Pasuri që mund të bëhen tuajat
1. Pse duhet të mendoni për të shërbyer si pionierë të rregullt?
1 A kërkoni një jetë më të kënaqshme dhe më domethënëse? A kënaqeni kur ndihmoni të tjerët? A dëshironi të bëni më shumë në shërbim të Jehovait? Nëse po, atëherë duhet të mendoni për të shërbyer si pionierë të rregullt. Sigurisht, duhen marrë parasysh familja dhe përgjegjësi të tjera biblike, si edhe kufizimet fizike e shëndetësore.
2. Përmend disa nga pasuritë frymore që fitojnë pionierët e rregullt.
2 Në shkrimet e frymëzuara Solomoni thotë se bekimi i Jehovait të bën të pasur. (Prov. 10:22) Sot, bekimet e Jehovait sjellin kryesisht pasuri frymore. Këto pasuri vërshojnë për pionierët e rregullt. Për shembull, ata kanë kënaqësinë më të madhe t’u japin të tjerëve ndërsa ‘blejnë kohë’ nga aktivitetet personale. (Kol. 4:5; Vep. 20:35) Jehovai i vë re dhe i vlerëson veprat e tyre të nxitura nga dashuria. Këtyre ‘thesareve në qiell’ nuk do t’u bjerë vlera kurrë. (Mat. 6:20; Hebr. 6:10) Për më tepër, duke mbajtur një sy të thjeshtë dhe duke besuar te Jehovai për sigurimin e gjërave të nevojshme, marrëdhënia e tyre me Të bëhet edhe më e fortë.—Mat. 6:22, 25, 32; Heb. 13:5, 6.
3. Ku qëndron ndryshimi midis pasurisë materiale dhe asaj frymore?
3 Rendja pas pasurisë shpesh çon në «shumë dëshira të pamenda e të dëmshme». (1 Tim. 6:9, 10; Jak. 5:1-3) Kjo nuk ndodh kurrë me bekimet e Jehovait. Duke kaluar një kohë të konsiderueshme në shërbim, pionierët e rregullt arrijnë të mbajnë ekuilibrin frymor dhe një pikëpamje të qartë për gjërat më të rëndësishme. (Filip. 1:10) Një vëlla la punën e tij si inxhinier, që i merrte gati gjithë kohën, për të filluar shërbimin si pionier. Ai tha: «Kisha një punë stresuese. Ndërsa shërbimi si pionier nuk është i tillë. Tani ndihmoj njerëzit të mësojnë të vërtetën. Kjo është shumë më e kënaqshme dhe më interesante.»
4. Si bekohen pionierët e rregullt ndërsa u sjellin bekime të tjerëve?
4 Bekim për të tjerët: Sot, të gjithë jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Tim. 3:1) Njerëzit kudo kanë jashtë mase nevojë për shpresë. Lajmëtarëve të Mbretërisë u mbushet zemra me gëzim kur shohin me sytë e tyre fytyrën e dëshpëruar të njerëzve që u ndryshon dhe u shkëlqen nga optimizmi kur dëgjojnë lajmin e mirë. Sa i madh është ky gëzim për pionierët e rregullt që kalojnë çdo vit më shumë se 800 orë në këtë vepër jetëshpëtuese!—1 Tim. 4:16.
5, 6. Çfarë mund t’ju ndihmojë të bëheni pionierë të rregullt?
5 A e keni menduar seriozisht të shërbeni si pionierë të rregullt? Mund t’ju duhet ‘të blini kohën e duhur’ nga gjërat më pak të rëndësishme. (Efes. 5:15, 16) Shumë e kanë bërë këtë, kanë thjeshtuar jetën e tyre, dhe kjo u ka dhënë mundësinë të shkurtojnë kohën që kalonin në punë, që t’i kushtojnë më shumë kohë interesave të Mbretërisë. A mund t’i rregulloni punët tuaja që të bashkoheni edhe ju me ta?
6 Kërkojini mençuri Jehovait që të bëni një program praktik. (Jak. 1:5) Çfarë bekimesh mund të prisni në këmbim? Pasuri frymore me bollëk! Jehovai do t’ju bekojë edhe nga ana materiale, duke ju dhënë çka ju nevojitet. (Mat. 6:33) Ata që e vënë në provë Jehovain në këtë drejtim, do të marrin ‘një bekim të tillë, sa të mos kenë më nevojë’.—Mal. 3:10.