Studimi i Librit të Kongregacionit: Pse kemi nevojë për të?
1. Cilat ishin fillimet e para të mbledhjes së Studimit të Librit të Kongregacionit?
1 Në vitin 1895, grupet e studimit të Studentëve Biblikë, siç quheshin në atë kohë Dëshmitarët e Jehovait, njiheshin me emrin Grupet e Agimit për Studimin e Biblës. Studimi bazohej në vëllimet Agimi i Mijëvjeçarit. Më vonë këto mbledhje u quajtën Grupet Berease për Studimin e Biblës. (Vep. 17:11) Shpesh një grup i vogël mblidhej në një shtëpi gjatë një mbrëmjeje që ishte më e përshtatshme për grupin. Këto mbledhje ishin pararendëset e Studimit të Librit të Kongregacionit.
2. Si mund të japim ndihmën tonë për «një shkëmbim inkurajimi» në Studimin e Librit?
2 Inkurajim dhe mbështetje: Jo më kot ata që marrin pjesë në grupet e Studimit të Librit janë të paktë në numër. Kjo bëhet me qëllim që të pranishmit të kenë më tepër mundësi për të shprehur besimin e tyre me anë të komenteve. Kjo sjell «një shkëmbim inkurajimi . . . , secili me anë të besimit të tjetrit».—Rom. 1:12.
3, 4. Në ç’mënyrë na ndihmon mbledhja e Studimit të Librit që të kryejmë në mënyrë sa më të plotë shërbimin?
3 Nëse i kushtojmë vëmendje mësimdhënies së mbikëqyrësit të Studimit të Librit, kjo mund të na ndihmojë ta ‘përdorim drejt fjalën e së vërtetës’. (2 Tim. 2:15) Vini re se si i thekson Shkrimet ku bazohet materiali. Nëse është e përshtatshme për botimin që po shqyrtohet, ai mund të theksojë pikat kyçe me anë të një përsëritjeje përmbyllëse vetëm duke përdorur Biblën. Shembulli i tij i mirë mund të na ndihmojë të përmirësojmë mësimdhënien tonë në shërbimin e krishterë.—1 Kor. 11:1.
4 Mbikëqyrësi jo vetëm drejton mësimin e javës, por edhe merr drejtimin në predikim. Në bashkëpunim me mbikëqyrësin e shërbimit, ai merr masa praktike për në shërbim. Ai mundohet që t’i mbështetë të gjithë në grup në mënyrë që të përmbushin përgjegjësinë e tyre të krishterë për të predikuar lajmin e mirë dhe për të bërë dishepuj.—Mat. 28:19, 20; 1 Kor. 9:16.
5. Çfarë ndihme mund të marrë secili prej nesh nëpërmjet Studimit të Librit?
5 Mbikëqyrësi i Studimit të Librit interesohet për shëndetin frymor të secilit në grup. Ai e shfaq këtë interes gjatë mbledhjeve të kongregacionit dhe kur del në shërbim me ta. Gjithashtu përfiton nga rasti për t’i inkurajuar edhe kur u bën vizita në shtëpi. Të gjithë janë të mirëpritur t’i drejtohen mbikëqyrësit të Studimit të Librit sa herë që kanë nevojë për ndihmë frymore.—Isa. 32:1, 2.
6. (a) Si e kanë forcuar njëri-tjetrin vëllezërit tanë në disa vende gjatë mbledhjeve në grupe më të vogla? (b) Po ju, a keni nxjerrë dobi nga mbledhja e Studimit të Librit?
6 Forcojmë njëri-tjetrin: Në ato vende ku vepra e popullit të Perëndisë është e ndaluar, vëllezërit shpesh mblidhen në grupe më të vogla. Një vëlla kujton: «Edhe pse veprimtaritë tona të krishtere ishin ndaluar, sa herë na jepej mundësia i mbanim mbledhjet javore në grupe nga 10 deri në 15 veta. Mbledhjet na forconin frymësisht, si me anë të studimit të Biblës, ashtu edhe me anë të shoqërisë së njëri-tjetrit pas studimit. Shkëmbenim përvojat tona, dhe kjo na ndihmonte të kuptonim që secili prej nesh kishte të njëjtën betejë.» (1 Pjet. 5:9) Le ta forcojmë edhe ne njëri-tjetrin në të njëjtën mënyrë duke e mbështetur plotësisht Studimin e Librit të Kongregacionit.—Efes. 4:16.