Itineraret ndihmojnë që të fillojmë studime biblike
1. Pse organizata e Jehovait na ka inkurajuar prej kohësh të kemi itinerare?
1 Shumë njerëz nuk kanë qejf të studiojnë Biblën me ne, por u pëlqen të lexojnë revistat tona. Prandaj, organizata e Jehovait prej kohësh na ka inkurajuar të kemi itinerare revistash. Kur njerëzit lexojnë rregullisht revistat tona, shpesh ushqejnë dëshirë të zjarrtë për Fjalën e Perëndisë. (1 Pjet. 2:2) Me kalimin e kohës, diçka që lexojnë mund t’u prekë zemrën e t’i shtyjë të pranojnë studim biblik.
2. Si mund t’ua kultivoni interesin itinerareve?
2 ‘Ujitni’ farat e së vërtetës: Në vend që thjesht t’i lini revistat, përfshijeni në bisedë të zotin e shtëpisë dhe përpiquni të miqësoheni me të. Kjo do t’ju ndihmojë të kuptoni rrethanat, interesat dhe bindjet e tij, kështu do të arrini të flitni me gjykim të thellë. (Prov. 16:23) Përgatituni çdo herë që e vizitoni. Nëse është e mundur, flitni shkurtimisht për një pikë dhe për shkrimet që lidhen me të nga revista, duke ujitur kështu farat e së vërtetës në zemrën e tij. (1 Kor. 3:6) Mbani shënim datën kur e takuat, literaturën që latë, temën dhe shkrimet që trajtuat.
3. Sa shpesh duhet të ktheheni tek itineraret?
3 Sa shpesh të ktheheni? Duhet të ktheheni një herë në muaj për t’u lënë revistat e fundit itinerareve. Megjithatë, në varësi të rrethanave dhe interesit të personit, mund të shkoni tek ai më shpesh. Për shembull, mund të ktheheni një ose dy javë pasi t’i keni lënë revistat e t’i thoni: «Kalova që të të tregoja shkurtimisht diçka nga revistat që të lashë.» Kjo do t’i ngacmojë kureshtjen që të lexojë një artikull të caktuar. Nëse tashmë e ka lexuar, mund ta pyesni si iu duk dhe të bisedoni shkurtimisht rreth tij. Ose, nëse i pëlqen të lexojë literaturën tonë, mund të ktheheni e t’i ofroni fletushkën, broshurën ose librin që po shpërndani atë muaj.
4. Ç’mund të bëni herë pas here që të kuptoni nëse itineraret tuaja do të pranonin të studionin Biblën?
4 Mos prisni që i zoti i shtëpisë të kërkojë studim, por merrni iniciativën. Edhe nëse nuk ka pranuar të studiojë Biblën në të kaluarën, herë pas here mund t’i tregoni rubrikën «Përgjigje për pyetje biblike» nga Kulla e Rojës dhe të shikoni nëse ka dëshirë ta diskutojë me ju. Ndoshta mund të filloni një studim te dera. Gjithsesi, nëse nuk arrini të filloni një studim, mund të vazhdoni t’i çoni revistat për të kultivuar interesin.