Marrëveshje ndërmjet «Tempullit të Perëndisë» dhe idhujve në Greqi?
NË KËTË ditë shumë të nxehtë vere, dielli rreh gurët vezullues. Megjithatë, nxehtësia e jashtëzakonshme nuk duket se e ul zellin dhe vendosmërinë e zjarrtë të një turme pelegrinësh ortodoksë të devotshëm grekë, që janë drejtuar për në kishëzën në majë të kodrës.
Ti sheh një grua të vjetër të rraskapitur, që ka udhëtuar nga skaji tjetër i vendit, tek lufton për të vazhduar ecjen me këmbët e saj të lodhura. Pak më lart, një burrë i paduruar po djersit shumë, ndërsa me ankth përpiqet të çajë rrugën përmes turmës që shtyhet. Një vajzë e re, siç duket me dhimbje dhe me një shprehje të dëshpëruar në fytyrë, zvarritet mbi gjunjët e saj të gjakosur keqas. Synimi? Të arrijnë në kohë për t’u lutur para ikonës dhe nëse është e mundur, për ta prekur dhe për ta puthur ikonën e «shenjtorit» të njohur.
Skena të ngjashme me këtë, janë përsëritur në mbarë botën, në vendet kushtuar nderimit të «shenjtorëve». Në dukje, të gjithë këta pelegrinë janë të bindur se në këtë mënyrë po ndjekin rrugën e Perëndisë për t’iu afruar atij, duke shprehur kështu devotshmërinë dhe besimin e tyre. Libri Besimi ynë i krishterë ortodoks thotë: «Ne përkujtojmë [«shenjtorët»] dhe u atribuojmë lavdi dhe nder personazheve të tyre të shenjtë . . . dhe kërkojmë lutjet e tyre përpara Perëndisë në emrin tonë, si dhe përgjërimet dhe ndihmën në nevojat e shumta të jetës sonë. . . . Ne u drejtohemi shenjtorëve që bëjnë mrekulli . . . për nevojat tona frymore dhe fizike.» Gjithashtu, sipas kanuneve të këshillit kishtar të Kishës Katolike Romake, «shenjtorëve» duhet t’u drejtohemi si ndërmjetës tek Perëndia dhe si reliket, ashtu dhe shëmbëlltyrat e «shenjtorëve» duhen nderuar.
Shqetësimi i parë i një të krishteri të vërtetë duhet të jetë adhurimi i Perëndisë «në frymë dhe në të vërtetën». (Gjoni 4:24) Për këtë arsye, le të shqyrtojmë disa fakte në lidhje me mënyrën në të cilën nderimi i «shenjtorëve» u fut si pjesë e praktikave fetare të të ashtuquajturit krishterim. Një shqyrtim i tillë duhet të jetë shumë ndriçues për këdo që dëshiron t’i afrohet Perëndisë në një mënyrë të pranueshme prej Tij.
Si u adoptuan «shenjtorët»
Shkrimet e Krishtere Greke përcaktojnë si «të shenjtë» apo «shenjtorë», të gjithë ata të krishterë të hershëm që ishin pastruar nga gjaku i Krishtit dhe që ishin vënë mënjanë për shërbimin ndaj Perëndisë si bashkëtrashëgimtarë të ardhshëm me Krishtin. (Veprat 9:32; 2. Korintasve 1:1; 13:13)a Në kongregacion, burra dhe gra, të shquar dhe të klasit të ulët, të gjithë ishin përshkruar si «të shenjtë» ndërsa jetonin këtu në tokë. Është e dukshme se njohja e tyre si shenjtorë nga pikëpamja shkrimore, nuk u shty për kohën pasi ata të kishin vdekur.
Por, pas shekullit të dytë të e.s., kur krishterimi apostat po merrte formë, ishte prirja për t’u përpjekur që krishterimi të bëhej popullor, një fe që do të tërhiqte popujt paganë dhe do të ishte gatishmërisht e pranueshme prej tyre. Këta paganë adhuronin një panteon perëndish, ndërsa feja e re ishte rreptësisht monoteiste. Kështu që një kompromis do të ishte i mundshëm nëpërmjet adoptimit të «shenjtorëve», që do të zinin vendin e perëndive të lashta, gjysmëperëndive dhe heronjve mitikë. Duke komentuar mbi këtë, libri Ekklisiastiki Istoria (Historia eklisiastike) thotë: «Për ata që u kthyen nga paganizmi në krishterim, ishte e lehtë që heronjtë e tyre të braktisur t’i njihnin tek personi i martirëve dhe t’u jepnin nderimin që më parë ua jepnin atyre të dikurshmëve. . . . Megjithatë, shumë shpesh dhënia e një nderimi të tillë shenjtorëve, u bë krejtësisht idhujtari.»
Një vepër tjetër referimi shpjegon se si «shenjtorët» ishin futur në të ashtuquajturin krishterim: «Në dhënien e nderimit shenjtorëve të Kishës Ortodokse Greke, gjejmë gjurmë të dukshme të ndikimit të fuqishëm që pati feja pagane. Cilësitë që u atribuoheshin perëndive të Olimpit përpara se [njerëzit] të ktheheshin tek krishterimi, iu dhanë tani shenjtorëve. . . . Që në vitet e hershme të fesë së re, ne shohim që aderuesit e saj e zëvendësojnë perëndinë-diell (Phoebus Apollo) me profetin Elia, ndërtojnë kisha mbi ose pranë rrënojave të tempujve të lashtë apo të altarëve të kësaj perëndie, kryesisht në majë të kodrave dhe maleve, në çdo vend ku grekët e lashtë nderonin dritëdhënësin Phoebus Apollo. . . . Ata madje identifikuan perëndeshën virgjëreshë, Athena, me vetë Virgjëreshën Mari. Prandaj, e çara që ishte krijuar kur u prish idhulli i Athenës, ishte eliminuar brenda shpirtit të idhujtarit të kthyer.»—Neoteron Enkyklopaidikon Lexikon (Fjalori i ri enciklopedik), Vëllimi 1, faqe 270-271.
Le të shqyrtojmë, për shembull, situatën që ekzistonte në Athinë jo më vonë se fundi i shekullit të katërt të e.s. Shumica e banorëve të atij qyteti ishin akoma paganë. Njëri prej riteve të tyre më të shenjta ishte ai i mistereve të Eleusinianit, një ngjarje dyfazëshe,b e mbajtur çdo vit në shkurt, në qytetin e Eleusisit, 23 kilometra në veriperëndim të Athinës. Për të marrë pjesë në këto mistere, athinasve paganë u duhej të ndiqnin Udhën e Shenjtë (Hi·e·raʹ Ho·dosʹ). Në përpjekjet për të siguruar një vend alternues adhurimi, udhëheqësit e qytetit treguan se ishin mendjehollë. Në të njëjtën rrugë, pothuajse 10 kilometra nga Athina, u ndërtua manastiri Dafni për të tërhequr paganët dhe për t’i penguar ata që të merrnin pjesë në misteret. Kisha e manastirit ishte ndërtuar mbi themelet e tempullit të lashtë kushtuar perëndisë grek, Dafnaios ose Pithios Apollo.
Dëshmi e integrimit të hyjnive pagane në nderimin e «shenjtorëve» mund të gjendet, gjithashtu, në ishullin e Kithirës, Greqi. Në njërën prej majave të ishullit, ka dy kishëza të vogla bizantine, njëra prej tyre dedikuar «shenjtorit» Gjergj, tjetra Virgjëreshës Mari. Gërmimet zbuluan se kjo ishte vendndodhja e një altari minoan në një prej majave, që shërbeu si vend adhurimi pothuajse 3.500 vjet më parë. Gjatë shekullit të gjashtë apo të shtatë të e.s., «të krishterët» ndërtuan kishëzën e tyre në nderim të «shenjtorit» Gjergj në vendndodhjen e saktë të altarit të majës. Manovrimi ishte shumë simbolik; ajo qendër e përparuar e fesë minoane, zotëronte rrugët detare të detit Egje. Dy kishat ishin ndërtuar atje për të siguruar favorin e Zonjës sonë dhe «shenjtorit» Gjergj, që më vonë kremtohej në të njëjtën ditë si «mbrojtësi i detarëve», «shenjtori» Nikolas. Një gazetë, duke raportuar mbi këtë zbulim, tha se «sot priftërinjtë [grekë ortodoksë] do të ngjisin malin, tamam ashtu si do të bënte në kohët e lashta prifti minoan», me qëllim që të kryente shërbimet fetare!
Duke përmbledhur deri në ç’masë ishte ndikuar krishterimi apostat nga feja pagane greke, një kërkuese historiane vërejti: «Themeli pagan i fesë së krishterë shpesh mbetet i pandryshuar në besimet popullore, duke vërtetuar kështu natyrën e qëndrueshme të traditës.»
‘Adhurojmë atë që njohim’
Jezui i tha gruas samaritane: «Ne adhurojmë atë që njohim. . . . Adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati.» (Gjoni 4:22, 23) Vëre se të adhurosh në të vërtetën është themelore! Prandaj, është e pamundur që ta adhurosh Perëndinë në mënyrë të pranueshme, pa njohuri të saktë dhe një dashuri të thellë për të vërtetën. Feja e vërtetë e krishterë duhet ta ketë themelin tek e vërteta, jo tek traditat apo praktikat e huazuara nga paganizmi. Ne e dimë se si ndihet Jehovai kur njerëzit përpiqen ta adhurojnë në mënyrë të gabuar. Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve në qytetin e lashtë grek të Korintit: «Ç’harmoni ka Krishti me Belialin? . . . Çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt?» (2. Korintasve 6:15, 16) Çdo përpjekje për ta harmonizuar tempullin e Perëndisë me idhujt është e neveritshme për të.
Për më tepër, në një mënyrë shumë të qartë, Shkrimet përjashtojnë idenë e lutjes ndaj «shenjtorëve», me qëllim që ata të veprojnë si ndërmjetës tek Perëndia. Në lutjen e tij model, Jezui mësoi se lutjet duhet t’i drejtohen vetëm Atit, përderisa ai i udhëzoi dishepujt e tij: «Ju, pra, lutuni kështu: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.’» (Mateu 6:9) Më pas, Jezui tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje. Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj.» Dhe apostulli Pavël tha: «Në fakt një është Perëndia dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezu njeri.»—Gjoni 14:6, 14; 1. Timoteut 2:5.
Nëse dëshirojmë me të vërtetë që lutjet tona të dëgjohen nga Perëndia, është thelbësore që t’i afrohemi atij sipas mënyrës në të cilën na drejton Fjala e tij. Duke theksuar të vetmen mënyrë të vlefshme për t’iu afruar Jehovait, Pavli shkroi, gjithashtu: «Krishti është ai që vdiq, por për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne.» «Prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta.»—Romakëve 8:34; Hebrenjve 7:25.
‘Adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën’
Krishterimi apostat nuk pati as forcën frymore dhe as mbështetjen e frymës së shenjtë të Perëndisë, për t’i nxitur paganët që të braktisnin adhurimin e tyre të rremë dhe të ndiqnin mësimet më se të vërteta të Jezu Krishtit. Ai përvetësoi besimet dhe praktikat pagane në kërkimin e tij për kthime në besim, fuqi dhe popullaritet. Për këtë arsye ai nuk prodhoi të krishterë të vendosur, të pranueshëm nga Perëndia dhe Krishti, por besimtarë të falsifikuar, «egjra» të papërshtatshme për Mbretërinë.—Mateu 13:24-30.
Megjithatë, gjatë kësaj kohe të fundit, nën drejtimin e Jehovait po ndodh një lëvizje e rëndësishme në përtëritjen e adhurimit të vërtetë. Pjesëtarët e popullit të Jehovait në mbarë botën, pavarësisht nga prejardhja e tyre kulturore, sociale apo fetare, përpiqen t’ia përshtatin jetën dhe besimin e tyre normave të Biblës. Nëse dëshiron të mësosh më shumë se si ta adhurosh Perëndinë «në frymë dhe në të vërtetën», të lutemi vihu në kontakt me Dëshmitarët e Jehovait aty ku jeton. Ata do të jenë më se të lumtur që të të ndihmojnë për t’i ofruar shërbim të shenjtë të pranueshëm Perëndisë, i bazuar në fuqinë tënde të arsyes dhe në një njohuri të saktë të Fjalës së tij. Pavli shkroi: «O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer tek Perëndia, që është shërbesa juaj e mençur [me fuqinë tuaj të arsyes, BR]. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullneti i Perëndisë.» Dhe kolosianëve ai u tha: «Prandaj edhe ne, nga dita që e dëgjuam këtë, nuk pushojmë të lutemi për ju dhe të kërkojmë që të mbusheni me njohjen e vullnetit të tij me çdo urtësi dhe mençuri frymore, që të ecni në mënyrë të denjë për Zotin, që t’i pëlqeni atij në çdo gjë, duke sjellë fryt në çdo vepër të mirë dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë.»—Romakëve 12:1, 2; Kolosianëve 1:9, 10.
[Shënimet]
a Disa përkthime të Biblës e përkthejnë fjalën greke haʹgi·os si «i shenjtë», të tjera si «shenjtor».
b Eleusinia më e madhe mbahej çdo vit në shtator, në Athinë dhe në Eleusis.
[Kutia dhe figura në faqen 28]
Përdorim i pabesueshëm i Parthenonit
Perandori «i krishterë» Theodosius II, me dekrete në lidhje me qytetin e Athinës (438 e.s.), zhduku ritet dhe misteret pagane, si dhe mbylli tempujt paganë. Prandaj, ata mundën të ktheheshin në kisha të krishtere. E vetmja kërkesë për një kthim të suksesshëm të një tempulli, ishte pastrimi i tij nëpërmjet vendosjes së një kryqi!
Një prej tempujve të parë që duheshin kthyer, ishte Parthenoni. Ndodhi një rinovim i madh për ta bërë Parthenonin të përshtatshëm për përdorim si një tempull «i krishterë». Që nga viti 869 e.s., ai shërbeu si katedralja e Athinës. Fillimisht, ai nderohej si kisha e «Mençurisë së Shenjtë». Ky mund të ketë qenë një përkujtues i qëllimshëm i faktit se «pronarja» fillestare e tempullit, Athena, ishte perëndesha e mençurisë. Më vonë, ai iu dedikua «Zonjës sonë Athenease». Pas tetë shekujsh përdorimi ortodoks, tempulli u kthye në kishë katolike të Shën Marisë së Athinës. Një «riciklim» i tillë fetar i Parthenonit vazhdoi deri kur, në shekullin e 15-të, turqit otomanë e kthyen në një xhami.
Sot Parthenoni, tempulli i lashtë dorian i Athena Parthenos («Virgjëresha»), perëndesha greke e mençurisë, vizitohet nga mijëra turistë, thjesht si një kryevepër e arkitekturës greke.
[Figura në faqen 26]
Manastiri Dafni: një vend alternues adhurimi për paganët e Athinës së lashtë