BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 15/3 f. 24-25
  • Ndërtojnë mbi themele pagane

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ndërtojnë mbi themele pagane
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Material i ngjashëm
  • Marrëveshje ndërmjet «Tempullit të Perëndisë» dhe idhujve në Greqi?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 15/3 f. 24-25

Ndërtojnë mbi themele pagane

MES monumenteve të shumta mbresëlënëse që vizitojnë turistët në Romë, Itali, është edhe Panteoni. Kjo kryevepër e arkitekturës romake është një nga ndërtesat e pakta që në thelb kanë mbetur siç ishin në kohët e lashta. U fillua të ndërtohej nga Agripa rreth vitit 27 p.e.s. dhe u rindërtua nga Adriani rreth vitit 120 të e.s. Një karakteristikë e dallueshme e kësaj strukture është diametri kolosal prej 43 metrash i kubesë së saj, gjerësia e së cilës është kaluar vetëm në kohët moderne. Fillimisht, Panteoni ishte një tempull pagan, një «vend për të gjitha perënditë», siç është domethënia e fjalës origjinale greke. Sot, ai konsiderohet ende një kishë katolike. Si ndodhi ky transformim i habitshëm?

Në vitin 609 të e.s., Papa Bonifaci IV e ripëruroi këtë tempull, i cili nuk përdorej nga shumë kohë, si një kishë «të krishterë». Në atë kohë, iu dha emri Santa Maria Rotunda. Sipas një artikulli të botuar në vitin 1900 në revistën jezuite italiane La Civilt̀a Cattolica, përdorimi i veçantë që kishte ndër mend Bonifaci për të, ishte «të lartësoheshin së bashku të gjithë martirët e sferës së krishterë ose të gjithë shenjtorët, por pikësëpari, të lartësohej Nëna Virgjëreshë e Perëndisë». Edhe emrat që Kisha Katolike i jep sot Panteonit, Santa Maria ad Martyres ose ndryshe Santa Maria Rotunda, pasqyrojnë këtë qëllim jobiblik.—Krahaso Veprat 14:8-15.

Për ta përshtatur Panteonin me përdorimin e tij të ri, «pak gjëra duheshin bërë,—vazhdon po ky artikull.—Bonifaci ndoqi rregullat e thjeshta e bujare që kishte vendosur Shën Gregori i Madh [Papa Gregori I], pararendësi i Bonifacit, i cili ishte një mjeshtër dhe shembull në përshtatjen e tempujve paganë për t’i përdorur në adhurimin e krishterë». Cilat ishin këto rregulla?

Në vitin 601 të e.s., në një letër dërguar një misionari që shkonte në Britaninë pagane, Gregori dha këtë urdhër: «Nuk ka nevojë të prishen tempujt e idhujve në vendin në fjalë, por vetëm idhujt që mund të gjenden në to . . . Nëse këta tempuj janë në gjendje të mirë, është e nevojshme që t’i kthejmë nga adhurimi i djajve në shërbim në Perëndisë së vërtetë.» Gregori mendonte se nëse paganët do të shihnin që tempujt e tyre nuk ishin prishur, do të ndiheshin më të prirur për të shkuar në to. Papa shkroi se ndonëse paganët e kishin zakon «të vritnin shumë gjedhë për t’ua flijuar djajve, tani shpresohej që të mos i bënin më flijime kafshësh djallit, por t’i thernin ato për kënaqësinë e tyre në lëvdim të Perëndisë».

Katolicizmi e «neutralizoi», gjithashtu, adhurimin pagan, duke ngritur shumë afër tempujve të mëparshëm, kisha që i dedikoheshin shenjtorëve mbrojtës «të krishterë». Kremtimet e lashta u adoptuan dhe iu dha një domethënie «e krishterë». Revista La Civiltà Cattolica shprehej me fjalët: «Të gjithë dijetarët e sotëm e dinë se disa zakone dhe kremtime fetare të të krishterëve të hershëm ishin shumë të lidhura me disa praktika dhe veprime pagane. Këto ishin praktika që njerëzit i kishin për zemër, zakone të rrënjosura dhe të gërshetuara tepër thellë në jetën publike e private të botës së lashtë. Kisha mëmë, dashamirëse dhe e mençur, nuk besoi se do t’i duhej t’i çrrënjoste ato. Përkundrazi, duke i transformuar në një kuptim të krishterë, duke i ngritur ato në një fisnikëri të re dhe jetë të re, ajo triumfoi mbi to, me mjete që ishin të fuqishme, e megjithatë të mirësjellta, me qëllim që të fitonte për vete pa potere, si shpirtrat e masave, ashtu edhe ato të njerëzve me kulturë.»

Një shembull shumë i njohur i adoptimit të një feste pagane është sigurisht festa e Krishtlindjeve. Në fakt, 25 dhjetori ishte një datë në të cilën romakët e lashtë kremtonin dies natalis Solis Invicti, domethënë «ditëlindjen e diellit të pamposhtur».

Kështu, me dëshirën e saj për të fituar zemrat e paganëve, kisha nuk iu përmbajt së vërtetës. Ajo dha justifikime për praktikën e sinkretizmit, që është përvetësimi i besimeve dhe praktikave pagane «të shtrenjta për masat». Rezultati qe një kishë hibride, shumë larg mësimeve të krishterimit të vërtetë. Duke konsideruar sa më sipër, ndoshta nuk habitemi që një ish-tempull romak i kushtuar «të gjitha perëndive», Panteoni, të bëhet një kishë katolike kushtuar Marisë dhe të gjithë «shenjtorëve».

Gjithsesi, duhet të jetë e qartë se të ndryshosh përkushtimin e një tempulli ose emrin e një kremtimi nuk mjafton për ta transformuar ‘adhurimin e djajve në shërbim të Perëndisë së vërtetë’. «Çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt?»—pyeti apostulli Pavël. «‘Dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre,—thotë Jehovai,—e mos prekni gjënë e papastër’; ‘dhe unë do t’ju pranoj’. ‘Dhe unë do të jem një atë për ju dhe ju do të jeni bij e bija për mua’,—thotë Jehovai i Plotfuqishëm.»—2. Korintasve 6:16-18, BR.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo