Si të përgatitim prezantimin e një reviste
1. Pse është më mirë që ta përgatitim vetë prezantimin, sesa thjesht të mësojmë përmendësh një model që del te Shërbimi ynë i Mbretërisë?
1 Ndoshta pyesni veten: ‘Pse duhet të përgatitim prezantime për revistat kur ato dalin në çdo numër të Shërbimi ynë i Mbretërisë?’ Megjithëse shumë kanë parë që këto prezantime model janë të dobishme, prapëseprapë nevojitet një përgatitje personale. Një prezantim që ka sukses në një territor mund të mos jetë praktik në një tjetër. Prandaj, nuk duhet të ndihemi të detyruar t’i ofrojmë revistat pikërisht ashtu siç është formuluar te prezantimi model. Edhe kur zgjedhim të përdorim prezantimin model, është mirë që ta shprehim me fjalët tona.
2. Çfarë duhet të keni parasysh kur përcaktoni se cilin artikull të prezantoni?
2 Zgjidhni një artikull: Pasi keni lexuar revistën, zgjidhni një artikull të përshtatshëm për territorin tuaj dhe që ju tërhoqi në mënyrë të veçantë. Bindja dhe entuziazmi juaj kur ta prezantoni artikullin, mund ta nxitë të zotin e shtëpisë që ta lexojë atë. Edhe pse ndoshta do të flisni për një artikull që mund të jetë me interes për shumicën e njerëzve në territorin tuaj, njihuni mirë edhe me artikujt e tjerë të revistës. Kjo do t’ju lejojë ta përshtatni prezantimin, nëse takoni dikë që i intereson një temë tjetër.
3. Si e filloni prezantimin që të keni sa më shumë sukses?
3 Bëni një pyetje: Pastaj, përgatitni me kujdes hyrjen e prezantimit. Hyrja është e rëndësishme. Ndoshta është mirë t’i bëni të zotit të shtëpisë një pyetje që e bën të mendojë dhe i grish kureshtjen për artikullin që keni zgjedhur të prezantoni. Zakonisht, më të suksesshme janë pyetjet për pikëpamjen e tij. Mos i bëni pyetje që do ta vinin në siklet ose do ta bënin të debatonte për të mbrojtur mendimin e tij.
4. Ç’dobi ka kur i lexojmë të zotit të shtëpisë një shkrim, nëse e lejojnë rrethanat?
4 Lexoni një shkrim: Në fund, zgjidhni një shkrim për të lexuar nëse e lejojnë rrethanat e të zotit të shtëpisë, ndoshta ndonjë shkrim që gjendet në artikull. Shkrimi do ta ndihmojë të kuptojë që mesazhi ynë vjen nga Fjala e Perëndisë. (1 Sel. 2:13) Gjithashtu, edhe nëse ai nuk i merr revistat, me anë të shkrimit i kemi dhënë dëshmi. Disa kanë nxitur interesin e të zotit të shtëpisë duke lexuar një shkrim para se t’i bëjnë një pyetje specifike. Mund ta prezantoni atë duke thënë: «Do të doja të dija si mendoni për këtë varg biblik.» Pastaj, drejtojani vëmendjen te ndonjë pjesë në revistë që lidhet me shkrimin dhe bëni një koment të shkurtër për t’ia nxitur më tej interesin para se t’i ofroni revistën.
5. Çfarë duhet të kemi parasysh kur përgatitim prezantimin e një reviste?
5 Nuk ka rregulla të prera se çfarë duhet të themi kur ofrojmë revistat. Në përgjithësi, më e mira është që të bëni një prezantim të thjeshtë dhe të shkurtër. Përdorni një prezantim që e keni të lehtë ta thoni dhe që është i efektshëm. Përqendrohuni në vlerën e madhe të revistave dhe prezantojini ato me entuziazëm. Nëse jeni të përgatitur mirë, do të keni më shumë sukses kur u ofroni revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! atyre që janë «të prirur për jetën e përhershme».—Veprat 13:48.