Çfarë mund të bëhet në lidhje me shkurajimin?
SI MUND ta luftojë një person shkurajimin? Kjo ishte pyetja që iu bë disa mbikëqyrësve udhëtues, që vizitojnë rregullisht kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait. Përgjigjet e tyre mund të na ndihmojnë të analizojmë shkaqet e shkurajimit si edhe ilaçin e shërimit të kësaj gjendjeje që mund të prekë çdo të krishterë.
Nuk mjafton një ekzaminim i vetëm për trajtimin e shkurajimit, megjithatë, simptomat mund të përfshijnë një mungesë interesi ndaj lutjes ose ndaj studimit personal, parregullsinë në ndjekjen e mbledhjeve, mungesën e entuziazmit madje dhe një farë ftohtësie ndaj shoqërisë së krishterë. Megjithatë, një nga shenjat më të dukshme është rënia e zellit për të ungjillëzuar. Le të marrim në shqyrtim simptomat dhe të konsiderojmë disa nga ilaçet shëruese.
Shkurajimi në veprën e ungjillëzimit
Jezu Krishti ishte i vetëdijshëm për vështirësitë që lidheshin me detyrën e bërjes së dishepujve. (Mateu 28:19, 20) Ai i dërgoi ithtarët e tij si «dele në mes të ujqërve», duke ditur se aktiviteti i tyre i predikimit do të sillte persekutim mbi ta. (Mateu 10:16-23) Megjithatë, për ta kjo nuk ishte një arsye për t’u shkurajuar. Në fakt, për shërbëtorët e Perëndisë që janë mbështetur te Jehovai me anë të lutjes, shpesh persekutimi ka qenë diçka që i ka forcuar.—Veprat 4:29-31; 5:41, 42.
Edhe kur nuk pësonin ndonjë persekutim të rëndë, dishepujt e Krishtit nuk ishin gjithmonë të mirëpritur. (Mateu 10:11-15) Ngjashëm, sot vepra e predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait nuk është gjithmonë e lehtë të kryhet.a Për shumë njerëz, besimi te Perëndia është një çështje personale për të cilën nuk dëshirojnë të diskutojnë. Të tjerë nuk duan të kenë të bëjnë fare me një organizatë fetare ndaj së cilës kanë disa paragjykime. Pa dyshim, indiferenca, mungesa e rezultateve ose probleme të tjera të ndryshme, mund të jenë burime të mëdha shkurajimi. Si mund të kapërcehen këto pengesa?
Arritja e rezultateve më të mira
Gëzimi që marrim nga shërbimi që bëjmë, lidhet pjesërisht me rezultatet e mira që arrijmë. Si mund të kemi atëherë një shërbim më të frytshëm? E pra, ne jemi «peshkatarë njerëzish». (Marku 1:16-18) Peshkatarët në Izraelin e lashtë dilnin për të peshkuar natën, kur mund të zinin më shumë peshq. Edhe ne duhet ta shqyrtojmë territorin tonë në mënyrë që të shkojmë «të peshkojmë» atëherë kur shumica e njerëzve janë në shtëpi dhe janë më të gatshëm ndaj mesazhit tonë. Kjo mund të jetë në mbrëmje, gjatë fundjavëve ose në disa periudha të tjera kohe. Sipas një mbikëqyrësi udhëtues, kjo është diçka praktike në ato zona ku njerëzit punojnë gjatë gjithë ditës. Ai vëren se shpesh dëshmia në mbrëmje sjell rezultate të shkëlqyera. Gjithashtu, dëshmia joformale ose ajo me telefon, na jep mundësi që të arrijmë më shumë njerëz.
Qëndrueshmëria në shërbim bën që të arrihen rezultate të mira. Në Evropën Lindore dhe në disa vende të Afrikës, vepra e predikimit të Mbretërisë po ecën mirë dhe kjo gjë ka sjellë si rezultat një rritje të shkëlqyer. Ngjashëm, shumë kongregacione janë formuar në ato zona që për një kohë të gjatë konsideroheshin të pafrytshme ose madje në territore të punuara shumë shpesh. Megjithatë, ç’mund të themi nëse shërbimi yt nuk po jep rezultate të tilla?
Të mbajmë një qëndrim pozitiv
Mbajtja qartë në mendje e synimeve të vëna nga Jezui, do të na ndihmojë që të mos shkurajohemi përballë indiferencës në shërbim. Krishti donte që dishepujt e tij të kërkonin ata që ishin të denjë, jo të bënin kthime masive në fe. Në disa raste ai theksoi se pjesa më e madhe nuk do ta pranonte lajmin e mirë, ashtu si shumica e izraelitëve që nuk i dëgjuan profetët në kohët e lashta.—Ezekieli 9:4; Mateu 10:11-15; Marku 4:14-20.
«Lajmi i mirë i Mbretërisë» është pranuar me mirënjohje nga individë që janë «të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore». (Mateu 5:3, BR; Mt 24:14) Ata duan t’i shërbejnë Perëndisë sipas mënyrës së përcaktuar prej tij. Kështu, pra, rezultatet e aktivitetit tonë lidhen më shumë me gjendjen e zemrës së personave, sesa me aftësinë tonë për të prezantuar mesazhin. Natyrisht, ne duhet të japim më të mirën që kemi për ta bërë lajmin e mirë sa më tërheqës. Megjithatë, rezultatet varen nga Perëndia, sepse Jezui tha: «Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq.»—Gjoni 6:44.
Vepra jonë e ungjillëzimit bën të njohur emrin e Jehovait. Pavarësisht nëse njerëzit dëgjojnë ose jo, aktiviteti ynë i predikimit i kontribuon shenjtërimit të emrit të shenjtë të Jehovait. Për më tepër, me anë të veprës së ungjillëzimit, provojmë se jemi dishepujt e Krishtit dhe kemi privilegjin të marrim pjesë në misionin më të rëndësishëm që po zhvillohet në ditët tona.—Mateu 6:9; Gjoni 15:8.
Shkurajimi dhe marrëdhëniet me të tjerët
Disa marrëdhënie njerëzore, në familje ose në kongregacion, mund të shkaktojnë shkurajim. Për shembull, ekziston ndjenja se të tjerët nuk të kuptojnë. Gjithashtu, mund të shkurajohemi edhe nga papërsosmëritë e besimtarëve të tjerë. Edhe njëherë, Shkrimet mund të jenë një ndihmë e madhe për ne.
«E gjithë shoqëria e vëllezërve», në të gjithë botën, përbën një familje të madhe frymore. (1. Pjetrit 2:17, BR) Por kur lindin vështirësi nga konfliktet për shkak të personalitetit, ndjenja se i përkasim një populli të bashkuar mund të venitet. Duket që të krishterët e shekullit të parë nuk ishin të imunizuar ndaj problemeve të tilla, pasi apostullit Pavël iu desh t’i kujtonte ata vazhdimisht që të jetonin së bashku në unitet. Për shembull, ai i këshilloi dy gratë e krishtere Evodinë dhe Sintikinë që t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet e tyre.—1. Korintasve 1:10; Efesianëve 4:1-3; Filipianëve 4:2, 3.
Nëse është ky problemi, si mund të gjallërojmë sërish një dashuri të sinqertë për vëllezërit tanë dhe motrat tona? Duke i kujtuar vetes se Krishti vdiq për ta dhe se ata, ashtu si ne, kanë ushtruar besim në sakrificën e tij shpërblerëse. Gjithashtu, mund të sjellim ndër mend faktin se shumë prej vëllezërve tanë janë përgatitur të imitojnë Jezu Krishtin duke rrezikuar edhe jetën e tyre për ne.
Disa vjet më parë, në Paris të Francës, një i ri Dëshmitar, nuk ngurroi ta mbërthente fort valixhen me një bombë brenda, që ishte vendosur jashtë Sallës së Mbretërisë. Ai kapërceu me vrap disa palë shkallë para se ta flakte atë brenda një shatërvani ku dhe shpërtheu. Kur u pyet se çfarë e nxiti që ta rrezikonte jetën në këtë mënyrë, ai u përgjigj: «E kuptova që jeta jonë ishte në rrezik. Kështu mendova se do të ishte më mirë të vdisja vetëm unë, sesa të vriteshim të gjithë.»b Çfarë bekimi të kesh shokë të tillë, që janë gati të ndjekin nga kaq afër shembullin e Jezuit!
Përveç kësaj, ne mund të meditojmë rreth frymës së bashkëpunimit që ekzistonte midis Dëshmitarëve të Jehovait që ndodheshin në kampet e përqendrimit gjatë Luftës II Botërore.c Kohët e fundit, vëllezërit tanë dhe motrat tona në Malavi ruajtën me po aq besnikëri integritetin si të krishterë të vërtetë. Mendimi se vëllezërit në kongregacionin tonë do të vepronin po njësoj në rrethana të vështira, a nuk na nxit që t’i kapërcejmë ose të paktën t’i minimizojmë tensionet dhe vështirësitë e përditshme? Nëse kultivojmë mendjen e Krishtit, marrëdhëniet tona të përditshme me adhuruesit e tjerë do të jenë një burim freskimi, jo shkurajimi.
Ndjenjat personale shkurajuese
«Pritja e zgjatur e ligështon zemrën, por dëshira e plotësuar është një dru i jetës.» (Fjalët e urta 13:12) Në sytë e disa Dëshmitarëve të Jehovait, duket se fundi i këtij sistemi gjërash nuk po vjen dhe aq shpejt. Për të krishterët periudha në të cilën po jetojmë është ‘kritike, e vështirë’, sikurse edhe për shumë jobesimtarë.—2. Timoteut 3:1-5, BR.
Por në kontrast me jobesimtarët, të krishterët duhet të gëzojnë tek shohin në këto kushte sprovuese «shenjën» e pranisë së Krishtit, e cila tregon se Mbretëria e Perëndisë do t’i japë fund së shpejti këtij sistemi të lig gjërash. (Mateu 24:3-14) Edhe kur situata keqësohet, siç do të ndodhë me siguri gjatë mjerimit të madh, këto ngjarje janë një burim gëzimi për ne, sepse përshëndetin ardhjen e botës së re të Perëndisë.—Mateu 24:21; 2. Pjetrit 3:13.
Duke e shtyrë në mendje ditën kur Mbretëria do të ndërhyjë në çështjet e sotme të njerëzimit, mund të ndodhë që një i krishterë t’u kushtojë gjithnjë e më shumë kohë interesave materiale. Nëse ai do të lejojë që gjëra të tilla si puna dhe zbavitja t’i marrin tërë kohën dhe energjitë e tij, do ta ketë të vështirë që të përmbushë siç duhet përgjegjësitë e tij biblike. (Mateu 6:24, 33, 34) Një qëndrim i tillë sjell zhgënjim dhe si pasojë shkurajim. Një mbikëqyrës udhëtues komentoi: «Nuk është realiste të përpiqesh të jetosh si në botën e re, ndërsa je ende në këtë sistem gjërash.»
Dy prej ilaçeve më të mira
Pasi përcakton sëmundjen, si mund ta gjejë personi ilaçin e efektshëm? Studimi personal është një nga metodat më të mira të mundshme. Përse? «Ai na kujton se përse duhet ta bëjmë atë që bëjmë»,—vërejti një mbikëqyrës udhëtues. Një tjetër shpjegoi: «Predikimi thjesht nga ndjenja e detyrës bëhet një barrë me kalimin e kohës.» Por studimi i mirë personal na ndihmon që të rifitojmë një pamje të qartë të rolit tonë, ndërsa i afrohemi më shumë fundit. Për të njëjtën arsye, Shkrimet na kujtojnë vazhdimisht nevojën për t’u ushqyer mirë frymësisht, me qëllim që të gjejmë lumturi të vërtetë në bërjen e vullnetit të Perëndisë.—Psalmi 1:1-3; 19:7-10; 119:1, 2.
Pleqtë mund t’i ndihmojnë të tjerët që ta mposhtin shkurajimin, duke u bërë atyre vizita baritore inkurajuese. Gjatë këtyre vizitave private, pleqtë mund të tregojnë që secili prej nesh është shumë i çmuar dhe zë një vend të rëndësishëm mes popullit të Jehovait. (1. Korintasve 12:20-26) Duke iu referuar të krishterëve të tjerë, një plak tha: «Për të theksuar vlerën që kanë, unë u kujtoj atyre atë që kanë arritur të bëjnë në të kaluarën. U theksoj faktin se janë të çmuar në sytë e Jehovait dhe se gjaku i Birit të tij është dhënë për dobinë e tyre. Ky arsyetim është pritur gjithmonë mirë. Kur kjo gjë është shoqëruar me referime të goditura biblike, personat e shkurajuar, arrijnë të vënë synime të reja të tilla, si: lutja, studimi dhe leximi familjar i Biblës.»—Hebrenjve 6:10.
Gjatë vizitave baritore, pleqtë duhet të bëjnë kujdes që të mos japin idenë sikur është e pamundur t’i pëlqehet Perëndisë. Në vend të kësaj, ata mund t’i ndihmojnë adhuruesit e tjerë të shkurajuar që të kuptojnë se barra mbi ithtarët e Jezuit është e lehtë. Si pasojë, shërbimi ynë i krishterë është një burim gëzimi.—Mateu 11:28-30.
Mposhtja e shkurajimit
Pavarësisht se nga çfarë shkaktohet, shkurajimi është një e keqe që duhet luftuar. Por, të mos harrojmë se nuk jemi vetëm në këtë luftë. Nëse jemi të shkurajuar, le të pranojmë ndihmën e shokëve tanë të krishterë, veçanërisht të pleqve. Duke e bërë këtë mund t’i zvogëlojmë ndjenjat e shkurajimit.
Mbi të gjitha, për të mposhtur shkurajimin duhet t’i drejtohemi për ndihmë Perëndisë. Nëse mbështetemi me anë të lutjes te Jehovai, ai mund të na ndihmojë ta mposhtim plotësisht shkurajimin. (Psalmi 55:22; Filipianëve 4:6, 7) Në çdo rast, si populli i tij, mund të kemi të njëjtat ndjenja me psalmistin, i cili këndoi: «Lum ai popull që di të brohoritë, që ecën në dritën e fytyrës sate, o Zot! Përherë do të gëzojë në Emër tënd, e do të mburret në drejtësinë tënde. Sepse ti je stolia e fuqisë së tyre e me hirin tënd rritet fuqia jonë.»—Psalmi 89:15-17, DSF.
[Shënimet]
a Shiko artikullin «Sfida e predikimit shtëpi më shtëpi» në Kullën e Rojës, 15 maj 1981, anglisht.
b Shiko faqen 12 dhe 13 në revistën Zgjohuni!, 22 shkurt 1985, anglisht, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
c Shiko artikujt «Mbijetova ‘marshimin e vdekjes’», në Kullën e Rojës, 15 gusht 1980 dhe «Mbajtja e integritetit në Gjermaninë naziste», në revistën Zgjohuni!, 22 qershor 1985 (anglisht).
[Figura në faqen 31]
Vizitat baritore ndërtuese nga pleq të dashur, mund t’i ndihmojnë të krishterët që të mposhtin shkurajimin