Gëzimet e shërbimit të plotkohor
1 Si një i ri, pa dyshim që ke menduar rreth të ardhmes sate. Te Proverbat 21:5 na thuhet se «planet e atij që ngulmon bëhen me siguri për përfitim». (BR) Do të jetë në dobinë tënde të mendosh seriozisht për synimet e tua në jetë. Ndërsa bën plane për të ardhmen shqyrto mundësinë për të filluar shërbimin e plotkohor. Përse?
2 Pyeti disa të rritur që shërbyen si pionierë gjatë viteve kur ishin më të rinj se cilat janë mbresat e tyre dhe secili do të të thotë të njëjtën gjë: «Ishin vitet më të mira të jetës!» Një vëlla që përjetoi gëzimet e shërbimit të plotkohor që nga rinia e tij, vite më vonë tha: «Është burim i një kënaqësie të thellë të mendosh për kohën e rinisë e të jesh në gjendje të thuash se ia ke vënë veshin këshillës së mençur: ‘Kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate.’ » (Ekl. 12:1) Kjo kërkon një planifikim të kujdesshëm që tani, nga ti dhe prindërit e tu, për t’i hapur udhën mundësisë që të provosh këtë lloj gëzimi në djalërinë ose vajzërinë tënde.
3 Prindër, nxitni shërbimin e plotkohor: Jehovai, si një atë i dashur, ju tregon saktësisht në cilën udhë të shkoni. (Isa. 30:21) Ai lë një shembull të shkëlqyer për ju si prindër të krishterë, duke siguruar këtë udhëheqje të dashur. Në vend që t’ua lini në dorë fëmijëve tuaj të zgjedhin se cila është udha më e mirë për ta, stërvitini me mençuri në udhën që duhet të ndjekin për të pasur bekimin e Jehovait. Më vonë, kur të rriten, stërvitja juaj do t’i ndihmojë ‘të shquajnë si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën’. (Hebr. 5:14) Të rriturit e dinë nga përvoja se nuk mund të mbështeten në gjykimin e tyre, por duhet të mbështeten te Jehovai për t’i drejtuar shtigjet e tyre. (Prov. 3:5, 6) Aq më tepër kanë nevojë ta bëjnë këtë të rinjtë që kanë më pak përvojë në jetë.
4 Prindër, ndërsa fëmijët tuaj u afrohen viteve të adoleshencës, madje edhe më herët, flitni me ta në mënyrë realiste rreth synimeve të tyre për karrierën që duan të ndjekin. Këshilltarët e shkollës, mësuesit dhe shokët e klasës do të përpiqen të ndikojnë tek ata për t’i bërë që të zgjedhin synimet materialiste të kësaj bote. Ndihmojini fëmijët që të zgjedhin ato degë në shkollë që sigurojnë stërvitje praktike, që i pajisin me aftësi për t’u kujdesur për nevojat e tyre materiale pa sakrifikuar interesat e Mbretërisë. (1 Tim. 6:6-11) Në shumë raste, një arsimim i mesëm bashkë me specializimin profesional dhe/ose mësimin e një zanati, mund të jetë ajo që kërkohet për t’u kujdesur në një masë të mjaftueshme për nevojat e jetës kur fillon shërbimin si pionier i rregullt.
5 Nxitini të rinjtë të përqendrohen në dhuratën e beqarisë. Nëse më vonë vendosin të martohen, do të jenë më në gjendje që të marrin përsipër përgjegjësitë më të mëdha të martesës. (Shih paragrafin 19 në shtojcën e Shërbimi ynë i Mbretërisë, qershor 2001, «A mund të jemi të gatshëm?») Duke folur në mënyrë pozitive rreth shërbimit si pionier, shërbimit ku ka më shumë nevojë, shërbimit në Bethel dhe veprimtarisë misionare, ngulitni te të rinjtë, madje që në moshë të vogël, dëshirën për ta përdorur jetën e tyre në një mënyrë që i pëlqen Jehovait, që u sjell dobi të tjerëve dhe që u sjell gëzim atyre vetë.
6 Të rinj, vini në vend të parë shërbimin e plotkohor: Nuk ka nevojë që ju të rinj të hamendeni lidhur me atë se si është vepra e pionierit. Mund ta provoni atë në një masë të reduktuar, duke shërbyer si pionierë ndihmës, sa herë që është e mundur gjatë vitit shkollor dhe në periudhën e pushimeve. Atëherë do ta kuptoni se sa i kënaqshëm është në të vërtetë shërbimi si pionier! A mund të bëni plane që më përpara për të shërbyer si pionierë ndihmës, duke filluar nga tani e deri në fund të verës?
7 Nëse je një vëlla në moshë të re në organizatën e Perëndisë, mendo seriozisht edhe rreth synimit për t’u kualifikuar si shërbëtor ndihmës. (1 Tim. 3:8-10, 12) Veç kësaj, vendos kur të arrish moshën e kërkuar, nëse dëshiron që të bësh kërkesën për shërbimin në Bethel ose që të ndjekësh Shkollën e Stërvitjes për Shërbim. Përvoja jote në shërbimin si pionier do të të mësojë gjëra të vlefshme, si për shembull, si të jetosh sipas një programi, si të përmirësosh mënyrën në të cilën organizohesh, si të shkosh mirë me të tjerët dhe si të zhvillosh një ndjenjë përgjegjësie. Të gjitha këto do të të përgatitin për privilegje edhe më të mëdha shërbimi më vonë.
8 Një faktor kyç për të pasur sukses në shërbimin e plotkohor, është të kesh një frymë të papërtuar për sa u përket çështjeve teokratike. Apostulli Pavël e nxiti një qëndrim të tillë dhe tregoi bekimet që do të sillte kjo: «Çfarëdo që të bëni, përpiquni për të me gjithë shpirt si për Jehovain, . . . sepse ju e dini që nga Jehovai do të merrni shpërblimin e duhur.» (Kolos. 3:23, 24) Jehovai ju bekoftë me shumë gëzime në shërbimin e plotkohor!