Ta përdorim sa më mirë literaturën që kemi
1 Sa mirënjohës jemi për botimet që siguron Jehovai nëpërmjet organizatës së tij. Me anë të tyre ai dëshiron të na ushqejë sa më mirë frymësisht. Por kjo literaturë nuk është vetëm për ne. Ajo është e vlefshme për veprën tonë të predikimit dhe të bërjes së dishepujve. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Nëse i shohim këto botime si mjete të dhëna nga Perëndia për të përhapur të vërtetën, do të bëjmë përpjekje të ndërgjegjshme për t’ua shpërndarë ato njerëzve.
2 Ka raste që njerëzit janë vërtet shumë të zënë në çastin kur i vizitojmë. A kemi provuar ndonjëherë që t’u përgjigjemi kështu: «Meqë tani nuk keni kohë për të biseduar, a mund t’i pranoni këto dy revista? Mund t’i lexoni kur të keni pak kohë dhe të mësoni më shumë rreth premtimit të Perëndisë për diçka të re.» Shumë përvoja flasin për individë që janë ndihmuar ta njohin të vërtetën, duke lexuar qoftë dhe vetëm një nga revistat tona.
3 Disa herë duket se nuk është e përshtatshme të ofrojmë literaturë. Por, nëse mbajmë parasysh se dikush mund ta lexojë literaturën e të nxjerrë dobi prej saj, qoftë ky personi me të cilin bisedojmë, qoftë një pjesëtar tjetër i familjes, ne do ta ofrojmë literaturën sa herë që të jetë e përshtatshme.
4 Edhe pse Shërbimi Ynë i Mbretërisë na sugjeron se çfarë literature mund të ofrojmë çdo muaj, nuk duhet të mendojmë se nuk mund të përdorim literaturë tjetër në shërbim. Disa herë ndodh që takojmë individë, të cilët na thonë se po përballojnë probleme familjare. Ata mund të kenë fëmijë të vegjël ose fëmijë në moshën e adoleshencës. Kështu që mendojmë se librat Sekreti i Lumturisë Familjare, Të rinjtë pyesin ose disa botime të tjera do të ishin veçanërisht të përshtatshëm për këta individë. Në një rast tjetër, i zoti i shtëpisë mund të shprehë dyshimin e tij për ekzistencën e Perëndisë. Ndoshta për të janë të dobishëm librat Krijimi ose Krijuesi. Disa mund të mendojnë se kur dikush tregon interes është më mirë t’ia sjellin librin ose broshurën e përshtatshme kur të kthehen për ta rivizituar. Megjithatë, shpesh është e vështirë ta gjejmë personin për herën e dytë kështu që ai mund të humbasë rastin për të lexuar diçka që mund t’i prekte zemrën. Prandaj, të gjithë jemi të nxitur që të marrim me vete botime të ndryshme kur dalim në shërbim dhe t’i ofrojmë pa ngurruar në çdo rast të përshtatshëm.
5 Në Shqipëri kemi dy botime të veçanta për të cilat organizata ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme: Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re dhe broshura për myslimanët Udhëheqja e Perëndisë: Rruga jonë për në Parajsë. A po i prezantojmë këto botime në fushë? A po i ofrojmë nga shtëpia në shtëpi dhe gjatë rivizitave? Pleqtë do të marrin masa që të ketë një sasi të mjaftueshme të këtyre botimeve në repartin e literaturës. Nëse i marrim me vete në shërbim dhe i ofrojmë, tregojmë çmueshmëri për këto botime të mrekullueshme dhe për përpjekjet që janë bërë për t’i pasur ato.
6 Nuk duhet të përmbahemi asnjëherë për ta mbjellë farën e Mbretërisë, sepse ngurrojmë të përmendim se si financohet vepra. Në të njëjtën kohë nevojitet edhe aftësia shquese, me qëllim që literatura jonë të mos hidhet në «gurishte». (Marku. 4:5, 6, 16, 17) Disa kanë përdorur me sukses këtë shprehje të thjeshtë: «Megjithëse ofrojmë literaturën pa pagesë, jemi të kënaqur nëse mund të jepni një kontribut të vogël për veprën tonë.» Për ata që e çmojnë lajmin e mirë që sjellim është një kënaqësi të kontribuojnë për ta mbështetur këtë lajm nga ana materiale.—Krahaso Mateu 10:42.
7 Po në qoftë se takojmë njerëz që janë vërtet të interesuar, por që nuk kanë mundësi të kontribuojnë për literaturën? Mund të ketë raste kur ndërgjegjja na nxit të mendojmë se është e përshtatshme t’u japim atyre ndonjë botim. Megjithatë, nuk duhet ta bëjmë zakon që ta japim literaturën në këtë mënyrë, veçanërisht nëse vërejmë që individi nuk tregon asnjë interes.
8 Le të vazhdojmë të tregojmë çmueshmëri dhe ta përdorim literaturën e shkëlqyer që ka siguruar organizata e Jehovait.