A mund t’i hapim shtëpitë tona?
1 Në shekullin e parë, shumë të krishterë vunë në dispozicion shtëpitë e tyre për të zhvilluar mbledhjet e kongregacionit. (1 Kor. 16:19; Kol. 4:15; Fil. 1, 2) Sot në disa kongregacione nuk ka mjaft vende ku mund të zhvillohen Studimi i Librit të Kongregacionit dhe mbledhjet për shërbimin në fushë. Kjo mund të bëjë që disa grupe të Studimit të Librit të kenë 30 ose më shumë pjesëmarrës, shumë më tepër se numri i parapëlqyer: rreth 15 veta.
2 Një privilegj i shkëlqyer: A keni menduar ndonjëherë që të hapni shtëpinë tuaj për të mbajtur Studimin e Librit të Kongregacionit? Një dhomë e bollshme, e pastër, e ndriçuar dhe e ajrosur mirë është e përshtatshme për këtë qëllim. Studimi i Librit është një mbledhje e kongregacionit dhe pjesë e masave që ka marrë Jehovai për të mësuar popullin e tij. Është një privilegj i shkëlqyer që Studimi i Librit të mbahet në shtëpinë tuaj. Shumë veta tregojnë se kanë përfituar frymësisht, sepse kanë hapur shtëpitë e tyre për këtë qëllim.
3 Nëse mendoni se shtëpia juaj është e përshtatshme, bëjuani menjëherë të ditur pleqve. Ndoshta ata po kërkojnë vende të tjera. Nëse nuk është e mundur që të mbahet Studimi i Librit në shtëpinë tuaj, a mund të bëhen mbledhjet për shërbimin në fushë? Edhe në qoftë se tani për tani nuk ka një nevojë të tillë, pleqtë do t’ju jenë mirënjohës që vutë në dispozicion shtëpinë tuaj. Mund ta keni këtë privilegj në të ardhmen.
4 Të shfaqim një sjellje të mirë: Kur mblidhen në shtëpi private, të gjithë pjesëmarrësit duhet të tregojnë respekt për pronën e të zotit të shtëpisë. Prindërit duhet të sigurohen që fëmijët të qëndrojnë në vendin e caktuar për studimin dhe jo të shkojnë në mjediset e tjera të shtëpisë. Duhet të kemi parasysh edhe fqinjët, duke pasur kujdes që të mos i shqetësojmë pa qenë nevoja.—2 Kor. 6:3, 4; 1 Pjet. 2:12.
5 Hebrenjve 13:16 na inkurajon të mos harrojmë «të bëjmë të mirën dhe të ndajmë gjërat me të tjerët, sepse Perëndia kënaqet me sakrifica të tilla». Të hapni shtëpinë për një mbledhje kongregacioni është një mënyrë e shkëlqyer për të ndarë gjërat e mira me të tjerët dhe për të «nderuar Jehovain me gjërat tuaja me vlerë».—Prov. 3:9.