Si na ndihmon Studimi i Librit i Kongregacionit?
1. Në ç’drejtim na ndihmojnë pesë mbledhjet javore?
1 Të pesë mbledhjet tona javore ndryshojnë nga njëra-tjetra si në organizimin, ashtu edhe në qëllimin e tyre. Megjithatë, të gjitha janë të rëndësishme për të na ndihmuar «të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera». (Hebr. 10:24, 25) Cilat janë disa aspekte të veçanta dhe të dobishme të Studimit të Librit të Kongregacionit?
2. Çfarë të mirash ka mbledhja në grupe të vogla në studimin e librit?
2 Ndihmë për të përparuar frymësisht: Numri i të pranishmëve në një studim libri është shumë më i vogël sesa ai në mbledhjet e tjera të kongregacionit. Kjo e bën më të lehtë të krijosh miqësi që janë burim mbështetjeje nga ana frymore. (Prov. 18:24) A jeni përpjekur t’i njihni të gjithë në grupin tuaj të studimit të librit, ndoshta duke i kërkuar secilit prej tyre të dilni bashkë në shërbim? Kjo mbledhje i jep mundësi edhe mbikëqyrësit të studimit të librit të njohë rrethanat e veçanta të secilit pjesëtar të grupit dhe ta inkurajojë.—Prov. 27:23.
3. Pse studimi i librit është rast i mirë për të komentuar më shumë dhe një mundësi e mirë për të ftuar studentët biblikë?
3 A i keni ftuar studentët biblikë të vijnë me ju në studimin e librit? Të interesuarit që ngurrojnë të ndjekin mbledhjet tona të mëdha, mund të ndihen më pak në siklet në një mbledhje më të vogël, sidomos kur ajo mbahet në një shtëpi. Të rinjtë në moshë dhe të rinjtë në të vërtetën e kanë më të lehtë të komentojnë për shkak të atmosferës së ngrohtë që krijohet aty. Dhe, meqenëse grupi është më i vogël, kemi mundësi të komentojmë dhe të lëvdojmë më shumë Jehovain.—Psal. 111:1.
4. Cilat janë disa anë pozitive të studimit të librit?
4 Studimi i librit zakonisht mbahet në vende të ndryshme të territorit që lajmëtarët ta kenë sa më afër. Megjithëse ndoshta nuk është e mundur që të gjithë të caktohen në studimin e librit më të afërt, prapëseprapë mund ta kenë më afër sesa të shkojnë në mbledhjet e tjera të kongregacionit. Vendi ku mbahet studimi i librit mund të jetë vend i përshtatshëm edhe për të mbajtur mbledhje për shërbim.
5. Si mund të na ndihmojë në shërbim mbikëqyrësi i studimit të librit?
5 Ndihmë për shërbimin: Mbikëqyrësi i studimit të librit interesohet për të ndihmuar që të gjithë në grupin e tij të bëjnë një shërbim të rregullt, domethënës dhe të kënaqshëm. Prandaj, ai përpiqet të punojë me të gjithë duke u dhënë ndihmë personale në aspekte të ndryshme të shërbimit. Nëse keni vështirësi në ndonjë aspekt të shërbimit, si për shembull në bërjen e rivizitave, flisni me mbikëqyrësin e studimit të librit. Ndoshta ai mund të marrë masat që të punoni me një lajmëtar me përvojë në grupin tuaj. Dhe do të bëheni më të aftë në drejtimin e studimeve biblike nëse u kushtoni vëmendje metodave të mësimdhënies që përdor mbikëqyrësi i studimit të librit ndërsa drejton studimin e librit.—1 Kor. 4:17.
6. Pse duhet të përpiqemi të përfitojmë plotësisht nga studimi i librit?
6 Çfarë bekimi është Studimi i Librit i Kongregacionit! Kjo masë e dashur nga Jehovai na ndihmon të vazhdojmë të ruajmë ekuilibrin frymor në këto kohë të vështira.—Psal. 26:12.