BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 15/3 f. 26-28
  • Rashi: Një komentues biblik me influencë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Rashi: Një komentues biblik me influencë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Kush ishte Rashi?
  • Pse nevojitej një libër shpjegues?
  • Synimi dhe metodat e Rashit
  • I ndikuar nga kohët kur jetoi
  • Si influencoi ai në përkthimin e Biblës?
  • Mëlçia
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Kush e meriton të quhet rabi?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Çfarë është teksti masoretik?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • A duhet të mësosh hebraisht e greqisht?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 15/3 f. 26-28

Rashi: Një komentues biblik me influencë

CILI ishte një prej librave të parë që u shtypën në hebraisht? Një libër shpjegues mbi Pentateukun (pesë librat e Moisiut). U botua në Rexho Kalabria, Itali, në vitin 1475. Cili ishte autori? Një njeri i njohur me emrin Rashi.

Pse t’i bëhej ky dallim i veçantë një libri shpjegues? Në librin e tij Rashi: Njeriu dhe bota e tij (Rashi-The Man and His World), Ezra Shereshevski pohon se libri shpjegues i Rashit «u bë një tekst bazë në shtëpitë judaike dhe në shtëpinë e studimit. Asnjë vepre tjetër të literaturës judaike nuk i është bërë një vlerësim i tillë . . . Njihen më shumë se 200 libra shpjegues shtesë, vetëm për të sqaruar librin shpjegues të Rashit mbi Pentateukun».

A janë ndikuar vetëm judenjtë nga libri shpjegues i Rashit? Edhe pse si libër nuk kuptohet nga shumë veta, libri shpjegues i Rashit mbi Shkrimet Hebraike ka influencuar shumë në përkthimet e Biblës nëpër shekuj. Por, kush ishte Rashi dhe si arriti të kishte kaq shumë influencë?

Kush ishte Rashi?

Rashi lindi në Truà të Francës, në vitin 1040.a Në moshë të re, ai ndoqi akademitë fetare judaike në Vorms dhe Majnc në Renlend. Atje, studioi nën drejtimin e disa prej dijetarëve më të shquar në Evropë. Rreth moshës 25 vjeç, rrethanat personale e bënë të nevojshme që të kthehej në Truà. Tashmë i njohur si një dijetar i shquar, Rashi u bë shumë shpejt udhëheqësi fetar i komunitetit judaik vendas dhe ngriti akademinë e vet fetare. Me kalimin e kohës, kjo qendër e re mësimore u bë me më shumë influencë se ato të mësuesve të Rashit në Gjermani.

Në atë kohë, judenjtë në Francë gëzonin një paqe dhe harmoni relative me fqinjët që mbaheshin si të krishterë dhe kjo i dha akoma më shumë liri punës metodike të Rashit. E megjithatë, ai nuk qe një dijetar i shkëputur nga bota. Me gjithë prestigjin si mësues dhe si kreu i akademisë, ai fitonte për të jetuar duke bërë verë. Kjo njohje nga afër e zanateve të zakonshme e vuri Rashin në një kontakt më të afërt me judenjtë e thjeshtë, gjë që e ndihmoi t’i kuptonte rrethanat e tyre dhe t’i dhimbseshin. Edhe vendndodhja e qytetit Truà i kontribuoi kuptueshmërisë së Rashit. I vendosur përgjatë rrugëve kryesore tregtare, qyteti shërbeu si qendër kozmopolitane dhe kjo i dha mundësi Rashit të njihte mirë kulturat dhe zakonet e kombeve të ndryshme.

Pse nevojitej një libër shpjegues?

Judenjtë njiheshin si populli i librit. Por «libri», Bibla, ishte në gjuhën hebraike dhe «populli» tani fliste arabisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht dhe një numër të madh gjuhësh të tjera. Ndonëse shumicës së judenjve u mësohej gjuha hebraike që kur ishin fëmijë, ata nuk i kuptonin qartë shumë terma biblikë. Përveç kësaj, për shekuj me radhë, një rrymë e fortë brenda judaizmit rabinik i kishte larguar njerëzit nga shqyrtimi i kuptimit të drejtpërdrejtë të tekstit të Biblës. Kishte me bollëk alegori dhe legjenda lidhur me fjalët biblike. Shumë nga këto komente dhe histori ishin përmbledhur në shkrime voluminoze, që kolektivisht quheshin Midrash.b

Edhe nipi i Rashit, Rabini Samuel ben Meir (Rashbam) ishte një dijetar biblik. Në librin e tij shpjegues mbi Zanafillën 37:2, ai tha se «komentuesit e mëparshëm [para Rashit] . . . kishin prirjen të predikonin ligjërata (derashot), të cilat i konsideronin si objektivin më të rëndësishëm, [por] nuk e kishin zakon të gërmonin në thellësitë e domethënies së drejtpërdrejtë të tekstit biblik». Duke komentuar për këtë rrymë dr. A. Kohen (botuesi kryesor i Soncino Books of the Bible) shkruan: «Është e vërtetë se rabinët vendosën një rregull, sipas të cilit nuk duhej pranuar asnjë interpretim që nuk ishte në përputhje me peshatin ose me domethënien e qartë të shkrimit, por në praktikë ata i kushtuan pak vëmendje këtij rregulli.» Në një ambient të tillë fetar, judenjtë e thjeshtë ndiheshin të pasigurt kur lexonin tekstin e Biblës dhe kishin nevojë për një mjet shpjegues.

Synimi dhe metodat e Rashit

Synimi i gjithë jetës së Rashit ishte ta bënte tekstin e Shkrimeve Hebraike të kuptueshëm për të gjithë judenjtë. Për të kryer këtë, ai filloi të mblidhte fletore shënimesh me komente mbi fjalët dhe vargjet specifike që ai mendonte se do t’i sillnin vështirësi lexuesit. Në shënimet e veta, Rashi përmend shpjegimet e mësuesve të tij dhe nxjerr përfundime në bazë të njohurisë së vet enciklopedike të të gjithë spektrit të literaturës rabinike. Në kërkimet gjuhësore, Rashi i përdori të gjitha burimet e mundshme që ishin në dispozicion. Ai i kushtoi vëmendje mënyrës se si ndikonte theksi dhe shenjat e pikësimit të masoretëve mbi kuptueshmërinë e tekstit. Për të sqaruar domethënien e një fjale, libri i tij shpjegues mbi Pentateukun shpesh i referohet përkthimit aramaik (Targumit të Onkleosit). Rashi shfaqi elasticitet dhe shkathtësi, ndërsa shqyrtoi mundësitë për të shpjeguar parafjalët, lidhëzat, domethëniet e foljeve dhe aspektet e tjera të gramatikës e të sintaksës, të cilat nuk ishin studiuar më parë. Komente të tilla i dhanë një kontribut të vlefshëm kuptueshmërisë së sintaksës dhe gramatikës së gjuhës hebraike.

Në kontrast me rrymën mbizotëruese brenda judaizmit rabinik, Rashi kërkoi gjithnjë të theksonte domethënien e thjeshtë, të drejtpërdrejtë të një shkrimi. Por literatura e gjerë midrashike, kaq shumë e njohur nga judenjtë, nuk mund të lihej në hije. Një aspekt i dallueshëm i librit shpjegues të Rashit është mënyra se si lidhet ai me vetë shkrimet midrashike, të cilat kaq shpesh e kishin errësuar domethënien e drejtpërdrejtë të tekstit të Biblës.

Në komentin e tij mbi Zanafillën 3:8, Rashi shpjegon: «Ekzistojnë shumë midrashim hagadike,c të cilat Të urtët tanë i kanë rregulluar siç duhet në Bereshit Rabah dhe në antologji të tjera midrashike. Por unë merrem në mënyrë të veçantë me domethënien e drejtpërdrejtë (peshat) të vargut dhe me ato hagadot që shpjegon tregimi biblik në kontekstin e tij.» Duke zgjedhur dhe duke redaktuar vetëm ato midrashim që sipas tij ndihmonin për të qartësuar domethënien ose kontekstin e një vargu, Rashi hoqi ose nuk përdori midrashimët që shkaktonin kontraditë ose pështjellim. Si rezultat i këtij botimi, brezat e mëvonshëm të judenjve u njohën më shumë me përzgjedhjet e kujdesshme që bëri Rashi me tekstin e Midrashit.

Edhe pse ishte bujar, kur u njihte meritën mësuesve të tij, Rashi nuk ngurroi të shprehte mospajtimin kur mendonte se shpjegimet binin në kontraditë me arsyetimin e qartë mbi një shkrim. Kur nuk kuptonte ndonjë fragment ose mendonte se më parë nuk e kishte shpjeguar siç duhet atë, ai ishte gati ta pranonte gabimin, madje duke përmendur raste kur studentët e tij e kishin ndihmuar të korrigjonte kuptueshmërinë.

I ndikuar nga kohët kur jetoi

Rashi pasqyroi padyshim kohën në të cilën jetoi. Një autor bëri këtë përmbledhje: «Kontributi i madh [i Rashit] në jetën judaike ishte riinterpretimi i të gjitha fragmenteve me vlerë në gjuhën e atyre kohëve, në një gjuhë kaq të qartë e të kuptueshme, me kaq ngrohtësi e dhembshuri, me një aftësi dhe metodikë kaq të rrallë, saqë librat e tij shpjegues u përnderuan si shkrime dhe u dashuruan si letërsi. Rashi e shkruante hebraishten sikur po shkruante frëngjisht, me mjeshtëri dhe elegancë. Sa herë që nuk gjente fjalën e saktë në hebraisht, ai përdorte në vend të saj një fjalë në frëngjisht, duke e shkruar me germa hebraike.» Këto terma franceze të transkriptuara, nga të cilat Rashi përdori rreth 3.500, janë bërë një burim i vlefshëm për studentët e filologjisë dhe shqiptimit të frëngjishtes së vjetër.

Edhe pse jeta e Rashit filloi në një atmosferë relativisht të qetë, vitet e mëvonshme panë një tension në rritje mes judenjve dhe të krishterëve të vetëshpallur. Në vitin 1096, Kryqëzata e Parë solli shkretim në komunitetet judaike të Renlendit, ku kishte studiuar Rashi. Mijëra judenj u masakruan. Duket se lajmi i këtyre masakrave ndikoi mbi shëndetin e Rashit (që erdhi duke u keqësuar deri në vdekjen e tij, në vitin 1105). Nga ajo kohë e më tej, në librat e tij shpjegues mbi Shkrimet pati një ndryshim domethënës. Një shembull që spikat është Isaia, kapitulli 53, ku flitet për shërbëtorin e Jehovait që vuan. Më parë, Rashi ia kishte zbatuar këto shkrime Mesisë, ashtu si edhe Talmudi. Por duket se pas Kryqëzatave ai mendoi se këto vargje zbatoheshin edhe për popullin jude, i cili kishte hequr vuajtje të padrejta. Kjo doli se qe një pikë kthese në interpretimin judaik të këtyre shkrimeve.d Në këtë mënyrë, sjellja jo e krishterë e të ashtuquajturit krishterim po largonte shumë njerëz, duke përfshirë edhe judenjtë, nga e vërteta për Jezuin.—Mateu 7:16-20; 2. Pjetrit 2:1, 2.

Si influencoi ai në përkthimin e Biblës?

Influenca e Rashit u ndie shumë shpejt përtej judaizmit. Komentuesi françeskan francez i Biblës, Nikolas i Lirës (1270-1349), iu referua kaq shpesh pikëpamjeve të «Rabinit Solomon [Rashit]», saqë iu vu nofka «Majmuni i Solomonit». Nga ana e vet, shumë komentues dhe përkthyes u ndikuan nga Lira, duke përfshirë edhe pararendësit e përkthyesve të King James Version në anglisht dhe reformatorin Martin Luter, i cili revolucionarizoi përkthimin e Biblës në Gjermani. Luteri u mbështet kaq shumë mbi Lirën, saqë një poezi e njohur thoshte: «Sikur Lira të mos i kishte rënë lirës, Luteri nuk do të kishte vallëzuar.»

Rashi u influencua shumë nga mendimi rabinik, i cili nuk është në harmoni me të vërtetën e krishterë. Gjithsesi, me kuptueshmërinë e tij të thellë për termat biblike hebraike, për sintaksën e gramatikën dhe me përpjekjet e tij të vazhdueshme për të dalluar kuptimin e qartë dhe të drejtpërdrejtë të tekstit, Rashi siguron një burim domethënës krahasimi për kërkuesit dhe përkthyesit e Biblës.

[Shënimet]

a «Rashi» është një akronim hebraik, i formuar nga inicialet e fjalëve «Rabin Shlomo Jitzaki [Rabin Solomon ben Isak]».

b Fjala «Midrash» vjen nga një rrënjë hebraike që do të thotë «të kërkosh, të studiosh, të hetosh» dhe në kuptim më të gjerë «të predikosh».

c Hagadah (në shumës hagadot) fjalë për fjalë do të thotë «tregim» dhe i referohet elementeve jo të ligjshme në shkrimet rabinike, të cilat shpesh përfshijnë rrëfenja jobiblike për personazhet e Biblës ose legjenda për rabinët.

d Për informacione të mëtejshme mbi këtë fragment biblik, shiko kutinë «Shërbëtori im»—Kush është ai?, në faqen 28 të broshurës A do të ekzistojë ndonjëherë një botë pa luftë?, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

[Burimi i figurës në faqen 26]

Teksti: Per gentile concessione del Ministero dei Beni Culturali e Ambientali

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo