Kanë lënë një shembull besnikërie
1 Viti 1937 shënoi fillimin e një forme të re të shërbimit të plotkohor: shërbimin si pionier special. Burra dhe gra të aftë e me përvojë në shërbimin e krishterë, me dëshirë pranuan të shërbenin atje ku do t’i caktonte organizata. Tani, pas disa dekadash, pionierët specialë vazhdojnë të lënë një shembull besnikërie që ia vlen të imitohet.—Hebr. 6:12.
2 Morën drejtimin: Në fillim, pionierët specialë predikonin me anë të një gramafoni portativ që e vinin te dera e të zotit të shtëpisë. Përdornin edhe pjesë të regjistruara si bazë për të zhvilluar bisedat në rivizita. Kjo bëhej në qytet e mëdha, atje ku tashmë kongregacionet ishin formuar. Më vonë, pionierët specialë u dërguan në zonat ku kishte më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Ndiqnin interesin e atyre që donin të dinin më shumë dhe drejtonin studime biblike. Si rezultat i këtyre përpjekjeve të zellshme, u formuan qindra kongregacione të reja. Predikimi i tyre i palodhur kontribuoi që organizata të merrte përmasat e sotme. (Isa. 60:22) Pionierët specialë vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në shpalljen e lajmit të mirë «të gjitha krijesave nën qiell».—Kolos. 1:23.
3 Ia vlen t’i imitojmë: Disa pionierë specialë prej dekadash shërbejnë si shërbëtorë në kohë të plotë. Gjatë viteve, besimi i këtyre burrave e grave besnike është sprovuar në rrethana të ndryshme. (1 Pjet. 1:6, 7) Me vullnet kanë sakrifikuar rehatinë materiale që të shërbejnë në ato vende që kanë nevoja të veçanta. Disa tani janë në moshë të thyer dhe kanë probleme me shëndetin ose përballen me situata të tjera të vështira. (2 Kor. 4:16, 17) Prapëseprapë, ata ‘janë të harlisur, edhe kur janë flokëzbardhur’. (Psal. 92:14) E mbështetin besimin te Jehovai dhe gëzojnë bekimet e tij.—Psal. 34:8; Prov. 10:22.
4 Sigurisht që pionierët specialë meritojnë përgëzimet tona më të sinqerta. Nëse keni privilegjin të keni pionierë specialë në kongregacionin tuaj, mos humbisni asnjë rast për të kaluar kohë me ta dhe për të përfituar sa më shumë nga përvoja që kanë. Tregoni se e vlerësoni shërbimin që kryejnë ata si lajmëtarë besnikë të Mbretërisë. Inkurajohuni nga qëndrueshmëria e tyre. Të gjithë ata që imitojnë besimin e pionierëve specialë, mund të gëzojnë njëlloj miratimin dhe bekimet e Jehovait, sepse «ata që veprojnë me besueshmëri, janë kënaqësi për të».—Prov. 12:22.