Dëshmia në grup sjell gëzim
1 Kur Jezui po i dërgonte 70 dishepujt për të predikuar, u mësoi çfarë të thoshin, i organizoi në grupe prej dy vetash dhe u tregoi territorin ku duhej të predikonin. Këto gjëra i ndihmuan të kishin gëzim. (Luka 10:1-17) Po ashtu edhe sot, dëshmia në grup e aftëson, e organizon dhe e inkurajon popullin e Perëndisë në veprën e predikimit.
2 Pleqtë marrin drejtimin: Pleqtë luajnë një rol të domosdoshëm për t’i ndihmuar të gjithë që të marrin pjesë rregullisht në veprën e predikimit. Mbikëqyrësi i shërbimit merr drejtimin për të organizuar shërbimin gjatë ditëve të javës. Çdo mbikëqyrës i Studimit të Librit është përgjegjës që të organizojë veprën për grupin e tij, sidomos në fundjavë. Në rastet kur i gjithë kongregacioni mblidhet për të dalë në shërbim, si për shembull pas Studimit të Kullës së Rojës, secili mbikëqyrës i studimit të librit duhet të kujdeset për nevojat e grupit të tij.
3 «Siç ka hije dhe me rregull»: Ai që është caktuar të drejtojë mbledhjen për shërbim duhet ta fillojë në orar dhe ta drejtojë mbledhjen për 10 ose 15 minuta. Është më mirë që ai t’i organizojë grupet dhe t’u caktojë territorin (në rast se nuk ka mbikëqyrës të studimit të librit që të kujdesen për këtë, siç u tha më sipër) përpara se të përfundojë me një lutje. Kështu nuk do të jetë e nevojshme që lajmëtarët të grumbullohen në territor, duke u rënë në sy të tjerëve, pasi kjo mund t’i ulë dinjitetin veprës sonë. Gjithashtu, kjo është në përputhje me këshillën e Pavlit: «Çdo gjë le të ndodhë siç ka hije dhe me rregull.» (1 Kor. 14:40) Të gjithë ata që vijnë në këto mbledhje për shërbim duhet të ndihmojnë që kjo masë të ketë sukses. Për ta arritur këtë, duhet të vijnë në kohë, të bashkëpunojnë plotësisht me atë që merr drejtimin dhe të nisen menjëherë për në territor, sapo të mbarojë mbledhja.
4 Të mbledhur së bashku në unitet: Dëshmia në grup është një mundësi e shkëlqyer për të njohur vëllezërit dhe motrat e kongregacionit. Vërtet që nuk është e gabuar të marrim takim që më përpara për të dalë me dikë në shërbim. Megjithatë, mund të jetë po aq e kënaqshme të ndjekim mbledhjet për shërbim pa marrë takim që më përpara. Ndoshta do të na caktojnë të dalim në shërbim me ndonjë që nuk e njohim mirë, kështu do të kemi mundësinë ‘të zgjerohemi’ në dashurinë tonë.—2 Kor. 6:11-13.
5 Dëshmia në grup na jep zemër dhe na afron më shumë si «bashkëpunëtorë në të vërtetën». (3 Gjon. 8) Le të marrim pjesë sa më shumë në të!