I kam dhënë Jehovait atë që meriton
TREGUAR NGA TIMOLEON VASILIU
Më kishin arrestuar sepse u mësoja të tjerëve Biblën në fshatin Aidhonokori. Policët më hoqën këpucët dhe filluan të më goditnin në shputat e këmbëve. Ndërsa goditjet vazhdonin, këmbët m’u mpinë dhe nuk e ndieja më dhimbjen. Para se të shpjegoj çfarë kishte çuar deri në këtë trajtim abuziv, i cili në atë kohë nuk ishte i pazakontë në Greqi, më lejoni t’ju tregoj se si u bëra mësues i Biblës.
JO SHUMË kohë pasi linda unë, në vitin 1921, familja u transferua në qytetin Rodholivos, në Greqinë Veriore. Në rini, bëja një jetë të çrregullt. Kur isha 11 vjeç, fillova të pija duhan. Më vonë, fillova të pija shumë alkool e të luaja bixhoz dhe shkoja nëpër festa të shfrenuara, gati çdo natë. Kisha talent në muzikë, kështu që hyra në një grup muzikor vendas. Brenda gati një viti, isha në gjendje t’i bija shumicës së veglave muzikore të grupit. Megjithatë, në të njëjtën kohë, isha i zellshëm për të studiuar dhe e doja drejtësinë.
Në fillim të vitit 1940, në mes të Luftës II Botërore, grupit tonë iu kërkua të luante pjesë muzikore në funeralin e një vajze të vogël. Në varreza, miqtë dhe të afërmit qanin me një pikëllim të papërmbajtur. Mungesa e plotë e shpresës nga ana e tyre më bëri shumë përshtypje. Fillova të pyesja veten: ‘Përse vdesim? A ka jeta ndonjë gjë më tepër sesa ekzistencën tonë të shkurtër? Ku mund t’i gjej përgjigjet?’
Disa ditë më vonë, në shtëpinë time vura re një kopje të Besëlidhjes së Re, të vënë në një raft. E mora dhe fillova ta lexoja. Kur lexova fjalët e Jezuit në Mateun 24:7, ku thuhej se luftërat në shkallë të gjerë do të ishin pjesë e shenjës së pranisë së tij, m’u bë e qartë se fjalët e tij duhej të zbatoheshin në kohën tonë. Në javët që pasuan, e lexova disa herë këtë kopje të Shkrimeve të Krishtere Greke.
Pastaj, në dhjetor të vitit 1940, vizitova një familje aty afër, një vejushë me pesë fëmijë. Në papafingon e tyre, mes një grumbulli broshurash gjeta një që titullohej Një qeveri e dëshirueshme, botuar nga Watch Tower Bible and Tract Society. Qëndrova atje lart në papafingo dhe e lexova të gjithë broshurën. Nga ato që lexova, u binda plotësisht se po jetojmë vërtet në ato që Bibla i quan «ditët e fundit» dhe se Perëndia Jehova do t’i japë fund së shpejti këtij sistemi gjërash dhe do ta zëvendësojë me një botë të re të drejtë.—2. Timoteut 3:1-5; 2. Pjetrit 3:13.
Ajo që më bëri përshtypje në veçanti ishin dëshmitë biblike se njerëzit besnikë do të jetojnë përgjithmonë në një parajsë tokësore dhe se vuajtjet e vdekja nuk do të ekzistojnë më në atë botë të re, nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë. (Psalmi 37:9-11, 29; Zbulesa 21:3, 4) Duke lexuar, e falënderova Perëndinë në lutje për këto gjëra dhe i kërkova të më tregonte se cilat janë kërkesat e tij. Tani e kisha të qartë se Perëndia Jehova meritonte devocionin tim me gjithë shpirt.—Mateu 22:37.
Veproj sipas asaj që mësova
Që nga ai moment, e lashë duhanin, nuk u deha më dhe nuk luajta më bixhoz. Mblodha pesë fëmijët e vejushës dhe dy motrat e mia më të vogla e vëllanë më të vogël dhe u shpjegova atë që kisha mësuar nga broshura. Shpejt, që të gjithë filluam t’i përhapnim ato pak gjëra që dinim. Për banorët u bëmë të njohur si Dëshmitarë të Jehovait, edhe pse ne nuk kishim takuar kurrë ndonjë Dëshmitar. Që në fillim, kaloja më shumë se njëqind orë çdo muaj duke u treguar të tjerëve gjërat e mrekullueshme që kisha mësuar.
Një nga priftërinjtë e Kishës Ortodokse Greke shkoi te kryetari i bashkisë për t’u ankuar për ne. Por disa ditë më parë, ndonëse ne s’e dinim, një i ri Dëshmitar kishte gjetur një kalë të humbur dhe ua kishte kthyer pronarëve. Si rezultat i kësaj ndershmërie, kryetari i bashkisë i respektonte Dëshmitarët dhe refuzoi ta dëgjonte priftin.
Një ditë tetori në vitin 1941, ndërsa po dëshmoja në sheshin e tregut, dikush foli për një Dëshmitar të Jehovait që jetonte në një qytet fqinj. Ai kishte qenë më përpara polic dhe e quanin Kristos Triantafilu. Shkova ta takoja dhe mësova se ai ishte Dëshmitar që nga viti 1932. Sa i lumtur isha kur më dha një dorë të mirë botimesh të kaluara të Watch Tower-it! Këto më ndihmuan vërtet për të bërë përparim frymor.
Në vitin 1943 e simbolizova dedikimin ndaj Perëndisë me pagëzimin në ujë. Në atë kohë, drejtoja studime biblike në tre fshatra fqinje: Dhraviskos, Paleokomi dhe Mavrolofos. Si mjet ndihmës për studimin e Biblës përdorja librin Harpa e Perëndisë. Më së fundi, pata privilegjin të shihja formimin e katër kongregacioneve me Dëshmitarë të Jehovait në këtë zonë.
Predikim pavarësisht nga pengesat
Në vitin 1944, Greqia u çlirua nga pushtimi gjerman dhe ca kohë më vonë u vendos komunikimi me Zyrën e Degës së Shoqatës Watch Tower në Athinë. Zyra e Degës më ftoi të merrja pjesë në predikimin e një territori ku shumë pak veta kishin dëgjuar për mesazhin e Mbretërisë. Pasi u transferova atje, punova në një fermë për tre muaj dhe pjesën tjetër të vitit e kalova në shërbim.
Po atë vit bekim i madh ishte të shihja nënën time të pagëzohej, si edhe vejushën me fëmijët e saj, përveç vajzës më të vogël, Marianthit, e cila ishte pagëzuar në vitin 1943 dhe ishte bërë gruaja ime e dashur në nëntor të po atij viti. Tridhjetë vjet më vonë, në vitin 1974, edhe babai im u bë Dëshmitar i pagëzuar.
Në fillim të vitit 1945, morëm nga Zyra e Degës kopjen e parë të shaptilografuar të Kullës së Rojës. Artikulli kryesor kishte titullin «Shkoni, bëni dishepuj nga të gjitha kombet». (Mateu 28:19; The Emphatic Diaglott) Së bashku me Marianthin u nisëm menjëherë për të punuar territore të largëta në lindje të lumit Strimon. Më vonë, me ne u bashkuan edhe Dëshmitarë të tjerë.
Shpesh ecnim zbathur për të arritur në një fshat, duke përshkuar kilometra të tërë përmes grykave të thella dhe mbi male. Ecnim kështu për të ruajtur këpucët, sepse po të griseshin, nuk kishim të tjera për t’i zëvendësuar. Nga viti 1946 deri në vitin 1949 në Greqi ziente lufta civile dhe ishte shumë e rrezikshme të udhëtoje. Nuk ishte gjë e pazakontë të shihnim kufoma të shtrira anës rrugës.
Në vend që të shkurajoheshim nga vështirësitë, vazhduam të shërbenim me zell. Shumë herë u ndjeva si psalmisti, i cili shkroi: «Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër.» (Psalmi 23:4) Gjatë kësaj periudhe, largoheshim shpesh nga shtëpia për javë të tëra dhe disa herë kam kaluar 250 orë në muaj në shërbim.
Shërbimi në Aidhonokori
Një nga fshatrat që vizituam në vitin 1946 ishte Aidhonokori, që gjendej afër majës së një mali. Atje takuam një burrë që na tha se në fshat kishte dy burra të cilët donin të dëgjonin mesazhin e Biblës. Megjithatë, për shkak të frikës nga fqinjët, burri nuk dëshironte të na drejtonte tek ata burra. Gjithsesi, ne i gjetëm shtëpitë e tyre dhe ata na mikpritën. Në fakt, pas disa minutash, dhoma e ndenjes ishte mbushur plot me njerëz! Ata ishin ose të afërm, ose miq të ngushtë. Isha plotësisht i mahnitur kur pashë se me çfarë vëmendje u ulën të na dëgjonin. Shpejt mësuam se ata i kishin pritur me padurim Dëshmitarët e Jehovait, por gjatë pushtimit gjerman, në atë zonë nuk kishte pasur të tillë. Çfarë e kishte nxitur interesin e tyre?
Dy kryefamiljarët kishin qenë të shquar në partinë komuniste dhe ua kishin prezantuar idetë komuniste njerëzve përreth. Por më pas u kishte rënë në dorë një kopje e librit Qeveria, botuar nga Watch Tower Society. Pas leximit të saj, ata u bindën se e vetmja shpresë për një qeveri të përsosur e të drejtë ishte Mbretëria e Perëndisë.
Folëm me këta burra dhe me miqtë e tyre deri në mesnatë. Ata ishin plotësisht të kënaqur me përgjigjet e bazuara në Bibël që morën për pyetjet e tyre. Megjithatë, jo shumë kohë pas kësaj, komunistët e fshatit komplotuan për të më vrarë, sepse më konsideronin përgjegjës për ndryshimin e pikëpamjeve të ish-udhëheqësve të tyre. Rastësisht, atë natë të parë, mes të pranishmëve ishte edhe burri që më tregoi për të interesuarit në fshat. Më vonë, ai përparoi në njohurinë biblike, u pagëzua dhe më pas u bë një plak i krishterë.
Persekutim brutal
Jo shumë kohë pasi takova këta ish-komunistë, dy policë mësynë në një shtëpi ku po drejtonim një mbledhje. Ata arrestuan katër prej nesh nën kërcënimin e pushkëve dhe na shoqëruan për në degën e policisë. Atje, togeri i policisë, i cili kishte lidhje të ngushta me klerin e Kishës Ortodokse Greke, na shau. Në fund fare, na pyeti: «Atëherë, ç’të bëj me ju?»
«Le t’u japim nga një dru të mirë!»—bërtitën njëzëri policët e tjerë që qëndronin pas nesh.
Ishte një orë e vonë e natës. Policët na mbyllën në bodrum dhe shkuan në tavernën aty afër. Kur ishin bërë tapë, erdhën dhe më çuan sipër.
Duke parë se në ç’gjendje ishin, e kuptova se mund të më vritnin kur të donin. Kështu, iu luta Perëndisë që të më jepte forcën për të duruar çdo gjë që mund të pësoja. Ata morën ca shkopinj druri dhe, siç po tregoja në fillim, filluan të më goditnin në shputat e këmbëve. Pas kësaj më goditën në të gjithë trupin dhe më hodhën përsëri në bodrum. Pastaj, nxorën jashtë një viktimë tjetër dhe filluan ta rrihnin.
Ndërkohë, e përdora këtë mundësi për t’i përgatitur dy Dëshmitarët e tjerë të rinj që të përballonin sprovën që i priste. Por, në vend të kësaj, policët më zgjodhën përsëri mua për të më çuar lart. Më hoqën rrobat dhe pesë prej tyre më rrahën për pothuajse një orë, duke më shkelur në kokë me çizmet e tyre ushtarake. Pastaj, më hodhën në fund të shkallëve, ku mbeta pa ndjenja për 12 orë.
Kur më në fund na liruan, një familje në fshat na strehoi gjatë natës dhe u kujdes për ne. Ditën tjetër, u nisëm për në shtëpi. Ishim kaq të rraskapitur e të sfilitur nga rrahjet, saqë udhëtimin që normalisht zgjaste dy orë më këmbë, e bëmë për tetë orë. Unë isha kaq i enjtur nga rrahjet, saqë Marianthi mezi më njohu.
Rritje pavarësisht nga kundërshtimi
Në vitin 1949, ndërsa lufta civile vazhdonte akoma, u transferuam në Selanik. Më caktuan të shërbeja si zëvendës-shërbëtor i kongregacionit, në një prej katër kongregacioneve të qytetit. Pas një viti, kongregacioni u rrit kaq shumë, saqë formuam një të ri dhe mua më caktuan si shërbëtor kongregacioni ose mbikëqyrës drejtues. Një vit më vonë, kongregacioni i ri thuajse ishte dyfishuar dhe u formua edhe një kongregacion tjetër!
Kundërshtarët ishin të inatosur me rritjen e Dëshmitarëve të Jehovait në Selanik. Një ditë, në vitin 1952, kur u ktheva nga puna, e gjeta shtëpinë komplet të djegur. Marianthi mezi kishte shpëtuar jetën. Në mbledhjen e asaj mbrëmjeje, na u desh të shpjegonim se përse kishim shkuar me rroba të pista: kishim humbur çdo gjë tjetër. Vëllezërit tanë të krishterë qenë shumë dashamirës dhe na mbështetën.
Në vitin 1961, më caktuan në veprën udhëtuese, pra, të vizitoja një kongregacion të ndryshëm çdo javë, për të forcuar frymësisht vëllezërit. Për 27 vjetët që kaluan, së bashku me Marianthin, kemi vizituar qarqet dhe krahinat në Maqedoni, Trakë dhe Tesali. Edhe pse Marianthi im e dashur ishte pothuajse e verbër që nga viti 1948, ajo shërbeu me guxim së bashku me mua, duke duruar shumë sprova besimi. Edhe atë e arrestuan, e nxorën para gjyqit dhe e burgosën shumë herë. Më pas, shëndeti filloi t’i keqësohej dhe vdiq në vitin 1988, pas një beteje të gjatë me kancerin.
Po atë vit, më emëruan të shërbeja si pionier special në Selanik. Tani, pas më shumë se 56 vjetësh shërbimi ndaj Jehovait, jam ende në gjendje të punoj fort dhe të marr pjesë në të gjitha aspektet e shërbimit. Disa herë, kam drejtuar deri në 20 studime biblike çdo javë me personat e interesuar.
Kam arritur të kuptoj se jemi vërtet në fillim të një programi të madh mësimi që do të vazhdojë në botën e re të Jehovait për një mijë vjet. Megjithatë, mendoj se kjo nuk është aspak koha që ne t’i marrim gjërat shtruar, t’i shtyjmë për më vonë ose ta kalojmë kohën duke kënaqur dëshirat tona njerëzore. Falënderoj Perëndinë që më ka ndihmuar ta mbaj premtimin që i bëra në fillim fare, sepse Jehovai e meriton vërtet devocionin dhe shërbimin tonë me gjithë shpirt.
[Figura në faqen 24]
Duke mbajtur një fjalim, kur vepra e predikimit ishte nën ndalim
[Figura në faqen 25]
Me gruan time, Marianthin