«Të mbjellim farën e Mbretërisë» me itinerare revistash
1 Kënga 133 në librin e këngëve Këndojini lavdi Jehovait, anglisht, titullohet «Të mbjellim farën e Mbretërisë». Ajo bazohet në ilustrimin e Jezuit ku vepra e bërjes së dishepujve krahasohet me mbjelljen e farës. (Mat. 13:4-8, 19-23) Teksti i këngës thotë: «Se sa nga farat e tua bien në tokë të mirë/Shpesh mund të varet shumë prej teje.» Si mund ta rritim efektshmërinë e shërbimit tonë? Një mënyrë është duke vendosur dhe duke mbajtur një itinerar revistash.
2 Përmes një itinerari revistash mund të arrihen objektiva të ndryshme. (1) Vizitat e rregullta çdo dy javë, të japin mundësinë që të krijosh një marrëdhënie miqësore me personin e interesuar. (2) E pajis atë rregullisht me informacionin jetëshpëtues që përmban Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! (3) Me anë të bisedave të tua mund ta ndihmosh personin që t’i lindë një dëshirë e madhe për të vërtetën biblike.—1. Pjet. 2:2.
3 Si të fillosh një itinerar revistash: Sa herë që dikush tregon interes për revistat, shpjego se artikuj të veçantë shfaqen në çdo numër dhe se do të ishe i kënaqur t’ia sillje ato çdo dy javë. Pasi ia lë revistat, merr shënim emrin dhe adresën e personit, datën e vizitës, datat e numrave që i ke lënë, artikullin e prezantuar dhe temat që i interesonin veçanërisht personit.
4 Në fillim mund të nisësh një itinerar ku përfshihen vetëm pak njerëz. Pastaj, puno që ta zgjerosh atë duke shtuar edhe të tjerë, të cilëve u lë revista. Ndërsa itinerari yt rritet, mund ta organizosh atë në bazë të territorit, kështu do të jetë më e lehtë për ta plotësuar. Mbaj një regjistrim të kujdesshëm se cilat numra ke lënë për çdo vizitë dhe kur. Shto shënime rreth bisedave që ke bërë dhe në lidhje me atë se si ta zhvillosh më tej interesin e personit për të vërtetën gjatë vizitës tjetër.
5 Përfshi tregtarët dhe profesionistët: Përvoja ka treguar se pronarët e dyqaneve dhe profesionistët e tjerë ka të ngjarë t’i pranojnë revistat tona mbi një bazë të rregullt. Një plak kishte madje kryetarin e bashkisë së qytetit në itinerarin e tij. Një lajmëtar filloi studim me pronarin 80-vjeçar të një firme materialesh ndërtimi, pasi i kishte dërguar revista për dhjetë vjet me radhë.
6 Një motër pioniere hyri në një dyqan dhe takoi një çift, i cili nuk e priti dhe aq ngrohtë. Megjithatë, meqë ata i pranuan revistat, ajo vendosi ta shtonte çiftin në itinerarin e saj të revistave. Me kalimin e kohës, motra nuk donte që t’i vizitonte më, sepse ata nuk ishin aspak miqësorë dhe gjithmonë flitnin shumë pak edhe kur ajo u bënte ndonjë pyetje për të kuptuar pikëpamjen e tyre. Por motra u lut në lidhje me çështjen dhe së fundi i la çiftit librin Të jetosh përgjithmonë. Pasi e lexoi, gruaja tha me zë të lartë: «Më në fund, e gjeta të vërtetën!» U fillua një studim biblik dhe më vonë çifti u pagëzua. Qëndrueshmëria e pionieres solli me të vërtetë fryte të mira.
7 Bërja e rivizitave: Kur merr një revistë të re lexoi të gjithë artikujt. Kërko pika që do të tërhiqnin secilin person që përfshihet në itinerarin tënd. Më pas kur të kthehesh, mund të thuash: «Kur e lexova këtë artikull mendova për ju dhe se në ç’mënyrë ai mund të ishte me interes për ju.» Lajmëtarët e çdo moshe mund të gëzojnë pasjen e një itinerari revistash. Edhe një fëmijë mund të thotë: «Jam i kënaqur që po ju shoh përsëri. Kanë mbërritur kopjet tuaja të fundit të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!. Mendoj se do t’ju pëlqejë ky artikull me titull . . . »
8 Nxiti kureshtjen për artikujt që priten të vijnë, duke i tërhequr vëmendjen në kutinë me titull «Në numrin vijues». Kur artikujt dalin si një seri, theksoje këtë gjë dhe inkurajoje lexuesin që të mos humbasë ndonjë pjesë të saj. Mos harro të llogaritësh edhe një rivizitë sa herë që i lë revista një personi që përfshihet në itinerarin tënd. Dhe mbi të gjitha, kujto se synimi ynë është që t’i kthejmë këto vizita në studime biblike.
9 Vizitoi njerëzit në itinerarin tënd mbi një bazë të rregullt: Itinerarin e revistave mund ta plotësosh në çdo kohë që është praktike: ndonjë mëngjes gjatë javës, mbasdite vonë, herët në mbrëmje ose në fundjavë, pas kalimit të një sasie kohe në veprën shtëpi më shtëpi. Nëse nuk mund ta plotësosh itinerarin për shkak se je sëmurë ose sepse shkon me pushime, kërko një lajmëtar tjetër në familjen ose kongregacionin tënd që t’i shpërndajë revistat për ty. Në këtë mënyrë, ata që përfshihen në itinerarin tënd, do t’i marrin në kohë revistat e tyre.
10 Një mënyrë për të mbjellë farën e Mbretërisë, është që t’i çojmë rregullisht revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! të gjithë personave që përfshihen në itinerarin tënd. Ndërsa u mëson atyre të vërtetën biblike, ata mund të kapin kuptimin e fjalës së Mbretërisë dhe së fundi, bashkë me ty, të sjellin fryte në lidhje me Mbretërinë.—Mat. 13:8, 23.