Gjëzat hyjnore dhe qëllimi i Perëndisë
KUR një njeri nuk e di se çfarë është, atëherë është diçka, por kur e di se çfarë është, atëherë nuk është gjë. Çfarë është? Një gjëzë.
Në shoqërinë e sotme tepër praktike, njerëzit kanë prirjen t’i konsiderojnë gjëzat si lojëra për fëmijë, por siç vëren The Interpreter’s Dictionary of the Bible, në kohët e lashta gjëza «ishte një test mençurie».—Krahaso Fjalët e urta 1:5, 6.
Disa herë, në vend që ta thoshte qartë vullnetin ose qëllimin e tij, Jehovai i ka errësuar me qëllim thëniet e tij profetike, duke përdorur analogji, «thënie të errëta» misterioze ose gjëza hutuese. (Psalmi 78:2, King James Version; Numrat 12:8, The Emphasized Bible) Në fakt, edhe pse fjala hebraike për gjëzë përdoret vetëm 17 herë në Bibël, Shkrimet në kuptimin e mirëfilltë janë plot me gjëza dhe proverba.
Gjëza biblike me bollëk
Sipas të dhënave, mbreti Solomon ishte në gjendje të zgjidhte edhe pyetjet ose gjëzat më të çuditshme që i parashtronin. (1. Mbretërve 10:1, shënimi, BR) Patjetër, kjo vinte si rezultat i mençurisë së dhënë nga Perëndia. Nëse ka ndonjë të vërtetë në raportet e historianëve të lashtë se Solomoni një herë humbi garën me gjëza me mbretin Hiram të Tiros, ka të ngjarë që kjo të ketë ndodhur pasi ai humbi frymën e Jehovait, si pasojë e apostazisë së tij. Në mënyrë të ngjashme, edhe gjykatësi Samson shfaqi prirje për gjëzat. Në një rast, i fuqizuar me anë të frymës së shenjtë, ai pati mundësi t’u fuste frikën në zemër armiqve të Perëndisë, duke përdorur një gjëzë.—Gjyqtarët 14:12-19.
Megjithatë, shumë gjëza biblike kanë lidhje drejtpërdrejt me qëllimet e Jehovait. Shqyrto, për shembull, Zanafillën 3:15. Kjo profeci, e cila vendos bazën për temën e Biblës, në vetvete është diçka si enigmë, një «sekret i shenjtë». (Romakëve 16:25, 26, BR) Përveç vizioneve dhe zbulimeve mbinatyrore që iu dhanë, apostulli Pavël pa edhe disa aspekte të qëllimit të Perëndisë në «mënyrë të errët» ose fjalë për fjalë «shprehje të errësuar». (1. Korintasve 13:12; 2. Korintasve 12:1-4) Po në lidhje me spekulimin e pafund që ka rrethuar numrin misterioz të bishës së egër—«gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë»—që shfaqet papritur dhe pa shpjegim në Zbulesën 13:18? Kush është në gjendje të zgjidhë këto gjëza hyjnore dhe për cilin qëllim shërbejnë ato?
Zbërthehen sekretet e shenjta
Për shumë prej nesh, të parit është shqisa më e çmuar nga të pesë shqisat. Por pa dritë, shikimi njerëzor do të ishte pothuajse i padobishëm. Ne do të ishim si të verbër. Po kështu është edhe me mendjen njerëzore. Ajo ka një aftësi mahnitëse për të krahasuar modelet, për të vënë në punë logjikën dhe prandaj, për të zgjidhur enigmat. Megjithatë, për të zbërthyer sekretet e shenjta duhet diçka më tepër. Ndonëse të tjerët mund të ofrojnë zgjidhje për gjëzat që gjenden në Bibël, vetëm Autori i tyre, Jehovai, Perëndia i dritës, mund të zbulojë domethënien e tyre të paramenduar.—1. Gjonit 1:5.
Mjerisht, njerëzit shpesh janë tepër krenarë dhe të pavarur për të pritur Jehovain që të japë përgjigjet. Të tërhequr nga misteri, këta njerëz janë ata që, duke kërkuar nxitje intelektuale, por jo medoemos të vërtetën, kërkuan zgjidhje jashtë Fjalës së Perëndisë. Për shembull, misticizmi judaik me Kabalanë e tij shqyrtonte domethënien e mistershme të numrave dhe shkronjave të alfabetit hebraik. Gnostikët e shekullit të dytë, nga ana tjetër, i përdornin Shkrimet Hebraike dhe Greke në përpjekje për të nxjerrë domethënie sekrete prej tyre.
Gjithsesi, të gjitha këto kërkime i çuan ata më tej në ritet pagane ose besëtytnitë dhe larg së vërtetës hyjnore. ‘E, pra, nëse bota është plot ligësi,—arsyetuan gnostikët,—atëherë Krijuesi i saj, Jahve, nuk mund të jetë një Perëndi i mirë.’ A është ky përfundimi më i mirë që mund të nxirrnin? Sa i cekët është arsyetimi njerëzor! Nuk habitemi që apostulli Pavël, duke luftuar idetë apostate që u zhvilluan më vonë nga sektet gnostike, paralajmëroi fuqimisht në letrat e tij: «Mos shkoni përtej gjërave që janë shkruar.»—1. Korintasve 4:6, BR.
Hidhet dritë mbi «thëniet e errëta»
Prapëseprapë, përse një Perëndi drite do të fliste në njëfarë mënyre me «thënie të errëta»? Vetë natyra e gjëzave nxit imagjinatën dhe aftësitë e arsyetimit. Prandaj, të shpërndara në Shkrime si garnitura e shijshme në një gjellë të zgjedhur, disa herë ato u përdorën thjesht për të nxitur interesin e auditorit ose për t’i bërë më të gjalla mesazhet e dhëna. Në këto raste, zakonisht shpjegimet jepen menjëherë pas gjëzës.—Ezekieli 17:1-18; Mateu 18:23-35.
Jehovai e jep me bujari mençurinë, por kurrë pa asnjë dallim. (Jakobit 1:5-8) Shqyrto librin e Proverbave (Fjalët e urta), një përmbledhje e frymëzuar me shumë thënie enigmatike që disa mund t’i konsiderojnë gjëza. Duhet kohë dhe meditim për t’i kuptuar ato. Por sa njerëz janë të gatshëm të bëjnë këtë përpjekje? Mençuria që përmbajnë ato është në dispozicion vetëm të atyre që janë të gatshëm të gërmojnë për të.—Fjalët e urta 2:1-5.
Në mënyrë të ngjashme, Jezui i përdori ilustrimet për të nxjerrë në pah gjendjen e zemrës së dëgjuesve të tij. Përreth tij mblidheshin turma njerëzish. Atyre u pëlqenin historitë e tij. Kënaqeshin nga mrekullitë që bënte. Megjithatë, sa prej tyre ishin të gatshëm të ndryshonin stilin e tyre të jetesës dhe ta ndiqnin Jezuin? Çfarë kontrasti me dishepujt e Jezuit, të cilët kërkonin vazhdimisht të kuptonin mësimet e Jezuit dhe e mohuan vullnetarisht vetveten për t’u bërë ithtarët e tij!—Mateu 13:10-23, 34, 35; 16:24; Gjoni 16:25, 29.
Të shohim dritën
«Interesi për gjëzat,—vëren një burim,—duket se përkon me periudhat e zgjimit intelektual.» Sot ne jemi shumë të privilegjuar, pasi jetojmë në një kohë kur «drita [frymore] ka shkëlqyer» për popullin e Perëndisë. (Psalmi 97:11, BR; Danieli 12:4, 9) A mund të presim me durim Jehovain që të zbulojë qëllimet e tij sipas orarit që ka vendosur? Ç’është më e rëndësishmja, a veprojmë me gatishmëri për të ndryshuar jetën tonë, kur kuptojmë mënyrën se si të vihemi më shumë në harmoni me vullnetin e zbuluar të Perëndisë? (Psalmi 1:1-3; Jakobit 1:22-25) Nëse bëjmë kështu, Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tona, në mënyrë që, ashtu si syzet optike rregullojnë shikimin e mjegulluar, fryma e shenjtë të na e sjellë të qartë para syve të mendjes sonë mozaikun e bukur të qëllimit hyjnor, duke na përmirësuar shikimin frymor.—1. Korintasve 2:7, 9, 10.
Në fakt, gjëzat biblike lartësojnë Jehovain si ‘Zbuluesin e sekreteve’. (Danieli 2:28, 29, BR) Për më tepër, ai është edhe një Hetues zemrash. (1. Kronikave 28:9) Nuk duhet të habitemi kur mësojmë se zbulimi i dritës të së vërtetës hyjnore ka qenë gjithnjë progresiv. (Fjalët e urta 4:18; Romakëve 16:25, 26) Në vend që të kërkojmë njohurinë për gjërat e thella të Perëndisë përmes misticizmit ose mençurisë së cekët njerëzore, e cila mund të çojë vetëm në kotësi, le t’i drejtohemi të sigurt Perëndisë Jehova që të hedhë dritën e së vërtetës mbi «thëniet e errëta» të tij, duke ia bërë të njohura qëllimet e tij të mrekullueshme shërbëtorëve besnikë në kohën e vet të caktuar!—Amosi 3:7; Mateu 24:25-27.
[Burimi i figurës në faqen 26]
Biblia Hebraica Stuttgartensia, Deutsche Bibelgesellschaft Stuttgart