Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! revista në kohën e duhur të së vërtetës
«Ti më ke shpërblyer, O Jehova, Perëndi i së vërtetës.»—PSALMI 31:5, BR.
1, 2. (a) Çfarë ndjeu një motër për diçka që kish lexuar në Kullën e Rojës? (b) Cilat janë disa pyetje mbi revistat tona?
«JU FALËNDEROJ shumë,—shkroi një motër e krishterë,—për informatat e shkëlqyera në artikullin e Kullës së Rojës “Ti mund të gjesh ngushëllim në kohë vështirësish”.a Shumë prej pikave që keni trajtuar kanë qenë pikërisht ndjenjat me të cilat kisha të bëja unë; duket sikur ky artikull është shkruar drejtpërdrejt për mua. Herën e parë që e lexova, m’u mbushën sytë me lot. Është kaq e mrekullueshme të dish se edhe dikush tjetër ndjen po të njëjtat gjëra! Ndihem shumë mirënjohëse që jam Dëshmitare e Jehovait. Ku tjetër mund të gjejmë premtime për jetën e përhershme në të ardhmen e afërt dhe, tani, balsam për shpirtrat tanë! Faleminderit! Një milion herë faleminderit!»
2 A je ndier edhe ti ndonjëherë kështu? A të është dukur ndonjëherë se diçka në Kullën e Rojës apo në shoqen e saj Zgjohuni! (angl.), është shkruar pikërisht për ty? Ç’mund të themi për revistat tona që kanë bërë për vete zemrat e njerëzve? Si mund t’i ndihmojmë të tjerët që të përfitojnë prej mesazhit jetëshpëtues që përmbajnë ato?—1. Timoteut 4:16.
Revista që mbrojnë të vërtetën
3. Cilat janë disa nga arsyet që Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! kanë prekur zemrat e shumë lexuesve?
3 Jehovai është «Perëndia i së vërtetës». (Psalmi 31:5, BR) Fjala e tij, Bibla, është libri i së vërtetës. (Gjoni 17:17) Njerëzit me zemër të sinqertë i përgjigjen së vërtetës. (Krahaso Gjoni 4:23, 24.) Një nga arsyet që Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! kanë prekur zemrat e miliona lexuesve, është se ato janë revista të integritetit dhe të së vërtetës. Në fakt, Kulla e Rojës filloi të botohej për shkak të besnikërisë ndaj së vërtetës biblike.
4, 5. (a) Cilat ishin rrethanat që e shtynë C. T. Russell për të botuar Kullën e Rojës? (b) Si është përdorur revista Kulla e Rojës prej «skllavit besnik dhe të matur»?
4 Në 1876, Charles T. Russell u lidh me Nelson H. Barbour të Rochester-it, New York. Russell siguroi fondet për rifillimin e shtypjes së revistës periodike fetare Herald of the Morning, me Barbour si redaktor dhe Russell si ndihmës redaktor. Gati një vit e gjysëm më vonë, në numrin e gushtit 1878, Barbour shkroi në Herald një artikull që mohonte vlerën shpërblerëse të vdekjes së Krishtit. Russell, që ishte afro 30 vjeç më i ri se Barbour, u përgjigj në po atë numër me një artikull që mbështeste shpërblerjen, së cilës ai i referohej si «një nga mësimet më të rëndësishme të Fjalës së Perëndisë». (Mateu 20:28) Pas përpjekjesh të vazhdueshme për të arsyetuar me anë të shkrimeve me Barbour, më në fund Russell preu çdo lloj lidhjeje me Herald-in. Duke filluar nga numri i qershorit 1879, emri i Russell-it nuk figuroi më si ndihmës redaktor në atë revistë. Një muaj më vonë, 27-vjeçari Russell filloi botimin e Zion’s Watch Tower and Herald of Christ’s Presence (e njohur tani si Kulla e Rojës që Lajmëron Mbretërinë e Jehovait), e cila që në fillim mbështeti të vërtetat biblike, të tilla si shpërblerja.
5 Në të 114 vitet e mëvonshme, si një avokat i zoti, Kulla e Rojës e ka bërë të njohur veten si një mbrojtëse e së vërtetës dhe e doktrinës biblike. Ndër vite, ajo ka fituar besimin e miliona lexuesve që e çmojnë. Ajo mbështet akoma shpërblerjen. (Shiko, për shembull, numrin e 15 shkurtit 1991, angl.) Ajo vazhdon të jetë ende mjeti kryesor i «skllavit besnik dhe të matur» dhe i Trupit të tij Udhëheqës, për të lajmëruar Mbretërinë e vendosur të Jehovait dhe për të shpërndarë ushqimi frymor «në kohën e duhur».—Mateun 24:14, 45, BR.
6, 7. Cili ishte objektivi i shpallur i Kohës së artë dhe ç’tregon se njerëzit e arsyeshëm iu përgjigjën mesazhit të saj?
6 Ç’mund të themi për revistën Zgjohuni!? Që nga fillimet e saj edhe Zgjohuni! ka mbrojtur të vërtetën. Fillimisht e quajtur Koha e artë (The Golden Age), kjo revistë ishte caktuar për shpërndarje publike. Në lidhje me qëllimin e saj, numri i parë, që mban datën 1 tetor 1919, pohon: «Qëllimi i saj është që të shpjegojë nën dritën e mençurisë Hyjnore domethënien e vërtetë të fenomeneve të mëdha të ditëve tona dhe që t’u provojë mendjeve të arsyeshme, me anë të dëshmive të pakundërshtueshme dhe bindëse se koha e bekimit më të madh për njerëzimin tashmë është afër.» Njerëzit e arsyeshëm iu përgjigjën mesazhit të Kohës së artë. Për disa vite, qarkullimi i saj ishte më i madh se ai i Kullës së Rojës.b
7 Megjithatë, tërheqja e Kullës së Rojës dhe Zgjohuni! shkon përtej faktit që botojnë të vërteta doktrinale dhe shpjegojnë kuptimin profetik të kushteve botërore. Veçanërisht në dhjetë apo njëzet vitet e fundit, revistat tona kanë bërë për vete zemrat e njerëzve edhe për një arsye tjetër.
Artikuj në kohën e duhur që ndikojnë në jetën e njerëzve
8. Çfarë rregullimesh bëri Juda, ndërsa shkruante për të nxitur lexuesit që t’u rezistonin cilave ndikime brenda kongregacionit?
8 Gati 30 vjet pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezu Krishtit, shkrimtari biblik Juda u ballafaqua me një gjendje sfiduese. Midis të krishterëve kishin hyrë disa njerëz imoralë dhe shtazarakë. Juda kishte ndër mend t’u shkruante të bashkëkrishterëve mbi një argument doktrinal: mbi shpëtimin që të krishterët e mirosur e kishin të përbashkët. Por, i drejtuar prej frymës së shenjtë, ai e pa të nevojshme që të nxiste lexuesit e tij për t’u rezistuar ndikimeve korruptuese brenda kongregacionit. (Judës 3, 4, 19-23) Juda iu përshtat situatës dhe siguroi këshilla në kohën e duhur që përputheshin me nevojat e vëllezërve të tij të krishterë.
9. Çfarë përfshihet në sigurimin e artikujve në kohën e duhur për revistat tona?
9 Në mënyrë të ngjashme, përgatitja e artikujve në kohën e duhur për revistat tona është një përgjegjësi sfiduese. Kohët ndryshojnë, po kështu edhe njerëzit: nevojat dhe interesat e tyre nuk janë më të njëjta me ato të dhjetë apo njëzet viteve më parë. Një mbikëqyrës udhëtues, kohët e fundit vërejti: «Kur unë u bëra një Dëshmitar, në 1950-ën, studimi ynë biblik me njerëzit ishte në themel doktrinal: u mësonim atyre të vërtetën mbi Trinitetin, zjarrin e ferrit, shpirtin e kështu me radhë. Por me sa duket, tani ka kaq shumë probleme dhe vështirësi në jetën e njerëzve, saqë na duhet t’u mësojmë se si të jetojnë.» Përse është kështu?
10. Përse nuk duhet të befasohemi që në punët e njerëzve ka pasur një degjenerim të pandryshueshëm prej 1914-ës?
10 Në lidhje me «ditët e fundit», Bibla parashikoi: «Njerëzit e këqinj dhe gënjyes do të përparojnë prej së keqes në më zi—duke gënjyer të tjerët dhe duke u gënjyer edhe ata vetë.» (2. Timoteut 3:1, 13) Prandaj, nuk duhet të befasohemi nga degjenerimi i pandryshueshëm në punën e njerëzve, që kur koha e fundit filloi në 1914-ën. Satanai, koha e mbetur e të cilit është më e shkurtër se kurrë, po e shfryn dufin e tij mbi shoqërinë njerëzore si kurrë më parë. (Zbulesa 12:9, 12) Si rezultat, morali dhe vlerat familjare janë krejt të ndryshme prej atyre të 30 apo 40 viteve të shkuara. Njerëzit në përgjithësi nuk janë më aq fetarë, sa në dekadat e mëparshme. Kriminaliteti është kaq i pafrenueshëm, saqë njerëzit po marrin masa që 20 apo 30 vjet më parë do të ishin të pamendueshme.—Mateu 24:12.
11. (a) Cilat argumente janë në mendjen e njerëzve dhe si u është përgjigjur klasa e skllavit besnik dhe të matur nevojave? (b) Jep një shembull për një artikull të Kullës së Rojës apo Zgjohuni! që ka ndikuar në jetën tënde?
11 Shumë pak, pra, të habit fakti që çështjet emocionale, shoqërore dhe familjare janë në mendjet e shumë njerëzve. Klasa e skllavit besnik dhe të matur është përgjigjur me guxim në Kullën e Rojës dhe Zgjohuni!, duke botuar artikuj në kohën e duhur që janë ballafaquar me nevojat e vërteta të njerëzve dhe që me të vërtetë kanë prekur jetën e tyre. Le të shqyrtojmë disa shembuj.
12. (a) Përse artikujt mbi familjet me një prind u përgatitën për Kullën e Rojës në 1980-ën? (b) Si e shprehu një motër vlerësimin e saj për artikujt mbi familjet me një prind?
12 Çështje familjare. Kur të dhënat nga bota mbarë tregonin një rritje të madhe të numrit të familjeve me një prind, artikujt e parë me temë «Familjet me një prind: Të përballojmë problemet», u përgatitën për numrin e 15 shtatorit 1980 të Kullës së Rojës në anglisht. Artikujt kishin një qëllim të dyfishtë: (1) të ndihmonin prindërit e vetëm për të përballuar problemet e veçanta me të cilat ballafaqoheshin dhe (2) të ndihmonin të tjerët për të qenë më mirë të informuar, në mënyrë që të mund të tregonin «bashkëndjenjësi» dhe me sinqeritet «të kujdeseshin» për familjet me një prind. (1. Pjetrit 3:8; Jakovit 1:27) Shumë lexues shkruan për të shprehur vlerësimin e tyre për artikujt. «Me të vërtetë m’u mbushën sytë me lot kur pashë kapakun,—shkroi një prind i vetëm,—dhe kur hapa revistën e lexova informacionin, zemra m’u mbush me mirënjohje për Jehovain që kishte siguruar informata të tilla në kohën e duhur.»
13. Çfarë u botua në revistën Zgjohuni! të 1981-it, në kulm të diskutimit mbi depresionin dhe çfarë tha një lexuese mbi të?
13 Çështje emocionale. Argumenti i depresionit është diskutuar në Kullën e Rojës dhe Zgjohuni! që prej vitit 1960. (1. Selanikasve 5:14) Por një vështrim i ri dhe pozitiv mbi këtë argument u hodh me seritë «Ti mund ta luftosh depresionin!», në revistën Zgjohuni! të 8 shtatorit 1981. Shumë shpejt, në Shoqatën Watch Tower u derdhën nga e gjithë bota letra vlerësimi. «Si mund ta shpreh në letër atë që ndiej në zemër,—shkroi një motër.—Jam 24-vjeçare dhe gjatë dhjetë vjetëve të shkuar kam pasur mjaft periudha depresioni. Por tani ndihem më afër Jehovait dhe mirënjohëse që ai u përgjigjet nevojave të njerëzve që vuajnë nga depresioni me këta artikuj të dashur dhe desha që këtë t’ua them edhe juve.»
14, 15. (a) Si është trajtuar argumenti i abuzimit me fëmijët në revistat tona? (b) Cili artikull i një reviste i la përshtypje një kalorësi në Australi?
14 Çështje shoqërore. Bibla parashikoi se në «ditët e fundit» njerëzit «do të duan vetveten, . . . nuk do të kenë dashuri natyrore, . . . pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për të mirën». (2. Timoteut 3:1-3, BR) Prandaj, nuk duhet të habitemi që abuzimi ndaj të vegjëlve praktikohet sot në një masë të madhe. Ky argument u trajtua hapur në artikullin «Ndihmë për viktimat e incestit», në numrin e 1 tetorit 1983 të Kullës së Rojës në anglisht. Tetë vjet më vonë, seritë «Të mbyllim plagët e abuzimit të fëmijëve», në Zgjohuni! të 8 tetorit 1991, u përgatitën me kujdes për t’u siguruar kuptueshmëri dhe shpresë viktimave dhe për të sqaruar të tjerët që të mund të ofronin ndihmë shpresëdhënëse. Kjo seri artikujsh gjeti përgjigjen më të madhe nga lexuesit në historinë e revistave tona. Një lexuese shkroi: «Ndikimin më të madh në shërimin tim e luajtën mendimet ngushëlluese dhe referimet biblike në këta artikuj. Njohuria se Jehovai nuk më konsideronte si më pak të rëndësishme, ishte një lehtësim i madh. Edhe njohja se nuk isha e vetme ishte po kaq ngushëlluese.»
15 Një kalorës në Melburn, Australi, i bëri një thirrje telefonike nga larg degës së Shoqatës Watch Tower në Sidnei, duke shprehur pakënaqësinë e tij për ambjentin e garave me kuaj. Ai tha se sapo kishte gjetur rastësisht artikujt e Zgjohuni! mbi përdhunimin dhe mezi mundi të besonte se ekzistonte një revistë kaq e çmueshme. Ai bëri pyetje për rreth 30 minuta dhe ishte i gëzuar të dëgjonte përgjigjet e dhëna.
16. Në cilat mënyra mund të tregosh vlerësim për revistat tona?
16 Ç’mund të thuhet për ty? A është prekur jeta jote nga ndonjë artikull i veçantë i Kullës së Rojës apo Zgjohuni!? Nëse po, s’ka dyshim se ke një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për revistat tona. Si mund ta tregosh vlerësimin tënd? Sigurisht, duke lexuar vetë çdo numër. Por, ti mund të marrësh pjesë edhe në një shpërndarje sa më të madhe të këtyre revistave. Si mund të bëhet kjo?
Ndajua të tjerëve!
17. Çfarë duhet të bëjnë kongregacionet për të rritur shpërndarjen e revistave?
17 Së pari, ka diçka që mund ta bëjnë të gjitha kongregacionet. Numri i tetorit 1952, i fletushkës Informant (tani Shërbimi Ynë i Mbretërisë) thoshte: «Mjeti më efektiv për shpërndarjen e revistave është shtëpi më shtëpi dhe dyqan më dyqan. Kështu, Shoqata rekomandon që këto mënyra të shpërndarjes së revistave të jenë pjesë e rregullt e aktivitetit në Ditën e Revistave.» Kjo këshillë është ende e vlefshme edhe sot. Kongregacionet mund të programojnë një Ditë të rregullt Revistash, një ditë që të jetë së pari për dëshminë me revista. Për shumë kongregacione, disa të shtuna mund të jenë pa dyshim një kohë e përshtatshme. Megjithatë, çdo kongregacion le të lërë ditë apo mbrëmje të veçanta për dëshminë me revista: nga shtëpia në shtëpi, nga dyqani në dyqan, në veprën në rrugë dhe në itenerarin e revistave. Veç kësaj, çfarë mund të bësh ti, si lajmëtar i Mbretërisë, për të ndihmuar në rritjen e shpërndarjes së revistave?
18, 19. (a) Në ç’mënyrë ndihmon të qenët i ndërgjegjshëm mbi rëndësinë e Kullës së Rojës dhe Zgjohuni! në lënien e revistave? (b) Cila është e mira e një prezantimi të shkurtër dhe të saktë gjatë ofrimit të revistave? (c) Çfarë tregon vlera e lënies së revistave në shtëpitë e njerëzve?
18 Hapi i parë është të qenët i ndërgjegjshëm për rëndësinë e Kullës së Rojës dhe Zgjohuni! Lexoji revistat që më parë. Pasi të kesh lexuar çdo artikull, pyet veten: «Për kë mund të jetë me interes ky artikull?» Mendo mbi disa fjalë që duhet të thuash për të nxitur interes mbi artikullin. Përveç mbështetjes së Ditës së rregullt të Revistave, përse të mos mbash disa kopje me vete në mënyrë që të përfitosh prej çdo mundësie për t’ua shpërndarë ato të tjerëve: kur udhëton apo psonis, ose kur flet me kolegët e punës, me fqinjët, me shokët e shkollës apo me mësuesit?
19 Sugjerimi i dytë është ji i thjeshtë. Kulla e Rojës e 1 dhjetorit 1956, pohonte: «Një prezantim i shkurtër dhe i saktë është gjëja më e mirë për t’u bërë gjatë ofrimit të revistave. Objektivi është të lëmë shumë kopje. Pastaj, ato «do të flasin» vetë. Disa lajmëtarë e kanë parë si të efektshme nxjerrjen e një ideje nga një artikull, ta rregullojnë me nja dy fjalë dhe të prezantojnë revistat. Pasi të kenë hyrë brenda, revistat mund «t’u flasin» edhe të tjerëve, përveç atij që ka pranuar revistën prej teje. Në Irlandë, një e re universitare, lexoi numrin e 1 shtatorit 1991 të Kullës së Rojës, të cilin e kish marrë i ati nga një Dëshmitar. Artikujt mbi komunikimin dhe argumente të tjera zgjuan interesin e saj. Sapo i mbaroi së lexuari revistat, ajo u telefonoi Dëshmitarëve, duke marrë një numër të shënuar në librin e telefonave. Shpejt filloi një studim biblik dhe vajza e re u pagëzua në Kongresin Krahinor «Mësimi Hyjnor», në qershor 1993. Me të gjitha mënyrat, le të mundohemi t’i lëmë revistat nëpër shtëpi, ku ato mund «t’u flasin» njerëzve! Një mbikëqyrës udhëtues ofron një tjetër sugjerim të thjeshtë: «Nxirri revistat prej çantës.» Në fakt, nëse ajo që thua nuk ngjall interesin e të zotit të shtëpisë, ndoshta kapaku i tyre tërheqës i ilustruar, mund ta bëjë këtë gjë në vendin tënd.
20, 21. (a) Si mund të përshtatesh kur merr pjesë në veprën me revista? (b) Çfarë duhet të bësh për të lënë sa më shumë revista çdo muaj?
20 Sugjerimi i tretë është përshtatu me situatën. (Krahaso 1. Korintasve 9:19-23.) Përgatit disa prezantime të shkurtra. Mbaj në mendje një artikull tërheqës për burrat dhe një tjetër për gratë. Për të rinjtë, mund të kesh një artikull «Të rinjtë pyesin . . . ». Përshtatu, gjithashtu, edhe me pjesëmarrjen në veprën me revista. Përveç Ditës së Revistave, mund të provosh se dëshmia në mbrëmje sjell raste të shkëlqyeshme për të ofruar revista nga shtëpia në shtëpi.
21 Sugjerimi i katërt është vendosja e një kuote personale. Shtojca «Revistat caktojnë rrugën për në jetë», që gjendet në fletushkën Shërbimi Ynë i Mbretërisë të marsit 1984 (angl.), pohonte: «Si një sugjerim, lajmëtarët mund të kenë një kuotë, për shembull, prej 10 revistash në muaj, në varësi të rrethanave të tyre; pionierët mund të synojnë për 90. Natyrisht, disa lajmëtarë mund të lënë edhe më shumë revista në muaj, prandaj mund të caktojnë një kuotë edhe më të lartë. Megjithatë, për shkak të shëndetit jo të mirë, llojit të territorit apo për arsye të tjera të vlefshme, kuota e disa të tjerëve mund të jetë më e ulët. Por shërbimi i tyre ndaj Jehovait është po aq i vlefshëm. (Mat. 13:23; Luka 21:3, 4) E rëndësishme është që të kesh një kuotë personale.»
22. Si mund të tregojmë se i jemi mirënjohës Jehovait për revistat tona të së vërtetës në kohën e duhur?
22 Sa mirënjohës jemi që Jehovai, «Perëndia i së vërtetës», e ka përdorur klasën e skllavit besnik dhe të matur dhe Trupin e tij Udhëheqës, për të na siguruar këto revista në kohën e duhur! (Psalmi 31:5) Deri kur të dojë Jehovai, këto revista do të vazhdojnë të ballafaqohen me nevojat e vërteta të njerëzve. Ato do të vazhdojnë të mbështesin rregullat e larta morale të Jehovait. Ato nuk do të pushojnë kurrë së mbështeturi doktrinën e vërtetë. Ato do të vazhdojnë t’i kushtojnë vëmendje përmbushjes së profecive që i karakterizojnë ditët tona, si kohë kur Mbretëria e Perëndisë po sundon dhe në të cilën vullneti i Perëndisë po kryhet mbi tokë si kurrë më parë, nga një numër gjithnjë në rritje i adhuruesve të vërtetë të Jehovait. (Mateu 6:10; Zbulesa 11:15) Çfarë thesari të paçmuar kemi në Kullën e Rojës dhe Zgjohuni! Le të përfitojmë prej çdo rasti që t’ua ndajmë atyre me zemër të butë këto revista të rëndësishme që prekin zemrat e njerëzve dhe mbrojnë të vërtetat e Mbretërisë.
[Shënimet]
a 15 korrik 1992, faqe 19-22, angl.
b Për shumë vite Kulla e Rojës ishte parë si një revistë veçanërisht për të krishterët e mirosur. Megjithatë, duke filluar prej 1935-ës, një theks edhe më i madh u vu në inkurajimin e «shumicës së madhe», që shpresonte për një jetë të përhershme në tokën parajsore, për të marrë dhe lexuar Kullën e Rojës. (Zbulesa 7:9) Pak vite më vonë, në 1940-ën, Kulla e Rojës u ofrua rregullisht për njerëzit në rrugë. Që atëherë, qarkullimi i saj u rrit me shpejtësi.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Çfarë tregon se Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! janë revista të së vërtetës?
◻ Si kanë ndikuar Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! në jetën e njerëzve?
◻ Çfarë mund të bëjnë kongregacionet për të rritur shpërndarjen e revistave?
◻ Cilat sugjerime mund të të ndihmojnë për të lënë sa më shumë revista?
[Kutia në faqen 22]
Disa artikuj që kanë ndikuar në jetën e njerëzve
Gjatë viteve, shumë lexues kanë shkruar për të shprehur vlerësimin e tyre për artikuj të veçantë të Kullës së Rojës dhe Zgjohuni! Më poshtë janë renditur vetëm disa nga argumentet që kanë ndikuar mbi lexuesit tanë. A e kanë ndryshuar këta artikuj apo të tjerë jetën tënde?
Kulla e Rojës
«Pranoje ndihmën e Perëndisë për të kapërcyer gabimet e fshehta» (15 prill 1985, angl.)
«Të praktikojmë devotshmëri të shenjtë për prindërit e moshuar» (1 qershor 1987, angl.)
«Arsimi me një qëllim» (1 prill 1993)
Zgjohuni!
«Ti mund të luftosh depresionin!» (8 shtator 1981, angl.)
«Kur të vdes një njeri i dashur . . . » (22 prill 1985, angl.)
«Mbroni fëmijët!» (8 tetor 1993, angl.)
[Figura në faqen 23]
Në Kanada: duke predikuar nga shtëpia në shtëpi me revista
[Figura në faqen 24]
Në Majnmar: duke prezantuar revistat që përcaktojnë rrugën për në jetë