Kur ndien se nuk ia vlen më të jetosh
A JE ndier ndonjëherë kaq keq, sa nuk doje më të jetoje? Atëherë mund t’i kuptosh ndjenjat e Adrianës. Ajo vuante nga ankthi i rëndë, ishte e trishtuar dhe e pashpresë. Adriana u diagnostikua me depresion.
Mendo edhe për Kaurunë, një burrë japonez që kujdesej për prindërit e moshuar e shëndetlig. Ai shpjegon: «Në atë kohë presioni i madh në punë gati po më zinte frymën. Me kalimin e kohës më iku oreksi dhe e bëja gjumin me copa. Nisa të mendoja se, po të vdisja, do t’u vija kapak halleve.»
Oxhebodi nga Nigeria, thotë: «Gjithmonë isha shumë i trishtuar dhe qaja, ndaj kërkoja një mënyrë si t’i jepja fund jetës.» Shyqyr që Oxhebodi, Kauru dhe Adriana nuk kryen vetëvrasje. Por, mjerisht çdo vit qindra mijë njerëz i japin fund jetës.
KU TË DREJTOHESH PËR NDIHMË
Shumica e atyre që kryejnë vetëvrasje janë burra, mjaft prej të cilëve u vinte turp të kërkonin ndihmë. Jezui tha se të sëmurët kanë nevojë për mjek. (Luka 5:31) Prandaj, nëse ndihesh kaq i dëshpëruar, sa mendon t’i japësh fund jetës, të lutemi mos ki turp të kërkosh ndihmë. Shumë që vuajnë nga depresioni janë ndier goxha më mirë kur kanë marrë trajtim mjekësor. Oxhebodi, Kauru dhe Adriana morën ndihmë mjekësore dhe tani e përballojnë më lehtë situatën.
Për të kuruar depresionin, mjekët mund të përdorin mjekime, psikoterapi ose të dyja. Gjithashtu, kush vuan nga depresioni ka nevojë që familjarët e miqtë ta kuptojnë, të jenë të duruar e të dashur me të si edhe ta mbështetin. Miku më i mirë që ekziston, është Perëndia Jehova, i cili siguron ndihmë të jashtëzakonshme me anë të Fjalës së tij, Biblës. Shiko si i ka ndihmuar Bibla Adrianën, Oxhebodin dhe Kaurun.
A KA NJË ZGJIDHJE TË PËRHERSHME?
Ata që vuajnë nga depresioni, shpesh kanë nevojë për trajtime mjekësore për një kohë të gjatë dhe për përshtatje në mënyrën e jetesës. Megjithatë, nëse po lufton me këtë sëmundje, mund ta shohësh me shpresë të ardhmen, njësoj si Oxhebodi. Ai tha: «Mezi po pres të përmbushet Isaia 33:24, që parathotë kohën kur asnjeri në tokë nuk do të thotë ‘Jam sëmurë’.» Ashtu si Oxhebodi, edhe ti mund të marrësh forcë nga premtimi i Perëndisë për «një tokë të re», ku nuk do të ketë më «dhembje». (Zbulesa 21:1, 4) Sipas këtij premtimi, çdo dhembje mendore dhe emocionale do të marrë fund. Dhembjet do të të fashiten përgjithmonë dhe ‘nuk do të të vijnë më në mendje dhe as do të të zgjohen më në zemër’.—Isaia 65:17.