Si bashkëpunojnë anëtarët e familjes për një pjesëmarrje të plotë në studimin biblik
1 E vërteta i jep një domethënie dhe qëllim të vërtetë jetës familjare, por suksesi në shërbimin ndaj Jehovait nuk vjen automatikisht. Kërkohet kohë dhe përpjekje për të ndërtuar një shtëpi të fortë frymësisht. Është shumë e nevojshme që anëtarët e familjes të punojnë ngushtësisht me njëri-tjetrin, ndërsa përpiqen ta arrijnë këtë gjë. Në një seri tripjesëshe artikujsh, ky është artikulli i parë që do të përqendrohet mbi mënyrën se si familjet mund të bashkëpunojnë për të zhvilluar zakone të mira studimi.
2 Duke lexuar Biblën çdo ditë: Proverbat 24:5 pohon se «njeriu i njohurisë e përforcon fuqinë e tij». (BR) Njohuria e fituar nga leximi i rregullt i Fjalës së Perëndisë i jep një personi forcën e brendshme të nevojshme për t’i rezistuar sulmeve që i bën Satanai gjendjes së tij frymore. (Psal. 1:1, 2) A e lexojmë Biblën çdo ditë së bashku si familje? Shkolla e Shërbimit Teokratik paraqet një «Program shtesë të leximit të Biblës» për çdo javë të vitit. Ndjekja e tij i kërkon një familjeje jo më shumë se dhjetë minuta kohë çdo ditë. Le të zgjedhim një kohë të përshtatshme, si p.sh., në mëngjes, pas ngrënies së darkës ose përpara se të shkojmë në shtrat, për të lexuar Biblën dhe për të shqyrtuar tekstin e ditës nga broshura Të shqyrtojmë shkrimet. Le ta bëjmë këtë pjesë të rutinës së përditshme të familjes sonë.
3 Duke studiuar së bashku çdo javë: Studimi familjar i Biblës duhet të jetë momenti më i këndshëm i javës për familjen. Çdo anëtar duhet ta mbështetë atë, duke marrë pjesë me zell në studim. Kreut të familjes i duhet që të marrë parasysh nevojat e familjes kur zgjedh materialin për studim, ditën, kohën dhe se sa do të zgjatë studimi. Le t’i japim përparësi studimit familjar në programin e javës. Të mos lejojmë që çështje më pak të rëndësishme të ndërhyjnë në këtë program.—Filip. 1:10, 11.
4 Një baba, të cilit i telefononin shpesh në shtëpi për çështje pune, e shkëputi telefonin gjatë studimit familjar. Nëse klientët vinin në shtëpi, ftoheshin që të merrnin pjesë në studim ose që të pritnin deri sa ai të përfundonte. Babai ishte i vendosur që asgjë të mos ndërhynte në studimin familjar. Kjo u bëri një përshtypje të thellë fëmijëve të tij dhe sa për punën, ajo i eci mbarë.
5 Ç’kënaqësi është kur anëtarët e familjes bashkëpunojnë në aktivitetet frymore! Përpjekjet tona të rregullta për të pasur një pjesëmarrje të plotë në studimin familjar të Biblës do të sjellin bekimin e Jehovait.—Psal. 1:3.