BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 1/6 f. 24-27
  • Gëzohuni në Jehovain dhe jini të gëzuar

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Gëzohuni në Jehovain dhe jini të gëzuar
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Të nxitur për të mbajtur një frymë të gëzuar
  • Përvoja dhe intervista të gëzueshme
  • Një frymë vullnetmirë i sjell njerëzit në Galaad
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Nga studentë të suksesshëm në misionarë të suksesshëm
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Të motivuar për të shërbyer
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • Shkolla e Galaadit: 60 vjet duke stërvitur misionarë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2003
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 1/6 f. 24-27

Gëzohuni në Jehovain dhe jini të gëzuar

PËRFUNDIMI me sukses i çdo projekti të vlefshëm është gjithnjë një kohë për t’u gëzuar. Programi i diplomimit i mbajtur më 13 mars 1999, në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju Jork, ishte patjetër një rast i tillë për 48 studentët e klasës së 106-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit.

Komentet hyrëse të bëra nga Theodor Xharaz, një anëtar i Trupit Udhëheqës, i diplomuar në klasën e shtatë të Galaadit dhe drejtues i programit të diplomimit, theksuan fjalët e Psalmit 32:11: «Gëzohuni në Jehovain dhe jini të gëzuar, ju të drejtë.» Duke shpjeguar se përse ishte e përshtatshme që të gjithë të gëzoheshin në këtë rast, ai tha: «Në raste si ky, ne gëzohemi për shkak të asaj që po kryen Jehovai me ata që janë të drejtë në zemër, duke përfshirë edhe studentët e Galaadit.» Edhe pse studentët kishin bërë plane për të ardhur në Shkollën e Galaadit dhe ishin ushtruar me zell që të kualifikoheshin për shërbimin misionar, është Jehovai ai që bëri të mundur që çdo gjë të arrinte një përfundim të suksesshëm. (Fjalët e urta 21:5; 27:1) Kjo është arsyeja për ‘t’u gëzuar në Jehovain’, theksoi vëllai Xharaz.

Në auditorin e Patersonit gjendeshin edhe familjarët dhe miqtë e studentëve që kishin ardhur nga 12 vende, për të qenë të pranishëm në këtë ngjarje të gëzuar. Ndërkohë që 5.198 të pranishmit, duke përfshirë edhe anëtarët e familjes Bethel të Bruklinit, Patersonit dhe Uollkillit, të lidhur me audio dhe video, i hidhnin një sy programit të shkruar që do të vazhdonte, dukej qartë se mbizotëronte një frymë e gëzuar.

Të nxitur për të mbajtur një frymë të gëzuar

Duke mbaruar komentet hyrëse, vëllai Xharaz prezantoi oratorin e parë nga pesë oratorët që kishin përgatitur këshilla inkurajuese nga Shkrimet jo vetëm për të diplomuarit e Galaadit, por edhe për të gjithë të pranishmit.

I pari që foli ishte Uilliam Malenfont, i diplomuar në klasën e 34-t të Galaadit, i cili tani shërben si ndihmës në Komitetin e Mësimit të Trupit Udhëheqës. Lidhur me temën që zhvilloi, «Jo ‘çdo gjë’ është kotësi!», bazuar në Predikuesin 1:2, ai ngriti pyetjen: «A donte të thoshte vërtet Solomoni se çdo gjë, në kuptimin absolut të fjalës, është kotësi?» Përgjigjja ishte: «Jo. Ai po theksonte se sipërmarrjet njerëzore që shpërfillin vullnetin hyjnor, përpjekjet që bëhen kundër vullnetit hyjnor, këto janë kotësi.» Në kontrast, adhurimi i Perëndisë së vërtetë, Jehovait, nuk është kotësi, as studimi i Fjalës së Perëndisë, Biblës dhe mësimi i saj të tjerëve. Perëndia nuk i harron këto përpjekje të shërbëtorëve të tij. (Hebrenjve 6:10) Në fakt, edhe sikur atyre që kanë gjetur favor në sytë e Perëndisë t’u bjerë ndonjë katastrofë, ata do të «gjenden të mbështjellë në çantën e jetës pranë Jehovait». (1. Samuelit 25:29, BR) Sa ta ngroh zemrën ky mendim! Sjellja ndër mend e këtyre pikave mund t’i ndihmojë të gjithë adhuruesit e Jehovait që të mbajnë një frymë të gëzuar.

Xhon Barr, një anëtar i Trupit Udhëheqës, e inkurajoi klasën e të diplomuarve me fjalimin e tij, «Gjeni kënaqësi në caktimin tuaj misionar». Ai tregoi se shërbimi misionar është diçka që Perëndia Jehova e ka pasur gjithnjë për zemër. «Ishte diçka që ka qenë e lidhur ngushtë me shprehjen e dashurisë që ka Jehovai për botën. Ai dërgoi Birin e tij të vetëmlindur në këtë tokë. Jezui ishte misionari më i madh, më i shquari.» Ndërkohë që të diplomuarit mund të meditonin mbi ndryshimet që iu desh të bënte Jezuit për të pasur sukses në caktimin e tij mbi tokë, dobitë e shërbimit misionar të Jezuit janë ende në dispozicion të të gjithë atyre që do të përfitojnë prej tyre. Është kështu sepse, siç theksoi vëllai Barr, Jezui gjente kënaqësi në bërjen e veprës së Perëndisë e, gjithashtu, i donte bijtë e njerëzimit. (Fjalët e urta 8:30, 31) Vëllai Barr u bëri thirrje të diplomuarve që të kapen fort pas caktimeve të tyre, jo thjesht si një çështje qëndrueshmërie, por sepse gjejnë kënaqësi kur bëjnë kështu. «Mbështetuni në Jehovain, pasi ai nuk do t’ju lërë kurrë»,—i tha vëllai klasës.—Psalmi 55:22.

«Të ecim përgjithmonë në emrin e Jehovait» ishte tema që kishte zgjedhur oratori pasues, Llojd Berri, një anëtar tjetër i Trupit Udhëheqës. Duke qenë se kishte shërbyer si misionar për më tepër se 25 vjet në Japoni, pasi kishte përfunduar klasën e 11-të të Galaadit, vëllai Berri tregoi disa përvoja të misionarëve të hershëm dhe përshkroi sfidat që u ishte dashur të përballonin. Çfarë këshillash praktike dha ai për klasën e të diplomuarve? «Mbi të gjitha mbani gjendjen tuaj të mirë frymore. Gjithashtu, mësoni gjuhën dhe kulturën e vendit. Mbani një ndjenjë humori. Veç kësaj, kapuni fort pas veprës, mos u lodhni e mos u dorëzoni.» Vëllai Berri u tha të diplomuarve se në caktimet në vende të huaja, ata do të takojnë shumë njerëz që ecin në emër të perëndive dhe hyjnive të ndryshme dhe u kujtoi atyre fjalët e Mikeas: «Të gjithë popujt, nga ana e tyre do të ecin secili në emër të perëndisë së vet, por ne, nga ana jonë, do të ecim në emrin e Jehovait, Perëndisë tonë, në kohë të pacaktuar, po, përgjithmonë.» (Mikea 4:5, BR) Shembulli i ish-misionarëve është me siguri një motivim i fuqishëm për të gjithë shërbëtorët e Perëndisë, që të vazhdojnë të ecin në emrin e Jehovait dhe t’i shërbejnë atij me besnikëri.

Më pas, në program ishte instruktori i Galaadit, Lorenc Bouen. Tema e prezantimit të tij ngrinte pyetjen: «Çfarë do të provoni që jeni?» Ai tregoi se suksesi në shërbimin e Perëndisë varet nga besimi dhe siguria në Jehovain. Mbështetja e plotë në Jehovain i solli mbretit Asa një fitore të bujshme mbi ushtrinë armike prej një milion burrash. Megjithatë, profeti Azariah i kujtoi atij nevojën që të vazhdonte të mbështetej në Perëndinë: «Jehovai është me ty për sa kohë që ti do të jesh me të.» (2. Kronikave 14:9-12; 15:1, 2, BR) Duke qenë se emri i Perëndisë, Jehova, përçon mendimin që ai provon se është çfarëdo që nevojitet për të përmbushur qëllimin e tij, si Sigurues, Mbrojtës ose edhe Ekzekutues, misionarët që mbështeten në Jehovain dhe që veprojnë në harmoni me qëllimin e tij do të dalin të suksesshëm në caktimet e tyre. (Eksodi 3:14) «Kurrë mos harroni,—përfundoi vëllai Bouen,—se për sa kohë që e bëni qëllimin e Jehovait, qëllimin tuaj, ai do të shkaktojë që ju të bëheni çfarëdo që nevojitet për të përmbushur caktimin tuaj.»

Oratori i fundit në këtë pjesë të programit ishte Uollas Livërëns, ish-misionar dhe tani sekretar administrativ i shkollës. Fjalimi i tij, i titulluar «Mbajeni Fjalën e Perëndisë të gjallë dhe vepruese brenda jush», tërhiqte vëmendjen mbi mesazhin ose premtimin e padështueshëm të Perëndisë, i cili po shkon gjithnjë përpara drejt plotësimit. (Hebrenjve 4:12) Fjala e Perëndisë ndikon në jetën e atyre që e lejojnë ndikimin e saj. (1. Thesalonikasve 2:13) Si mund ta mbajmë këtë fjalë të gjallë dhe vepruese në jetën tonë? Me anë të studimit të zellshëm të Biblës. Vëllai Livërëns u kujtoi të diplomuarve metodat e studimit të Biblës që mësuan në Galaad, të cilat përfshinin leximin, nxjerrjen e domethënies dhe zbatimin e Fjalës së Perëndisë. Ai citoi fjalët e Albert Shroderit, një anëtar i Trupit Udhëheqës, i cili shërbeu si drejtues i komitetit që ngriti Shkollën e Galaadit 50 vjet më parë: «Duke lexuar kontekstin, një person ka mundësi të fitojë forcën e plotë dhe të saktë frymore që vihet në dispozicion nga Perëndia në Fjalën e Tij.» Kjo mënyrë e studimit të Biblës e mban Fjalën e Perëndisë të gjallë dhe vepruese.

Përvoja dhe intervista të gëzueshme

Pas fjalimeve, auditori dëgjoi disa përvoja të gëzueshme nga studentët. Nën drejtimin e Mark Numarit, ish-misionar dhe tani instruktor i Galaadit, një grup studentësh treguan dhe demonstruan se si u përpoqën të jepnin dëshmi në një shumëllojshmëri situatash. Disa mundën të fillonin dhe të drejtonin studime biblike me njerëzit në territor, duke qenë vëzhgues ndaj rrethanave dhe shprehjeve të tyre dhe duke treguar interes personal. Në këtë mënyrë, studentët po ‘i kushtonin vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimit të tyre’ dhe ishin vërtet të interesuar për të ndihmuar të tjerët që të fitojnë shpëtimin.—1. Timoteut 4:16, BR.

U ofruan shumë sugjerime praktike dhe gëzimi i shërbimit misionar u shfaq qartë edhe nga një numër vëllezërish me përvojë, të cilët po merrnin stërvitje në shkollën për anëtarët e komiteteve të degëve, që drejtohet në Qendrën e Arsimimit Watchtower. Vëllezërit Samuel Herd dhe Robert Xhonson nga personeli i Qendrës Botërore drejtuan intervista entuziaste me përfaqësues nga zyrat e degëve të Shoqatës në Bolivi, në Zimbabve, në Nikaragua, në Rebublikën e Afrikës Qendrore, në Republikën Domenikane, në Papua Guinea e Re dhe në Kamerun.

Pas përvojave dhe intervistave, Gerrit Losh, i diplomuar në klasën e 41-të të Galaadit dhe tani anëtar i Trupit Udhëheqës, mbajti fjalimin përmbyllës me temën nxitëse: «A je një ‘person i dëshirueshëm’?» Vëllai Losh së pari u kujtoi të diplomuarve se Jezui, Biri i përsosur i Perëndisë, nuk konsiderohej i dëshirueshëm nga njerëzit, por «ishte i përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit». (Isaia 53:3) Prandaj, nuk është për t’u habitur që sot, në shumë pjesë të botës, misionarët konsiderohen si persona të padëshirueshëm, jo të pranueshëm dhe të mikpritur si individë. Nga ana tjetër, gjatë viteve të gjata të shërbimit të Danielit në Babiloni, duke folur me anë të një engjëlli, tri herë Krijuesi e quajti Danielin «shumë të dëshirueshëm». (Danieli 9:23; 10:11, 19, BR) Çfarë e bëri të tillë Danielin? Ai nuk bëri kurrë kompromis me parimet e Biblës kur iu përshtat kulturës së Babilonisë, ishte i ndershëm në çdo gjë, duke mos e përdorur kurrë pozitën e tij për avantazh personal dhe ishte një studiues i zellshëm i Fjalës së Perëndisë. (Danieli 1:8, 9; 6:4; 9:2) Ai, gjithashtu, i lutej rregullisht Jehovait dhe ishte gjithnjë gati t’ia jepte Perëndisë lavdinë për arritjet e tij. (Danieli 2:20) Duke ndjekur shembullin e Danielit, shërbëtorët e Perëndisë mund të provojnë se janë të dëshirueshëm, jo medoemos për botën, por për Perëndinë Jehova.

Për të përfunduar këtë program frymësisht ndërtues, drejtuesi lexoi disa telegrame dhe mesazhe që kishin ardhur nga e gjithë bota. Pastaj, secilit nga 24 çiftet iu dha diploma dhe iu njoftua vendi në të cilin ishin caktuar. Në fund, një përfaqësues i klasës lexoi një letër që i drejtohej Trupit Udhëheqës dhe familjes Bethel, ku shprehej çmueshmëria që ndiente klasa për stërvitjen dhe përgatitjen që kishin marrë në pesë muajt e kaluar.

Në përfundim të programit, mes turmës që po largohej, mund të dëgjohej «një gëzim bashkë me falënderime».—Nehemia 12:27, BR.

[Kutia në faqen 27]

Statistikat e klasës

Numri i shteteve të përfaqësuara: 10

Numri i shteteve ku u caktuan: 19

Numri i studentëve: 48

Numri i çifteve të martuara: 24

Mosha mesatare: 33

Mesatarja e viteve në të vërtetën: 16

Mesatarja e viteve në shërbim të plotkohor: 13

[Figura në faqen 25]

Diplomimi i klasës së 106-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit

Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.

(1) Deakin, D.; Puopolo, M.; Laguna, M.; Davault, S.; Dominguez, E.; Burke, J; (2) Gauter, S.; Vazquez, W.; Seabrook, A.; Mosca, A.; Helly, L.; Breward, L; (3) Brandon, T.; Olivares, N.; Coleman, D.; Scott, V.; Petersen, L.; McLeod, K; (4) McLeod, J.; Thompson, J.; Luberisse, F.; Speta, B.; Lehtimäki, M.; Laguna, J; (5) Gauter, U.; Dominguez, R.; Helly, F.; Smith, M.; Beyer, D.; Mosca, A; (6) Scott, K.; Seabrook, V.; Speta, R.; Coleman, R.; Breward, L.; Davault, W; (7) Smith, D.; Lehtimäki, T.; Petersen, P.; Thompson, G.; Vazquez, R.; Beyer, A; (8) Luberisse, M.; Deakin, C.; Brandon, D.; Puopolo, D.; Olivares, O.; Burke, S.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo