Të urryer për besimin e tyre
«Ju do të jeni objekt urrejtjeje nga të gjithë njerëzit për shkak të emrit tim.»—MATEU 10:22, BR.
1, 2. A mund të tregosh ndonjë përvojë të jetës reale, të cilën Dëshmitarët e Jehovait e kanë duruar për faktin se praktikojnë bindjet e tyre fetare?
NJË dyqanxhi i ndershëm në ishullin e Kretës arrestohet shumë herë dhe çohet vazhdimisht para gjykatave greke. Gjithsej ai bën më shumë se gjashtë vjet burg, larg gruas së tij dhe pesë fëmijëve. Në Japoni, një nxënës 17-vjeçar përjashtohet nga shkolla, edhe pse ka sjellje të mirë dhe është i pari i klasës së tij me 42 nxënës. Në Francë, një numër njerëzish pushohen aty për aty nga puna, edhe pse kanë një reputacion të shkëlqyer për punë të zellshme dhe të ndërgjegjshme. Cila është ngjashmëria e këtyre përvojave të jetës reale?
2 Të gjithë individët e përfshirë janë Dëshmitarë të Jehovait. «Krimi» i tyre? Në themel, praktikimi i bindjeve të tyre fetare. Duke iu bindur mësimeve të Jezu Krishtit, dyqanxhiu ishte duke e ndarë besimin e tij me të tjerët. (Mateu 28:19, 20) Ai u dënua kryesisht në bazë të një ligji arkaik grek që e bën prozelitizmin një shkelje kriminale. Nxënësi u përjashtua sepse ndërgjegjja e tij, e stërvitur nga Bibla, nuk e lejoi të merrte pjesë në stërvitjet e detyrueshme të kendos (arti japonez i përdorimit të shpatës). (Isaia 2:4) Dhe ata që u pushuan nga puna e tyre në Francë u informuan që arsyeja e vetme për pushimin nga puna ishte se ata e kishin identifikuar veten si Dëshmitarë të Jehovait.
3. Pse janë relativisht të rralla për shumicën e Dëshmitarëve të Jehovait vuajtjet e mëdha të shkaktuara nga njerëzit e tjerë?
3 Përvoja të tilla të hidhura janë tipike të asaj që kanë duruar kohët e fundit Dëshmitarët e Jehovait në disa vende. Megjithatë, për pjesën më të madhe të Dëshmitarëve të Jehovait vuajtjet e mëdha të shkaktuara nga njerëzit e tjerë janë relativisht të rralla. Populli i Jehovait njihet në mbarë botën për sjelljen e shkëlqyer, një reputacion, i cili nuk i jep arsye të vlefshme askujt që të dojë t’u shkaktojë dëm atyre. (1. Pjetrit 2:11, 12) Ata nuk kurdisin komplote e nuk përfshihen në sjellje të dëmshme. (1. Pjetrit 4:15) Përkundrazi, ata përpiqen të jetojnë në përputhje me këshillën e Biblës për të qenë të nënshtruar së pari Perëndisë, pastaj qeverive botërore. Ata paguajnë taksat e kërkuara nga ligji dhe përpiqen të «jenë paqësorë me të gjithë njerëzit». (Romakëve 12:18, BR; 13:6, 7; 1. Pjetrit 2:13-17) Në veprën e tyre të arsimimit biblik ata inkurajojnë respektin për ligjin, vlerat familjare dhe moralin. Shumë qeveri i kanë lavdëruar ata, pasi janë qytetarë që i binden ligjit. (Romakëve 13:3) E megjithatë, siç tregon paragrafi hyrës, disa herë ata kanë qenë shënjestra kundërshtimi, madje në disa vende edhe shënjestra të ndalimit qeveritar. A duhet të na habitë kjo?
Të jesh dishepull: Cila është «kostoja»?
4. Sipas Jezuit, çfarë mund të priste një person kur bëhej dishepull i tij?
4 Jezu Krishti nuk la asnjë dyshim në lidhje me faktin se çfarë do të përfshinte të ishe dishepull i tij. «Një skllav nuk është më i madh se zotëria i tij,—u tha ai ithtarëve të tij.—Nëse më kanë persekutuar mua, do t’ju persekutojnë edhe ju.» Jezuin e urryen «pa shkak». (Gjoni 15:18-20, BR, 25; Psalmi 69:4; Luka 23:22) Dishepujt e tij mund të pritnin të njëjtën gjë, domethënë kundërshtimin pa baza të justifikueshme. Në më shumë se një rast, ai i paralajmëroi ata: «Do të jeni objekt urrejtjeje.»—Mateu 10:22, BR; 24:9.
5, 6. (a) Për cilën arsye Jezui i nxiti ithtarët e ardhshëm që të ‘llogaritnin koston’? (b) Pra, pse nuk duhet të habitemi kur hasim kundërshtime?
5 Rrjedhimisht, Jezui u bëri thirrje ithtarëve të ardhshëm të ‘llogaritin koston’ e të qenët dishepuj. (Luka 14:28, Revised Standard Version) Pse? Jo në kuptimin që të vendosin nëse duhet të bëhen ithtarët e tij apo jo, por që të jenë të vendosur të plotësojnë atë që përfshin kjo gjë. Ne duhet të jemi të përgatitur për të duruar çdo sprovë ose vështirësi që vjen bashkë me privilegjin. (Luka 14:27) Asnjë nuk na detyron t’i shërbejmë Jehovait si ithtarë të Krishtit. Ky është një vendim i marrë vullnetarisht dhe i bazuar mbi njohurinë. Ne e dimë që më përpara se, përveç bekimeve që do të përjetojmë nga hyrja në një marrëdhënie të dedikuar me Perëndinë, do të jemi edhe «objekt urrejtjeje». Prandaj nuk mbetemi të habitur kur hasim kundërshtime. E kemi ‘llogaritur koston’ dhe jemi plotësisht të përgatitur për ta paguar atë.—1. Pjetrit 4:12-14.
6 Pse disa njerëz, duke përfshirë edhe disa autoritete qeveritare, duan t’u kundërvihen të krishterëve të vërtetë? Për t’u përgjigjur, është e dobishme të shqyrtojmë dy grupe fetare në shekullin e parë të e.s. Që të dy grupet urreheshin, por për arsye shumë të ndryshme.
Urrejnë dhe urrehen
7, 8. Cilat mësime pasqyronin përbuzjen për johebrenjtë dhe cili qëndrim u zhvillua mes hebrenjve si rezultat i këtyre mësimeve?
7 Në shekullin e parë të e.s., Izraeli ishte nën sundimin romak dhe judaizmi, sistemi fetar hebraik, në përgjithësi ishte nën sundimin shtypës të udhëheqësve të tillë si skribët dhe farisenjtë. (Mateu 23:2-4) Këta udhëheqës fanatikë i morën normat e Ligjit të Moisiut në lidhje me ndarjen nga kombet dhe i shtrembëruan, duke i kthyer në kërkesa për të përbuzur johebrenjtë. Duke bërë kështu, ata krijuan një fe që shkaktoi urrejtje për johebrenjtë dhe, nga ana tjetër, ngjalli urrejtjen e johebrenjve.
8 Nuk qe e vështirë për udhëheqësit hebrenj të predikonin përçmimin për johebrenjtë, meqë hebrenjtë e asaj kohe i konsideronin johebrenjtë si krijesa të ulëta. Udhëheqësit fetarë mësonin se një grua hebreje nuk duhet të rrinte kurrë vetëm me johebrenjtë, pasi ata «dyshohen për paturpësi». Një burrë hebre nuk duhej «të mbetej vetëm me ta, meqë dyshohen për gjakderdhje». Qumështi që milte një johebre nuk mund të përdorej, po qe se një hebre nuk kishte qenë i pranishëm për të parë procesin. Nëpërmjet ndikimit të udhëheqësve të tyre, hebrenjtë zhvilluan një ftohtësi dhe një ndarje të ngurtë.—Krahaso Gjonin 4:9.
9. Cila ishte pasoja e mësimit nga udhëheqësit hebrenj në lidhje me johebrenjtë?
9 Këto mësime në lidhje me johebrenjtë bënë shumë pak për të nxitur marrëdhëniet e mira mes hebrenjve dhe johebrenjve. Johebrenjtë arritën t’i konsideronin hebrenjtë si njerëz që urrenin gjithë njerëzimin. Historiani romak Taciti (që lindi rreth vitit 56 të e.s.) tha për hebrenjtë se «ata e shohin pjesën tjetër të njerëzimit me të gjithë urrejtjen që mund të kenë për armiqtë». Taciti pohoi edhe se johebrenjve që bëheshin prozelitë hebrenj u mësohej të mohonin vendin e tyre dhe t’i konsideronin si të pavlerë familjen dhe miqtë e tyre. Në përgjithësi, romakët i toleronin hebrenjtë, të cilët ishin mjaft të numërt sa për të mos i nënvlerësuar. Por një revoltë hebraike në vitin 66 të e.s. shkaktoi masa të rrepta ndëshkimore romake, duke çuar në shkatërrimin e Jerusalemit në vitin 70 të e.s.
10, 11. (a) Cilin trajtim në lidhje me të huajt kërkonte Ligji i Moisiut? (b) Çfarë mësimi marrim nga ajo që i ndodhi judaizmit?
10 Si përqasej kjo pikëpamje për të huajt me formën e adhurimit të përshkruar në Ligjin e Moisiut? Vërtet që Ligji nxiste ndarjen nga kombet, por kjo bëhej me qëllim që të mbroheshin izraelitët, e veçanërisht adhurimi i tyre i pastër. (Josiu [Jozueu] 23:6-8) Sidoqoftë, Ligji kërkonte që të huajt të trajtoheshin me drejtësi e ndershmëri dhe që të priteshin me mikpritje, për sa kohë që nuk shkelnin në mënyrë flagrante ligjet e Izraelit. (Levitiku 24:22) Duke u larguar nga fryma e arsyeshme që dilte qartë në Ligj për sa u përkiste të huajve, udhëheqësit fetarë hebrenj të ditëve të Jezuit krijuan një formë adhurimi që shkaktonte urrejtjen për të huajt dhe që urrehej prej tyre. Në fund, kombi hebraik i shekullit të parë e humbi favorin e Jehovait.—Mateu 23:38.
11 A ka ndonjë mësim për ne këtu? Po, ka. Nëse hiqemi si «tepër» të drejtë dhe sikur qëndrojmë më lart, duke parë me përçmim ata që nuk kanë të njëjtat bindje fetare si ne, nuk paraqesim me saktësi adhurimin e pastër të Jehovait e as i pëlqejmë atij. Shqyrto të krishterët besimplotë në shekullin e parë. Ata nuk i urryen njerëzit që nuk ishin të krishterë e as nuk u ngritën në revoltë kundër Romës. Megjithatë, qenë «objekt urrejtjeje». Pse? Dhe nga kush?
Të krishterët e hershëm: Të urryer nga kush?
12. Si bëhet e qartë nga Shkrimet se Jezui donte që ithtarët e tij të kishin një pikëpamje të ekuilibruar për jo të krishterët?
12 Nga mësimet e Jezuit del qartë se ai donte që dishepujt e tij të kishin një pikëpamje të ekuilibruar për ata që nuk ishin të krishterë. Nga njëra anë, ai tha se ithtarët e tij do të ishin të ndarë nga bota, domethënë, ata duhet të shmangnin qëndrimet dhe sjelljen që ishin në konflikt me udhët e drejta të Jehovait. Ata do të mbeteshin asnjanës në çështjet e luftës dhe të politikës. (Gjoni 17:14, 16) Nga ana tjetër, në vend që të nxiste përbuzjen për ata që nuk ishin të krishterë, Jezui u tha ithtarëve të tij ‘të donin armiqtë e tyre’. (Mateu 5:44) Apostulli Pavël u bëri thirrje të krishterëve: «Nëse armiku yt është i uritur, ushqeje; nëse është i etur, jepi diçka për të pirë.» (Romakëve 12:20, BR) Ai u tha, gjithashtu, të krishterëve të ‘bëjnë atë që është e mirë ndaj të gjithëve’.—Galatasve 6:10, BR.
13. Pse udhëheqësit fetarë hebrenj i kundërshtonin kaq shumë dishepujt e Krishtit?
13 E megjithatë, shpejt dishepujt e Krishtit e panë veten «objekt urrejtjeje» nga tri burime. Të parët ishin udhëheqësit fetarë hebrenj. S’është për t’u habitur që të krishterët tërhoqën menjëherë vëmendjen e tyre. Të krishterët kishin parime të larta për moralin e integritetin dhe e shpërndanin me zell të zjarrtë mesazhin e tyre shpresëdhënës. Mijëra vetë e braktisën judaizmin dhe përqafuan krishterimin. (Veprat 2:41; 4:4; 6:7) Për udhëheqësit fetarë hebrenj, dishepujt hebrenj të Jezuit nuk ishin gjë tjetër veçse apostatë! (Krahaso Veprat 13:45.) Këta udhëheqës të zemëruar mendonin se krishterimi i anulonte traditat e tyre. E pra, kjo fe mohonte edhe pikëpamjen që kishin ata për johebrenjtë! Duke filluar që nga viti 36 i e.s. dhe më tej, johebrenjtë mund të bëheshin të krishterë, duke pasur të njëjtin besim dhe duke gëzuar të njëjtat privilegje si të krishterët hebrenj.—Veprat 10:34, 35.
14, 15. (a) Pse të krishterët ngjallën urrejtjen e adhuruesve paganë? Jep një shembull. (b) Cili ishte grupi i tretë, për të cilin të krishterët e hershëm u bënë «objekt urrejtjeje»?
14 Së dyti, të krishterët ngjallën urrejtjen e adhuruesve paganë. Për shembull, në Efesin e lashtë, bërja e altareve prej argjendi të perëndeshës Artemisa ishte një tregti me përfitim. Por, kur Pavli predikoi atje, një numër i konsiderueshëm efesianësh reaguan pozitivisht, duke braktisur adhurimin e Artemisës. Kur e panë se iu kërcënua tregtia e tyre, argjendarët u revoltuan. (Veprat 19:24-41) Diçka e ngjashme ndodhi pasi krishterimi u përhap në Bitini (tani Turqia Veriperëndimore). Jo shumë kohë pasi u përfunduan së shkruari Shkrimet Greke, qeveritari i Bitinisë, Plini i Ri, raportoi se tempujt paganë po braktiseshin dhe se shitja e sanës për kafshët e flijimeve kishte rënë shumë. U fajësuan dhe u persekutuan të krishterët, meqë adhurimi i tyre nuk lejonte flijimet e kafshëve dhe idhujt. (Hebrenjve 10:1-9; 1. Gjonit 5:21) Qartë, përhapja e krishterimit prekte interesat vetjake të lidhura me adhurimin pagan dhe atyre që humbën si tregtinë, ashtu edhe paratë, nuk u pëlqeu kjo.
15 Së treti, të krishterët u bënë «objekt urrejtjeje» nga romakët nacionalistë. Në fillim, të krishterët njiheshin nga romakët si një grup fetar i vogël e ndoshta fanatik. Por me kalimin e kohës, edhe thjesht deklarimi se një person ishte i krishterë u bë një shkelje e ligjit, e dënueshme me vdekje. Pse qytetarët e ndershëm që bënin një jetë të krishterë konsideroheshin se e meritonin persekutimin dhe vdekjen?
Të krishterët e hershëm: Pse urreheshin në botën romake?
16. Në cilat mënyra të krishterët u mbajtën të ndarë nga bota dhe pse kjo gjë i bëri të papëlqyeshëm në botën romake?
16 Kryesisht, të krishterët urreheshin në botën romake sepse praktikonin bindjet e tyre fetare. Për shembull, ata u mbajtën të ndarë nga bota. (Gjoni 15:19) Kështu, ata nuk kishin pozita politike dhe refuzonin të bënin shërbimin ushtarak. Si rezultat, thotë historiani August Neander, ata «paraqiteshin si njerëz të vdekur në lidhje me botën dhe të paaftë në të gjitha punët e jetës». Të mos ishe pjesë e botës do të thoshte edhe të shmangeshin udhët e liga të botës së korruptuar romake. «Bashkësia e vogël e krishterë e turbullonte botën pagane të dhënë pas kënaqësive, me dhembshurinë dhe sjelljen e hijshme të tyre»,—tha historiani Uill Durant. (1. Pjetrit 4:3, 4) Duke i persekutuar dhe duke i vrarë të krishterët, romakët mund të kenë kërkuar të heshtnin zërin turbullues të ndërgjegjes së tyre.
17. Ç’gjë tregon se vepra e predikimit e të krishterëve të shekullit të parë qe e efektshme?
17 Të krishterët e shekullit të parë e predikuan lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë me një zell të paepur. (Mateu 24:14) Rreth vitit 60 të e.s., Pavli mundi të thoshte se lajmi i mirë i ishte «predikuar çdo krijese që është nën qiell». (Kolosianëve 1:23) Nga fundi i shekullit të parë, ithtarët e Jezuit kishin bërë dishepuj kudo në Perandorinë Romake: në Azi, Evropë dhe në Afrikë. Madje edhe disa pjesëtarë të «shtëpisë së Cezarit» u bënë të krishterë.a (Filipianëve 4:22, BR) Ky predikim i zellshëm ngjalli zemërim. Neander thotë: «Dalëngadalë krishterimi përparoi në mes të njerëzve të çdo rangu dhe kërcënoi të përmbyste fenë e shtetit.»
18. Në ç’mënyrë fakti që të krishterët i jepnin devocion ekskluziv Jehovait i vuri ata në mospërputhje me qeverinë romake?
18 Ithtarët e Jezuit i dhanë Jehovait devocion ekskluziv. (Mateu 4:8-10) Mbase ky aspekt i adhurimit të tyre i vuri më shumë në konflikt me Romën sesa çdo aspekt tjetër. Romakët i toleronin fetë e tjera, për sa kohë që aderuesit e tyre merrnin pjesë edhe në adhurimin e perandorit. Të krishterët e hershëm thjesht nuk mund të merrnin pjesë në këtë adhurim. Ata e konsideronin veten si persona që do t’i jepnin llogari një autoriteti më të lartë se ai i shtetit romak, domethënë Perëndisë Jehova. (Veprat 5:29) Si rezultat, pavarësisht se sa i shkëlqyer ishte një qytetar i krishterë në të gjitha aspektet e tjera, ai konsiderohej si një armik i shtetit.
19, 20. (a) Cilët ishin kryesisht përgjegjës për shpifjet e ulëta që u përhapën rreth të krishterëve besimplotë? (b) Cilat akuza të rreme u ngritën kundër të krishterëve?
19 Kishte edhe një arsye tjetër se përse të krishterët e vërtetë u bënë «objekt urrejtjeje» në botën romake: shpifjet e ulëta për ta, akuza për të cilat udhëheqësit fetarë hebrenj ishin jo pak përgjegjës, fituan me lehtësi besimin e të tjerëve. (Veprat 17:5-8) Rreth vitit 60 ose 61 të e.s., kur Pavli ishte në Romë, duke pritur gjyqin nga perandori Neron, hebrenj të shquar thanë për të krishterët: «Vërtet për sa i përket këtij sekti, ne dimë se kudo flitet kundër.» (Veprat 28:22, BR) Neroni pa dyshim kishte dëgjuar histori shpifëse për ta. Në vitin 64 të e.s., kur iu vu faji për zjarrin që shkretoi Romën, thuhet se Neroni zgjodhi të krishterët, për të cilët tashmë ishte folur keq, si viktima për t’u hedhur fajin. Kjo duket se nxiti një valë persekutimi të dhunshëm me qëllimin për të shfarosur të krishterët.
20 Akuzat e rreme kundër të krishterëve shpesh ishin një përzierje e gënjeshtrave të drejtpërdrejta me shtrembërimin e bindjeve të tyre. Meqenëse ishin monoteistë dhe nuk adhuronin perandorin, ata u etiketuan si ateistë. Meqë disa familjarë që nuk ishin të krishterë kundërshtonin të afërmit e tyre të krishterë, të krishterët u akuzuan për prishjen e familjeve. (Mateu 10:21) Atyre iu vu epiteti kanibalë, akuzë që sipas disa burimeve bazohej mbi një shtrembërim të fjalëve të Jezuit, të thëna gjatë Darkës së Zotërisë.—Mateu 26:26-28.
21. Cilat ishin dy arsyet, për të cilat të krishterët qenë «objekt urrejtjeje»?
21 Pra, të krishterët besimplotë ishin «objekt urrejtjeje» nga romakët për dy arsye themelore: (1) për bindjet dhe praktikat e tyre të bazuara në Bibël dhe (2) për akuzat e rreme kundër tyre. Pavarësisht nga arsyeja, kundërshtarët kishin veç një objektiv: shtypjen e krishterimit. Sigurisht, nxitësit e vërtetë të persekutimit të të krishterëve ishin kundërshtarët mbinjerëzorë, forcat e liga frymore të padukshme.—Efesianëve 6:12.
22. (a) Cili shembull tregon se Dëshmitarët e Jehovait përpiqen ‘të bëjnë atë që është e mirë ndaj të gjithëve’? (Shiko kutinë në faqen 11.) (b) Çfarë do të trajtohet në artikullin tjetër?
22 Ngjashëm të krishterëve të hershëm, Dëshmitarët e Jehovait në kohët moderne kanë qenë «objekt urrejtjeje» në vende të ndryshme. E megjithatë, ata nuk i urrejnë jo-Dëshmitarët, as nuk kanë qenë ndonjëherë vatër revolte kundër qeverive. Përkundrazi, ata njihen në mbarë botën për faktin se praktikojnë dashurinë e vërtetë që kapërcen të gjitha pengesat shoqërore, raciale dhe etnike. Atëherë përse janë persekutuar? E si i përgjigjen ata kundërshtimit? Këto pyetje do të trajtohen në artikullin vijues.
[Shënimi]
a Shprehja «shtëpisë së Cezarit» nuk u referohet medoemos familjarëve të rrethit të ngushtë të Neronit, që atëherë ishte perandor. Në vend të kësaj, kjo mund t’u referohet shërbëtorëve shtëpiakë dhe zyrtarëve të ulët që ndoshta bënin shërbime shtëpiake si gatimin dhe pastrimin, për familjen dhe oborrin perandorak.
Si do të përgjigjesh?
◻ Pse Jezui i nxiti ithtarët e ardhshëm që të llogaritnin koston e të qenët dishepuj?
◻ Çfarë pasoje pati mbi judaizmin pikëpamja mbizotëruese për johebrenjtë dhe çfarë mësojmë nga kjo?
◻ Cilat ishin tri burimet, prej të cilave të krishterët hasën kundërshtime?
◻ Për cilat arsye themelore, të krishterët qenë «objekt urrejtjeje» nga romakët?
[Kutia në faqen 11]
‘Të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve’
Dëshmitarët e Jehovait përpiqen t’i vënë veshin këshillës së Biblës që ‘të bëjnë atë që është e mirë ndaj të gjithëve’. (Galatasve 6:10, BR) Në kohë nevoje, dashuria për të afërmin i motivon ata që të ndihmojnë edhe personat që nuk kanë të njëjtat pikëpamje fetare me ta. Për shembull, gjatë situatës katastrofike në Ruanda në vitin 1994, Dëshmitarët nga Evropa dolën vullnetarë për të shkuar në Afrikë që të ndihmonin me përpjekjet për lehtësim. Për ta administruar ndihmën u ngritën menjëherë kampe dhe spitale fushore të organizuara mirë. U dërguan me rrugë ajrore sasi kolosale ushqimesh, veshjesh dhe batanijesh. Numri i refugjatëve që përfituan nga kjo përpjekje për lehtësim ishte më shumë se trefishi i numrit të Dëshmitarëve në atë zonë.
[Figura në faqen 9]
Të krishterët e shekullit të parë e predikuan lajmin e mirë me një zell të paepur