Zgjidh artikuj që kanë si shënjestër interesat e veçanta të njerëzve
1 Ashtu si harkëtarët që shënjojnë me kujdes me shigjetat e tyre, shumë lajmëtarë dhe pionierë të kongregacionit, po gëzojnë një sukses të shkëlqyer, duke përdorur artikuj të zgjedhur nga Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, për të tërhequr interesat e veçanta të njerëzve në territorin e tyre. Ata përcaktojnë se cilët persona ka më shumë të ngjarë që të duan të lexojnë disa numra të revistave. Si e bëjnë këtë?
2 Së pari, lexojnë çdo numër nga fillimi në fund. Pastaj pyesin veten se çfarë lloj personi do të tërhiqte secili nga artikujt. Më pas bëjnë përpjekje për të vizituar individët që mund të jenë të interesuar të lexojnë atë artikull të revistës. Kur parashikojnë që në territorin e tyre një numër i veçantë ndoshta do të pranohet gjerësisht, rregullojnë një furnizim shtesë.
3 Revistat tona janë shumë të respektuara: Një i pajtuar në revistat tona, që punon për revistën ndërkombëtare më të lexuar në Nigeri, në lidhje me Zgjohuni! tha: «Urime për revistën më të mirë për publikun në përgjithësi.» Një lexues i etur i revistave tona vërejti: «Çfarë margaritarësh të mrekullueshëm të mençurisë së paçmuar! Është vështirë që një çështje që më intereson të mos e gjej të diskutuar diku në faqet e njërës prej këtyre revistave.»
4 Revistat trajtojnë një sërë çështjesh, duke përfshirë Biblën, ngjarjet botërore, shqetësimet familjare, problemet shoqërore, historinë, shkencën, florën dhe faunën, për të përmendur vetëm disa. Sigurisht, një person është më i prirur të lexojë diçka që lidhet me nevojat, rrethanat apo profesionin e tij. Pasi flasim me shumë individë, secili me preferencat dhe problemet e tij të veçanta, zgjedhja e artikujve veçanërisht për të tërhequr njerëzit që takojmë, del se është diçka shumë e efektshme.
5 Vëre se ç’ndodhi kur dy Dëshmitarë i ofruan një gazetari numrin e 8 shtatorit, 1996 të revistës Zgjohuni! Ai shkroi: «Përpara se të gjeja momentin për të thënë se nuk isha i interesuar, njëri prej tyre shtoi: ‘Ka një artikull mbi indianët e amerikës. E dimë se keni shkruar shumë rreth kësaj teme.’» Ai e mori revistën dhe gjatë mëngjesit lexoi materialin rreth indianëve, duke pranuar më vonë se «ishte i shkëlqyer» dhe «i ndershëm deri në palcë».
6 Çfarë u intereson njerëzve në territorin tënd? Çfarë gjëje ke vërejtur në revista, muajt e fundit, që mund të tërheqë shitësit dhe njerëzit me profesione të veçanta në territorin tënd ose fqinjët, kolegët dhe shokët e tu të shkollës? Çfarë do të ishte me interes të veçantë për prokurorët, mësuesit, këshilltarët e familjes dhe të shkollës, këshilltarët e rinisë, siguruesit e shërbimeve shoqërore dhe mjekët? Mbajtja në mendje e njerëzve, ndërsa analizon secilin numër, do të të japë mënyra të shkëlqyera për të përhapur fjalën e së vërtetës.
7 Kur gjen një person që tregon interes të veçantë për një lloj artikulli të Kullës së Rojës ose Zgjohuni! dhe që i pranon revistat, mund t’i thuash: «Kur në një numër të ardhshëm të ketë një artikull që mendoj se do të jetë, gjithashtu, me interes edhe për ty, do të isha i lumtur të të sillja një kopje.» Ti mund t’ia shtosh këtë person, itinerarit tënd të revistave duke e vizituar herë pas here me revistat më të fundit. Kjo është ngjashëm me atë që është bërë duke siguruar një ftesë të hapur për të rivizituar individët që mund të jenë veçanërisht të interesuar për disa lloj artikujsh që shfaqen në revistat tona.
8 Ki një objektiv frymor: Disa vjet më parë, një burrë i dhënë pas karrierës, mori një revistë Zgjohuni!, e cila kishte një temë që atij i interesonte. Megjithatë, ky njeri fetar lexoi edhe numrin shoqërues të Kullës së Rojës, e cila përmbante një artikull që e shtyu të shqyrtonte me hollësi besimin që gjatë gjithë jetës së tij kishte pasur në Trinitetin. Gjashtë muaj më vonë ai u pagëzua! Kështu, mos ngurro t’i tërheqësh lexuesit e revistave tona në diskutime frymore. Mund të paraqesësh broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? dhe të ofrosh që vetëm për pak minuta të diskutosh një mësim, sa herë që kthehesh me numrat e rinj të revistave.
9 Përcakto me kujdes se cila nga rivizitat dhe lidhjet me tregtarët ka më shumë të ngjarë ta çmojë pasjen e numrave të fundit të Kullës së Rojës dhe Zgjohuni! Pastaj, bëj një përpjekje të sinqertë për t’i arritur ata. Kontakto sa më shumë persona që mundesh me këto revista të vlefshme. Kurrë mos harro se, ndërsa përpiqesh që të ndihmosh sa më shumë njerëz për të lexuar revistat tona, ti po ‘lëshon bukën tënde mbi sipërfaqen e ujërave’. Ndërkohë, mund të kesh sukses në gjetjen e dishepujve të tjerë në të ardhmen.—Ekl. 11:1, 6, BR.