«Plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë»
1 Dëshmitarët e Jehovait sot, janë të bekuar me një bollëk ushqimi të pasur frymor. (Isa. 25:6) Ka shumë material biblik për të gëzuar përmes studimit personal dhe familjar si edhe në mbledhjet e kongregacionit, asambletë dhe kongreset. Por, a po nxjerrim dobi të plotë nga i gjithë ky ushqim me synimin për t’u bërë «krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë»?—2. Tim. 3:17, BR.
2 Vetëm mendo për programin frymor të vitit 1998, që tashmë është gjysmë e mbaruar! Me anë të mbledhjeve të përjavshme të kongregacionit, ne po trajtojmë disa nga pikat kulminante të 23 librave të Shkrimeve të Krishtere Greke, duke rishikuar informacionin e gjetur në artikujt e Kullës së Rojës, për vitet 1995 dhe 1996 si dhe po shqyrtojmë 98 argumente të ndryshme nga broshura Argumente biblike për t’u trajtuar. Gjithashtu, do të rishikojmë librin Njohuria, pasi të mbarojmë studimin e librit Familja. Përveç kësaj, po ushqehemi me 12 numrat e Shërbimi ynë i Mbretërisë, 52 artikuj studimi të Kullës së Rojës dhe gati po aq fjalime publike mbi një llojshmëri temash biblike. Përveç këtyre të gjithave janë dhe programet e pasura të kongresit dhe të asambleve. Çfarë bollëku gjërash të mira frymore janë vënë në dispozicion për ne!
3 Çmo furnizimet e Jehovait: Për të përfituar plotësisht, ne duhet të kuptojmë se përse Jehovai na siguron një bollëk të tillë frymor. Të ushqyerit me këto gjëra të mira, ndërton besimin tonë dhe forcon marrëdhënien me të. (1. Tim. 4:6) Megjithatë, ushqimi frymor nuk vihet në dispozicion thjesht për mësimin tonë. Ai na nxit që ta ndajmë të vërtetën me të tjerët dhe na pajis që të jemi të efektshëm në bërjen e kësaj, si shërbëtorë të lajmit të mirë.—2. Tim. 4:5.
4 Le të mos i lëmë pas dore nevojat tona frymore, por gjithmonë të kultivojmë një dëshirë të fortë për furnizimet e pasura dhe të kënaqshme frymore nga tryeza e Jehovait! (Mat. 5:3; 1. Pjet. 2:2) Për të përfituar plotësisht, kërkohet të lëmë mënjanë kohë të mjaftueshme për gjëra të tilla të rëndësishme si studimi i rregullt personal dhe familjar i Biblës dhe pjesëmarrja në mbledhje. (Efes. 5:15, 16) Shpërblimet e lumtura nga bërja e kësaj do të jenë në përputhje me inkurajimin e frymëzuar që Pavli u shkroi të krishterëve besnikë hebrenj, siç tregohet në Hebrenjve 13:20, 21.