ARTIKULLI I STUDIMIT 48
KËNGA 129 Qëndrojmë të palëkundur
Libri i Jobit mund të të ndihmojë në kohë vuajtjesh
«Pa dyshim, Perëndia nuk vepron me ligësi.»—JOBI 34:12.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Çfarë na mëson libri i Jobit për arsyet pse i lejon Perëndia vuajtjet dhe si na ndihmon të tregojmë qëndrueshmëri kur vuajmë.
1-2. Cilat janë disa arsye pse ia vlen ta lexojmë librin e Jobit?
A KE pasur kënaqësinë të lexosh librin e Jobit kohët e fundit? Edhe pse u shkrua rreth 3.500 vjet më parë, ky libër i lashtë renditet shpesh mes kryeveprave të literaturës botërore. Duke komentuar për strukturën e tij të thjeshtë, stilin e bukur dhe gjuhën e gjallë, një vepër referimi e quan shkrimtarin «gjeni të letërsisë». Ndonëse këtë libër të jashtëzakonshëm e hodhi me shkrim Moisiu, Autori i vërtetë është Perëndia Jehova.—2 Tim. 3:16.
2 Libri i Jobit është pjesë thelbësore e Biblës. Pse? Së pari, sepse zbulon qartë çështjen e rëndësishme me të cilën përballen të gjitha krijesat me intelekt: shenjtërimi i emrit të Jehovait. Veç kësaj, na mëson për cilësitë e mrekullueshme të Jehovait, si dashuria, mençuria, drejtësia dhe fuqia. Për shembull, në librin e Jobit, Jehovai quhet 31 herë «i Plotfuqishmi», më tepër se në gjithë librat e tjerë të Biblës të marrë së bashku. Libri i Jobit u përgjigjet mjaft pyetjeve jetike, ndër to edhe pyetjes që mundon ende shumë veta: pse i lejon Perëndia vuajtjet?
3. Çfarë dobish mund të nxjerrim nga libri i Jobit?
3 Kur jemi lart në majën e një mali, mund të shohim qartë çdo gjë që na rrethon. Po njësoj, libri i Jobit na ndihmon që t’i shohim «nga lart» vështirësitë e jetës, pra nga këndvështrimi i Jehovait. Le të shohim si na ndihmon ky libër kur hasim vuajtje. Do të mësojmë çfarë dobie mund të kenë nxjerrë izraelitët nga historia e Jobit dhe si mund të përfitojmë ne sot. Gjithashtu do të shqyrtojmë si ta përdorim këtë tregim nga Bibla për të ndihmuar të tjerët.
PERËNDIA LEJON QË JOBI TË VUAJË
4. Çfarë ndryshimi i madh ekzistonte mes Jobit dhe izraelitëve në Egjipt?
4 Gjatë kohës që izraelitët vuanin si skllevër në Egjipt, në vendin e Uzit jetonte një burrë që quhej Job. Ka mundësi që ky vend të ndodhej në lindje të Tokës së Premtuar, diku në veri të Arabisë. Krejt ndryshe nga izraelitët që kishin filluar të adhuronin idhujt e Egjiptit, Jobi i shërbente me besnikëri Jehovait. (Jos. 24:14; Ezek. 20:8) Jehovai tha për Jobin: «Në mbarë tokën nuk ka njeri si ai.»a (Jobi 1:8) Jobi ishte jashtëzakonisht i pasur dhe gëzonte respektin e të tjerëve—më shumë se kushdo në vendet e Lindjes. (Jobi 1:3) Sa duhet të jetë tërbuar Satanai tek shihte këtë njeri të shquar dhe me influencë që i shërbente Perëndisë me integritet!
5. Pse lejoi Jehovai që Jobi të vuante? (Jobi 1:20-22; 2:9, 10)
5 Satanai tha se Jobi do t’i kthente krahët Jehovait po të kalonte vështirësi. (Jobi 1:7-11; 2:2-5) Edhe pse Jehovai e donte shumë Jobin, pohimi i pacipë i Satanait ngriti disa çështje të rëndësishme. Prandaj, Jehovai e lejoi Satanain të provonte nëse akuza e tij ishte e vërtetë. (Jobi 1:12-19; 2:6-8) Satanai bëri që Jobi të humbte bagëtitë e kopetë, shkaktoi vdekjen e dhjetë fëmijëve të tij dhe e goditi me çibanë të dhembshëm nga koka te këmbët. Por këto përpjekje mizore për t’ia thyer integritetin dështuan. (Lexo Jobin 1:20-22; 2:9, 10.) Me kalimin e kohës, Jehovai e shëroi Jobin, i ktheu pasurinë, reputacionin dhe e bekoi me 10 fëmijë të tjerë. Gjithashtu ia zgjati jetën me 140 vjet nëpërmjet një mrekullie. Kështu Jobi i pa fëmijët e nipërit e tij për katër breza. (Jobi 42:10-13, 16) Si mund të kenë nxjerrë dobi shërbëtorët e Perëndisë në të kaluarën nga historia e Jobit, dhe ç’mund të mësojmë ne sot?
6. Si mund t’i ketë ndihmuar historia e Jobit izraelitët? (Shih edhe figurën.)
6 Si mund të kenë nxjerrë dobi izraelitët? Jeta e izraelitëve në Egjipt s’kishte qenë aspak e lehtë. Për shembull, Josiu dhe Kalebi kaluan gjithë rininë si skllevër. Pastaj u endën në shkretëtirë për 40 vjet, megjithëse s’kishin bërë asgjë të gabuar. Nëse izraelitët i morën vesh sprovat e Jobit dhe si u bekua në fund, pa dyshim kjo i ndihmoi ata dhe brezat e ardhshëm të kuptonin kush është përgjegjësi kryesor i vuajtjeve. Gjithashtu mund të kuptonin më qartë pse i lejon Perëndia vuajtjet dhe se Ai i do njerëzit që ruajnë integritetin dhe i qëndrojnë besnikë.
Izraelitët, që kishin qenë prej shumë vitesh skllevër, duhej të kenë nxjerrë dobi nga historia e Jobit pas çlirimit nga Egjipti (Shih paragrafin 6)
7-8. Si mund të na ndihmojë libri i Jobit kur vuajmë? Tregoni një rast.
7 Si mund të nxjerrim dobi ne. Mjerisht, shumë veta e kanë humbur besimin te Perëndia, ngaqë nuk e kuptojnë pse njerëzve të mirë u ndodhin gjëra të këqija. Le të shohim rastin e Hejzëllitb nga Ruanda. Kur ishte e vogël, ajo besonte te Perëndia. Por pastaj gjërat ndryshuan. Pasi iu divorcuan prindërit, mamaja u martua me një burrë tjetër, i cili e keqtrajtonte Hejzëllin. Në adoleshencë, atë e përdhunuan. Hejzëlli shkoi të gjente ngushëllim në fenë e saj, por më kot. Më vonë i shkroi një letër Perëndisë, ku i thoshte: «Zot, unë t’u luta, u përpoqa të bëja mirë, por t’i ma ktheve të mirën me të keqe. Tani rrugët tona ndahen këtu, dhe unë do të mendoj vetë për lumturinë time.» Na këputet shpirti për njerëzit si Hejzëlli, të cilët mendojnë se Perëndia është shkaktari i vuajtjeve të tyre.
8 Nga libri i Jobit kemi kuptuar se vuajtjet nuk na i shkakton Perëndia, por Satanai. Veç kësaj, kemi mësuar të mos nxjerrim përfundimin se njerëzit që vuajnë, po korrin pasojat e veprimeve të tyre. Shkrimet na tregojnë se të gjithë mund të përballemi me ‘kohë të vështira dhe ngjarje të papritura’. (Ekl. 9:11; Jobi 4:1, 8) Gjithashtu kemi mësuar se duke qëndruar besnikë në sprova, i japim mundësi Jehovait që t’i përgjigjet sfidës së Satanait. Kështu bëjmë pjesën tonë për të mbrojtur reputacionin e Perëndisë. (Jobi 2:3; Prov. 27:11) Nuk duam t’i konsiderojmë të zakonshme këto të vërteta, sepse falë tyre dimë pse vuajmë ne dhe njerëzit tanë të dashur. Hejzëlli e përmendur më parë, pasi studioi me Dëshmitarët e Jehovait, kuptoi se Perëndia nuk kishte gisht në vuajtjet e saj. Ajo tha: «Iu luta përsëri me gjithë zemër Perëndisë. I tregova Jehovait se nuk e kisha me gjithë mend kur i thashë se rrugët tona po ndaheshin. Tekefundit, unë as nuk e njihja. Tani e kuptoj se Jehovai më do. Më në fund ndihem e lumtur dhe e kënaqur.» Sa mirënjohës jemi që e dimë pse i lejon Perëndia vuajtjet! Le të shqyrtojmë tani si na ndihmon historia e Jobit gjatë sprovave.
SI NA NDIHMON HISTORIA E JOBIT TË TREGOJMË QËNDRUESHMËRI NË SPROVA
9. Si do ta përshkruaje Jobin teksa rrinte i ulur në hi? (Jakovi 5:11)
9 Përfytyroje Jobin krejt të vetëm, të ulur në hi. Trupin e ka të mbuluar me çibanë dhe është i kërrusur nga dhembjet. Lëkura e nxirë nga sëmundja i bie copa-copa, dhe s’i kanë mbetur veçse kockat. I rraskapitur fizikisht, në pamje të parë Jobi s’bënte gjë tjetër, veçse kruante lëkurën me një copë qeramike dhe shfrente dëshpërimin. Por në të vërtetë, ai po tregonte qëndrueshmëri, jo thjesht po mbijetonte. (Lexo Jakovin 5:11.) Çfarë e ndihmoi të qëndronte besnik?
10. Ç’lloj marrëdhënie kishte Jobi me Jehovain? Shpjegoni.
10 Jobi ia zbrazi gjithë ndjenjat e tij Jehovait. (Jobi 10:1, 2; 16:20) Për shembull, kapitulli 3 tregon se Jobi i hidhëruar u ankua për tragjeditë që i kishin rënë, për të cilat mendonte gabimisht se ia kishte shkaktuar Jehovai. Pastaj, gjatë një serie debatesh me tre shokët e tij, e mbrojti me forcë integritetin, shpesh duke ia drejtuar fjalët e tij Jehovait. Mirëpo, për pak kohë Jobi la të kuptohej se e konsideronte veten më të drejtë se Perëndia. (Jobi 10:1-3; 32:1, 2; 35:1, 2) Gjithsesi e pranoi se ndonjëherë tha «fjalë të rrëmbyera», në përpjekje për të mbrojtur integritetin e tij. (Jobi 6:3, 26) Në kapitullin 31 lexojmë se Jobi donte që Perëndia ta shpallte të pafajshëm. (Jobi 31:35) Mirëpo nuk duhej të kishte këmbëngulur që Perëndia t’i tregonte arsyen e vuajtjeve të tij.
11. Si reagoi Jehovai ndaj përpjekjeve të Jobit për ta nxjerrë veten të pafajshëm?
11 Kur mendojmë për historinë e Jobit, e kuptojmë se thirrja e tij e dëshpëruar pasqyronte përkushtimin pa rezerva ndaj Jehovait dhe shpresën e patundur se Ai do ta gjykonte me drejtësi. Kur në fund Jehovai iu përgjigj Jobit nga stuhia, nuk i shpjegoi arsyet pse po vuante. Ai nuk e ndëshkoi për ankesat dhe as nuk ia zuri në gojë përpjekjet për ta nxjerrë veten të pafajshëm. Përkundrazi, Jehovai e mësoi Jobin siç do të bënte një baba me të birin. Kjo ishte mënyra më e mirë për ta ndihmuar. Si rezultat, Jobi e pranoi me përulësi sa pak dinte dhe u pendua për fjalët e nxituara. (Jobi 31:6; 40:4, 5; 42:1-6) Si mund t’i ketë ndihmuar historia e Jobit shërbëtorët e Perëndisë në të kaluarën, dhe si mund të nxjerrim dobi ne sot?
12. Si mund të kenë nxjerrë dobi izraelitët nga historia e Jobit?
12 Si mund të kenë nxjerrë dobi izraelitët. Izraelitët mund të kenë mësuar shumë nga ajo që i ndodhi Jobit. Le të marrim rastin e Moisiut. Atij iu desh të përballonte një mal me vështirësi, zhgënjime dhe shkurajime teksa udhëhiqte kombin e Izraelit. Ndryshe nga izraelitët rebelë që ankoheshin shpesh kundër Jehovait, Moisiu ia shprehte Jehovait shqetësimet e tij. (Eks. 16:6-8; Num. 11:10-14; 14:1-4, 11; 16:41, 49; 17:5) Moisiut iu desh të tregonte qëndrueshmëri edhe kur Jehovai e ndreqi. Për shembull, pak para se të hynin në Tokën e Premtuar, kur izraelitët kishin ngritur kampin në Kadesh, ai «foli pa u menduar» dhe nuk i dha lavdi emrit të Jehovait. (Psal. 106:32, 33) Si pasojë, Jehovai nuk e lejoi të hynte në atë vend. (Ligj. 32:50-52) Natyrisht, kjo disiplinë duhet t’i ketë shkaktuar dhembje Moisiut; prapëseprapë e pranoi me përulësi. Historia e Jobit mund t’i ketë ndihmuar edhe brezat e ardhshëm të izraelitëve që të qëndronin të palëkundur në sprova. Ndërsa meditonin për këtë ngjarje, adhuruesit besnikë mund të mësonin si t’ia shprehnin ndjenjat e tyre Jehovait. Por duhej edhe të mbanin ndër mend se nuk ishin më të drejtë se Perëndia. Gjithashtu mund të mësonin si ta pranonin me përulësi disiplinën e Jehovait.
13. Si na ndihmon libri i Jobit të tregojmë qëndrueshmëri? (Hebrenjve 10:36)
13 Si mund të nxjerrim dobi ne. Si adhurues të Jehovait, edhe ne kemi nevojë për qëndrueshmëri. (Lexo Hebrenjve 10:36.) Për shembull, disa po përballen me një problem fizik ose emocional, me një situatë të vështirë familjare, me humbjen e një njeriu të dashur ose me ndonjë problem tjetër serioz. Dhe ndonjëherë fjalët dhe veprimet e të tjerëve mund të na e rëndojnë situatën. (Prov. 12:18) Megjithatë, libri i Jobit na mëson se mund t’ia shprehim Jehovait ndjenjat tona më të thella, të sigurt se na dëgjon. (1 Gjon. 5:14) Ai nuk do të na dënojë edhe nëse ndonjëherë themi «fjalë të rrëmbyera» si Jobi, ndërsa i përgjërohemi nga zemra. Përkundrazi, do të na japë forcën dhe mençurinë e nevojshme që t’u bëjmë ballë sprovave. (2 Kron. 16:9; Jak. 1:5) Veç kësaj, Jehovai mund të na korrigjojë në masën e duhur njësoj siç veproi me Jobin. Libri i Jobit na mëson edhe si të tregojmë qëndrueshmëri kur marrim këshilla ose disiplinë nga Fjala e Jehovait, organizata e tij ose nga bashkëbesimtarë të pjekur. (Hebr. 12:5-7) Jobi nxori dobi kur e pranoi me përulësi korrigjimin. Edhe ne mund të përfitojmë shumë nëse lejojmë të ndreqemi nga Jehovai. (2 Kor. 13:11) Ç’mësime të vyera nga libri i Jobit! Tani, le të shohim si mund ta përdorim historinë e Jobit për të ndihmuar të tjerët.
PËRDORE LIBRIN E JOBIT PËR TË NDIHMUAR TË TJERËT
14. Si mund t’ua shpjegojmë njerëzve që takojmë në shërbim arsyet pse vuajmë?
14 A të kanë pyetur ndonjëherë në shërbim pse vuajmë? Si u përgjigje? Mund t’i kesh treguar çfarë thotë Bibla për atë që ndodhi në kopshtin e Edenit. Mbase përmende se Satanai, një krijesë e ligë qiellore, i tha çiftit të parë një gënjeshtër që i shtyu të rebeloheshin kundër Perëndisë. (Zan. 3:1-6) Pastaj mund t’i kesh thënë se, ngaqë Adami dhe Eva nuk iu bindën Perëndisë, njerëzit vuajnë dhe vdesin. (Rom. 5:12) Në fund, mund t’i kesh shpjeguar se Perëndia po lë kohë të mjaftueshme që të demaskojë gënjeshtrat e Satanait dhe që njerëzit të dëgjojnë lajmin e mirë se do të rifitojnë përsosmërinë në të ardhmen. (Zbul. 21:3, 4) Ky është një arsyetim i bukur për këtë pyetje dhe mund të sjellë rezultate të mira.
15. Si mund ta përdorim librin e Jobit për t’iu përgjigjur dikujt që na pyet pse vuajmë? (Shih edhe figurat.)
15 Le të shohim një mënyrë tjetër si mund t’i përgjigjemi pyetjes «pse vuajmë», duke përdorur librin e Jobit. Si fillim, lavdëroje personin për këtë pyetje domethënëse. Më pas, thuaji se një pyetje të ngjashme e bëri edhe Jobi, një njeri i mirë që vuajti shumë. Madje, ai besonte se vuajtjet po ia shkaktonte Perëndia. (Jobi 7:17-21) Personit me të cilin po flet, mund t’i bëjë përshtypje që njerëzit e kanë pasur prej shekujsh këtë pyetje. Pastaj shpjegoji me takt se shkaktari i vuajtjeve të Jobit ishte Djalli, jo Perëndia. Djalli veproi kështu ngaqë donte të provonte se njerëzit i shërbejnë Perëndisë vetëm për interes. Mund të shtosh edhe se, ndonëse Perëndia nuk ishte shkaktari i vuajtjeve të Jobit, duke e lejuar këtë situatë, tregoi se ka besim që njerëzit besnikë do ta nxjerrin Satanain gënjeshtar. Në fund, mund t’i shpjegosh se me kalimin e kohës Perëndia e bekoi Jobin për besnikërinë e tij. Në këtë mënyrë mund t’i ngushëllojmë njerëzit duke i siguruar se nuk është Jehovai shkaktari i vuajtjeve.
Si mund ta përdorësh librin e Jobit për t’i siguruar të tjerët se «Perëndia nuk vepron me ligësi»? (Shih paragrafin 15)
16. Jepni një shembull që tregon si mund ta ndihmojë libri i Jobit dikë që po vuan.
16 Le të shohim si e ndihmoi libri i Jobit Marion. Në vitin 2021, një motër po jepte një ditë dëshmi me telefon. Personi i parë që iu përgjigj ishte Mario. Motra i lexoi një shkrim nga Bibla dhe i shpjegoi se Perëndia jo vetëm i dëgjon lutjet tona, por edhe na jep një shpresë për të ardhmen. Kur e pyeti se çfarë mendonte për shkrimin, Mario i tha se në atë moment po linte një shënim lamtumire, ngaqë kishte vendosur të vriste veten. Ai tha: «Besoj te Zoti, por këtë mëngjes u ndjeva sikur më kishte braktisur.» Në telefonatën e radhës motra i tregoi për vuajtjet që kishte hequr Jobi. Mario kuptoi se duhet ta lexonte të gjithë librin e Jobit, ndaj motra i dërgoi linkun e Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re. Rezultati? Mario pranoi të studionte Biblën dhe mezi priste ta njihte më mirë Perëndinë e dashur që nuk e braktisi.
17. Pse je mirënjohës që Jehovai e përfshiu librin e Jobit në Fjalën e tij të frymëzuar? (Jobi 34:12)
17 Pa diskutim, Fjala e Perëndisë ka fuqi të jashtëzakonshme për të ndihmuar njerëzit, madje edhe ata që vuajnë. (Hebr. 4:12) Sa mirënjohës jemi që Jehovai e përfshiu historinë e Jobit në Fjalën e Tij të frymëzuar! (Jobi 19:23, 24) Libri i Jobit na siguron se «pa dyshim, Perëndia nuk vepron me ligësi». (Lexo Jobin 34:12.) Gjithashtu na mëson pse i lejon Perëndia vuajtjet dhe si mund të tregojmë qëndrueshmëri. Na ndihmon edhe t’u japim zemër atyre që po vuajnë. Në artikullin e radhës do të shqyrtojmë si na ndihmon libri i Jobit të japim këshilla të efektshme.
KËNGA 156 Shoh me plot besim
a Ka mundësi që bisedat e Jehovait me Satanain dhe sprovat që i ranë Jobit të kenë ndodhur pas vdekjes së Jozefit besnik (1657 p.e.s.) dhe para se Moisiu të caktohej udhëheqës i Izraelit (rr. 1514 p.e.s.).
b Disa emra janë ndryshuar.