A duhet t’i kërkoj hua vëllait tim?
DJALI i vogël i Simonit është sëmurë dhe ka urgjentisht nevojë për ilaçe. Por Simoni është shumë i varfër dhe nuk mund t’i blejë. Ç’mund të bëjë? E pra, Majkëlli, një bashkë i krishterë, është më mirë se ai nga gjendja ekonomike. Ndoshta Majkëlli do t’i japë ca para hua. Por, brendapërbrenda tij, Simoni e di se ka të ngjarë të mos jetë në gjendje t’ia kthejë huan.a
Kur Simoni i drejtohet atij, Majkëlli ndodhet përballë një dileme. Ai e kupton se kjo është vërtet një nevojë, por dyshon se Simoni nuk do të jetë në gjendje t’ia kthejë paratë, pasi thjesht për ta ushqyer familjen, atij i duhet të përpiqet shumë. Ç’duhet të bëjë Majkëlli?
Në shumë vende, njerëzit mund t’i humbin menjëherë mjetet e tyre të jetesës dhe të gjenden pa asnjë dyshkë ose pa sigurimet shoqërore, me të cilat mund të mbulojnë shpenzimet mjekësore. Ndoshta banka nuk jep hua ose ka interes tepër të lartë. Kur lind një urgjencë, duket se e vetmja zgjidhje është marrja hua. Por, përpara se të kërkosh hua, duhen marrë në konsideratë disa çështje të rëndësishme.
Llogarit koston
Shkrimet japin udhëzime si për huadhënësin, ashtu edhe për huamarrësin. Duke ua vënë veshin këtyre këshillave, mund të shmangim shumë keqkuptime dhe ndjenja të lënduara.
Për shembull, Bibla na kujton se çështjen e huamarrjes nuk duhet ta marrim kurrë me lehtësi. Të krishterët në Romë, apostulli Pavël i nxiti: «Mos i kini asnjë detyrim askujt, përveçse ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që do tjetrin e tij e ka përmbushur ligjin.» (Romakëve 13:8) Në mënyrë ideale, i vetmi borxh që një i krishterë duhet t’u ketë të tjerëve është dashuria. Prandaj, së pari duhet të pyesim veten: ‘A është vërtet e domosdoshme kjo hua?’
Nëse përgjigjja është po, atëherë është e mençur të marrim në shqyrtim pasojat e hyrjes në borxhe. Jezu Krishti tregoi se për vendime të rëndësishme kërkohet të mendosh dhe të planifikosh me kujdes. Ai i pyeti dishepujt e vet: «Kush nga ju, pra, kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta mbaruar?» (Luka 14:28) Ky parim aplikohet kur jemi duke shqyrtuar faktin nëse duhet apo jo t’i kërkojmë hua një vëllai. Të llogaritësh koston e një huaje do të thotë të llogaritësh se si dhe kur do ta shlyesh atë.
Huadhënësi ka të drejtë ta dijë se si dhe kur do t’i shlyhet huaja. Duke i peshuar me kujdes gjërat, do të jemi në gjendje t’i japim atij përgjigje konkrete. A e kemi llogaritur koston e kthimit të huasë brenda një periudhe të arsyeshme kohore? Sigurisht, do të ishte më e lehtë t’i thoshim vëllait: «Do të ta shlyej sa më shpejt që të jetë e mundur. Ti e di se mund të më zësh besë.» Por, a nuk duhet t’i trajtojmë çështje të tilla në një mënyrë më të përgjegjshme? Që në fillim duhet të jemi të vendosur ta shlyejmë huanë, sepse kjo është ajo që na kërkon Jehovai. «I ligu merr hua dhe nuk e shlyen»,—thotë Psalmi 37:21, BR.
Duke llogaritur se si dhe kur do ta shlyejmë huan, ne i kujtojmë vetes zotimin serioz që kemi marrë. Kjo e ul mundësinë për t’u futur në borxhe pa qenë e nevojshme. Nëse mund ta shmangim hyrjen në borxhe, kemi disa përparësi. Fjalët e urta 22:7 paralajmëron: «Huamarrësi është skllav i huadhënësit.» Edhe kur si huadhënësi, ashtu edhe huamarrësi janë vëllezër frymorë, huaja mund të ndikojë në marrëdhënien e tyre, të paktën deri në njëfarë mase. Madje keqkuptimet për huatë kanë prishur paqen e disa kongregacioneve.
Shpjego se përse të nevojiten paratë
Huadhënësi ka të drejtën të dijë në vija të përgjithshme se si do t’i përdorim paratë e huazuara. Veç kësaj huaje, a po marrim para edhe nga të tjerë? Nëse po, duhet ta bëjmë të qartë këtë gjë, sepse ajo ndikon mbi mundësinë tonë për ta shlyer huanë.
Sidomos është e rëndësishme të bëhet dallimi mes një huaje për biznes dhe një huaje që nevojitet për ndonjë urgjencë. Një vëlla nuk ka asnjë detyrim biblik që të japë para hua për një aventurë tregtare, por ka të ngjarë të ndihet i prirur për të ndihmuar nëse një vëlla tjetër, jo për faj të tij, gjendet në një situatë që nuk mund të paguajë për nevojat themelore të tilla, si: ushqimi, veshja ose për kujdesin e domosdoshëm mjekësor. Ndihma për të mos krijuar keqkuptime është të jemi të çiltër dhe të themi të vërtetën.—Efesianëve 4:25.
Bëje me shkrim
Për të shmangur keqkuptimet në të ardhmen, një hap i domosdoshëm është marrëveshja e bërë me shkrim. Nëse hollësitë specifike të marrëveshjes nuk i hedhim me shkrim, është e lehtë t’i harrojmë. Duhet të shkruajmë sasinë e marrë hua dhe se kur do të shlyhet ajo. Si për huadhënësin, ashtu edhe për huamarrësin, do të ishte e këshillueshme ta nënshkruanin marrëveshjen dhe të mbanin secili një kopje të vetën. Bibla tregon se operacionet financiare duhen dokumentuar. Pak kohë përpara se babilonasit të shkatërronin Jerusalemin, Jehovai i tha Jeremisë të blente një ngastër toke nga njëri prej të afërmve të tij. Nga një rishikim i procedurës së ndjekur, ne mund të nxjerrim dobi.
«Kështu, pra, bleva nga Hanameeli, nga biri i ungjit tim, arën që ndodhej në Anathoth,—tha Jeremia,—dhe ia peshova paratë; shtatëmbëdhjetë sikla argjendi. E nënshkrova aktin, e vulosa, thirra dëshmitarët dhe peshova paratë me peshore. Pastaj mora aktin e blerjes, atë të vulosur sipas ligjit dhe statuteve dhe atë të hapur, dhe ia dorëzova aktin e blerjes Barukut, birit të Neriathit, bir i Mahsehiahut, në prani të Hanameelit, kushëririt tim, në prani të dëshmitarëve që kishin nënshkruar aktin e blerjes dhe në prani të të gjithë judenjve që rrinin ulur në oborrin e burgut.» (Jeremia 32:9-12) Megjithëse shembulli i mësipërm ka të bëjë me një blerje dhe jo me një huadhënie, ai tregon rëndësinë e bërjes së operacioneve monetare në një mënyrë të qartë dhe të saktë.—Shiko Kullën e Rojës, 1 maj 1973, faqet 287-288, anglisht.
Nëse lindin vështirësi, të krishterët duhet të përpiqen t’i zgjidhin në harmoni me këshillën e Jezuit, e cila gjendet në Mateun 18:15-17. Por një plak, i cili është përpjekur të japë ndihmën e tij në çështje të tilla, thotë: «Pothuajse në çdo rast, nuk ekzistonte një marrëveshje e shkruar. Si rezultat, mes dy palëve nuk ishte e qartë se si duhej shlyer huaja. Jam i bindur se hedhja e këtyre gjërave me shkrim është shenjë dashurie dhe jo mosbesimi.»
Pasi bëjmë një marrëveshje, patjetër që duhet të përpiqemi të mbajmë fjalën. Jezui nxiti: «Fjala jote të jetë: Po, po; jo, jo; gjithçka më tepër vjen nga i ligu.» (Mateu 5:37) Nëse ndonjë problem i paparashikuar na pengon ta shlyejmë huanë në kohën e caktuar, menjëherë duhet t’ia shpjegojmë situatën huadhënësit. Ndoshta ai do të na lejojë t’ia paguajmë huanë në sasi më të vogla për një periudhë më të gjatë kohe.
Megjithatë, rrethanat e pafavorshme nuk na shkarkojnë nga përgjegjësitë tona. Ai që i druhet Jehovait, bën çmos për ta mbajtur fjalën. (Psalmi 15:4) Megjithëse punët mund të mos dalin siç e pritnim, duhet të jemi të përgatitur për të bërë sakrifica që të paguajmë borxhet tona, sepse kjo është përgjegjësia jonë e krishterë.
Kujdes kur jep para hua
Sigurisht, huamarrësi nuk është i vetmi që duhet t’i peshojë gjërat me kujdes. Edhe vëllai të cilit i kërkohet të japë hua, duhet të llogaritë shpenzimet. Përpara se të japim para hua, tregohemi të mençur nëse gjejmë kohën për t’i shqyrtuar gjërat me kujdes dhe objektivisht. Bibla na nxit të kemi kujdes, kur thotë: «Mos u bëj si ata që japin dorën si garanci, që bëhen garant për borxhet e të tjerëve.»—Fjalët e urta 22:26.
Përpara se të japësh fjalën, merr parasysh se çfarë mund të ndodhë nëse vëllai nuk është në gjendje të t’i kthejë paratë. A do të kesh ti vetë probleme serioze financiare? Edhe sikur vëllai të ketë qëllime shumë të mira, rrethanat mund të ndryshojnë ose ai mund t’i ketë bërë gabim llogaritë. Jakovit 4:14, BR, na kujton të gjithëve ne: «Nuk e dini se si do të jetë jeta juaj nesër. Sepse ju jeni një mjegull që duket për pak dhe pastaj zhduket.»—Krahaso Predikuesin 9:11.
Sidomos në rastin e huasë për biznes, do të ishte e mençur të merrej në konsideratë fama që ka huamarrësi. A njihet si një person i besueshëm dhe serioz apo është i paaftë në çështjet financiare? A ka tendencën që t’i vijë vërdallë kongregacionit, duke u kërkuar para personave të ndryshëm? Është e mençur të mbajmë parasysh këto fjalë: «Kushdo që nuk ka përvojë i beson çdo fjale, por mendjemprehti i shqyrton hapat e tij.»—Fjalët e urta 14:15, BR.
Ndonjëherë, huaja mund të mos jetë as për të mirën e vetë huamarrësit. Ajo mund të bëhet lehtë një barrë për të, duke i grabitur kështu gëzimin. A duam që një vëlla në këtë gjendje të bëhet «skllavi» ynë? A është e mundur që huaja të ndikojë në marrëdhënien tonë, duke ngjallur parehati apo madje edhe siklet, nëse ai nuk është në gjendje ta shlyejë atë?
Nëse ekziston vërtet një nevojë, a mund të marrim në konsideratë mundësinë për të bërë një dhuratë, në vend se për të dhënë një hua, edhe pse shuma e dhënë mund të jetë më e vogël? Shkrimet na inkurajojnë të jemi të dhembshur kur shohim një vëlla në nevojë. «I drejti tregon favor dhe bën dhurata»,—këndoi psalmisti. (Psalmi 37:21, BR) Dashuria duhet të na nxitë të bëjmë atë që mundemi, për t’u dhënë ndihmë praktike vëllezërve nevojtarë.—Jakovit 2:15, 16.
Shqyrto me kujdes hapat e tua
Meqenëse huatë janë një burim i mundshëm fërkimesh, duhet t’i konsiderojmë si mjetin e fundit në vend se një zgjedhje të lehtë. Siç u vërejt më lart, huamarrësi duhet të jetë i çiltër me huadhënësin, duke shkruar se si dhe se kur do të shlyhet huaja. Në rastet kur është vërtet një hall, zgjidhja më e mirë mund të jetë një dhuratë.
Majkëlli nuk ia dha Simonit paratë që i kërkoi hua. Në vend të tyre, ai i dha një sasi më të vogël si dhuratë. Simoni i qe mirënjohës për këtë ndihmë, me të cilën do të paguante ilaçet e të birit. Edhe Majkëlli ishte i lumtur që pati mundësi ta tregonte dashurinë e tij vëllazërore në mënyrë praktike. (Fjalët e urta 14:21; Veprat 20:35) Si Majkëlli, ashtu edhe Simoni mezi presin kohën e sundimit të Mbretërisë, kur Krishti «do ta çlirojë nevojtarin që bërtet» dhe kur askush nuk do të thotë «jam i sëmurë». (Psalmi 72:12; Isaia 33:24) Deri atëherë, le të shqyrtojmë me kujdes hapat tanë, nëse ndonjëherë do të jemi të detyruar t’i kërkojmë hua një vëllai.
[Shënimi]
a Këtu janë përdorur emra zëvendësues.
[Figura në faqen 25]
Marrëveshjet me shkrim për huat janë shenjë dashurie, jo mosbesimi