Ja pse IA VLEN të jetosh
NË ARTIKUJT e mëparshëm pamë se jeta mund të duket e padurueshme për shkak të ngjarjeve traumatike. Ndërsa po lufton me problemet e tua, mbase dyshon nëse ia vlen të jetosh apo nëse ndokush të vë re. Megjithatë mund të jesh i sigurt se Perëndia të vë re kur përjeton ankth. Ti je i çmuar për të.
Shkrimtari i Psalmit 86 e shprehu besimin te Perëndia me këto fjalë: «Në ditë halli do të të thërras për ndihmë, sepse ti do të më përgjigjesh.» (Psalmi 86:7) Por, ndoshta pyet veten: «Si do të më përgjigjet Zoti ‘në ditë halli?’»
Ndonëse mund të mos t’i zgjidhë problemet tak-fak, në Fjalën e tij, në Bibël, premton se do të të japë paqe të brendshme që t’i përballosh: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe mendjen [ose, «mendimet», shënimi] tuaj.» (Filipianëve 4:6, 7) Të lutemi shqyrto vargjet e mëposhtme nga Bibla, të cilat na sigurojnë se Perëndia merakoset vërtet për ne.
Perëndia interesohet vërtet për ty
«Perëndia nuk lë pas dore asnjë nga [harabelat]. . . . Ju vleni më tepër se shumë harabela.»—Luka 12:6, 7, shënimi.
NDALU E MENDO: Këta zogj që mund të duken të parëndësishëm, nuk janë të tillë për Perëndinë. Syrit të tij nuk i shpëton asnjë harabel i vockël; secili prej tyre është një krijesë e çmuar. Për Të, njerëzit janë ku e ku më të çmuar se harabelat. Si pjesa më e spikatshme e krijimit të tij në tokë, ata janë bërë sipas «imazhit» të Perëndisë dhe kanë aftësi të zhvillojnë e të shfaqin cilësitë e tij të mrekullueshme.—Zanafilla 1:26, 27.
«O Jehova, ti më ke hetuar fund e krye dhe më njeh. . . . Dallon çdo mendim timin. . . . Më shqyrto dhe njihi mendimet që më turbullojnë.»—Psalmi 139:1, 2, 23.
NDALU E MENDO: Perëndia të njeh shumë mirë. Ai kupton ndjenjat dhe meraqet që vetëm shpirti yt i di. Edhe kur të tjerët mund të mos e kuptojnë çfarë situate stresuese po kalon, Perëndia ka merak për ty dhe dëshiron të të ndihmojë. Prandaj ia vlen të jetosh!
Jeta jote ka kuptim
«Dëgjoje lutjen time, o Jehova! Thirrja ime për ndihmë ardhtë te ti! . . . Ktheje veshin nga unë! Nxito të më përgjigjesh kur të thërras! . . . Ai do t’i kushtojë vëmendje lutjes së të mjerit.»—Psalmi 102:1, 2, 17.
NDALU E MENDO: Në njëfarë kuptimi, Jehovai ka mbajtur shënim çdo pikë loti që kanë derdhur njerëzit për shkak të vuajtjeve. (Psalmi 56:8) Ka mbajtur shënim edhe lotët e tu. Perëndia nuk i harron gjithë vështirësitë dhe lotët e tu, sepse je i shtrenjtë për të.
«Mos ji në ankth, se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë, po, do të të ndihmoj. . . . Unë Jehovai, Perëndia yt, . . . të them: ‘Mos ki frikë. Unë do të të ndihmoj.’»—Isaia 41:10, 13.
NDALU E MENDO: Perëndia është gati të të ndihmojë. Nëse bie, ai do të të ngrejë.
E ardhmja do të jetë më e mirë
«Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»—Gjoni 3:16.
NDALU E MENDO: Ti ke kaq shumë vlerë për Perëndinë saqë, për të mirën tënde, dha vullnetarisht si flijim Birin e vet, Jezuin. Ky flijim të çel rrugën drejt një jete të pafund, të lumtur e me qëllim.a
Edhe nëse po përjeton ankth dhe të duket sikur s’ke ç’e do jetën, studio me kujdes Fjalën e Perëndisë dhe forco besimin te premtimet e Tij për të ardhmen. Kështu do të jesh i lumtur dhe i sigurt se ia vlen të jetosh.
a Që të mësosh më shumë si të sjell dobi flijimi i Jezuit, shih videon Të kujtojmë vdekjen e Jezuit te www.jw.org. Shih te PËR NE > PËRKUJTIMI.