‘Jini gati për çdo vepër të mirë’
1 Kur Jezui filloi një fushatë të re predikimi, ai kaloi kohë me dishepujt duke i përgatitur. (Mat. 10:5-14) Megjithëse të gjithë jemi të zënë me punë, pak minuta përgatitje para se të dalim në territor do të na ndihmojë të korrim rezultate të mira.—2 Kor. 9:6.
2 Si të përgatitemi?: Përgatitja e mirë fillon duke njohur mirë botimet që planifikojmë të ofrojmë. Gjithashtu, duhet të mendojmë edhe për njerëzit në territor. Çfarë i shqetëson? Çfarë besimi kanë? Prezantimet model te Shërbimi ynë i Mbretërisë dhe libri Të arsyetojmë nga Shkrimet mund të na japin ide të ndryshme.
3 Mund të na ndihmojnë edhe demonstrimet që bëhen në Mbledhjen e Shërbimit, nëse u kushtojmë vëmendje. Ndërsa fitojmë përvojë me prezantimet, na duhet më pak kohë për t’u përgatitur. Megjithatë, nëse, çdo herë, para se të dalim në shërbim, i kushtojmë pak kohë asaj që do të themi dhe vazhdojmë të përmirësohemi me prezantimet, do të jemi më të efektshëm. Duhet të kontrollojmë edhe nëse kemi në çantën e shërbimit gjithçka na duhet.
4 Çfarë do të na ndihmojë t’i mbajmë mend prezantimet? Një mënyrë për të ngulitur në mendje atë që do të themi, është duke e provuar me zë. Disave u pëlqen të bëjnë prova gjatë studimit familjar. Të tjerë e kanë më mirë ta përmbledhin shkurtimisht prezantimin në një copë letër dhe t’i hedhin një sy para se të trokasin në një derë.
5 Pse përgatitja është e dobishme?: Kur përgatitemi mirë, jemi më të efektshëm dhe e shijojmë më shumë shërbimin. Na ndihmon të jemi të qetë dhe më pak në ankth kur jemi para një dere. Në vend që të rrimë e të mendojmë se çfarë do të themi, do t’i kushtojmë më shumë vëmendje të zotit të shtëpisë. Për më tepër, nëse i njohim mirë do t’i ofrojmë më me entuziazëm botimet.
6 Shkrimet na nxitin ‘të jemi gati për çdo vepër të mirë’. (Titit 3:1) E ku ka vepër më të mirë se predikimi i lajmit të mirë?! Duke qenë të përgatitur mirë, tregojmë respekt për të zotin e shtëpisë që pranon të na dëgjojë, dhe për Jehovain, Perëndinë që përfaqësojmë.—Isa. 43:10.