Studiojeni rregullisht si familje fjalën e Perëndisë
«Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë.»—MATEU 4:4.
1. Çfarë thotë Bibla mbi përgjegjësinë e kryefamiljarëve për t’u mësuar fëmijëve udhët e Jehovait?
PERËNDIA JEHOVA u ka dhënë kryefamiljarëve përkujtues të shpeshtë të përgjegjësisë së tyre për të mësuar fëmijët. Ky mësim do t’i pajisë fëmijët për jetën e tashme dhe mund të ndihmojë, gjithashtu, për t’i përgatitur për jetën që po vjen. Një engjëll i dërguar si përfaqësues i Perëndisë i theksoi Abrahamit përgjegjësinë e tij për të mësuar familjen në mënyrë që të ‘ndiqnin rrugën e Zotit’. (Zanafilla 18:19) Prindërve izraelitë iu tha t’u shpjegonin fëmijëve të tyre se si e kishte çliruar Perëndia Izraelin nga Egjipti dhe si u kishte dhënë Ligjin e tij në malin Sinai, në Horeb. (Eksodi [Dalja] 13:8, 9; Ligji i përtërirë 4:9, 10; 11:18-21) Kryefamiljarët e krishterë këshillohen që t’i rritin fëmijët e tyre «në disiplinë dhe në këshillë [në normën mendore, BR] të Zotit». (Efesianëve 6:4) Edhe sikur vetëm një prind t’i shërbejë Jehovait, ai duhet të përpiqet t’u mësojë fëmijëve udhët e Jehovait.—2. Timoteut 1:5; 3:14, 15.
2. A është i nevojshëm studimi familjar, nëse një familje nuk ka fëmijë? Shpjego.
2 Kjo nuk do të thotë se studimi familjar i Fjalës së Perëndisë është vetëm për ato familje që kanë fëmijë. Kur burri dhe gruaja bëjnë studim familjar edhe pse nuk kanë fëmijë, kjo tregon se ata kanë çmueshmëri të madhe për gjërat frymore.—Efesianëve 5:25, 26.
3. Pse është e rëndësishme rregullsia e studimit familjar?
3 Që të ketë efektin më të mirë, mësimi duhet dhënë rregullisht, në harmoni me mësimin që i dha Jehovai Izraelit në shkretëtirë: «Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por rron me çdo fjalë që del nga goja e Zotit.» (Ligji i përtërirë 8:3) Në varësi të rrethanave të tyre, disa familje mund të rregullojnë të bëjnë një studim javor, kurse të tjera mund të bëjnë një studim më të shkurtër përditë. Cilindo rregullim që të zgjidhni, mos ia lini studimin rastit. ‘Blini kohën’ për të! Çmimi që na duhet të paguajmë për të blerë këtë kohë është një investim i sigurt. Është në lojë jeta e pjesëtarëve të familjes.—Efesianëve 5:15-17, BR; Filipianëve 3:16.
Objektiva që duhen mbajtur në mendje
4, 5. (a) Nëpërmjet Moisiut, çfarë objektivi të rëndësishëm u vuri Jehovai prindërve kur mësonin fëmijët e tyre? (b) Çfarë përfshin kjo gjë sot?
4 Kur drejtoni studimin familjar, mësimi do të ketë më shumë efekt, nëse mbani në mendje disa objektiva të përcaktuara qartë. Të shqyrtojmë disa mundësi.
5 Në çdo studim, përpiquni të ndërtoni dashurinë për Perëndinë Jehova. Kur Izraeli ishte mbledhur në rrafshnaltën e Moabit, para se të hynin në Tokën e Premtuar, Moisiu e përqendroi vëmendjen e tyre mbi atë që Jezu Krishti më vonë e identifikoi si «urdhërimi më i madh i ligjit». Cili ishte ky? «Do ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde.» (Mateu 22:36, 37; Ligji i përtërirë 6:5) Moisiu i nxiti izraelitët që ta ngulitnin këtë ligj në zemrat e tyre dhe t’ua mësonin fëmijëve. Kjo gjë do të kërkonte që ata të përsëritnin gjërat, duke tërhequr vëmendjen mbi arsyet për ta dashur Jehovain, duke trajtuar qëndrimet dhe sjelljen që mund t’i pengonin ta shprehnin këtë dashuri dhe duke treguar dashuri për Jehovain në jetën e tyre. A kanë nevojë fëmijët tanë për të njëjtin lloj mësimi? Po! Ata, gjithashtu, kanë nevojë për ndihmë që të ‘rrethpresin zemrën e tyre’, domethënë të heqin prej saj çdo gjë që mund ta pengojë dashurinë për Perëndinë. (Ligji i përtërirë 10:12, 16; Jeremia 4:4) Disa nga këto pengesa mund të jenë: dëshira për gjërat e botës dhe për raste për t’u zhytur në aktivitetet e saj. (1. Gjonit 2:15, 16) Dashuria për Jehovain duhet të jetë aktive, shprehëse, duke na nxitur të bëjmë gjërat që i pëlqejnë Atit tonë qiellor. (1. Gjonit 5:3) Që studimi familjar të ketë dobi afatgjata, ai duhet të drejtohet çdo herë në një mënyrë që e përforcon këtë dashuri.
6. (a) Çfarë kërkohet për të dhënë njohuri të saktë? (b) Si e theksojnë Shkrimet rëndësinë e njohurisë së saktë?
6 Jepuni njohuri të saktë të kërkesave të Perëndisë. Çfarë përfshin kjo? Përfshin më shumë sesa të lexohet një përgjigje nga revista ose nga libri. Zakonisht kërkon një diskutim për t’u siguruar se fjalët kyçe dhe idetë kryesore janë kuptuar qartë. Njohuria e saktë është një faktor thelbësor në veshjen e personalitetit të ri, në mbajtjen e përqendrimit mbi gjërat vërtet të rëndësishme kur u bëjmë ballë problemeve të jetës dhe, si pasojë, në bërjen e asaj që i pëlqen vërtet Perëndisë.—Filipianëve 1:9-11; Kolosianëve 1:9, 10; 3:10.
7. (a) Cilat pyetje mund ta ndihmojnë familjen që t’i bëjë një zbatim praktik materialit të studimit? (b) Si e theksojnë Shkrimet vlerën e një objektivi të tillë?
7 Ndihmojini për ta zbatuar në praktikë atë që mësojnë. Duke pasur këtë objektiv në mendje, gjatë çdo studimi familjar pyesni: ‘Si duhet të ndikojë ky material në jetën tonë? A na kërkon ndonjë ndryshim nga ajo që po bëjmë aktualisht? Pse duhet të dëshirojmë të bëjmë ndryshime?’ (Fjalët e urta [Proverbat] 2:10-15; 9:10; Isaia 48:17, 18) Dhënia e një vëmendjeje të mjaftueshme ndaj zbatimit praktik të gjërave që mësohen, mund të jetë një faktor i rëndësishëm në rritjen frymore të pjesëtarëve të familjes.
Të përdorim me mençuri mjetet e mësimdhënies
8. Çfarë mjetesh ka siguruar klasa e skllavit, për të studiuar Biblën?
8 «Skllavi i besueshëm dhe i matur» ka siguruar një bollëk mjetesh që mund të përdoren për të studiuar. Revista Kulla e Rojës, e cila përdoret së bashku me Biblën, është në dispozicion në 131 gjuhë. Për të studiuar Biblën ka libra në 153 gjuhë, broshura në 284 gjuhë, kaseta në 61 gjuhë, videokaseta në 41 gjuhë e madje edhe një program kompjuteri për kërkime biblike në 9 gjuhë!—Mateu 24:45-47, BR.
9. Si mund t’i zbatojmë këshillat e shkrimeve të përmendura në këtë paragraf, kur kemi studimin e Kullës së Rojës si familje?
9 Shumë familje e përdorin kohën e studimit të tyre familjar për t’u përgatitur për studimin e Kullës së Rojës që bëhet në kongregacion. Sa e dobishme mund të jetë kjo! Kulla e Rojës përmban ushqimin kryesor frymor që sigurohet për të ndërtuar popullin e Jehovait në mbarë botën. Kur e studioni Kullën e Rojës si familje, mos bëni vetëm leximin e paragrafëve dhe përgjigjen për pyetjet e shkruara. Përpiquni me zell të fitoni kuptueshmëri. Lini kohë për të kërkuar shkrimet që janë përmendur, por nuk janë cituar. Ftojini pjesëtarët e familjes të komentojnë se si lidhen këto shkrime me atë që thuhet në paragrafin që po konsideroni. Përfshini edhe zemrën në studim.—Fjalët e urta 4:7, 23; Veprat 17:11.
10. Çfarë mund të bëhet për të përfshirë fëmijët në studim dhe për t’ua bërë atë të kënaqshëm?
10 Nëse keni fëmijë, çfarë mund të bëni për ta bërë studimin jo thjesht një rutinë monotone familjare, por një kohë ndërtuese, interesante e të lumtur? Përpiquni që çdo pjesëtar i familjes të marrë pjesë në një mënyrë të përshtatshme, me qëllim që vëmendja të mbetet e përqendruar në materialin e studimit. Në rast se është e mundur, çdo fëmijë duhet të ketë Biblën dhe revistën e vet. Duke imituar ngrohtësinë që shfaqi Jezui, një prind mund ta ulë fëmijën e vogël pranë vetes, ndoshta duke i hedhur krahun. (Krahaso Markun 10:13-16.) Një kryefamiljar mund t’i kërkojë njërit prej fëmijëve të shpjegojë figurën që gjendet në materialin e studimit. Një fëmijë i vogël mund të caktohet që më përpara për të lexuar një shkrim. Një më i rritur mund të caktohet që të nxjerrë në pah rastet se ku gjen zbatim praktik materiali i studimit.
11. Çfarë mjetesh të tjera mësimdhënieje janë siguruar dhe aty ku janë në dispozicion, si mund të përdoren ato lidhur me studimin familjar?
11 Edhe pse mund të jeni duke përdorur Kullën e Rojës si bazë për diskutimin tuaj, mos harroni mjetet e tjera të studimit që janë në dispozicion në shumë gjuhë. Nëse ka nevojë për të dhëna rreth kontekstit ose për një shpjegim të një shprehjeje biblike, përgjigjja mund të gjendet në vëllimet Mendjehollësi mbi Shkrimet (anglisht). Disa pyetjeve të tjera mund t’u gjendet përgjigjja, duke parë në Indeksin e botimeve Watch Tower (anglisht) ose duke përdorur programin për kompjuter që ka siguruar Shoqata për kërkime. Mësimi i përdorimit të këtyre mjeteve, nëse i keni në dispozicion në gjuhën tuaj, mund të jetë një pjesë me vlerë e studimit familjar. Me synimin që të nxitni interesin te të vegjlit, mund të lini pak kohë nga studimi për të parë pjesë të njërës nga videot ndërtuese të Shoqatës ose për të dëgjuar një pjesë drame në kasetë e pastaj të flitni rreth saj. Përdorimi i mirë i këtyre mjeteve të studimit mund të ndihmojë për ta bërë studimin interesant dhe dobiprurës për të gjithë familjen.
Përshtatjuni nevojave të familjes suaj
12. Çfarë roli mund të luajë studimi familjar kur duhen trajtuar disa nevoja urgjente të familjes?
12 Ndoshta me familjen zakonisht studioni artikullin e Kullës së Rojës për javën. Por, jini të gatshëm për të kuptuar problemet aktuale të familjes. Nëse nënës nuk i duhet të punojë jashtë shtëpisë, ajo mund të kalojë kohë me fëmijët çdo ditë kur kthehen nga shkolla. Disa situata mund të trajtohen në ato momente, kurse disa të tjera mund të kenë nevojë për vëmendje të mëtejshme. Kur familja ka nevoja urgjente, mos i shpërfillni ato. (Fjalët e urta 27:12) Këto nevoja mund të përfshijnë jo vetëm probleme shkollore, por edhe situata të tjera. Zgjidhni materialin e duhur dhe njoftojeni familjen që më përpara se çfarë do të studioni.
13. Pse mund të jetë i dobishëm diskutimi në familje se si të përballohet varfëria?
13 Për të marrë një shembull, një pjesë e madhe e tokës është e pllakosur nga varfëria, kështu që në shumë vende mund të jetë e nevojshme të diskutohet se si të përballohet ajo. A do të ishte i dobishëm për familjen tuaj një studim familjar i ndërtuar rreth situatave të jetës reale dhe rreth parimeve biblike?—Fjalët e urta 21:5; Predikuesi [Eklisiastiu] 9:11; Hebrenjve 13:5, 6, 18.
14. Cilat situata mund ta bëjnë të nevojshëm një diskutim familjar mbi pikëpamjen e Jehovait për dhunën, luftën dhe asnjanësinë e krishterë?
14 Një temë tjetër që ka nevojë për diskutim është dhuna. Që të gjithë duhet ta kemi të ngulitur fort në mendje e në zemër pikëpamjen e Jehovait. (Zanafilla 6:13; Psalmi 11:5) Studimi familjar i kësaj teme mund të sigurojë një vend ku të diskutohet se si mund të përballojmë rrugaçët në shkollë, nëse duhet të stërvitemi në artet marciale dhe se si të zgjedhim zbavitjen e përshtatshme. Konfliktet e dhunshme janë bërë një gjë e zakonshme dhe gati në çdo vend ka ose luftë civile, politike a grindje etnike, ose luftëra bandash. Si pasojë, familja mund të ketë nevojë të diskutojë se si të mbahet sjellja e krishterë kur jemi të rrethuar nga fraksione ndërluftuese.—Isaia 2:2-4; Gjoni 17:16.
15. Si u duhen dhënë fëmijëve udhëzimet rreth seksit dhe martesës?
15 Dora-dorës që rriten, fëmijët kanë nevojë për t’u mësuar rreth seksit dhe martesës, në varësi të moshës së tyre. Në disa kultura, shumica e prindërve nuk flasin kurrë për çështje seksuale me fëmijët e tyre. Duke qenë të painformuar, fëmijët mund të marrin pikëpamje të shtrembëruara nga të rinjtë e tjerë dhe rezultatet mund të jenë shkatërrimtare. A nuk do të ishte më mirë të imitonim Jehovain, i cili jep këshilla të drejtpërdrejta, por të hijshme, mbi këtë çështje në Bibël? Këshillat hyjnore do t’i ndihmojnë fëmijët tanë që të mbajnë respektin për veten dhe t’i trajtojnë me dinjitet personat e seksit të kundërt. (Fjalët e urta 5:18-20; Kolosianëve 3:5; 1. Thesalonikasve [Selanikasve] 4:3-8) Edhe po t’i keni trajtuar tashmë këto çështje, mos ngurroni t’i trajtoni përsëri. Me daljen e situatave të reja, përsëritja bëhet jetësore.
16. (a) Kur e bëjnë studimin familjar familje të ndryshme? (b) Si i keni kapërcyer pengesat për të pasur një studim të rregullt familjar?
16 Kur mund të bëhet studimi familjar? Duke imituar familjet Bethel përreth tokës, shumë familje e programojnë studimin e tyre të hënën në mbrëmje. Të tjerë bëjnë ndryshe. Në Argjentinë, një familje e përbërë nga 11 persona, duke përfshirë 9 fëmijët, ngrihet rregullisht në orën pesë çdo mëngjes për të bërë studimin familjar. Studimi nuk mund të bëhej në asnjë kohë tjetër, për shkak të orareve të ndryshme të punës. Nuk ishte e lehtë, por kjo gjë u nguliti në mendje dhe në zemër fëmijëve rëndësinë e studimit familjar. Në Filipine, një plak bënte studim të rregullt familjar me gruan dhe tre fëmijët, ndërsa ata rriteshin. Gjatë javës, prindërit bënin edhe studime personale me çdonjërin prej fëmijëve, në mënyrë që secili ta bënte të vetën të vërtetën. Në Shtetet e Bashkuara, një motër që nuk e ka burrin Dëshmitar, i shoqëron çdo mëngjes fëmijët deri tek autobusi i shkollës. Ndërsa janë duke pritur autobusin, ata kalojnë rreth dhjetë minuta së bashku, duke lexuar dhe trajtuar një material të përshtatshëm studimi nga Shkrimet dhe pastaj mamaja bën një lutje të shkurtër para se fëmijët të marrin autobusin. Në Republikën Demokratike të Kongos, një gruaje, burri jobesimtar i së cilës u largua nga shtëpia, i duhet të përpiqet shumë në studim, për shkak të arsimimit të kufizuar që ka. Djali i madh i saj ndihmon, duke marrë drejtimin në studim me mamanë dhe vëllezërit e tij më të vegjël, kur viziton familjen çdo javë. Mamaja lë një shembull të shkëlqyer duke u përgatitur me zell. A ka ndonjë situatë në familjen tuaj që e bën të vështirë studimin familjar rregullisht? Mos u dorëzoni! Kërkoni me zell bekimin e Jehovait në përpjekjet tuaja për të pasur një studim të rregullt biblik!—Marku 11:23, 24.
Shpërblime të qëndrueshmërisë
17. (a) Çfarë kërkohet për të pasur një studim të rregullt familjar? (b) Cila përvojë ilustron vlerën e mësimit të rregullt në familje të udhëve të Jehovait?
17 Duhet planifikim. Kërkohet qëndrueshmëri. Por, dobitë që vijnë nga studimi i rregullt familjar ia vlejnë. (Fjalët e urta 22:6; 3. Gjonit 4) Franci dhe Hilda nga Gjermania, kanë rritur 11 fëmijë. Vite më vonë, vajza e tyre Magdalena tha: «Ajo që sot e konsideroj më të rëndësishme është se nuk kishte as edhe një ditë që të mos merrnim mësim frymor.» Kur fryma e nacionalizmit u intensifikua nën Adolf Hitlerin, babai i Magdalenës përdori Biblën për ta përgatitur familjen për sprovat që e kuptonte se po vinin. Me kalimin e kohës, pjesëtarët më të vegjël të familjes i morën dhe i çuan në një shkollë reformimi, të tjerët i arrestuan dhe i mbajtën nëpër burgje e në kampe përqendrimi. Disa u ekzekutuan. Besimi i të gjithëve mbeti i palëkundur, jo vetëm gjatë asaj kohe persekutimi të egër, por edhe gjatë viteve që pasuan, për pjesëtarët e familjes që kishin mbetur gjallë.
18. Si janë shpërblyer përpjekjet e prindërve të vetëm?
18 Shumë prindër të vetëm, si edhe ata që nuk i kanë bashkëshortët me të njëjtin besim, u kanë siguruar në mënyrë të ngjashme mësim të rregullt biblik fëmijëve të tyre. Në Indi, një nënë e vetme, vejushë, punoi shumë për t’ua ngulitur dashurinë për Jehovain dy fëmijëve të saj. Por iu thye zemra kur djali i saj e ndërpreu shoqërimin me popullin e Jehovait. Ajo iu lut Jehovait që ta falte për ndonjë mangësi në stërvitjen e djalit. Megjithatë, djali nuk e kishte harruar me të vërtetë atë që kishte mësuar. Pas më shumë se një dekade, ai u kthye, bëri një përparim të shkëlqyer frymor dhe u bë plak kongregacioni. Tani, ai dhe gruaja e tij shërbejnë si pionierë në kohë të plotë. Sa mirënjohës janë ata prindër që e kanë marrë për zemër këshillën e Jehovait dhe të organizatës së tij, për të dhënë mësim të rregullt biblik brenda rrethit familjar! A po e zbatoni këtë këshillë në familjen tuaj?
A mund të shpjegosh?
◻ Pse është i rëndësishëm studimi i rregullt familjar?
◻ Cilat duhet të jenë objektivat tona gjatë çdo studimi familjar?
◻ Cilat mjete na janë vënë në dispozicion për mësimdhënie?
◻ Si mund t’i përshtatet studimi nevojave të familjes?
[Figura në faqen 15]
Pasja e objektivave të qarta do ta pasurojë studimin familjar