Si ta zhvillojmë aftësinë e të arsyetuarit?
1 Një përcaktim i fjalës «arsyetoj» është «të bisedosh me një tjetër për të ndikuar në veprimet ose opinionet e tij». Për të qenë edhe më të efektshëm në shërbim, ne duhet të kultivojmë aftësinë për të arsyetuar me ata që takojmë. (Vep. 17:2-4) Por si mund ta zhvillojmë këtë aftësi?
2 Kjo gjë fillon me meditimin: Kur studiojmë të vërtetat biblike, vërejmë se është e dobishme që të reflektojmë rreth materialit. Nëse disa pjesë të tij duken disi më të komplikuara, të gjejmë kohë për të bërë disa kërkime dhe për të medituar në lidhje me përgjigjet. Të përpiqemi të kuptojmë qartë jo vetëm shpjegimet që jepen, por edhe arsyetimet me bazë biblike për këto shpjegime.
3 Kërkohet të përgatitemi për shërbim: Të mendojmë rreth asaj se si do t’ua shpjegonim të vërtetën personave të llojeve të ndryshme. Për të nxitur interesin e personit, të formulojmë një pyetje që të bën të mendosh. Të përcaktojmë se si të bëjmë lidhjen me një pikë nga Bibla dhe të arsyetojmë në lidhje me të. Të parashikojmë kundërshtimet që mund të na bëjnë personat dhe të mendojmë se si t’i diskutojmë ato. Në botimin që ofrojmë, të veçojmë një pikë kryesore që do të gjente zbatim të gjerë.
4 Të ndjekim shembullin e Jezuit: Jezui la shembullin më të shkëlqyer për sa i përket të arsyetuarit me efektshmëri me anë të Shkrimeve. Për të analizuar mënyrën se si mësoi ai, le të shqyrtojmë tregimin që gjendet te Luka 10:25-37. Të vërejmë këtë seri veprimesh: (1) Të drejtojmë vëmendjen te Shkrimet kur u përgjigjemi pyetjeve të njerëzve. (2) T’i ftojmë që të shprehin mendimin e tyre dhe t’i lavdërojmë kur bëjnë komente të mprehta. (3) Të sigurohemi nëse është e qartë lidhja midis pyetjes dhe Shkrimeve. (4) Të përdorim një ilustrim që prek zemrën, për t’u siguruar që është kuptuar domethënia e vërtetë e përgjigjes.—Shiko Kulla e Rojës, 1 mars 1986, faqet 27-28, paragrafët 8-10, anglisht.
5 Të përdorim mjetet që na janë dhënë: Të arsyetojmë me anë të Shkrimeve, u botua si një libër për t’u mbajtur me vete në shërbim. Prezantimet në fillim të librit, përgjigjet për kundërshtimet e mundshme që mund të hasen në shërbim dhe pikat për të arsyetuar, na ndihmojnë që të zhvillojmë aftësinë e të arsyetuarit. Libri Të arsyetojmë është një mjet i vlefshëm që duhet ta marrim gjithmonë me vete në shërbim dhe të mos ngurrojmë ta përdorim kur hyjmë në diskutime biblike. Të rishikojmë faqet 7 dhe 8 të librit për të parë se si ta përdorim, në mënyrë që të nxjerrim sa më shumë dobi prej tij.
6 Zhvillimi i aftësisë së të arsyetuarit do të na bëjë edhe më të aftë për veprën e predikimit e të mësimit. Kjo gjë do të sjellë si rezultat bekime të pasura për ne dhe për ata që takojmë në shërbim.