi. Si reagojnë? Ulen pranë tij dhe, për shtatë ditë e shtatë net, nuk i thonë as edhe një fjalë këtij burri që po vuan tmerrësisht. (Jobi 2:12, 13) Aty vjen edhe Elihu, një burrë më i ri në moshë, dhe ulet afër tyre. Në fund, Jobi thyen heshtjen duke mallkuar ditën që ka lindur dhe duke kërkuar të vdesë. (Jobi 3:1-3, 11) Ai ka tmerrësisht nevojë për ndihmë! Fjalët që do të thonë këta burra dhe mënyra si do t’i thonë, do të tregojnë nëse janë miq të vërtetë të Jobit dhe nëse kanë vërtet merak për mirëqenien e tij.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Jehovai e udhëzoi Moisiun që të hidhte me shkrim fjalët dhe veprimet e tre shokëve të Jobit, si edhe të Elihut. Vlen të përmendet se disa nga shprehjet e Elifazit duket se ishin të frymëzuara nga një krijesë e ligë qiellore. Krejt ndryshe, fjalët e Elihut ishin të frymëzuara nga Jehovai. (Jobi 4:12-16; 33:24, 25) Ja pse nuk habitemi që libri i Jobit përmban jo vetëm disa nga këshillat më të mira që janë dhënë ndonjëherë, por edhe disa nga më të këqijat. Në këtë artikull do të shohim si na ndihmon ky libër kur na duhet të japim këshilla. Si fillim do të shqyrtojmë shembullin e keq të tre shokëve të Jobit. Më pas do të ndalemi te shembulli i mirë i Elihut. Në secilin rast do të mësojmë si mund të kenë nxjerrë dobi izraelitët nga historia e Jobit dhe si mund të nxjerrim dobi ne sot.

KËSHILLAT E TRE SHOKËVE TË JOBIT

4. Pse nuk e ngushëlluan dot Jobin tre shokët e tij? (Shih edhe figurën.)

4 Bibla thotë se kur tre shokët e Jobit dëgjuan për gjithë të zezat që i kishin rënë, shkuan «për t’i qarë hallin Jobit dhe për ta ngushëlluar». (Jobi 2:11) Megjithatë dështuan keqazi. Pse? Për të paktën tri arsye. Së pari, ata nxorën me vrap përfundime të gabuara. Për shembull, menduan gabimisht se Jehovai po e ndëshkonte Jobin për shkak të mëkateve të tij.a (Jobi 4:7; 11:14) Së dyti, shumë nga këshillat që i dhanë Jobit ishin të padobishme, të vrazhda dhe tejet lënduese. Për shembull, të tre burrat thanë fjalë që dukeshin të mençura, por në vetvete s’kishin pikë vlere. (Jobi 13:12) Beldadi u tregua i pasjellshëm duke i thënë dy herë Jobit se kishte folur tepër. (Jobi 8:2; 18:2) Ndërsa Zofari e ofendoi Jobin duke lënë të kuptohej se ai ishte ‘kokëbosh’. (Jobi 11:12) Së treti, edhe pse mund të mos e kenë ngritur zërin, shpesh në fjalët e tyre nuk mungonin akuzat, përçmimi dhe ironia therëse. (Jobi 15:7-11) Si përfundim, këta burra po përpiqeshin më shumë të provonin se Jobi ishte në gabim, sesa t’i qetësonin plagën e zemrës e t’i forconin besimin.

Një nga shokët i flet ashpër Jobit ndërsa dy shokët e tjerë vëzhgojnë situatën. Jobi, me trupin të mbushur me çibanë të dhembshëm, dëgjon këshillat teksa rri ulur në tokë.

Kur jep një këshillë, përpiqu të shmangësh të folurin përçmues. Synimi yt duhet të jetë që ta ndihmosh tjetrin (Shih paragrafin 4)


5. Ç’pasoja sollën këshillat e tre shokëve të Jobit?

5 Nuk çuditemi që këshillat e shokëve të Jobit nuk sollën asnjë dobi. Ata ia dërrmuan shpirtin me akuzat e tyre. (Jobi 19:2) Ja pse Jobi po përpiqej me mish e me shpirt që të mbronte reputacionin e tij. Si pasojë, humbi pikëpamjen e ekuilibruar dhe foli pa u menduar. (Jobi 6:3, 26) Fjalët e tre shokëve të Jobit nuk pasqyronin mendimet e Jehovait, dhe ata nuk e trajtuan Jobin me dhembshuri. Kështu u bënë padashur vegël e Satanait. (Jobi 2:4, 6) Si mund të kenë nxjerrë dobi shërbëtorët e Perëndisë në të kaluarën nga historia e Jobit, dhe ç’mund të mësojmë ne sot?

6. Çfarë mund të kenë mësuar pleqtë në Izrael nga shembulli i keq i tre shokëve të Jobit?

6 Si mund të kenë nxjerrë dobi izraelitët. Pasi formoi kombin e Izraelit, Jehovai zgjodhi burra të kualifikuar që të shërbenin si pleq dhe të gjykonin popullin sipas standardeve të tij të drejta. (Ligj. 1:15-18; 27:1) Këta burra duhej të dëgjonin me kujdes para se të jepnin këshilla ose të gjykonin një çështje. (2 Kron. 19:6) Gjithashtu, duhej të bënin pyetje në vend se të hamendësonin se i dinin të gjitha faktet. (Ligj. 19:18) Këta këshilltarë në Izrael nuk duhej t’u flitnin ashpër atyre që vinin për të kërkuar ndihmë. Pse? Sepse po të tregoheshin të vrazhdë, të tjerët do të ngurronin të hapnin zemrën. (Eks. 22:22-24) Kushedi sa mësime me vlerë mund të kenë nxjerrë pleqtë në Izrael nga historia e Jobit!

7. Përpos pleqve në Izrael, kush tjetër mund të jepte këshilla, dhe si mund të kenë nxjerrë dobi ata nga historia e Jobit? (Proverbat 27:9)

7 Sigurisht, burrat e pjekur në Izrael nuk ishin të vetmit që mund të jepnin këshilla. Çdo izraelit—i ri a i moshuar, burrë ose grua—mund të këshillonte një mik që duhej të forconte miqësinë me Jehovain ose të ndreqte sjelljen. (Psal. 141:5) Këshillat e sinqerta janë shenjë dalluese e një miqësie të vërtetë. (Lexo Proverbat 27:9.) Nga shembulli i keq i tre shokëve të Jobit, izraelitët mund të kenë kuptuar se çfarë nuk duhej të thoshin e të bënin kur jepnin këshilla.

8. Cilat gracka duhet të shmangim kur japim këshilla? (Shih edhe figurat.)

8 Si mund të nxjerrim dobi ne. Mezi presim që t’u bëhemi krah vëllezërve e motrave që kalojnë vështirësi. Mirëpo, që të jemi ngushëllues të mirë, nuk duhet të ndjekim shembullin e keq të tre shokëve të Jobit. Së pari, të mos nxjerrim shpejt përfundime dhe të sigurohemi se i dimë të gjitha faktet para se të japim një këshillë. Së dyti, nuk duhet t’i bazojmë këshillat tona te themeli i paqëndrueshëm i përvojave personale, siç bëri shpesh Elifazi, por te themeli i patundur i Fjalës së Perëndisë. (Jobi 4:8; 5:3, 27) Së treti, nuk duhet të flasim në mënyrë të ashpër ose kritikuese. Të mos harrojmë se shokët e Jobit thanë disa gjëra të vërteta; madje njërën prej shprehjeve të Elifazit e citoi Pavli nën frymëzim. (Krahaso Jobin 5:13 me 1 Korintasve 3:19.) Prapëseprapë, në shumicën e rasteve ata e keqparaqitën Perëndinë dhe e lënduan Jobin, ndaj Jehovai u tha se nuk kishin thënë të vërtetën për Të. (Jobi 42:7, 8) Kur japim këshilla, duam të sigurohemi që me fjalët tona nuk e paraqitim Jehovain si të paarsyeshëm dhe as shërbëtorët e tij si të padenjë për dashurinë e Tij. Tani le të shohim ç’mund të mësojmë nga shembulli i Elihut.

Kolazh: një vëlla këshillon me përzemërsi një vëlla tjetër që është i mërzitur. 1. Një vëlla dëgjon me durim një vëlla tjetër të mërzitur që i shpreh si ndihet. Ata janë ulur në një ambient të hapur dhe në tavolinë kanë disa pije freskuese. 2. Vëllai që po dëgjon, hap Biblën. 3. Vëllai e këshillon me përzemërsi nga Bibla vëllanë tjetër, i cili e dëgjon me qetësi.

Kur jep një këshillë, (1) njihi mirë të gjitha faktet, (2) përdor Fjalën e Perëndisë dhe (3) fol me përzemërsi (Shih paragrafin 8)


KËSHILLAT E ELIHUT

9. Shpjegoni pse Jobi kishte nevojë për ndihmë pas debatit me shokët e tij dhe si e ndihmoi Jehovai.

9 Kur Jobi dhe shokët e tij ndaluan debatin, atmosfera duhet të ketë qenë e tensionuar. Ata burra kishin folur aq shumë, sa për të mbushur 28 kapituj të Biblës, dhe shumicën e fjalëve i kishin thënë të acaruar dhe në zemërim e sipër. Nuk çuditemi pse Jobi e kishte ende zemrën plagë. Ai kishte akoma nevojë për ngushëllim dhe ndreqje. Si e ndihmoi Jehovai? Ai përdori Elihun për ta këshilluar. Mirëpo, pse priti aq gjatë Elihu për të folur? Elihu tha: «Unë jam i ri, kurse ju të moshuar. Ndaj nga respekti u përmbajta.» (Jobi 32:6, 7) Ky i ri e dinte se vitet e jetës i pasurojnë të moshuarit me mençuri dhe eksperiencë që shpesh të rinjve u mungojnë. Por pasi e dëgjoi me durim Jobin dhe shokët e tij, nuk mund të rrinte më pa folur. Ai u shpreh: «Mosha s’të bën medoemos të mençur, s’janë vetëm të moshuarit që kuptojnë ç’është e drejtë.» (Jobi 32:9) Çfarë tha më pas Elihu dhe në ç’mënyrë i foli Jobit?

10. Çfarë bëri Elihu para se t’i jepte këshilla Jobit? (Jobi 33:6, 7)

10 Para se të jepte këshilla, Elihu u sigurua që Jobi të ishte i qetë dhe i gatshëm për ta dëgjuar. Si e bëri këtë? Së pari, ndonëse u mbush me zemërim nga gjërat që dëgjoi, ai i mbajti nën kontroll ndjenjat e veta. (Jobi 32:2-5) Si rezultat, nuk u tregua kurrë i pashpirt me Jobin. Përkundrazi e qetësoi me fjalët e tij. Për shembull, i tha Jobit: «Para Perëndisë së vërtetë jam njësoj si ti.» (Lexo Jobin 33:6, 7.) Pastaj Elihu e bëri të qartë se e kishte dëgjuar me kujdes Jobin. Në fakt, ai përmblodhi pikat kryesore të të gjashta herëve që Jobi mori fjalën. (Jobi 32:11; 33:8-11) Elihu veproi po njësoj edhe në momente të tjera gjatë bisedës, teksa e këshillonte Jobin.—Jobi 34:5, 6, 9; 35:1-4.

11. Si e këshilloi Elihu Jobin? (Jobi 33:1)

11 Kur e këshilloi Jobin, Elihu nuk e bëri të ndihej i pavlerë. Përkundrazi, tregoi respekt për këtë burrë besnik. Për shembull, Elihu iu drejtua Jobit në emër, diçka që me sa duket nuk e bëri asnjë nga tre shokët e tij. (Lexo Jobin 33:1.) Veç kësaj, plot empati, i la hapësirë Jobit të shprehej ndërsa e këshillonte. Mbase kujtonte se edhe vetë mezi priste të fliste ndërkohë që Jobi dhe shokët e tij debatonin. (Jobi 32:4; 33:32) Gjithashtu, Elihu e paralajmëroi hapur Jobin se disa nga arsyetimet e tij ishin të rrezikshme, dhe me përzemërsi i solli ndër mend mençurinë, fuqinë, drejtësinë dhe dashurinë besnike të Jehovait. (Jobi 36:18, 21-26; 37:23, 24) Pa diskutim, këshillat e mençura të Elihut e përgatitën Jobin të pranonte këshilla të tjera, që kësaj here do t’ia jepte vetë Krijuesi. (Jobi 38:1-3) Si mund të kenë nxjerrë dobi shërbëtorët e Perëndisë në të kaluarën nga shembulli i Elihut, dhe ç’mund të mësojmë ne sot?

12. Si i përdori Jehovai profetët për të ndihmuar popullin e tij, dhe si mund të kenë nxjerrë dobi izraelitët nga shembulli i mirë i Elihut?

12 Si mund të kenë nxjerrë dobi izraelitët. Gjatë historisë së Izraelit, Jehovai caktoi profetë që ta mësonin dhe ta korrigjonin popullin e tij. Për shembull, në kohën e gjykatësve, Jehovai e drejtoi kombin e tij nëpërmjet profeteshës Debora dhe e përdori Samuelin si zëdhënësin e tij që nga fëmijëria. (Gjyk. 4:4-7; 5:7; 1 Sam. 3:19, 20) Më pas, në kohën e mbretërve, Jehovai caktoi vazhdimisht profetë për t’i ndihmuar izraelitët që të forconin miqësinë me të dhe për të këshilluar ata që devijonin nga adhurimi i pastër. (2 Sam. 12:1-4; Vep. 3:24) Shembulli i Elihut në librin e Jobit mund t’i ketë ndihmuar gratë e burrat besnikë të së kaluarës që të jepnin këshilla me fjalët e duhura dhe në mënyrën e duhur.

13. Si mund t’u japim zemër bashkëbesimtarëve?

13 Si mund të nxjerrim dobi ne. Si adhurues të Jehovait bëjmë të njohur vullnetin e Tij, duke u folur të tjerëve për mesazhin e Biblës. Gjithashtu përpiqemi të gjejmë fjalët e duhura për t’u dhënë zemër e forcë bashkëbesimtarëve. (1 Kor. 14:3) Në të dyja këto raste, mund të nxjerrim shumë dobi nga shembulli i Elihut. Pleqtë duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm që ‘t’u flasin në mënyrë ngushëlluese’ vëllezërve dhe motrave, madje edhe atyre që janë të trazuar emocionalisht ose kanë prirjen të thonë «fjalë të rrëmbyera».—1 Sel. 5:14; Jobi 6:3.

14-15. Ilustroni si mund ta imitojë Elihun një plak kur jep këshilla.

14 Imagjino këtë situatë: një plak merr vesh se një motër në kongregacion ndihet e dëshpëruar. Prandaj, bashkë me një vëlla tjetër, shkojnë ta takojnë për ta inkurajuar. Gjatë bisedës, motra u shpjegon se, megjithëse del në shërbim dhe shkon në mbledhje, nuk provon gëzim. Si do të veprojë plaku?

15 Së pari, do të përpiqet të kuptojë arsyet pse motra ndihet aq e dëshpëruar. Për këtë do t’i duhet ta dëgjojë pa e ndërprerë. A ndihet e padenjë për dashurinë e Jehovait? Mos vallë e kanë vënë përposh «ankthet e jetës»? (Luka 21:34) Së dyti, plaku do të bëjë çmos që ta lavdërojë motrën për gjërat e mira që po bën. Tekefundit, ajo nuk i ka lënë pas dore mbledhjet dhe shërbimin, edhe pse nuk e ka kollaj. Së treti, pasi plaku kupton situatën dhe arsyet pse motra ndihet e shkurajuar, do të përdorë Biblën për ta siguruar se Jehovai e do.—Gal. 2:20.

VAZHDO TË NXJERRËSH DOBI NGA LIBRI I JOBIT

16. Si mund të vazhdojmë të nxjerrim dobi nga libri i Jobit?

16 Ç’mësime të vyera nxjerrim nga libri i Jobit! Siç pamë në artikullin e kaluar, ky libër i frymëzuar na mëson jo vetëm pse i lejon Perëndia vuajtjet, por edhe si të tregojmë qëndrueshmëri mes vështirësish. Ndërsa në këtë artikull shqyrtuam se të gjithë mund të mësojmë të japim këshilla të efektshme, nëse ndjekim shembullin e shkëlqyer të Elihut dhe jo shembullin e keq të tre shokëve të Jobit. Pse të mos u rikthehesh mësimeve që nxore nga libri i Jobit herën tjetër para se të japësh një këshillë? E në qoftë se nuk e ke lexuar këtë histori prej disa kohësh, vër si synim që ta lexosh. Do të zbulosh se ky libër mbresëlënës vazhdon të jetë po aq i dobishëm, sa në kohën kur u shkrua.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Çfarë mësove nga tre shokët e Jobit për grackat që duhet të shmangim kur japim këshilla?

  • Si tregoi mençuri Elihu kur i dha këshilla Jobit?

  • Si mund të vazhdojmë të nxjerrim dobi nga libri i Jobit?

KËNGA 125 «Lum të mëshirshmit!»

a Me sa duket një krijesë e ligë qiellore e nxiti Elifazin që të nxirrte përfundimin se askush nuk është i drejtë në sytë e Jehovait, dhe si pasojë asnjë nuk mund t’ia kënaqë zemrën. Fjalët e Elifazit u bazuan kryesisht te kjo ide e rreme, të cilën e përsëriti në të tria herët që mori fjalën.—Jobi 4:17, 18; 15:15, 16; 22:2.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo