Zbulesa—Plotësimi i saj madhështor është afër!
1 «Lum ai që i lexon me zë dhe ata që i dëgjojnë fjalët e kësaj profecie! Lum ata që i zbatojnë gjërat e shkruara në të, sepse koha e caktuar është afër!» (Zbul. 1:3) Këto fjalë theksojnë vlerën e librit të Zbulesës, sidomos tani që jetojmë në kohën e caktuar kur shumë nga profecitë e saj do të përmbushen. Ja pse nga java që fillon më 8 janar 2007, në Studimin e Librit të Kongregacionit do të fillojmë të studiojmë librin Zbulesa—Plotësimi i saj madhështor është afër!
2 Që herën e fundit, kur studiuam librin Plotësimi i Zbulesës në Studimin e Librit të Kongregacionit, skena e botës ka ndryshuar në shumë drejtime. (1 Kor. 7:31) Përveç kësaj, shumë të tjerë që janë shtuar në radhët e atyre që predikojnë lajmin e mirë të Mbretërisë, nuk kanë pasur mundësi ta shqyrtojnë varg për varg librin e Zbulesës. Studimi i librit Plotësimi i Zbulesës do të na ndihmojë të gjithëve të qëndrojmë zgjuar ndaj asaj që do të sjellë e ardhmja.—Zbul. 16:15.
3 Vini si synim që çdo javë të jeni të pranishëm. Ky material jo vetëm do të na ndihmojë të qëndrojmë vigjilentë, por mesazhet që Jezui u dha shtatë kongregacioneve do të na vlejnë edhe që të shmangim situata e rrethana që mund të ndikojnë për keq në gjendjen tonë frymore dhe në pjesëmarrjen tonë në shërbim.—Zbul. 1:11, 19.
4 Të përgatitemi mirë: Sa herë keni studimin e librit, lexoni më parë vargjet nga libri i Zbulesës që do të shqyrtohen. Kushtojini vëmendje shpjegimeve që jepen duke arsyetuar nga Shkrimet. Përpiquni të fitoni një kuptueshmëri që do t’ju motivojë. (Neh. 8:8, 12) Lini kohë për të medituar dhe për t’i bërë vetes këto pyetje: ‘Çfarë më tregon kjo për Jehovain dhe për përmbushjen e qëllimit të tij? Si mund të veproj në përputhje me qëllimin e tij dhe si mund t’i ndihmoj të tjerët?’
5 Kanë kaluar nëntëdhjetë e dy vjet që nga fillimi i ‘ditës së Zotërisë’ në vitin 1914. (Zbul. 1:10) Ngjarjet tronditëse që parathuhen në librin e Zbulesës na presin përpara. Studimi i librit Plotësimi i Zbulesës do të na përtërijë zemrën dhe mendjen e do të na forcojë besimin që ‘lufta e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’ dhe bota e re janë afër.—Zbul. 16:14; 21:4, 5.