BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 1/6 f. 28-31
  • Bashkëpunëtorët e Pavlit: Cilët ishin ata?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Bashkëpunëtorët e Pavlit: Cilët ishin ata?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Shokë udhëtimi, mikpritës dhe mikpritëse
  • Një mori miqsh
  • Mbështetje besnike, ndërsa ishte në burg
  • «Ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë»
  • ‘Dha dëshmi të plotë’
    ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
  • Merr zemër—Jehovai është Ndihma jote
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2020 (Për studim)
  • «Jam i pastër nga gjaku i të tërë njerëzve»
    ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
  • Pavli në Romë
    Libri im i tregimeve biblike
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 1/6 f. 28-31

Bashkëpunëtorët e Pavlit: Cilët ishin ata?

NË LIBRIN biblik të Veprave dhe në letrat e Pavlit, përmenden rreth njëqind individë, pjesëtarë të kongregacionit të krishterë të shekullit të parë, të cilët kanë pasur kontakt me ‘apostullin e kombeve’. (Romakëve 11:13, BR) Për një pjesë të tyre dimë shumë gjëra. Ja, për shembull, ti mund t’i njohësh aktivitetet e Apolit, të Barnabës dhe të Silës. Nga ana tjetër, ka mundësi ta kesh më të vështirë të thuash shumë gjëra për Arkipin, Klaudian, Damarisin, Linin, Persidën, Pudentin dhe për Sopatrin.

Në kohë të ndryshme dhe nën rrethana të shumëllojshme, shumë individë luajtën një rol aktiv në mbështetjen e shërbimit të Pavlit. Disa prej tyre, si Aristarku, Luka dhe Timoteu shërbyen përkrah apostullit për shumë vjet. Kur Pavli ishte në burg ose kur ishte në lëvizje, disa qenë përkrah tij qoftë si shokë udhëtimi, qoftë si mikpritës dhe mikpritëse. Mjerisht disa të tjerë, si Aleksandri, Dema, Hermogeni dhe Figeli, nuk qëndruan në besimin e krishterë.

Kur bëhet fjalë për disa miq të tjerë të Pavlit, siç ishin Asinkriti, Erma, Julia ose Filologu, sa për të përmendur disa, përveç emrit nuk është se dimë shumë për ta. Në rastin e motrës së Nereut ose të nënës së Rufit, ose të atyre të shtëpisë së Kloes, as edhe emrin nuk ua dimë. (Romakëve 16:13-15; 1. Korintasve 1:11) Megjithatë, një shqyrtim i atij informacioni të paktë që kemi për këta afro njëqind individë, hedh dritë mbi mënyrën në të cilën punonte apostulli Pavël. Gjithashtu, na mëson diçka për dobitë që vijnë kur je i rrethuar nga një numër i madh bashkëbesimtarësh dhe kur punon krah për krah me ta.

Shokë udhëtimi, mikpritës dhe mikpritëse

Shërbimi i apostullit Pavël përfshinte shumë udhëtime. Një shkrimtar llogarit se distanca që përshkoi ai në tokë dhe në det, e regjistruar vetëm në librin e Veprave, arrinte në rreth 16.000 kilometra. Në atë kohë, udhëtimi ishte jo vetëm i lodhshëm, por edhe i rrezikshëm. Ndër rreziqet e shumta që hasi Pavli ishin fundosje anijesh, rreziqe nga lumenjtë dhe nga kusarët, rreziqe në shkretëtirë dhe në det. (2. Korintasve 11:25, 26) Në mënyrë të përshtatshme, rrallëherë Pavli ishte i vetëm në lëvizjet e tij nga një vend në tjetrin.

Ata që e shoqëronin Pavlin ishin një burim shoqërimi, inkurajimi dhe ndihme praktike në shërbim. Herë pas here, Pavli i linte ata pas që të kujdeseshin për nevojat frymore të besimtarëve të rinj. (Veprat 17:14; Titit 1:5) Por prania e shokëve ka shumë mundësi që të ishte thelbësore për sigurinë dhe për mbështetje në përballimin e vështirësive të udhëtimit. Prandaj, individë si Sopatri, Sekundi, Gai dhe Trofimi, të cilët e dimë se kanë qenë ndër shokët e udhëtimit të Pavlit, mund të kenë përmbushur një rol të rëndësishëm në suksesin e shërbimit të tij.—Veprat 20:4.

Po aq e mirëpritur ishte edhe ndihma që dhanë mikpritës e mikpritëse të ndryshme. Kur Pavli mbërrinte në një qytet ku kishte ndër mend të bënte një fushatë predikimi ose thjesht të kalonte natën, një ndër gjërat e para që do të bënte ishte gjetja e një vendi për të ndenjur. Kushdo që udhëtonte aq sa Pavli, do të shtyhej nga nevoja që të flinte në mori shtretërish të ndryshëm. Patjetër që ai mund të qëndronte në një han, por këto përshkruhen nga historianët si «vende të rrezikshme dhe të neveritshme», kështu që aty ku kishte mundësi, ka shumë të ngjarë që Pavli të rrinte te bashkëbesimtarët.

Disa emra të mikpritësve të Pavlit i dimë: Akuila dhe Prishila, Gai, Jasoni, Lidia, Mnasoni, Filemoni dhe Filipi. (Veprat 16:14, 15; 17:7; 18:2, 3; 21:8, 16; Romakëve 16:23; Filemonit 1, 22) Në Filipi, Selanik dhe në Korint, këto strehime i siguruan Pavlit një bazë nga e cila mund të organizonte aktivitetet e tij misionare. Gjithashtu, në Korint, Titius Justi e hapi shtëpinë e tij për t’i siguruar apostullit një vend, nga ku të mund të vazhdonte predikimin e tij.—Veprat 18:7.

Një mori miqsh

Siç mund të pritej, të njohurit e Pavlit u mbajtën mend në disa mënyra për shkak të rrethanave të ndryshme në të cilat i takoi ai. Për shembull, Maria, Persida, Feba, Trifena dhe Trifoza ishin që të gjitha gra bashkëbesimtare, të cilat u lavdëruan për mundimet dhe punën e tyre të lodhshme. (Romakëve 16:1, 2, 6, 12) Pavli pagëzoi Krispin, Gain dhe familjen e Stefanës. Dionisi dhe Damarisi e pranuan mesazhin e së vërtetës prej tij në Athinë. (Veprat 17:34; 1. Korintasve 1:14, 16) Androniku dhe Junia, «[burra] të dalluar midis apostujve» të cilët ishin besimtarë nga një kohë më e gjatë se Pavli, quhen «shokë burgu» të tij. Ndoshta ata kishin qenë në burg, së bashku me të në ndonjë rast. Për këta të dy, ashtu si për Herodionin, Jasonin, Lucin dhe Sosipatrin, Pavli flet si për ‘kushërinjtë’ e tij. (Romakëve 16:7, 11, 21) Edhe pse fjala greke që është përdorur këtu mund të ketë kuptimin «bashkëkombës», domethënia e parë e kësaj fjale është «të afërm gjaku të të njëjtit brez».

Shumë nga miqtë e Pavlit udhëtuan për hir të lajmit të mirë. Përveç shokëve të tij të mirënjohur, janë edhe Akaiku, Fortunati dhe Stefana, të cilët udhëtuan nga Korinti për në Efes, për t’u këshilluar me Pavlin lidhur me gjendjen frymore të kongregacionit të tyre. Artema dhe Tikiku ishin të gatshëm të udhëtonin për t’u takuar me Titin, i cili po shërbente në ishullin e Kretës, ndërsa Zena do të bënte një udhëtim së bashku me Apolin.—1. Korintasve 16:17; Titit 3:12, 13.

Ka edhe persona për të cilët Pavli na jep disa hollësi të vogla e interesante. Për shembull, na tregohet se Epeneti ishte «fryti i parë i Azisë», se Erasti ishte «arkëtari i qytetit» në Korint, se Luka ishte një mjek, se Lidia ishte tregtare të purpurtash dhe se Terci ishte ai që Pavli e përdori për të shkruar letrën drejtuar romakëve. (Romakëve 16:5, 22, 23, BR; Veprat 16:14; Kolosianëve 4:14) Për ata që do të donin të dinin më shumë për këta individë, këto copëza informacionesh janë shumë tërheqëse, edhe pse të shkurtra.

Shokë të tjerë të Pavlit morën mesazhe personale, të cilat tani i gjejmë të dokumentuara në Bibël. Në letrën e tij dërguar kolosianëve, për shembull, Pavli e nxiti Arkipin: «Ki kujdes shërbesën që more në Zotin, që ta plotësosh.» (Kolosianëve 4:17) Evodia dhe Sintikia me sa duket kishin një konflikt personal për të zgjidhur. Prandaj, Pavli u bëri thirrje atyre nëpërmjet një «shoku të vërtetë» në Filipi, të cilit nuk ia dimë emrin, që «të jenë të një mendjeje në Zotin». (Filipianëve 4:2, 3) Patjetër, kjo është një këshillë e mirë për të gjithë ne.

Mbështetje besnike, ndërsa ishte në burg

Pavli u burgos disa herë. (2. Korintasve 11:23) Në ato raste, të krishterët vendas, kur kishte të tillë, duhet të jenë përpjekur të bëjnë gjithçka që mundeshin, për t’ia bërë më të përballueshme këtë përvojë. Kur Pavli pati burgimin e parë në Romë, iu lejua të merrte me qira shtëpinë e tij për dy vjet dhe miqtë mund të vinin ta vizitonin. (Veprat 28:30) Gjatë asaj periudhe, ai u shkroi letra kongregacioneve të Efesit, Filipisë dhe Koloseut, si edhe një letër Filemonit. Këto burime na thonë shumë gjëra për ata që i rrinin afër Pavlit gjatë periudhës së arrestit.

Për shembull mësojmë se Onesimi, skllavi që kishte ikur nga Filemoni, u takua me Pavlin në Romë, ashtu si edhe Tikiku, i cili do ta shoqëronte Onesimin për t’u kthyer te zotëria e tij. (Kolosianëve 4:7-9) Ishte, gjithashtu, edhe Epafroditi, i cili bëri një udhëtim të gjatë nga Filipia me një dhuratë prej kongregacionit të tij e që u sëmur pas kësaj. (Filipianëve 2:25; 4:18) Në bashkëpunim të ngushtë me Pavlin në Romë ishin Aristarku, Marku dhe Jezui i quajtur Just, për të cilët Pavli tha: «Janë të vetmit bashkëpunëtorë në veprën e mbretërisë së Perëndisë, të cilët qenë për mua ngushëllim.» (Kolosianëve 4:10, 11) Krahas gjithë këtyre personave besnikë, ishin edhe Timoteu e Luka, të mirënjohur, si edhe Dema, i cili më vonë e braktisi Pavlin, sepse donte botën.—Kolosianëve 1:1; 4:14; 2. Timoteut 4:10; Filemonit 24.

Me sa duket, asnjëri prej tyre nuk ishte nga Roma, e megjithatë ishin atje, duke përkrahur Pavlin. Ndoshta disa prej tyre kishin shkuar posaçërisht për ta mbështetur gjatë burgimit të tij. Pa dyshim, disa kryenin porosi të ndryshme, disa të tjerë dërgoheshin me misione në vende të largëta dhe të tjerëve Pavli u diktonte letra. Sa dëshmi e gjallë e dendësisë së afrimitetit dhe të besnikërisë që kishin të gjithë këta individë për Pavlin dhe për veprën e Perëndisë!

Nga mbylljet e disa letrave të Pavlit, kuptojmë se ka të ngjarë që ai të ishte i rrethuar nga një shoqëri e madhe vëllezërish e motrash të krishterë, e cila shkon përtej emrave që dimë ne. Në raste të ndryshme ai shkroi: «Të gjithë të shenjtët ju dërgojnë përshëndetjet e tyre» dhe «Të gjithë ata që janë me mua të bëjnë të fala».—2. Korintasve 13:13, BR; Titit 3:15; Filipianëve 4:22.

Gjatë burgimit të dytë kritik të Pavlit në Romë, kur po i kanosej martirizimi, ai i mendonte shumë bashkëpunëtorët e tij. Ai ishte ende aktiv në mbikëqyrjen dhe në bashkërendimin e aktiviteteve, të paktën të disa prej tyre. Titi dhe Tikiku ishin dërguar me misione, Kreshenci kishte ikur në Galaci, Erasti kishte qëndruar në Korint, Trofimi kishte mbetur i sëmurë në Milet, por Marku dhe Timoteu duhej të vinin tek ai. Gjithsesi, Luka ishte pranë Pavlit dhe kur apostulli i shkroi letrën e dytë Timoteut, me të ishin disa besimtarë të tjerë, duke përfshirë Eubulin, Pudentin, Linin dhe Klaudian, të cilët i dërguan përshëndetje Timoteut. Ata padyshim që po bënin ç’ishte e mundur për ta ndihmuar Pavlin. Në të njëjtën kohë, vetë Pavli i dërgoi përshëndetje Prishilës dhe Akuilës, si edhe shtëpisë së Onesiforit. Por, mjerisht, në atë kohë trazirash, Dema e braktisi atë dhe Aleksandri i bëri shumë të këqija.—2. Timoteut 4:9-21.

«Ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë»

Pavli rrallëherë ishte vetëm gjatë aktiviteteve të predikimit. «Tabloja që krijohet,—thotë komentuesi E. Erl Elis,—është ajo e një misionari me një numër të madh shoqëruesish. Në të vërtetë, shumë rrallë Pavli gjendej pa shokë.» Nën udhëheqjen e frymës së shenjtë të Perëndisë, Pavli ishte në gjendje të mobilizonte shumë njerëz dhe të organizonte fushata të efektshme misionare. Ai ishte i rrethuar nga shokë të ngushtë, nga ndihmës të përkohshëm, nga disa persona energjikë dhe nga shërbëtorë të shumtë të përulur. Megjithatë, këta nuk ishin thjesht bashkëpunëtorë. Pavarësisht nga masa në të cilën punuan ose u shoqëruan me Pavlin, lidhja e dashurisë së krishterë dhe e miqësisë personale dallohet qartë.

Apostulli Pavël kishte atë që është quajtur «gjenialitet i miqësisë». Ai bëri shumë punë për t’ua çuar lajmin e mirë kombeve, por nuk u përpoq ta bënte këtë i vetëm. Ai bashkëpunoi me ta dhe e vuri plotësisht në punë kongregacionin e organizuar të krishterë. Pavli nuk mbajti asnjë meritë për vete për rezultatet e arritura, por me përulësi pranoi se ishte një skllav dhe se i gjithë nderimi duhej t’i shkonte Perëndisë si personit që ishte përgjegjës për rritjen.—1. Korintasve 3:5-7; 9:16; Filipianëve 1:1.

Kohët kur jetoi Pavli ishin ndryshe nga kohët në të cilat jetojmë ne, por edhe pse është kështu, askush në kongregacionin e krishterë sot nuk duhet të mendojë se mund të jetë ose duhet të jetë i pavarur. Përkundrazi, duhet të punojmë gjithnjë së bashku me organizatën e Perëndisë, me kongregacionin ku jemi dhe me bashkëbesimtarët tanë. Ne kemi nevojë për ndihmën, mbështetjen dhe ngushëllimin e tyre në kohë të mira dhe në kohë me telashe. Kemi privilegjin e çmuar të jemi pjesë e një ‘shoqërie të tërë vëllezërish në botë’. (1. Pjetrit 5:9, BR) Nëse punojmë me besnikëri dhe dashuri krah për krah dhe në bashkëpunim me të gjithë ata, atëherë ashtu si Pavli, edhe ne mund të themi se «jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë».—1. Korintasve 3:9

[Figurat në faqen 31]

APOLI

ARISTARKU

BARNABA

LIDIA

ONESIFORI

TERCI

TIKIKU

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo