Të jemi të kënaqur me atë që kemi
1 Shkrimet na këshillojnë që të plotësojmë nevojat materiale të familjes sonë, por ky nuk duhet të jetë synimi ynë kryesor në jetë. Gjërat frymore duhet të zënë vendin e parë. (Mat. 6:33; 1 Tim. 5:8) Në këto «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar» është një sfidë të gjejmë drejtpeshimin e duhur. (2 Tim. 3:1) Çfarë do të na ndihmojë për këtë?
2 Të përvetësojmë pikëpamjen e Biblës: Fjala e Perëndisë na paralajmëron se rendja pas pasurive mund të çojë në rrënim frymor. (Ekl. 5:10; Mat. 13:22; 1 Tim. 6:9, 10) Në këto kohë kritike, do të ishte shkatërrimtare për secilin nga ne të shqetësoheshim aq shumë për punën ose çështjet financiare, sa t’i kalonim veprimtaritë frymore—mbledhjet, studimin dhe shërbimin—në vend të dytë në jetën tonë. (Luka 21:34-36) Nga ana tjetër, Bibla këshillon: «Nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.»—1 Tim. 6:7, 8.
3 Kjo nuk do të thotë që të krishterëve u kërkohet të jetojnë në një varfëri të vetëdetyruar. Por këshilla na ndihmon të përcaktojmë se cilat janë në të vërtetë nevojat tona materiale, domethënë ushqimi e veshja e mjaftueshme dhe strehimi i përshtatshëm për vendin ku jetojmë. Nëse i kemi mjetet e nevojshme për të jetuar, nuk duhet të kërkojmë vazhdimisht një standard më të lartë jetese. Kur mendojmë që të blejmë diçka ose të fillojmë ndonjë punë shtesë, bëjmë mirë të pyesim veten: ‘A kam vërtet nevojë për këtë?’ Një mënyrë e tillë të vepruari do të na ndihmojë t’i vëmë veshin këshillës së frymëzuar: «Mënyra juaj e të jetuarit le të jetë pa dashuri për para, ndërsa jeni të kënaqur me gjërat e pranishme.»—Hebr. 13:5.
4 Nëse mbështetemi te Jehovai, ai do të na bekojë. (Prov. 3:5, 6) Ndonëse na duhet të punojmë shumë për të plotësuar nevojat e përditshme, nuk e përqendrojmë jetën te këto gjëra. Edhe nëse kemi pak, edhe nëse kemi shumë, ne mbështetemi te Jehovai për të plotësuar nevojat tona. (Filip. 4:11-13) Si pasojë, provojmë kënaqësinë që vjen nga Perëndia dhe marrim shumë bekime të tjera.
5 Të imitojmë besimin e të tjerëve: Një prind i vetëm që po e rriste të bijën në udhën e së vërtetës, e thjeshtoi në mënyrë të vazhdueshme jetën e tij. Megjithëse kishte një shtëpi të rehatshme, u transferua në një shtëpi më të vogël e më vonë në një apartament. Kjo i dha mundësi të pakësonte orët e punës, që t’i kushtonte kështu më shumë kohë shërbimit. Pasi e bija u rrit e u martua, nëna doli para kohe në pension, edhe pse kjo nënkuptonte një pakësim të mëtejshëm të të ardhurave të saj. Sot, kjo motër është në vitin e shtatë të shërbimit si pioniere e rregullt dhe nuk i vjen keq për sakrificat materiale që ka bërë për t’i vënë interesat e Mbretërisë në vend të parë në jetë.
6 Një plak kongregacioni dhe gruaja e tij shërbyen për shumë vjet si pionierë e ndërkohë rritën edhe tre fëmijë. Të gjithë në familje mësuan të kënaqen me plotësimin e nevojave të tyre e jo me plotësimin e dëshirave. Vëllai thotë: «Na u desh të bënim një jetë më të thjeshtë. Megjithëse kemi patur disa periudha të vështira, Jehovai na ka siguruar gjithmonë atë që kishim nevojë . . . Kur shoh familjen se si i vë në vend të parë interesat frymore, e ndiej se gjithçka shkon siç duhet dhe provoj kënaqësi.» Gruaja e tij shton: «Kur e shoh [burrin] të zënë me gjërat frymore, provoj një kënaqësi të thellë brenda vetes.» Edhe fëmijët janë të lumtur që prindërit e tyre vendosën t’i shërbenin Jehovait në kohë të plotë.
7 Të gjithëve atyre që zgjedhin udhën e përkushtimit hyjnor në vend që të jepen pas interesave materiale, Bibla u premton bekime të pasura si tani, ashtu edhe në sistemin e ri që po vjen.—1 Tim. 4:8.