BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 1/12 f. 4-7
  • Emri që çon në besimin e vërtetë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Emri që çon në besimin e vërtetë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Çfarë përfaqëson emri i Jezuit?
  • Besim te Jezui apo te Cezari?
  • Të imitojmë sot të krishterët e hershëm
  • Çfarë do të thotë të vësh besim në emrin e Jezuit?
  • Sa rëndësi duhet të ketë për ty emri i Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Sa rëndësi ka për Jezuin emri i Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Emri i Zotit
    Zgjohuni!—2017
  • Të nderojmë emrin e madh të Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2013
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 1/12 f. 4-7

Emri që çon në besimin e vërtetë

«JU NUK besoni në Jezuin dhe në gjakun e tij shpengues»,—i tha një grua një Dëshmitari të Jehovait. Një burrë pohoi: «Ju e quani veten Dëshmitarët e Jehovait, por unë jam një dëshmitar i Jezuit.»

Pikëpamja se Dëshmitarët e Jehovait nuk besojnë në Jezuin ose që nuk i japin atij një rëndësi të mjaftueshme, është pothuajse e zakonshme. Por, cilat janë faktet?

Është e vërtetë se Dëshmitarët e Jehovait kanë ndjenja të forta për emrin e Perëndisë, Jehova.a Itamari, një Dëshmitar në Brazil, kujton: «Pika e kthesës në jetën time erdhi kur mësova emrin e Perëndisë. Kur e lexova për herë të parë, ishte sikur të isha zgjuar nga një gjumë i thellë. Emri Jehova me tronditi dhe më preku thellë, preku pjesën më të thellë të shpirtit tim.» Megjithatë ai shton: «Por, zemra ime gufon me dashuri edhe për Jezuin.»

Po, Dëshmitarët e Jehovait e pranojnë se për të fituar jetën e përhershme, ata duhet të besojnë «në emrin e Birit të Perëndisë», Jezuin. (1. Gjonit 5:13) Por çfarë do të thotë shprehja ‘në emrin e Jezuit’?

Çfarë përfaqëson emri i Jezuit?

Shprehja «në emrin e Jezuit» dhe shprehje të ngjashme me këtë gjenden kudo në Shkrimet e Krishtere Greke ose në «Besëlidhjen e Re». Në fakt, fjala «emër» në referim të rolit të Jezuit shfaqet më shumë se 80 herë, rreth 30 herë vetëm në librin e Veprave. Të krishterët e shekullit të parë u pagëzuan në emrin e Jezuit, shëruan në emrin e tij, mësuan në emrin e tij, e thërritën emrin e tij, vuajtën për emrin e tij dhe e madhështuan emrin e tij.—Veprat 2:38; 3:16; 5:28; 9:14, 16; 19:17.

Sipas një fjalori të Biblës, fjala greke për «emër» shpeshherë përdoret në Bibël «për gjithçka që përfshin një emër, d.m.th., autoritetin, karakterin, rangun, madhështinë, fuqinë, shkëlqesinë, etj.: për gjithçka që nënkupton emri». Pra, emri i Jezuit përfaqëson autoritetin ekzekutiv madhështor e me një shtrirje të madhe, të cilin Perëndia Jehova i ka besuar atij. Vetë Jezui pohoi: «Mua më është dhënë çdo pushtet [autoritet, BR] në qiell e në tokë.» (Mateu 28:18) Pasi Pjetri dhe Gjoni shëruan një njeri të çalë, udhëheqësit fetarë judenj pyetën: «Me ç’pushtet ose në emër të kujt e keni bërë këtë?» Atëherë Pjetri me guxim shprehu besimin e tij në autoritetin dhe në fuqinë e përfaqësuar nga emri i Jezuit, kur bëri të njohur se «në emër të Jezu Krishtit Nazareas, . . . me anë të këtij ky njeri del para jush i shëruar plotësisht».—Veprat 3:1-10; 4:5-10.

Besim te Jezui apo te Cezari?

Gjithsesi, të deklaroje një besim të tillë në emrin e Jezuit nuk do të ishte e lehtë. Siç kishte parathënë Jezui, dishepujt e tij do të ishin ‘objekte urrejtjeje nga të gjitha kombet për shkak të emrit të tij’. (Mateu 24:9, BR) Pse? Sepse emri i Jezuit përfaqëson pozitën e tij si Sundimtari i emëruar nga Perëndia, Mbreti i mbretërve, para të cilit të gjitha kombet duhet të përkulen duke treguar nënshtrim, gjë që ato nuk janë gati ose nuk dëshirojnë ta bëjnë.—Psalmi 2:1-7.

Edhe udhëheqësit fetarë të kohës së Jezuit nuk deshën të përkuleshin duke iu nënshtruar Jezuit. Ata thanë: «Ne s’kemi mbret tjetër përveç Cezarit», duke hedhur poshtë në këtë mënyrë Birin e Perëndisë. (Gjoni 19:13-15) Në vend të kësaj, ata e vunë besimin në emrin, domethënë në fuqinë dhe autoritetin, e Cezarit dhe të qeverisë së tij perandorake. Ata madje vendosën që Jezui duhej të vdiste, me qëllim që ata të ruanin pozitën dhe rangun e tyre.—Gjoni 11:47-53.

Në shekujt që pasuan vdekjen e Jezuit, shumë nga ata që pohonin se ishin të krishterë adoptuan një qëndrim të ngjashëm me atë të udhëheqësve hebrenj. Këta të ashtuquajtur të krishterë e vunë besimin e tyre në fuqinë dhe autoritetin e shtetit dhe u përfshinë në konfliktet e tij. Për shembull, në shekullin e 11-të, pasi kisha i kishte organizuar luftëtarët e saj të papunë në militia Christi ose kalorësit e krishterë, «përgjegjësia për drejtimin e luftës së drejtë u hoq nga fuqitë laike të të ashtuquajturit krishterim dhe u mor nga kisha nëpërmjet ndërhyrjes së kalorësve të saj të krishterë». (The Oxford History of Christianity) Dokumentimi shton se disa deklarata papnore bënë që pjesa më e madhe e ushtarëve të kryqëzatave të besonin se, duke marrë pjesë në kryqëzatat, «kishin bërë një kontratë me Perëndinë dhe kishin siguruar një vend për vete në parajsë».

Disa mund të argumentojnë se është e mundur të jesh besnik ndaj Jezuit e në të njëjtën kohë të marrësh pjesë në çështjet politike, si edhe në luftërat e kombeve. Ata mund të mendojnë se është detyra e të krishterit ta luftojë të keqen kudo që gjendet dhe se kjo gjë përfshin edhe t’i drejtohesh luftës po të jetë e nevojshme. Por a kishin këtë pikëpamje të krishterët e hershëm?

Në një artikull të revistës The Christian Century (Shekulli i krishterë) pohohet: «Të krishterët më të hershëm nuk shërbenin në forcat ushtarake.» Aty shpjegohet se deri në dekadën që zinte vitet 170-180 të e.s., nuk ka as edhe një dëshmi të vetme se të krishterët shërbyen në ushtri. Pastaj në artikull shtohet: «Vetëm gradualisht të krishterët e braktisën kundërshtimin e tyre ndaj shërbimit ushtarak.»

Cilat kanë qenë pasojat? «Ndoshta asgjë tjetër nuk ka kontribuar kaq shumë në diskreditimin e krishterimit sesa praktika e saj për të marrë një qëndrim gati-gati të barabartë me atë të jo të krishterëve, për sa i përket praktikës së luftës»,—vëren artikulli i The Christian Century. «Fakti që të krishterët nga njëra anë përqafojnë besimin e Shpëtimtarit të butë, kurse nga ana tjetër mbështetin me zjarr luftërat fetare ose nacionaliste, e ka dëmtuar shumë besimin.»

Të imitojmë sot të krishterët e hershëm

A është e mundur sot që të krishterët të imitojnë shembullin e pashoq të të krishterëve të hershëm? Dëshmitarët e Jehovait në këtë shekull kanë treguar se është e mundur. Duke folur për ta, botuesi i librit Holocaust Educational Digest vërejti: «Asnjë Dëshmitar i Jehovait nuk do të shkojë ndonjëherë në luftë. . . . Nëse të gjithë ata me pozita pushteti në botë do të kishin qenë të këtij besimi, [Lufta II Botërore] nuk do të kishte ndodhur kurrë.»

E njëjta gjë mund të thuhet për konfliktet rajonale të kohëve të fundit, si ai që u zhvillua në Irlandën e Veriut. Disa vjet më parë, një Dëshmitar i Jehovait po predikonte nga shtëpia në shtëpi në një zonë protestante të qytetit të Belfastit. Një pronar shtëpie, pasi mësoi se Dëshmitari më parë kishte qenë katolik, pyeti: «Kur ishe katolik, e ke mbështetur IRA-n [Ushtria Republikane Irlandeze]?» Dëshmitari e kuptoi se ky burrë mund të bëhej i dhunshëm, sepse më parë atë e kishin burgosur pasi e kishin kapur të armatosur rrugës për të vrarë një katolik dhe sapo kishte dalë nga burgu. Kështu që Dëshmitari u përgjigj: «Tani unë nuk jam katolik. Jam Dëshmitar i Jehovait. Si një i krishterë i vërtetë, unë nuk do të vritja kurrë ndonjë njeri për ndonjë qeveri ose ndonjë njeri tjetër.» Me këto fjalë pronari i shtëpisë i dha dorën dhe i tha: «Të gjitha vrasjet janë të gabuara. Ju po bëni një punë të mirë. Vazhdoni kështu.»

Çfarë do të thotë të vësh besim në emrin e Jezuit?

Megjithatë, të vësh besim në emrin e Jezuit do të thotë më shumë se thjesht të përmbahesh nga lufta. Do të thotë t’u bindesh të gjitha urdhërimeve të Krishtit. Në fund të fundit, Jezui tha: «Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj», dhe njëri nga urdhërimet e tij është që ‘të duam njëri-tjetrin’. (Gjoni 15:14, 17) Dashuria përpiqet t’u bëjë mirë të tjerëve. Ajo largon nga mendja çdo paragjykim racial, fetar dhe shoqëror. Jezui e demonstroi se si.

Hebrenjtë në ditët e Jezuit kishin ndjenja të forta kundër samaritanëve. Në kontrast me ta, Jezui foli me një grua samaritane dhe si rezultat ajo, bashkë me shumë të tjerë, vunë besim në emrin e tij. (Gjoni 4:39) Jezui tha edhe se dishepujt e tij do të ishin dëshmitarët e tij «në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut». (Veprat 1:8) Mesazhi i tij jetëdhënës nuk duhej kufizuar vetëm te hebrenjtë. Në përputhje me këtë, Pjetrit iu dhanë udhëzime për të vizituar centurionin romak Kornelin. Edhe pse për një hebre ishte e paligjshme të vizitonte dikë të një race tjetër, Perëndia i tregoi Pjetrit që ‘të mos e quante asnjë njeri të papastër a të ndotur’.—Veprat 10:28.

Duke imituar Jezuin, Dëshmitarët e Jehovait me gatishmëri ndihmojnë të gjithë njerëzit, cilado qoftë prejardhja e tyre raciale, fetare ose ekonomike, të mësojnë për shpëtimin që vjen nëpërmjet emrit të Jezuit. Besimi në emrin e Jezuit i nxit ata ‘të deklarojnë publikisht se Jezui është Zotëri’. (Romakëve 10:8, 9, BR) Të inkurajojmë të pranosh ndihmën e tyre, me qëllim që edhe ti të mund të mësosh të vësh besim në emrin e Jezuit.

Emri i Jezuit duhet të frymëzojë ndjenja nderimi, respekti dhe bindjeje. Apostulli Pavël tha: «Në emër të Jezuit të përkulet çdo gju i atyre në qiell dhe i atyre mbi tokë, dhe i atyre nën dhe, dhe çdo gjuhë të pranojë hapur se Jezu Krishti është Zotëri për lavdi të Perëndisë, Atit.» (Filipianëve 2:10, 11, BR) Edhe pse pjesa më e madhe e banorëve të tokës mund të mos dëshirojë t’i nënshtrohet sundimit të Jezuit, Bibla tregon se është afër koha kur të gjithë njerëzve do t’u duhet të veprojnë kështu ose të vdesin. (2. Thesalonikasve 1:6-9) Tani, pra, është koha për ta vënë besimin në emrin e Jezuit, duke mbajtur të gjitha urdhërimet e tij.

[Shënimi]

a Për informacione të mëtejshme, shiko broshurën Emri hyjnor që do të qëndrojë përgjithmonë, botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., 1984.

[Figura në faqen 6]

Miliona njerëz kanë vrarë dhe janë vrarë në emrin e Jezuit

[Figura në faqen 7]

Jezui nuk ushqeu paragjykim racial. Po ti?

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo