Të gjithë duhet ‘ta përqafojnë me zemër fjalën’!
1 Miliona njerëz po studiojnë Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Që të kualifikohen për jetën e përjetshme, ata duhet ‘ta përqafojnë me zemër fjalën’, siç bënë 3.000 personat që u penduan dhe u pagëzuan në ditën e Rrëshajëve të vitit 33 të e.s. (Vep. 2:41, BR) Çfarë përgjegjësie sjell kjo gjë mbi ne sot?
2 Ne duhet t’i ndihmojmë studentët tanë të Biblës që të zhvillojnë devocionin ndaj Jehovait. (1. Tim. 4:7-10) Për këtë qëllim, shtojca e Shërbimi ynë i Mbretërisë, qershor 1996, paragrafi 20, sugjeron: «Gjatë kohës që studion, kërko mundësi për të ndërtuar çmueshmërinë për cilësitë e Jehovait. Shpreh vetë ndjenjat e tua të thella për Perëndinë. Ndihmoje studentin të mendojë për të zhvilluar një marrëdhënie të ngrohtë personale me Jehovain.»
3 Sfida që ndeshim: Shumica e njerëzve, të ndikuar nga feja e rreme, janë të kënaqur me një formë adhurimi që përfshin një përpjekje dhe kohë minimale dhe që nuk kërkon ndonjë ndryshim të vërtetë në mënyrën e tyre të jetesës. (2. Tim. 3:5) Sfida që ndeshim është që t’i ndihmojmë studentët tanë të Biblës të kuptojnë se adhurimi i vërtetë përfshin më shumë se vetëm të jesh dëgjues i fjalës së Perëndisë. Ata duhet ta zbatojnë në jetën e tyre atë që mësojnë. (Jak. 1:22-25) Nëse diçka në sjelljen e tyre personale është e papranueshme për Perëndinë, ata duhet të pranojnë detyrimin që të «kthehen» dhe të bëjnë atë që është e drejtë për t’i pëlqyer atij. (Vep. 3:19) Për të fituar jetën e përhershme, ata duhet të ‘përpiqen energjikisht’ dhe të marrin një qëndrim të vendosur për të vërtetën.—Luka 13:24, 25, BR.
4 Kur diskuton aspekte të ndryshme në lidhje me moralin, pyete studentin e Biblës se si i konsideron ai në të vërtetë çështje të tilla dhe se çfarë duhet të bëjë nëse dallon një nevojë për të bërë ndryshime në jetën e tij. Drejtoje vëmendjen e tij drejt organizatës, përmes së cilës ai po mëson të vërtetën dhe inkurajoje që të ndjekë rregullisht mbledhjet e kongregacionit.—Hebr. 10:25.
5 Le të vëmë si synim që të arrijmë zemrën e studentit me mësimin tonë! Do të gëzohemi ndërsa i nxitim personat e rinj që të përqafojnë me zemër fjalën e Perëndisë dhe të pagëzohen.—1. Sel. 2:13.