Pyetje nga lexuesit
Cilin ‘mendim’ do t’u shtjerë në zemër Jehovai kombeve në të ardhmen e afërt?
Zbulesa 17:16, 17 thotë kështu për fillimin e shtrëngimit të madh: «Dhjetë brirët që pe dhe bisha, do ta urrejnë prostitutën; do ta shkretojnë e do ta lënë lakuriq; do të hanë mishrat e saj e do ta djegin krejtësisht me zjarr. Në fakt Perëndia u shtiu në zemër që ata të përmbushin mendimin e tij, madje të përmbushin edhe mendimin e tyre, duke i dhënë bishës mbretërinë e tyre.» Në të kaluarën, botimet tona kanë thënë se ‘mendimi’ që Jehovai do t’u shtjerë në zemër kombeve, është që të shkatërrojnë fenë e rreme.
Megjithatë është e nevojshme të përditësohet ky shpjegim. ‘Mendimi’ që Jehovai do të shtjerë në zemrën e kombeve, është që t’i japin «bishës mbretërinë e tyre». Për të kuptuar si do të plotësohet kjo, të shikojmë përgjigjet e pyetjeve vijuese.
Cilat janë personazhet kryesore në profeci? ‘Prostituta’, që ndryshe quhet «Babilonia e Madhe», përfaqëson perandorinë botërore të fesë së rreme. ‘Bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur’ përfaqëson Kombet e Bashkuara. Kjo organizatë, që dikur quhej Lidhja e Kombeve, u krijua në vitin 1919 që të ruante paqen botërore. (Zbul. 17:3-5) «Dhjetë brirët» përfaqësojnë të gjitha qeveritë që mbështetin bishën.
Ç’lidhje ekziston mes prostitutës dhe bishës me ngjyrë të kuqe të ndezur? Prostituta ‘rri ulur’ mbi bishën, pra e mbështet e madje përpiqet ta kontrollojë.
Çfarë do t’i ndodhë prostitutës? Bisha dhe dhjetë brirët që e mbështetin, «do ta urrejnë prostitutën» aq shumë, sa do t’ia marrin gjithë pasurinë e do ta demaskojnë para të gjithëve për ligësinë e saj. Më pas, do të ekzekutojnë vendimin që ka marrë Jehovai për të, pra do ta shkatërrojnë plotësisht. (Zbul. 17:1; 18:8) Ky do të jetë fundi i të gjitha feve të rreme. Por para se të ndodhë kjo, Jehovai do t’i shtyjë kombet të bëjnë diçka të paprecedent në historinë e qeverisjes njerëzore.
Për çfarë do t’i shtyjë Jehovai kombet? Ai do të vendosë në zemrat e dhjetë brirëve «mendimin e tij», pra që t’ia japin «fuqinë dhe autoritetin e tyre . . . bishës [me ngjyrë të kuqe të ndezur]»—Organizatës së Kombeve të Bashkuara. (Zbul. 17:13) Mendo pak për domethënien e kësaj. A do të vendosin vetë qeveritë njerëzore që t’i japin fuqinë dhe autoritetin bishës? Jo! Profecia tregon se do t’i shtyjë Perëndia të veprojnë kështu. (Prov. 21:1; krahaso Isainë 44:28.) A do ta japin gradualisht qeveritë pushtetin e tyre? Jo! Ky ndryshim do të jetë i beftë! Më pas me fuqinë e re që merr, bisha do të ekzekutojë gjykimin e Jehovait mbi organizatat e rreme fetare, duke i zhdukur ato njëherë e përgjithmonë.
Çfarë mund të presim të ndodhë në të ardhmen? Nuk ka nevojë të rrimë në pritje të lajmeve që tregojnë se qeveritë po e mbështetin gjithnjë e më shumë Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ja çfarë mund të presim: në mënyrë të befasishme, Jehovai do t’i nxitë kombet që t’ia japin fuqinë e tyre bishës. Kur të ndodhë kjo, do ta dimë se shtrëngimi i madh është te pragu. Ndërkohë ‘le të rrimë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin’, sepse së shpejti na presin ndryshime të befta!—1 Sel. 5:6.