Bekimet e shërbimit si pionier
1, 2. Çfarë bekimesh lidhen ngushtë me shërbimin si pionier dhe përse themi kështu?
1 Një pionier tha: «E di se asnjë vepër tjetër nuk do të më sillte kënaqësinë që kam kur u flas të tjerëve për të vërtetën.» Një tjetër pohoi: «Në fund të çdo dite, bëj gjumë të ëmbël dhe zemrën e kam plot gëzim.» Këta pionierë përfaqësojnë ata vëllezër e motra nga çdo vend, që kanë provuar bekimet e shërbimit si pionier.—Prov. 10:22.
2 Kur ndihmon të tjerët të marrin njohurinë jetëshpëtuese të Fjalës së Perëndisë provon kënaqësi të vërtetë. (Vep. 20:35; 1 Sel. 2:19, 20) Një pionier, i cili ka shërbyer për një kohë të gjatë, shkroi: «Është emocionuese dhe të forcohet besimi kur sheh se çfarë fuqie ka Fjala e Perëndisë për t’i nxitur njerëzit të bëjnë ndryshime në jetën e tyre.» Po, meqë pionierët janë të gatshëm t’i ndihmojnë njerëzit dhe të drejtojnë studime biblike, i presin bekime të ngjashme.
3, 4. Si i mëson shërbimi pionierët që të mbështeten te Jehovai, dhe si i ndihmon që të rriten frymësisht?
3 Mbështeten te Jehovai: Ndërsa pionierët kryejnë shërbimin e tyre, mbështeten çdo ditë te fryma e Perëndisë, e kjo i ndihmon të kultivojnë «frytin e frymës» dhe shërben si një mbrojtje. (Gal. 5:16, 22, 23) Përveç kësaj, meqë përdorin vazhdimisht Fjalën e Perëndisë, shpesh janë të aftë të përdorin shkrimet për të mbrojtur të vërtetën dhe për të forcuar të tjerët. (2 Tim. 2:15) Një vëlla, i cili ka shërbyer si pionier për disa dhjetëvjeçarë, tha: «Shërbimi si pionier më ka ndihmuar të fitoj një njohuri të thellë për Biblën. Këtë njohuri e kam përdorur për të ndihmuar shumë njerëz, që të arrijnë të njohin Jehovain dhe qëllimet e tij.» Sa shpërblyese!
4 Pionierët e rregullt duhet të mbështeten te Jehovai edhe në shumë raste të tjera. Besimi i tyre forcohet kur shohin si Jehovai i bekon përpjekjet që bëjnë për të siguruar nevojat materiale. Një vëlla 72-vjeçar, i cili ka shërbyer si pionier për 55 vjet, tha: «Jehovai nuk më ka lënë kurrë në baltë.» Për më tepër, një jetë e thjeshtë, i mbron pionierët nga shumë ankthe. A të duket tërheqëse kjo gjë?—Mat. 6:22; Hebr. 13:5, 6.
5. Si i ndihmon shërbimi si pionier që t’i afrohen Jehovait?
5 I afrohen Jehovait: Marrëdhënia që kemi me Jehovain është një gjë shumë e çmuar për ne. (Psal. 63:3) Kjo marrëdhënie bëhet edhe më e ngushtë kur dashuria për Jehovain na shtyn të marrim pjesë plotësisht në shërbim. (Jak. 4:8) Një vëlla që ka shërbyer si pionier për më shumë se 18 vjet tha: «Shërbimi i pionierit na lejon ‘të shijojmë dhe të shohim se Jehovai është i mirë’, duke zhvilluar ditë pas dite një marrëdhënie gjithnjë e më të fortë me Krijuesin tonë.»—Psal. 34:8, BR.
6. Çfarë duhet të kenë pionierët dhe kush tjetër nxjerr dobi përveç tyre?
6 Përveç rrethanave të favorshme, pionierët duhet të kenë besim të fortë, dashuri të vërtetë për Perëndinë e të afërmin dhe të jenë të gatshëm për të bërë sakrifica. (Mat. 16:24; 17:20; 22:37-39) Megjithatë, siç tregojnë fytyrat rrezatuese të pionierëve në çdo vend, bekimet e shërbimit si pionier janë më të mëdha se këto sakrifica. (Mal. 3:10) Këto bekime nuk i gëzojnë vetëm pionierët, por edhe familjet dhe kongregacionet e tyre nxjerrin shumë dobi nga fryma e shkëlqyer që tregojnë ata.—Filip. 4:23.