«Mençuria del e drejtë me anë të veprave të veta»
1. Si e konsiderojnë disa veprën tonë?
1 Ndonjëherë mund të hasim një reagim negativ nga të zotët e shtëpisë që na keqkuptojnë ose janë të keqinformuar për Dëshmitarët e Jehovait. Ndoshta janë ndikuar nga paragjykime që nxiten nga mediat. Në disa vende jemi konsideruar «një sekt i rrezikshëm». Si duhet të reagojmë përballë këtyre pikëpamjeve të gabuara?
2. Çfarë do të na ndihmojë të mos shkurajohemi kur hasim kundërshtime?
2 Të mbajmë një qëndrim pozitiv: Jezuin dhe shërbëtorët e tjerë të Jehovait në shekullin e parë shpesh i keqkuptonin dhe i shanin. (Vep. 28:22) Megjithatë, nuk u vinte turp për shërbimin për shkak të këtyre kundërshtimeve. Jezui tha: «Mençuria del e drejtë me anë të veprave të veta.» (Mat. 11:18, 19) Ai vazhdoi të bënte me zell vullnetin e Atit të tij, i sigurt se ata që kërkonin të vërtetën do ta dallonin vlerën e lajmit të mirë. Dijenia se edhe vetë Birin e Perëndisë e trajtuan njësoj, na inkurajon, prandaj nuk duhet ta harrojmë këtë.
3. Pse nuk duhet të habitemi nga fjalët e këqija dhe kundërshtimi?
3 Jezui tregoi se bota do t’i urrente dishepujt e tij, pikërisht siç urreu atë vetë. (Gjoni 15:18-20) Prandaj, fjalët e këqija dhe kundërshtimi sot nuk duhet të na habitin. Në fakt, duhet të presim që këto të bëhen më të zakonshme ndërsa hyjmë më thellë në ditët e fundit dhe zemërimi i Satanait shtohet. (Zbul. 12:12) Mund të gëzohemi sepse këto gjëra tregojnë se botës së Satanait po i vjen fundi.
4. Si duhet të veprojmë nëse njerëzit reagojnë keq ndaj lajmit të mirë?
4 Të përgjigjemi me hir: Kur hasim reagim negativ, duhet të përgjigjemi gjithmonë me hir dhe butësi. (Prov. 15:1; Kolos. 4:5, 6) Në varësi të rrethanave, mund t’i shpjegojmë një njeriu të sinqertë se ekzistojnë shumë keqinformime për Dëshmitarët e Jehovait ose ta pyesim pse mendon ashtu. Përgjigjja jonë e butë mund ta bëjë të rishqyrtojë atë që ka dëgjuar për Dëshmitarët e Jehovait dhe të dëgjojë kur një Dëshmitar tjetër ta vizitojë. Por, nëse ai është shumë i nevrikosur, më mirë të largohemi me mirësjellje. Mund të jemi të sigurt se, pavarësisht se si na shohin të tjerët, Jehovai e vlerëson shërbimin tonë.—Isa. 52:7.