BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 dhjetor f. 14-19
  • Imito përulësinë e Jehovait

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Imito përulësinë e Jehovait
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • JEHOVAI ËSHTË I AFRUESHËM
  • JEHOVAI ËSHTË I ARSYESHËM
  • JEHOVAI ËSHTË I DURUAR
  • JEHOVAI I NDERON TË PËRULURIT
  • Mëso të mendosh si Jehovai dhe Jezui
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Trego modesti kur nuk e di diçka
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Provo lumturinë e madhe që vjen kur jep
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Zhvilloni përulësinë e vërtetë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 dhjetor f. 14-19

ARTIKULLI I STUDIMIT 50

KËNGA 48 Çdo ditë do të eci me ty, Jehova

Imito përulësinë e Jehovait

«Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij të dashur.»—EFES. 5:1.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të mësojmë katër mënyra praktike si mund ta imitojmë përulësinë e Jehovait.

1. Pse është e jashtëzakonshme përulësia e Jehovait?

KUR sheh dikë me pushtet, a thua me vete: «Sa njeri i përulur!» Ka shumë të ngjarë që jo. Megjithatë, Jehovai që është i plotfuqishëm, është i përulur. (Psal. 113:5-8) Cilësia e përulësisë karakterizon krejt personalitetin e Jehovait; tek Ai nuk ka asnjë gjurmë krenarie. Në këtë artikull do të ndalemi te katër aspekte të personalitetit të bukur të Jehovait dhe do të shohim si pasqyrohet përulësia në secilin prej tyre. Do të shqyrtojmë edhe si e imitoi Jezui përulësinë e Atit. Ndërsa diskutojmë këto aspekte, do të lidhemi më ngushtë me Jehovain dhe do ta imitojmë më plotësisht përulësinë e tij.

JEHOVAI ËSHTË I AFRUESHËM

2. Çfarë na zbulon për Jehovain Psalmi 62:8? (Shih edhe figurën.)

2 Zakonisht njerëzit krenarë nuk janë të afrueshëm. Mendimi tepër i lartë që kanë për veten reflektohet te mënyra si i trajtojnë të tjerët. Si pasojë, njerëzit hezitojnë t’u afrohen ose i shmangin fare. Sa ndryshe është Jehovai! Ngaqë është i përulur, Ati ynë qiellor na fton t’i afrohemi në lutje dhe t’i tregojmë gjithçka që na trazon mendjen dhe zemrën. (Lexo Psalmin 62:8.) Ashtu si një baba i dhembshur, që është gjithmonë gati të dëgjojë shqetësimet e fëmijës, edhe Jehovai mezi pret të dëgjojë lutjet e adhuruesve të tij. Kjo tregon sa Perëndi i afrueshëm është. Madje, ai mori masa që shumë nga këto lutje të regjistroheshin në Bibël. (Jos. 10:12-14; 1 Sam. 1:10-18) Po ç’mund të bëjmë nëse, për shkak të gabimeve tona, ndonjëherë ndihemi të padenjë t’i lutemi?

Një baba dëgjon me durim djalin e vogël kur ky i shpjegon si e theu pa dashje vazon e luleve, ndërsa luante me një aeroplan lodër.

Një baba imiton Jehovain duke e dëgjuar me përulësi të birin që ka thyer një vazo ndërsa luante (Shih paragrafin 2)


3. Pse mund të jesh i sigurt se Jehovai dëshiron që t’i lutesh shpesh?

3 Mund t’i lutemi Jehovait edhe kur ndiejmë se nuk e meritojmë dashurinë e tij. Pse e themi këtë? Në ilustrimin për djalin e humbur, Jezui e krahasoi Jehovain me një baba zemërdhembshur, djali i të cilit ndihej i padenjë që ta pranonin sërish në gjirin e familjes. Si reagoi babai kur i biri u kthye në shtëpi? Jezui tha se sapo e vuri re djalin, babai «vrapoi, iu hodh në qafë dhe e puthi me përzemërsi». (Luka 15:17-20) Jehovai është njësoj si ky baba. Sapo dëgjon lutjen e dikujt që e ka zemrën plagë e të dërrmuar nga shqetësimet e shumta ose nga barra e fajit, përulësia e nxit Jehovain që t’i kushtojë vëmendje të plotë. (Vajt. 3:19, 20) Plot dhembshuri, Jehovai si të thuash vrapon drejt tij, që ta ngushëllojë e ta sigurojë se e do dhe se do t’i tregojë mëshirë. (Isa. 57:15) Po sot, si «vrapon drejt nesh» Jehovai? Shpesh ai na jep zemër nëpërmjet pleqve, familjarëve besimtarë dhe vëllezërve e motrave. (Jak. 5:14, 15) Jehovai na e siguron këtë ndihmë sepse dëshiron të jetë Miku ynë.

4. Si tregoi Jezui se ishte i afrueshëm?

4 Jezui imiton Atin. Jezui i ngjan të Atit për nga përulësia. Ja pse kur ishte në tokë, njerëzit ndiheshin rehat t’i afroheshin dhe nuk ngurronin t’i bënin pyetje. (Mar. 4:10, 11) Kur Jezui i pyeste për ndonjë çështje, ata i tregonin çfarë mendonin vërtet. (Mat. 16:13-16) Dhe kur bënin gabime, nuk strukeshin nga frika; e dinin që Jezui ishte zemërmirë, i mëshirshëm dhe i duruar. (Mat. 17:24-27) Meqë Jezui e imitonte shkëlqyeshëm Atin, dishepujt e tij e njohën më shumë Jehovain. (Gjoni 14:9) Ata mësuan se Ai ndryshonte kryekëput nga krerët fetarë të asaj kohe, të cilët ishin të ashpër, krenarë dhe mospërfillës. Jehovai ishte i përulur dhe i afrueshëm.

5. Si na ndihmon përulësia të bëhemi më të afrueshëm?

5 Si mund ta imitojmë Jehovain? Sa më të përulur të jemi, aq më të lehtë do ta kenë të tjerët të na afrohen. Mungesa e përulësisë mund të na shtyjë drejt zilisë, krenarisë dhe prirjes për të mos falur—tipare që i largojnë të tjerët. Krejt ndryshe, përulësia do të na ndihmojë të jemi zemërmirë, të duruar dhe gati të falim—cilësi që i afrojnë të tjerët. (Kolos. 3:12-14) Sidomos pleqtë duhet të bëjnë çmos të jenë të afrueshëm. E për ta arritur këtë, duhet të shoqërohen sa më shpesh me vëllezërit e motrat. Kjo do të thotë se përpiqen t’i ndjekin mbledhjet në Sallën e Mbretërisë, në vend se me anë të videokonferencës nëse nuk është e nevojshme. Gjithashtu, brenda mundësive mundohen të dalin në shërbim shtëpi më shtëpi me vëllezërit dhe motrat. Teksa i njohin më nga afër pleqtë, lajmëtarët nuk do të kenë siklet që t’u flasin hapur kur lind nevoja.

JEHOVAI ËSHTË I ARSYESHËM

6-7. Jepni shembuj si u tregua i arsyeshëm Jehovai dhe ua plotësoi kërkesat shërbëtorëve të tij.

6 Shumë njerëz krenarë janë të paarsyeshëm në marrëdhëniet me të tjerët. Por ngaqë është i përulur, Jehovai tregohet i arsyeshëm dhe hap rrugë, ndonëse qëndron më lart se të gjithë në çdo aspekt. Të shohim si veproi në rastin e Miriamit, motrës së Moisiut. Bashkë me Aronin, ajo murmuriti kundër Moisiut, i cili shërbente si përfaqësues i Jehovait. Mirëpo, në të vërtetë Miriami po tregonte mungesë respekti ndaj Jehovait. Si pasojë, atij iu ndez zemërimi kundër Miriamit dhe e goditi me lebër. Më pas Aroni iu përgjërua Moisiut që ta ndihmonte motrën, dhe Moisiu iu përgjërua Jehovait që ta shëronte. Si reagoi Jehovai? Ai nuk nguli këmbë me krenari te gjykimi që kishte dhënë. Por me përulësi, e dëgjoi kërkesën e Moisiut dhe e shëroi Miriamin.—Num. 12:1-15.

7 Jehovai tregoi përulësi edhe në rastin e mbretit Hezekia. Nëpërmjet profetit të Tij, Jehovai i bëri të ditur mbretit se do të vdiste. Mirëpo kur Hezekia iu përgjërua me lot në sy që ta shëronte, Ai i shtoi plot mëshirë edhe 15 vjet jetë. (2 Mbret. 20:1, 5, 6) Vërtet, përulësia e motivon Jehovain që të shfaqë dhembshuri dhe të hapë rrugë.

8. Cilët shembuj nxjerrin në pah arsyetueshmërinë e Jezuit? (Mar. 3:1-6)

8 Jezui imiton Atin. Kur ishte në tokë, Jezui u tregua i arsyeshëm duke mos ua kursyer ndihmën të tjerëve sa herë që ishte e mundur. Për shembull, ai shëroi njerëz në Sabat, edhe pse kundërshtarët e tij zemërgur s’ishin aspak dakord. (Lexo Markun 3:1-6.) Jezui vazhdon të tregohet i arsyeshëm si kreu i kongregacionit të krishterë. Për shembull, kur dikush në kongregacion kryen një mëkat të rëndë, ai është i duruar dhe i jep plot mundësi për të ndryshuar.—Zbul. 2:2-5.

9. Si mund të tregojmë se jemi të arsyeshëm? (Shih edhe figurat.)

9 Si mund ta imitojmë Jehovain? Duhet të përpiqemi me përulësi të imitojmë Jehovain duke qenë të arsyeshëm në mënyrën si mendojmë dhe veprojmë. (Jak. 3:17) Për shembull, prindërit e arsyeshëm, ndonëse nuk janë tepër tolerantë, nuk presin nga fëmijët më shumë nga ç’mund të bëjnë. Jakobi ishte shembull në këtë aspekt, siç lexojmë te Zanafilla 33:12-14. Gjithashtu, prindërit e përulur dhe të arsyeshëm duhet të shmangin prirjen për t’i krahasuar fëmijët me njëri-tjetrin. Edhe pleqtë e krishterë duhet të jenë të arsyeshëm. Një mënyrë si e bëjnë këtë është kur përkrahin vendimet e shumicës në trupin e pleqve, kur nuk cenohen parimet e Biblës. (1 Tim. 3:2, 3) E të gjithë ne mund të përpiqemi të kuptojmë pikëpamjet e të tjerëve edhe kur i shohim gjërat ndryshe. (Rom. 14:1) Po, çdokush në kongregacion duhet të punojë fort që ‘arsyetueshmërinë e tij ta njohin të gjithë njerëzit’.—Filip. 4:5.

Kolazh: Një baba duke predikuar plot gëzim shtëpi më shtëpi me fëmijët e tij të vegjël. 1. Ai buzëqesh ndërsa i biri i ofron një burri broshurën «Gëzoje jetën përgjithmonë». 2. Më vonë, ai buzëqesh ndërsa e bija i ofron një gruaje kartëvizitën e sitit jw.org.

Një baba tregohet i arsyeshëm duke mos pritur tepër nga fëmijët e tij në shërbim (Shih paragrafin 9)


JEHOVAI ËSHTË I DURUAR

10. Në cilat mënyra ka treguar durim Jehovai?

10 Ndoshta edhe ti e ke vënë re që njerëzit krenarë nuk kanë qejf t’i lësh në pritje. Krenaria i bën të paduruar. Krejt ndryshe, Jehovai është shembulli i përsosur i durimit! Për shembull, në ditët e Noesë, Jehovai tha se do të priste 120 vjet para se të shkatërronte të ligjtë. (Zan. 6:3) Noeja pati kohë të rriste fëmijët dhe të ndërtonte arkën me ndihmën e familjes. Më vonë, një engjëll që shërbeu si përfaqësues i Jehovait, e dëgjoi me durim Abrahamin ndërsa ai e pyeste në lidhje me shkatërrimin e Sodomës dhe Gomorrës. Një person krenar mund t’i kishte thënë: «Si guxon të m’i bësh këto pyetje?!» Por njësoj si Jehovai, ai engjëll u tregua i duruar me Abrahamin.—Zan. 18:20-33.

11. Sipas 2 Pjetrit 3:9, pse po tregon durim Jehovai në kohën tonë?

11 Me përulësi, Jehovai po tregon durim edhe në kohën tonë. Ai po pret kohën që ka caktuar për të sjellë fundin. Pse është i duruar? «Sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të pendohen.» (Lexo 2 Pjetrit 3:9.) A ka qenë i kotë durimi i Jehovait? Aspak! Miliona njerëz me zemër të drejtë janë bërë miq të tij. Shpresojmë që edhe miliona të tjerë të bëjnë po njësoj. Ama, durimi i Jehovait ka kufi. Megjithëse i do njerëzit, ai nuk do t’i lejojë që të veprojnë përgjithmonë sipas kokës së tyre. Jehovai do t’i japë fund ligësisë!—Hab. 2:3.

12. Si e imiton Jezui durimin e Jehovait?

12 Jezui imiton Atin. Ai e ka imituar durimin e Jehovait për mijëra vjet. Jezui ka qenë dëshmitar i shpifjeve që ka përhapur Satanai për Jehovain dhe për njerëzit besnikë. (Zan. 3:4, 5; Jobi 1:11; Zbul. 12:10) Ai ka parë me sytë e tij vuajtje të tmerrshme. Vetëm mund ta imagjinojmë sa i qan zemra «për të zhbërë veprat e Djallit». (1 Gjon. 3:8) Çfarë e ndihmon Jezuin të presë me durim urdhrin e Jehovait për të asgjësuar një herë e mirë Djallin dhe veprat e tij? Një gjë është përulësia. Ai e di se vetëm Jehovai ka të drejtën të vendosë kohën kur do të vijë fundi.—Vep. 1:7.

13. Si shfaqi durim Jezui me apostujt dhe pse?

13 Kur ishte në tokë, Jezui shfaqi durim edhe me apostujt e tij. Për shembull, kur ata debatonin herë pas here se kush ishte më i madhi, Jezui nuk u vuri vizën. Përkundrazi, vazhdoi të ishte i duruar me ta. (Luka 9:46; 22:24-27) Ai kishte besim se, me kalimin e kohës, do të bënin ndryshimet e nevojshme. A të ka ndodhur të biesh shpesh në të njëjtin gabim? Nëse po, a nuk ndihesh tejet mirënjohës që ke një Mbret kaq të përulur dhe të duruar?

14. Çfarë do të na ndihmojë të jemi më të duruar?

14 Si mund ta imitojmë Jehovain? Ndërsa përpiqemi të fitojmë «mendjen e Krishtit», do të mendojmë e do të veprojmë gjithnjë e më shumë si Jehovai. (1 Kor. 2:16) Si mund ta njohim më mirë mendjen e Krishtit? Nuk ka një rrugë të shkurtër për ta bërë këtë. Si fillim, duhet të lexojmë ungjijtë. Pastaj të lëmë kohë që të meditojmë se çfarë na zbulojnë këto tregime për mënyrën si mendon Jezui. Dhe ç’është më e rëndësishmja, duhet t’i kërkojmë Jehovait që të na ndihmojë të pasqyrojmë durimin dhe përulësinë e Jezuit. Ndërsa zhvillojmë mendjen e Krishtit, do ta imitojmë më mirë Perëndinë duke u treguar më të duruar me veten dhe me vëllezërit e motrat.—Mat. 18:26-30, 35.

JEHOVAI I NDERON TË PËRULURIT

15. Jepni shembuj si kanë dalë të vërteta fjalët e Psalmit 138:6.

15 Lexo Psalmin 138:6. Ç’privilegj të pashoq kanë të përulurit që Jehovai, Sovrani i universit, u kushton vëmendje të veçantë! Ndër shekuj ka pasur plot njerëz që mbase të tjerët i konsideronin si të parëndësishëm, ama Jehovai i vuri re. Disa mund të mos jenë aq të njohur, por Jehovai i përfshiu emrat e tyre në Bibël. Për shembull, ai e frymëzoi Moisiun që të dokumentonte emrin e Deborës, një dado që jetoi në kohën e patriarkëve. Ajo shërbeu me besnikëri në familjen e Isakut dhe në familjen e Jakobit për rreth 125 vjet. Edhe pse nuk dimë shumë për këtë grua besnike, Jehovai e nxiti Moisiun të shkruante për Deborën një detaj që tregon sa shumë e kishin dashur Jehovai dhe Jakobi me familjen. (Zan. 24:59; 35:8, shën.) Shekuj më vonë Jehovai zgjodhi Davidin, një bari të ri në moshë, që të bëhej mbret i kombit të Izraelit. (2 Sam. 22:1, 36) Pak pas lindjes së Jezuit, Perëndia nderoi disa barinj të përulur me një privilegj të veçantë. Nëpërmjet një engjëlli, u dha të parëve lajmin se në Betlehem kishte lindur Mesia i ardhshëm. (Luka 2:8-11) Dhe kur Jozefi me Marinë e çuan Jezuin në tempull, Jehovai u dha Simeonit dhe Anës privilegjin që të shihnin Birin e Tij. (Luka 2:25-30, 36-38) Vërtet, Jehovai është tejet i lartë e përsëri merakoset për të përulurit.

16. Si e imitoi Jezui Atin në mënyrën si i trajtonte të tjerët?

16 Jezui imiton Atin. Njësoj si Jehovai, Jezui u kushtonte vëmendje të veçantë të përulurve. Ai u mësonte njerëzve «të pashkolluar e të thjeshtë» të vërtetat për Mbretërinë e Perëndisë. (Vep. 4:13; Mat. 11:25) Veç kësaj, shëronte të sëmurë duke u rikthyer jo vetëm shëndetin e mirë, por edhe dinjitetin. (Luka 5:13) Natën e fundit para se të vdiste, Jezui mori rolin e një shërbëtori dhe u lau këmbët apostujve. (Gjoni 13:5) Para se të ngjitej në qiell, ai u dha të gjithë dishepujve të përulur, ku përfshihemi edhe ne, privilegjin për të kryer veprën më të rëndësishme që ekziston—të ndihmojmë të tjerët të jetojnë përgjithmonë.—Mat. 28:19, 20.

17. Si mund t’i nderojmë të tjerët? (Shih edhe figurën.)

17 Si mund ta imitojmë Jehovain? Ne i nderojmë njerëzit duke u folur për lajmin e mirë atyre që na dëgjojnë, pavarësisht nga prejardhja, ngjyra e lëkurës ose arsimimi. Gjithashtu i nderojmë vëllezërit e motrat kur i konsiderojmë më të lartë se veten, pavarësisht nga aftësitë ose privilegjet që mund të kemi. (Filip. 2:3) Jehovait i bëhet zemra mal teksa sheh se jemi të përulur dhe «të parët» për t’i nderuar të tjerët në mënyra të tilla.—Rom. 12:10; Sof. 3:12.

Dy motra po drejtojnë një studim të Biblës në burg me një nga gratë e burgosura.

E imitojmë përulësinë e Jehovait kur u flasim për lajmin e mirë njerëzve të çdo lloji (Shih paragrafin 17)a


18. Pse dëshiron ta imitosh përulësinë e Jehovait?

18 Ndërsa përpiqemi me shpirt të imitojmë përulësinë e Atit tonë të dashur qiellor, do të jemi më të afrueshëm, më të arsyeshëm e më të duruar. Gjithashtu do t’i nderojmë të tjerët njësoj si Jehovai. Të mos harrojmë se çdo përpjekje për të imituar Perëndinë tonë të përulur, na bën më të çmuar në sytë e tij!—Isa. 43:4.

SI MUND TË TË NDIHMOJË PËRULËSIA TË JESH . . .

  • i afrueshëm?

  • i arsyeshëm?

  • i duruar?

KËNGA 159 Jepi lavdi Jehovait

a PËRSHKRIMI I FIGURËS: Motrat e imitojnë me përulësi Jehovain duke studiuar Biblën me disa gra të burgosura.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo